2011
Qëndrojuni Besnike Besëlidhjeve
Nëntor 2011


Qëndrojuni Besnike Besëlidhjeve

Ndërsa ne kemi besim në Krisht dhe u qëndrojmë besnike besëlidhjeve tona, ne do të marrim gëzimin për të cilin flitet në shkrimet e shenjta dhe që premtohet nga profetët tanë të ditëve të mëvonshme.

Barbara Thompson

“Prandaj, gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe kapu pas besëlidhjeve që ke bërë”1. Unë nuk mund ta lexoj këtë shkrim të shenjtë pa ndier gëzim. Zemra ime gëzohet ndërsa mendoj për premtimet dhe bekimet e shumta që kanë qenë pjesë e jetës sime kur unë kam kërkuar të qëndroj besnike ndaj besëlidhjeve që kam bërë me Atin tim Qiellor.

Duke qenë se të dy prindërit e mi kanë ndërruar jetë, u bë e nevojshme këtë vit që të pastroja shtëpinë e tyre dhe ta bëja gati për t’u shitur. Gjatë këtyre muajve të kaluar, ndërsa vëllezërit e motrat e mia dhe unë kemi pastruar dhe vënë në rregull shtëpinë e prindërve të mi, ne gjetëm tregime familjare dhe shumë letra e dokumente të rëndësishme. Ka qenë magjepsëse të lexoje nga historitë vetjake dhe bekimet patriarkale të prindërve dhe gjyshërve të mi. Unë u kujtova për besëlidhjet që ata bënë dhe mbajtën.

Gjyshja ime Elen Henks Rajmer ishte një nënë e re në vitin 1912, kur ajo mori bekimin e saj patriarkal. Ndërsa lexova bekimin e saj, këto rreshta lanë mbresa tek unë dhe qëndruan në mendjen time: “Ti je zgjedhur që përpara krijimit të tokës dhe je një shpirt i zgjedhur për të ardhur në këtë ditë. … Dëshmia jote do të lartësohet dhe ti do të jesh në gjendje të dëshmosh. … Shkatërruesi ka kërkuar të të shkatërrojë ty, por nëse ti do t’i qëndrosh besnike Perëndisë, ai [Shkatërruesi] nuk do të ketë fuqi të të dëmtojë ty. Përmes besnikërisë sate ti do të kesh fuqi të madhe dhe shkatërruesi do të zhduket përpara teje për shkak të drejtësisë sate. … Kur të vijë mbi ty ora e frikës dhe e sprovave, nëse ti do të shkosh në dollapin tënd të fshehtë në lutje, zemra jote do të ngushëllohet dhe pengesat do të hiqen.”2

Gjyshes sime iu premtua se nëse ajo do t’i mbante besëlidhjet e saj dhe do të qëndronte pranë Perëndisë, Satani nuk do të kishte fuqi mbi të. Ajo do të gjente ngushëllim dhe ndihmë në sprovat e saj. Këto premtime u përmbushën në jetën e saj.

Sot, unë dëshiroj të flas rreth 1) rëndësisë së të qëndruarit besnike ndaj besëlidhjeve dhe 2) gëzimit dhe mbrojtjes që vijnë nga mbajtja e besëlidhjeve.

Disa nga shembujt që unë do të përdor vijnë nga libri Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës]. Libri është i mbushur me shembuj të grave që kanë gjetur gëzim të madh në mbajtjen e besëlidhjeve.

Rëndësia e Të Qëndruarit Besnike ndaj Besëlidhjeve

Fjalori Biblik na thotë se një besëlidhje është një marrëveshje e bërë mes Perëndisë dhe njeriut. “Perëndia sipas dëshirës së tij të mirë, vendos kushtet të cilat njeriu i pranon. … Ungjilli është i organizuar në mënyrë të tillë që parimet dhe ordinancat të merren nëpërmjet besëlidhjes duke e vendosur atë që bën besëlidhje nën një detyrim dhe përgjegjësi të fortë për ta respektuar zotimin.”3 Në frazën “qëndrojuni besnikë besëlidhjeve”, fjalët qëndrojuni besnikë nënkuptojnë “t’i përmbahesh vendosmërisht dhe në mënyrë të ngushtë” diçkaje.4

Në shkrimet e shenjta ne mësojmë rreth burrave dhe grave që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë. Perëndia ka dhënë udhëzime se çfarë duhej bërë për t’i respektuar ato besëlidhje dhe pasi ato besëlidhje u mbajtën, erdhën bekimet e premtuara.

