2011
Zbulesa Personale dhe Dëshmia
Nëntor 2011


Zbulesa Personale dhe Dëshmia

Nëse i mbajmë me zell urdhërimet dhe kërkojmë në besim, përgjigjet do të vijnë në mënyrën e Zotit dhe në kohën e Tij.

Barbara Thompson

Shumë vite më parë, kur isha studente kolegji, po dëgjoja një konferencë të përgjithshme në radio, pasi nuk kishim TV në apartamentin tonë të vogël. Folësit e konferencës ishin të mrekullueshëm dhe unë po provoja ndjenja të fuqishme nga Shpirti i Shenjtë.

Më kujtohet mirë kur një Autoritet i Përgjithshëm foli për Shpëtimtarin e shërbesën e Tij dhe pastaj dha një dëshmi të zjarrtë, Shpirti i Shenjtë i dëshmoi shpirtit tim se ai kishte thënë të vërtetën. Në atë çast unë nuk kisha dyshim se Shpëtimtari jeton. Gjithashtu nuk kisha dyshim se po përjetoja zbulesë personale që më vërtetoi “se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë”1.

Kur isha fëmijë tetë vjeç, unë u pagëzova e u konfirmova dhe mora dhuratën e Frymës së Shenjtë. Qe një bekim i mrekullueshëm atëherë, por është bërë gjithmonë e më e rëndësishme ndërsa jam rritur dhe kam përjetuar dhuratën e Frymës së Shenjtë në shumë mënyra që atëherë.

Shpesh, ndërsa rritemi nga fëmijëria në adoleshencë dhe pastaj në pjekuri, kemi sfida dhe përvoja përgjatë udhës që na bëjnë të dimë se kemi nevojë për ndihmë hyjnore që vjen nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Ndërsa vijnë vështirësitë, ne mund të pyesim veten: “Cila është përgjigjja për problemin tim?” dhe “Si mund ta di se çfarë të bëj?”

Shpesh kujtoj tregimin tek Libri i Mormonit mbi Lehin që i mëson ungjillin familjes së tij. Ai u tregoi atyre shumë zbulesa e mësime mbi gjërat që do të ndodhnin në ditët e mëvonshme. Nefi kërkoi udhëheqjen e Zotit me qëllim që të kuptonte më plotësisht mësimet e atit të tij. Ai u lartësua moralisht, u bekua dhe u frymëzua të dinte se mësimet e atit të tij ishin të vërteta. Kjo i dha mundësi Nefit që të ndiqte me kujdes urdhërimet e Zotit dhe të bënte një jetë të drejtë. Ai mori zbulesë personale që ta udhëhiqte atë.

Nga ana tjetër, vëllezërit e tij debatonin me njëri-tjetrin sepse nuk i kuptonin mësimet e atit të tyre. Nefi atëherë bëri një pyetje shumë të rëndësishme: “A i keni kërkuar Zotit?”2

Përgjigjja e tyre ishte e pafuqishme: “Ne nuk i kemi kërkuar; pasi Zoti nuk na e bën të ditur asgjë të tillë neve”3.

Nefi e përdori atë mundësi për t’u mësuar vëllezërve të tij se si të merrnin zbulesë personale. Ai tha: “A nuk i mbani mend ju gjërat që Zoti ka thënë?—Në qoftë se ju nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja dhe më kërkoni mua në besim, duke besuar se ju do të merrni, me zell në mbajtjen e urdhërimeve të mia, me siguri këto gjëra do t’ju bëhen të ditura.”4

Mënyra për të marrë zbulesë personale vërtet është mjaft e qartë. Neve na duhet të dëshirojmë që të marrim zbulesë, ne nuk duhet t’i ngurtësojmë zemrat tona dhe pastaj duhet të kërkojmë në besim, duke besuar vërtet se do të marrim një përgjigje, dhe pastaj të mbajmë me zell urdhërimet e Perëndisë.

Ndjekja e këtij modeli nuk do të thotë se çdo herë që i bëjmë një pyetje Perëndisë, përgjigjja do të shfaqet menjëherë me çdo hollësi të asaj që duhet të bëjmë. Megjithatë, ajo do të thotë që, nëse i mbajmë me zell urdhërimet dhe kërkojmë në besim, përgjigjet do të vijnë në mënyrën e Zotit dhe në kohën e Tij.

Kur isha fëmijë mendoja se zbulesa personale ose përgjigjet ndaj lutjeve do të vinin si një zë i dëgjueshëm. Vërtet, disa zbulesa vijnë duke dëgjuar një zë të vërtetë. Megjithatë, kam mësuar se Shpirti flet në shumë mënyra.

Doktrina e Besëlidhje, seksioni 6, shpjegon disa mënyra sipas të cilave ne mund të marrim zbulesë:

“Ke kërkuar prej meje dhe vër re, sa shpesh që ti ke kërkuar, ke marrë udhëzim nga Shpirti im”5.

“Unë vërtet e ndriçova mendjen tënde.”6

“A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen?”7

Në shkrime të tjera të shenjta mësojmë më shumë mbi marrjen e zbulesës:

“Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde. Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës”8.

“Unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.”9

“Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim.”10

Më shpesh, zbulesa personale do të vijë ndërsa studiojmë shkrimet e shenjta, dëgjojmë e ndjekim këshillën e profetëve dhe të udhëheqësve të tjerë të Kishës, si dhe përpiqemi të jetojmë jetë besnike e të drejta. Nganjëherë frymëzimi do të vijë nga një varg i vetëm i shkrimit të shenjtë ose nga një rresht në një bisedë konference. Ndoshta përgjigjja juaj do të vijë kur fëmijët e Fillores do të jenë duke kënduar një këngë të bukur. Këto të gjitha janë forma të zbulesës.

