2011
Mundësia Unike në Jetë
Nëntor 2011


Mundësia Unike në Jetë

Nëpërmjet shërbimit tuaj të përkushtuar dhe sakrificës së vullnetshme, misioni juaj do të bëhet përvojë e shenjtë për ju.

Elder W. Christopher Waddell

Një ngjarje kulmore në jetën e një misionari/eje është intervista e tij ose e saj përfundimtare, ose intervista “e mbylljes” me presidentin e misionit. Në thelb të intervistës do të jetë një diskutim i asaj që duket të jetë një ngjarje domethënëse e përvojave të paharrueshme dhe mësimeve thelbësore që janë marrë në vetëm 18 deri në 24 muaj.

Ndërsa shumë nga këto përvoja dhe mësime mund të jenë të përbashkëta për shërbimin misionar, çdo mision është unik, me sfidat dhe mundësitë që do të na tendosin dhe do të na provojnë sipas nevojave dhe personaliteteve tona të veçanta.

Kohë para se të linim shtëpinë tonë tokësore për të shërbyer një mision kohëplotë, ne lamë prindërit qiellorë për të përmbushur misionin tonë në vdekshmëri. Ne kemi një Atë në Qiell, i cili na njeh – pikat tona të forta dhe dobësitë, aftësitë dhe potencialin tonë. Ai e di se për cilin president e shokë misioni dhe cilët anëtarë e kërkues kemi nevojë në mënyrë që të jemi misionari, bashkëshorti dhe babai, dhe mbajtësi i priftërisë që jemi i aftë për t’u bërë.

Profetët, shikuesit dhe zbuluesit i caktojnë misionarët nën drejtimin dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë. Presidentët e misioneve të frymëzuar drejtojnë transferime çdo gjashtë javë dhe shpejt mësojnë se Zoti e di saktësisht ku Ai dëshiron që secili misionar të shërbejë.

Disa vite më parë, Plaku Havier Misiego, nga Madridi në Spanjë, ishte duke shërbyer një mision kohëplotë në Arizona. Në atë kohë, thirrja e misionit të tij në Shtetet e Bashkuara iu duk disi e pazakontë, sepse shumica e të rinjve nga Spanja ishin thirrur për të shërbyer në vendin e tyre.

Në përfundim të një mbrëmjeje rreth vatrës të kunjit, ku ai dhe shoku i tij ishin ftuar për të marrë pjesë, Plakut Misiego iu qas një anëtar më pak aktiv i Kishës, i cili ishte sjellë nga një mik. Ishte hera e parë në kaq vite që ky burrë kishte qenë brenda një godine kishtare. Plakun Misiego e pyeti nëse ai mund të njihte një Hozé Misiego në Madrid. Kur Plaku Misiego iu përgjigj se emri i babait të tij ishte Hozé Misiego, burri i emocionuar i bëri edhe disa pyetje më shumë për të vërtetuar se ky ishte i njëjti Hozé Misiego. Kur u kuptua se ata ishin duke folur për të njëjtin njeri, ky anëtar më pak aktiv filloi të qante. “Babai yt ishte i vetmi person që pagëzova gjatë gjithë misionit tim”, i shpjegoi ai dhe ai përshkroi se si misioni i tij, në mendjen e tij, kishte qenë një dështim. Vitet e tij të pasivitetit ai ua atribuoi disa ndjenjave të papërshtatshmërisë dhe shqetësimit, duke besuar se, në një farë mënyre, e kishte lënë në baltë Zotin.

Më pas, Plaku Misiego përshkroi se çfarë nënkuptonte për familjen e tij ky dështim i supozuar i një misionari. Ai i tha atij se babai i tij, i pagëzuar si një i ri beqar në moshë madhore, ishte martuar në tempull, se Plaku Misiego ishte i katërti nga gjashtë fëmijët, që të tre djemtë dhe një motër kishin shërbyer misione kohëplota, që të gjithë ishin aktivë në Kishë, dhe se të gjithë ata që ishin martuar, ishin vulosur në tempull.

Misionari i rikthyer më pak aktiv filloi të qante me dënesë. Ai tani mësoi se, nëpërmjet përpjekjeve të tij, shumë jetë ishin bekuar dhe Zoti kishte dërguar një plak nga Madridi i Spanjës, gjithë atë rrugë për në një mbrëmje rreth vatrës në Arizonë për t’i treguar atij se ai nuk kishte qenë një dështak. Zoti e di se ku dëshiron Ai që të shërbejë secili misionar.

Në çfarëdo mënyre Zoti mund të zgjedhë për të na bekuar gjatë rrjedhës së një misioni, bekimet e shërbimit misionar nuk janë paracaktuar për të përfunduar kur ne lirohemi nga presidenti ynë i kunjit. Misioni juaj është një terren përgatitjeje për jetën. Përvojat, mësimet dhe dëshmia të marra nëpërmjet shërbimit besnik janë destinuar për të siguruar një themel të përqendruar te ungjilli që do të zgjasë gjatë gjithë vdekshmërisë dhe në përjetësi. Megjithatë, janë disa kushte që duhet të përmbushen, që bekimet të vazhdojnë pas misionit. Te Doktrina e Besëlidhje lexojmë: “Sepse të gjithë ata që dëshirojnë të kenë bekim nga dora ime, duhet t’i binden ligjit që u caktua për atë bekim dhe kushteve të tij” (DeB 132:5). Ky parim jepet mësim në historinë e Eksodit.