Për shembull, nëpërmjet ordinancës së pagëzimit, ne bëjmë një besëlidhje me Atin tonë Qiellor. Ne përgatitim veten për pagëzim duke pasur besim në Zotin Jezu Krisht, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke qenë të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Krishtit. Ne bëjmë një zotim që të mbajmë urdhërimet e Perëndisë dhe ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Ne besëlidhim që të “[mbajmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”. Ne tregojmë se jemi të gatshëm të vajtojmë me ata që vajtojnë dhe të ngushëllojmë ata që kanë nevojë të ngushëllohen.5

Në tempujt e shenjtë, merren ordinanca të tjera të shenjta dhe bëhen të tjera besëlidhje.Në ditët e hershme të Rivendosjes, Profeti Jozef Smith, mezi priste që shenjtorët të kishin bekimet e premtuara të tempullit. Zoti tha: “Kjo shtëpi duhet të ndërtohet për emrin tim, që unë të mund t’ia zbuloj ordinancat e mia popullit në të”6.

“Një nga qëllimet e Zotit në organizimin e Shoqatës së Ndihmës, ishte që të përgatiste bijat e Tij për bekimet më të mëdha të priftërisë që gjenden në ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit. Motrat në Navu e përshpejtuan përfundimin e tempullit me entuziazëm të madh, pasi ato e dinin, siç i premtoi Profeti Jozef Smith Mërsi Fillding Tompsonit, se indaumenti do t’i nxirrte ato ‘jashtë errësirës për te një dritë e mrekullueshme’.”7

“Mbi 5.000 shenjtorë u mblodhën në Tempullin e Navusë pas dedikimit të tij, që të mund të merrnin indaumentin dhe ordinancën e vulosjes përpara se të nisnin udhëtimin e tyre” për në Luginën e Solt-Lejkut8. Presidenti Brigam Jang dhe shumë udhëheqës të Kishës e punonjës të tempullit shpenzuan kohën e tyre, ditë e natë duke shërbyer në tempull në mënyrë që kjo punë e rëndësishme të mund të kryhej për shenjtorët.

Besëlidhjet tona na mbajnë ne fort qoftë në kohë të mira qoftë në kohë të vështira. Presidenti Bojd K. Paker na kujton se “ne jemi një popull i besëlidhjes. Ne besëlidhim që të japim nga burimet tona në kohë, para dhe talente – gjithçka jemi dhe gjithçka kemi – për të mirën e mbretërisë së Perëndisë mbi tokë. Me fjalë të thjeshta, ne besëlidhim që të bëjmë mirë. Ne jemi një popull i besëlidhjes dhe tempulli është qendra e besëlidhjeve tona. Ai është origjina e besëlidhjes.”9

Shkrimet e shenjta na kujtojnë: “Dhe kjo do të jetë besëlidhja jonë – që ne do të ecim në të gjitha ordinancat e Zotit”10.

Ne marrim bekime të mëdha kur qëndrojmë besnike ndaj besëlidhjeve tona.

Gëzim dhe Mbrojtje Vijnë nga Mbajtja e Besëlidhjeve Tona

Në Librin e Mormonit ne lexojmë për fjalimin e mbretit Beniamin. Ai u mësoi njerëzve për Jezu Krishtin, që Ai do të vinte në tokë dhe do të vuante të gjitha llojet e vuajtjeve. Ai u mësoi njerëzve se Krishti do të shlyente për mëkatet e të gjithë njerëzimit dhe se emri i Tij do të ishte i vetmi emër nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohej.11

Pasi i dëgjuan këto mësime të mrekullueshme, njerëzit u përulën dhe dëshiruan me gjithë zemër që të ishin të lirë nga mëkati dhe të pastroheshin. Ata u penduan dhe e shpallën besimin e tyre në Jezu Krisht. Ata bënë besëlidhje me Perëndinë që ata do t’i mbanin urdhërimet e Tij.12

“Shpirti i Zotit erdhi mbi ta dhe ata u mbushën me gëzim, pasi kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre dhe pasi kishin paqe të ndërgjegjes, për shkak të besimit të jashtëzakonshëm që ata kishin në Jezu Krishtin.”13

Një shembull tjetër i gëzimit që vjen nga besnikëria në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë dhe ndarjes së ungjillit të Tij me të tjerët, tregohet nga Amoni. Amoni dhe vëllezërit e tij qenë mjete për të ndihmuar mijëra njerëz të vinin tek Krishti. Ka disa fjalë që Amoni i përdori për të përshkruar ndjenjat e tij kur kaq shumë njerëz u pagëzuan dhe bënë besëlidhje me Perëndinë:

“Ç’arsye të madhe kemi për t’u gëzuar.”14

“Gëzimi im është i plotë, po, zemra ime është plot e përplot me gëzim dhe unë do të ngazëllehem në Perëndinë tim.”15

“Unë nuk mund të tregoj as pjesën më të vogël të asaj që ndiej.”16

“Nuk pati kurrë njerëz që të kishin shkak kaq të madh të gëzoheshin sa ne.”17

Kryerja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na bën të mundur që të kemi Shpirtin e Shenjtë me ne. Ky është Shpirti që “e mbush shpirtin tuaj me gëzim”18.