Në ditët e hershme të Rivendosjes, shumë anëtarë kërkuan zbulesë me zell dhe u bekuan e u frymëzuan që të dinin se çfarë të bënin.

Motrës Eliza R. Snou iu dha një përgjegjësi nga profeti Brigam Jang për të ndihmuar që të nxiste e t’u jepte mësim motrave të Kishës. Ajo “dha mësim se gratë individualisht mund të merrnin frymëzim për t’i udhëhequr ato në jetën e tyre personale, familjet e tyre dhe përgjegjësitë e tyre në Kishë. Ajo tha: ‘U them motrave të shkojnë përpara dhe të përmbushin detyrat e tyre, në përulësi e besnikëri dhe Shpirti i Perëndisë do të qëndrojë mbi to e ato do të bekohen në punët e tyre. Le të kërkojnë ato urtësi në vend të pushtetit dhe ato do të kenë të gjithë pushtetin që kanë urtësi ta ushtrojnë.’”11

Motra Snou u mësoi motrave të kërkojnë udhëheqje nga Fryma e Shenjtë. “Ajo tha se Fryma e Shenjtë ‘kënaq e përmbush çdo dëshirë të zemrës njerëzore dhe mbush çdo zbrazëti. Kur mbushem me atë Shpirt, … shpirti im kënaqet.’”12

Presidenti Diter F. Uhtdorf ka dhënë mësim se “zbulesa dhe dëshmia nuk vijnë gjithmonë me forcë të madhe. Për shumë, dëshmia vjen ngadalë – pjesë-pjesë.” Më tej ai tha: “Le të kërkojmë me zell dritën e frymëzimit vetjak. Le të lutemi te Zoti për ta pajisur mendjen dhe shpirtin tonë me fillimet e besimit që do të na mundësojnë të marrim dhe të njohim shërbesën hyjnore të Shpirtit të Shenjtë.”13

Dëshmitë tona na fuqizojnë e na forcojnë ndërsa përballim sfida në jetën tonë të përditshme. Disa njerëz ndeshen me probleme të vështira shëndetësore; disa përjetojnë probleme financiare; të tjerë kanë sfida në martesë ose me fëmijët e tyre; disa vuajnë nga vetmia ose shpresa dhe ëndrra të paplotësuara. Është dëshmia jonë, e ndërthurur me besimin tonë në Zotin Jezu Krisht dhe njohurinë tonë për planin e shpëtimit, që na ndihmon të kapërcejmë këto kohë sprove dhe mundimi.

Në librin Daughters in My Kingdom [Bija në Mbretërinë Time], lexojmë për Motrën Hedvig Biraihel, një grua në Gjermani që vuajti shumë hidhërime dhe mungesa gjatë Luftës II Botërore. Për shkak të dashurisë e natyrës mirëbërëse të saj dhe madje edhe në kushte nevoje të madhe për vete, ajo me gatishmëri e ndau ushqimin e saj me një të burgosur lufte që po vdiste urie. Më vonë, kur e pyetën se si qe në gjendje ta “mbante një dëshmi gjatë gjithë [atyre] sprovave”, në fakt ajo u përgjigj: “Nuk e mbajta unë dëshminë gjatë atyre kohëve – dëshmia më mbajti mua”14.

Meqë ne kemi një dëshmi të fortë kjo s’do të thotë se do të mbetet kështu gjithmonë. Ne duhet ta ushqejmë e ta forcojmë atë me qëllim që ajo të ketë fuqi të mjaftueshme sa të na mbështesë. Kjo është një nga arsyet pse ne “mblidhe[mi] së bashku shpesh” – që të mund të marrim sakramentin, të përtërijmë besëlidhjet tona dhe të “ushqehe[mi] nga fjala e mirë e Perëndisë”. Është fjala e mirë e Perëndisë që na mban “përherë të kujdesshëm në lutje, duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit që [është] autori dhe plotësuesi i besimit [tonë]”15.

Plaku Dejvid A. Bednar na ka dhënë mësim: “Kur, në mënyrën e duhur, jeni në kërkim të shpirtit të zbulesës dhe e vini në jetë atë, ju premtoj që do të ‘[ecni] në dritën e Zotit’ (Isaia 2:5; 2 Nefi 12:5). Nganjëherë shpirti i zbulesës do të veprojë menjëherë dhe ngjeshur, herë të tjera hollë-hollë e shkallë-shkallë dhe, shpeshherë, me aq brishtësi, sa ju madje mund të mos e dalloni me vetëdije. Por, pavarësisht mënyrës me të cilën merret ky bekim, drita që ai siguron do t’jua ndrisë e do t’jua zmadhojë shpirtin, do t’jua ndriçojë të kuptuarit (shih Alma 5:7; 32:28) dhe do t’ju drejtojë e mbrojë juve dhe familjen tuaj.”16

Zoti dëshiron të na bekojë me udhëheqje, urtësi dhe drejtim në jetën tonë. Ai dëshiron të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne. Sërish, për zbulesë personale ne duhet të dëshirojmë që ta marrim atë, ne nuk duhet t’i ngurtësojmë zemrat dhe pastaj duhet të kërkojmë në besim, duke besuar vërtet se do të marrim një përgjigje, dhe pastaj të mbajmë me zell urdhërimet e Perëndisë. Atëherë, kur të kërkojmë përgjigje për pyetjet tona, Ai do të na bekojë me Shpirtin e Tij. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.