2011
Daughters in My Kingdom: A Historical Work for Today’s LDS Woman [Bija në Mbretërinë Time: Një Punë Historike për Gratë e Sotme SHDM]
Nëntor 2011


Daughters in My Kingdom: A Historical Work for Today’s LDS Woman [Bija në Mbretërinë Time: Një Punë Historike për Gratë e Sotme SHDM]

Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës], një libër i ri i përgatitur nën drejtimin e Presidencës së Parë, përmban një dokument të trashëgimisë së Shoqatës së Ndihmës dhe grave të Kishës, tha Xhuli B. Bek, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, gjatë mbledhjes së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtator 2011.

“Ai do t’i bashkojë motrat nëpër botë dhe do t’i ndihmojë ato të jetojnë në përputhje me qëllimet e Shoqatës së Ndihmës dhe modelet e privilegjet e të jetuarit si një pasuese”, tha ajo. “Ai është një dëshmi e rolit qendror të grave në planin e lumturisë së Atit tonë dhe ofron një standard të palëkundur të asaj se çfarë besojmë, çfarë bëjmë dhe çfarë do të mbrojmë” (faqja 113 e këtij botimi).

Motra Bek tha se libri siguron një bazë për identitetin e grave si bija të Perëndisë. Ndërsa njerëzit e studiojnë librin, tha ajo, ata do të jenë në gjendje të shohin se si Shoqata e Ndihmës do të veprojë në jetën e çdo motre.

Si u Krijua Libri

Projekti filloi si një detyrë nga Presidenca e Parë. Suzan W. Taner, ish-presidentja e përgjithshme e Të Rejave, u veçua për të shkruar librin. Motra Bek dhe këshilltaret e saj, Silvia H. Ollred dhe Barbara Tompson, u caktuan për të administruar projektin dhe për të punuar me Motrën Taner, redaktorët, faqosësit dhe të tjerët për të përcaktuar drejtimin e tij përmes shpirtit të zbulesës. Motra Bek tha: “Unë kurrë nuk kam punuar në ndonjë projekt që ka qenë kaq shumë i drejtuar nga Shpirti sa ky”.

Një pjesë e atij procesi përfshiu marrjen e vendimit se cila nga mijëra faqet e rrëfimit historik duhej të përfshihej në libër. Motra Bek, këshilltaret e saj dhe Motra Taner shqyrtuan procesverbalet nga mbledhjet e mëparshme të Shoqatës së Ndihmës në Navu dhe histori e rrëfime të tjera rreth Shoqatës së Ndihmës dhe grave të Kishës.

Motra Bek tha se përfundimi nuk është një histori tipike kronologjike, por një histori shpirtërore e grave të Kishës dhe Shoqatës së Ndihmës.

“Ne e studiojmë historinë tonë sepse ajo na ndihmon ne që të ndryshojmë”, tha Motra Bek në fjalimin e saj të mbledhjes së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtator 2010. “Së fundi, vlera e historisë nuk është aq shumë te datat, kohët dhe vendet. Ajo është e vlefshme sepse na mëson neve parimet, qëllimet dhe modelet që ne duhet të ndjekim, ajo na ndihmon të dimë kush jemi e çfarë duhet të bëjmë dhe na bashkon në forcimin e shtëpive të Sionit e në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë” (“Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës,” Liahona, nëntor 2010, f. 115).

Ndërsa libri ndjek një linjë kohore, mësimet e tij janë paraqitur në kapituj që janë tematikë. Ai përdor histori dhe shembuj nga shkrimet e shenjta dhe kohët moderne, nga fjalët e profetëve dhe nga udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës për t’i dhënë mësim mesazhet e tij të rëndësishme.

Ndikimi i Librit

Motra Bek tha se nëpërmjet librit, motrat do të mësojnë se si t’i përmbushin qëllimet e Shoqatës së Ndihmës në jetën e tyre dhe si motëri pasuese e mbajtjes së besëlidhjes.