Lufta II Botërore shkaktoi shumë vuajtje për shumë njerëz anekënd botës. Shenjtorët në Gjermani duruan shumë sprova. Në Gjermani, ishte një presidente besnike e Shoqatës së Ndihmës, motra Maria Shpajdel. Duke folur për sprovat e saj, ajo tha: “Mirëbesimi ynë te Zoti dhe dëshmia jonë për Kishën e Tij kanë qenë shtylla jonë e forcës. … Me gëzim ne këndojmë këngët e Sionit dhe e vendosim mirëbesimin tonë te Zoti. Ai e bën gjithçka mirë.”19

Sërish, kur anëtarët i mbajtën besëlidhjet e tyre, ata ndien gëzim madje edhe përpara sfidave të llahtarshme.

Sara Riç ishte një grua e drejtë që jetonte në Navu, e cila u thirr për të shërbyer në tempull përpara se të dëboheshin shenjtorët nga qyteti.Këto janë fjalët e saj për bekimet e besëlidhjeve të tempullit: “Ne kemi marrë shumë bekime në shtëpinë e Zotit, që na kanë sjellë gëzim dhe ngushëllim në mes të të gjitha hidhërimeve tona dhe bënë të mundur që ne të kemi besim në Perëndi, duke e ditur se Ai do të na drejtonte dhe do të na mbështeste ne në rrugëtimin e panjohur që shtrihej përpara nesh”20.

Më parë, shenjtorët kishin përfunduar Tempullin e Kirtlandit dhe shumë morën pjesë në dedikim. Pas dedikimit, tempulli u pranua nga Zoti. Zoti u tha atyre të “gëzohen së tepërmi si pasojë e bekimeve që do të derdhen … mbi kokat e popullit të [Tij]”21.

Ndërkohë që sa vjen e më shumë tempuj po ndërtohen në tokë, unë kam parë bekimet që vijnë në jetën e anëtarëve. Në vitin 2008, unë isha dëshmitare e gëzimit të fytyrave të një çifti nga Ukraina ndërsa ata më tregonin rreth udhëtimit të tyre për në Frajberg të Gjermanisë për të marrë ordinancat e tyre të tempullit. Udhëtimi për në tempull zgjaste 27 orë me autobus në secilin drejtim për këta anëtarë të përkushtuar dhe ata nuk kishin mundësi të shkonin shpesh. Ata ishin të emocionuar që Tempulli i Kievit në Ukainë do të përfundonte së shpejti dhe ata do të mund ta frekuentonin më shpesh. Ai tempull tashmë është hapur dhe mijëra vetë gëzojnë bekimet atje.

Duke lexuar nga historia vetjake e gjyshes sime, unë mësova rreth gëzimit të saj të madh prej besëlidhjeve të saj. Asaj i pëlqente shumë të shkonte në tempull dhe të kryente ordinancat për mijëra prej atyre që kishin vdekur. Ai ishte misioni i jetës së saj. Ajo shërbeu si punonjëse tempulli për mbi 20 vjet në Tempullin e Mantisë në Juta. Ajo shkroi se kishte përjetuar shumë shërime të mrekullueshme në mënyrë që të rriste fëmijët e saj dhe t’u shërbente të tjerëve duke bërë punën e tyre në tempull. Duke qenë nipërit dhe mbesat e saj, nëse ne dinim diçka për Gjyshe Rajmerin, kjo ishte që ajo qe një grua e drejtë që i mbajti besëlidhjet e saj dhe dëshironte që ne të bënim të njëjtën gjë. Kur njerëzit të kontrollojnë zotërimet tona pasi ne të kemi vdekur, a do të gjejnë ata fakte që ne i kemi mbajtur besëlidhjet tona?

Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S.Monson, na tha në konferencën e fundit të përgjithshme: “Kur ju dhe unë shkojmë në shtëpitë e shenjta të Perëndisë, kur ne kujtojmë besëlidhjet që bëjmë së brendshmi, ne do të jemi më shumë në gjendje që të durojmë çdo sprovë dhe të mposhtim çdo tundim. Në këtë faltore të shenjtë ne do tëgjejmë paqe; ne do të përtërihemi dhe do të forcohemi.”22

Edhe njëherë: “Prandaj, gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe kapu pas besëlidhjeve që ke bërë”23. Mbajtja e besëlidhjeve është gëzim dhe lumturi e vërtetë. Ky është ngushëllimi dhe paqja. Kjo është mbrojtja nga ligësitë e botës. Mbajtja e besëlidhjeve tona do të na ndihmojë në kohë sprovash.

Unë dëshmoj se ndërsa ne kemi besim në Krisht dhe u qëndrojmë besnike besëlidhjeve tona, ne do të marrim gëzimin për të cilin flitet në shkrimet e shenjta dhe që premtohet nga profetët tanë të ditëve të mëvonshme.

Motra të dashura, unë ju dua dhe shpresoj se ju do ta përjetoni këtë gëzim të madh në jetën tuaj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.