2011
Bërja e Gjësë së Duhur në Kohën e Duhur, pa Vonesë
Nëntor 2011


Bërja e Gjësë së Duhur në Kohën e Duhur, pa Vonesë

Shpëtimtari … na dha një shembull të shkëlqyer për të mos pritur për t’u dhënë ndihmë atyre që kanë humbur ndjesinë e lumturisë e të gëzimit.

Elder José L. Alonso

Në kohën tonë, shumë njerëz po jetojnë mes trishtimit dhe hutimit të madh. Ata nuk po gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre dhe nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre. Disa e kanë humbur ndjesinë e lumturisë dhe të gëzimit. Profetët kanë shpallur se lumturia e vërtetë gjendet në ndjekjen e shembullit dhe të mësimeve të Krishtit. Ai është Shpëtimtari ynë, Ai është Mësuesi ynë dhe Ai është Shembulli i përsosur.

Jeta e Tij qe një jetë shërbimi. Kur i shërbejmë fqinjit tonë, ne ndihmojmë ata që janë në nevojë. Gjatë këtij procesi ne mund të gjejmë zgjidhje për vetë vështirësitë tona. Kur ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, ne u tregojmë dashurinë tonë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe bëhemi më shumë si Ata.

Mbreti Beniamin foli për vlerën e shërbimit, duke thënë se kur jemi “në shërbimin e bashkëqenieve [tona], [ne] je[m]i vetëm në shërbimin e Perëndisë [tonë]”1. Gjithësecili ka mundësi për të dhënë shërbim dhe për të shfaqur dashuri.

Presidenti Tomas S. Monson na ka kërkuar të shkojmë “në shpëtim” dhe t’u shërbejmë të tjerëve. Ai tha: “Ne do të zbulojmë se ata të cilëve u shërbejmë, që kanë ndier përmes punës sonë prekjen e dorës së Mësuesit, në një farë mënyre nuk mund ta shpjegojnë ndryshimin që vjen në jetën e tyre. Ka një dëshirë për të shërbyer besnikërisht, për të ecur përulësisht dhe për të jetuar më shumë si Shpëtimtari. Pasi kanë marrë kuptueshmërinë e tyre shpirtërore dhe kanë marrë një ide të premtimeve të përjetësisë, ata u bëjnë jehonë fjalëve të të verbrit të cilit Jezusi i ktheu shikimin dhe që tha: ‘Di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh’”2

Çdo ditë ne kemi mundësinë që të japim ndihmë e shërbim – të bëjmë gjënë e duhur, në kohën e duhur, pa vonesë. Mendoni për shumë njerëz që kanë një kohë të vështirë për të siguruar një punë, ose janë të sëmurë, që ndihen të vetmuar, që madje mendojnë se kanë humbur gjithçka. Çfarë mund të bëni për të ndihmuar? Përfytyroni se një fqinj, i mbetur në shi me makinë të prishur, ju telefonon që ta ndihmoni. Cila është gjëja e duhur për të bërë për të? Kur është koha e duhur për ta bërë atë?

Më kujtohet një rast kur shkuam si familje në qendër të qytetit të Meksikos për të blerë veshje për dy fëmijët tanë. Ata ishin të vegjël. Djali ynë më i madh ishte vetëm dy vjeç dhe djali më i vogël ishte një vjeç. Rruga ishte e mbushur me njerëz. Ndërsa po bënim blerje, duke i drejtuar fëmijët për dore, ndaluam për një çast për të parë diçka dhe, pa e kuptuar, e humbëm birin tonë më të madh! Nuk e dinim se si, por ai nuk ishte me ne. Pa vonuar asnjë çast, u nisëm vrap për ta kërkuar atë. Ne kërkuam dhe e thirrëm, duke ndier ankth të madh, duke menduar se mund ta humbisnim atë përgjithmonë. Në mendjet tona, po i përgjëroheshim Atit Qiellor që të na ndihmonte ta gjenim atë.

Pas pak ne e gjetëm atë. Ja ku ishte, duke parë pafajsisht lodrat në një vitrinë dyqani. Ne e përqafuam dhe e puthëm atë dhe u zotuam që të vëzhgonim me zell mbi fëmijët tanë që kurrë më të mos e humbisnim ndonjërin prej tyre. Mësuam se, me qëllim që të shkonim në shpëtim të birit tonë, nuk kishte nevojë të planifikonim mbledhje. Ne thjesht vepruam, duke shkuar në kërkim të atij që kishte humbur. Mësuam gjithashtu se biri ynë nuk e kuptoi kurrë që kishte humbur.