“Ato do të mësojnë se çfarë do të thotë të rrisësh besimin dhe drejtësinë vetjake, të forcosh familjen e shtëpinë dhe të kërkosh e ndihmosh të tjerët që janë në nevojë”, tha Motra Bek në një intervistë për revistat e Kishës. “Ndërkohë që motrat arrijnë të kuptojnë rolin e tyre në Shoqatën e Ndihmës, ato mund të kuptojnë se sa ndikuese kanë qenë gratë në zhvillimin e Kishës, si në lashtësi, ashtu edhe në ditët e fundit dhe ato mund të dinë qëllimin e tyre dhe identitetin e tyre.”

Motra Bek beson se ata që e lexojnë librin do të mësojnë nëpërmjet shembullit dhe porosisë morale se si të dëgjojnë Frymën e Shenjtë dhe të marrin zbulesë personale. Ata gjithashtu, mund të forcohen dhe inkurajohen në jetën e tyre të përditshme dhe në sfidat e vështirësitë e tyre.

“Ka shumë shembuj force në libër – shumë forcë që mund ta marrim për shembull”, tha Motra Bek. “Kështu që në ditë të vështira, unë shpresoj se njerëzit do ta mbajnë librin e tyre pranë, do ta marrin dhe do të lexojnë një histori ose shembull që do t’i forcojë ata.”

Motra Bek tha gjithashtu se libri do të shkojë në shtëpitë e Kishës nëpërmjet duarve të motrave, por ajo beson se libri do të jetë një burim i rëndësishëm si për burrat ashtu edhe për gratë. Ai do t’i ndihmojë të rejat të kuptojnë se si ato bëhen pjesë e një motërie të mrekullueshme në mbarë botën, dhe ai mund t’i bashkojë bashkëshortët dhe bashkëshortet në punën e tyre të shenjtë për të udhëzuar familjen e tyre dhe për të shërbyer në Kishë.

Pas studimit të librit, Deil Kuk, presidenti i kunjit Bluf në Sajrakjus të Jutas, tha se ky do të jetë një burim i rëndësishëm për të ndihmuar jo vetëm gratë e Kishës për të kuptuar rolin e tyre si pasuese të Krishtit, por gjithashtu dhe burrat. “Ju e lexoni dhe e shihni se si ajo [Shoqata e Ndihmës] është e gërshetuar dhe e lidhur me priftërinë”, tha Presidenti Kuk. “Ajo më ka ndihmuar të kuptoj fuqinë tek bashkëshortja ime dhe [si] ta dua [më mirë] atë dhe ta ndihmoj e mbështes.”

Rreth Librit

Libri është një burim për studimin vetjak dhe për mësimdhënien në shtëpi, në Shoqatën e Ndihmës dhe në mjedise të tjera të Kishës. Ai po u dërgohet peshkopëve dhe presidentëve të degëve, të cilët do të punojnë me presidentet e Shoqatës së Ndihmës për të vendosur se si ta bëjnë shpërndarjen e librave një bekim për motrat në lagje dhe degë.

Librat priten të jenë në dispozicion në gati njëzet gjuhë nga fundi i janarit 2012. Shumë prej tyre janë tashmë të arritshme në internet, ku anëtarët mund të gjejnë video shoqëruese, të ndajnë citate dhe të lexojnë sugjerime për mënyrën se si t’i përdorin dhe ndajnë mesazhet në libër. Shkoni te lds.org/relief-society/daughters-in-my-kingdom. Klikoni në “Additional Languages (PDF)” në qendër të faqes poshtë “Related Resources”. Një listë e gjuhëve në dispozicion do të shfaqet në anën e djathtë të faqes tjetër. Faqja e internetit në fund do të përkthehet në disa gjuhë.

Një botim i librit me kapak kartoni është planifikuar në anglisht, portugalisht dhe spanjisht deri në fund të vitit dhe do të jetë i gatshëm përmes Shërbimeve të Shpërndarjes dhe store.lds.org.

FOTOGRAFI NGA RICK WALLACE