Vëllezër e motra, mund të ketë shumë vetë që, për disa arsye, kanë humbur nga fushëpamja jonë dhe që nuk e dinë se kanë humbur. Nëse vonojmë, ne mund t’i humbasim ata përgjithmonë.

Për shumë vetë që kanë nevojë për ndihmën tonë, nuk është e domosdoshme të krijojmë programe të reja ose të ndërmarrim veprime që janë të ndërlikuara e të shtrenjta. Atyre u duhet vetëm vendosmëria jonë për të shërbyer – për të bërë gjënë e duhur, në kohën e duhur, pa vonesë.

Kur Shpëtimtari iu shfaq njerëzve të Librit të Mormonit, Ai na dha një shembull të shkëlqyer për të mos pritur për t’u dhënë ndihmë atyre që kanë humbur ndjesinë e lumturisë e të gëzimit. Pasi u kishte dhënë mësim njerëzve, Ai pa se ata nuk qenë në gjendje të kuptonin të gjitha fjalët e Tij. Ai i ftoi ata që të shkonin në shtëpitë e tyre dhe të meditonin gjërat që Ai u kishte thënë atyre. Ai u tha atyre që t’i luteshin Atit dhe të përgatiteshin për të ardhur sërish të nesërmen, kur Ai do të kthehej që t’i mësonte ata.3

Kur përfundoi, Ai pa mbi turmën dhe i pa duke qarë, sepse ata donin shumë që Ai të qëndronte me ta.

“Dhe ai u tha atyre: Vini re, zemra ime është e mbushur me dhembshuri për ju.

A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë.”4

Dhe ata i sollën të sëmurët e tyre tek Ai dhe Ai i shëroi ata. Turma u përul tek këmbët e Tij dhe e adhuroi, dhe i puthi këmbët Atij, “kaq sa ia lanë këmbët e tij me lotët e tyre”. Pastaj Ai i urdhëroi që të sillnin fëmijët e tyre të vegjël dhe i bekoi ata një e nga një.5 Ky është modeli që na ka dhënë Shpëtimtari. Dashuria e Tij është për të gjithë, por Ai nuk e harron kurrë asnjërin.

Unë e di se Ati ynë Qiellor është i dashur, mirëkuptues dhe i duruar. Biri i Tij, Jezu Krishti, po ashtu na do. Ata na japin ndihmë nëpërmjet profetëve të Tyre. Kam mësuar se ka siguri të madhe kur ndiqen profetët. “Shpëtimi” ende vazhdon. Presidenti Monson tha: “Zoti pret që ne të mendojmë. Ai pret që ne të veprojmë. Ai pret që ne të punojmë. Ai pret dëshmitë tona. Ai pret përkushtimin tonë.”6

Ne kemi një përgjegjësi dhe një mundësi të madhe. Ka shumë njerëz që kanë nevojë të provojnë sërish aromën e ëmbël të lumturisë dhe të gëzimit nëpërmjet aktivitetit në Kishë. Ajo lumturi vjen nga marrja e ordinancave, nga bërja e besëlidhjeve të shenjta dhe nga mbajtja e tyre. Zoti ka nevojë që ne t’i ndihmojmë ata. Le të bëjmë gjënë e duhur në kohën e duhur, pa vonesë.

Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe është Ati ynë. Jezu Krishti jeton dhe ka dhënë jetën e Tij që ne të mund të kthehemi në praninë e Atit tonë Qiellor. Unë e di që Ai është Shpëtimtari ynë. Unë e di se shpirtmirësia e Tyre e pafundme del në dritë vazhdimisht. Unë jap dëshmi se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Tyre dhe se kjo është e vetmja Kishë e vërtetë mbi faqen e dheut. Unë e di se Profeti Jozef Smith ishte profeti i Rivendosjes. Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Ai na jep udhëheqje dhe modele që t’i ndjekim me qëllim që të bëhemi më shumë si Perëndia dhe Biri i Tij i Dashur. Unë deklaroj kështu, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.