Pas marrjes së urdhrit nga Zoti, Moisiu u kthye në Egjipt për të nxjerrë bijtë e Izraelit nga robëria. Plagë pas plage nuk arriti të siguronte lirinë e tyre, duke i çuar te plaga e 10-të dhe e fundit: “Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit” (Eksodi 12:12).

Për mbrojtje kundër “shkatërruesi[t]” (vargu 23), Zoti e udhëzoi popullin e Tij për të ofruar një sakrificë, një qengj “pa të meta” (vargu 5), dhe për të marrë gjakun nga sakrifica. Më pas ata do “të [merrnin] nga ai gjak” dhe do ta vinin në hyrje të çdo shtëpie – mbi “dy shtalkat dhe mbi arkitraun” (vargu 7) – me këtë premtim: “Kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur” (vargu 13).

“Bijtë e Izraelit shkuan dhe … ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti” (vargu 28). Ata ofruan sakrificën, morën gjakun dhe e vunë te shtëpitë e tyre. “Prandaj ndodhi që në mesnatë Zoti goditi tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit” (vargu 29). Moisiu dhe populli i tij u mbrojtën sipas premtimit të Zotit.

Gjaku i përdorur nga izraelitët, simbolikë e Shlyerjes së ardhshme për njerëzimin të Shpëtimarit, ishte produkt i sakrificës që ata kishin ofruar. Megjithatë, vetëm sakrifica dhe gjaku nuk do të kishin qenë të mjaftueshme për të marrë bekimin e premtuar. Pa vënien e gjakut në arkitra, sakrifica do të kishte qenë e kotë.

Presidenti Tomas S. Monson na ka mësuar: “Puna misionare është e vështirë. Ajo shteron energjitë e dikujt, sforcon kapacitetin e dikujt, ajo kërkon përpjekjen më të mirë të dikujt. … Asnjë punë tjetër nuk kërkon orë më të gjata ose përkushtim më të madh, ose sakrificë të tillë dhe lutje të zjarrtë” (“That All May Hear”, Ensign, maj 1995, f. 49).

Si rezultat i asaj sakrifice, ne kthehemi nga misionet me dhuratat tona: Dhuratën e besimit. Dhuratën e dëshmisë. Dhuratën e të kuptuarit të rolit të Shpirtit. Dhuratën e studimit të përditshëm të ungjillit. Dhuratën që i kemi shërbyer Shpëtimtarit tonë. Dhurata të paketuara me kujdes me shkrime të shenjta të ngrëna nga përdorimi, kopje të bëra copë të manualit Predikoni Ungjillin Tim, ditare të misionarit dhe zemra mirënjohëse. Megjithatë, ashtu si bijtë e Izraelit, bekimet e vazhdueshme që lidhen me shërbimin misionar, kërkojnë vënien në jetë pas sakrificës.

Disa vite më parë, kur unë dhe Motra Uadell kryesuam në Misionin e Spanjës, Barcelonë, unë do t’i caktoja një detyrë të fundit secilit misionar/e gjatë intervistës së tyre përfundimtare. Kur ata/ato të ktheheshin në shtëpi, iu kërkua që menjëherë të përdornin kohë për të menduar mbi mësimet dhe dhuratat e ofruara atyre nga një Atë bujar në Qiell. Atyre iu kërkua që me lutje të renditnin dhe të merrnin parasysh se si t’i zbatonin më mirë këto mësime në jetën pas misionit – mësime që do të ndikonin çdo aspekt të jetës së tyre: arsimimim dhe zgjedhjen e karrierës, martesën dhe fëmijët, shërbimin e ardhshëm në Kishë dhe, akoma më e rëndësishmja, se cilët do të vazhdonin të bëheshin dhe zhvillimin e tyre të vazhdueshëm si dishepuj të Jezu Krishtit.

Nuk është kurrë vonë për asnjë misionar të kthyer për të menduar mësimet e fituara përmes shërbimit besnik dhe për t’i aplikuar ato me më shumë zell. Kur e bëjmë këtë, ne do ta ndiejmë ndikimin e Shpirtit më plotësisht në jetën tonë, familjet tona do të forcohen dhe do të afrohemi më pranë Shpëtimtarit dhe Atit tonë në Qiell. Në një konferencë të mëparshme të përgjithshme, Plaku L. Tom Peri dha këtë ftesë: “Unë ju bëj thirrje ju misionarëve të kthyer që të ripërkushtoheni, të rizbuloni dëshirën dhe shpirtin e shërbimit misionar. Unë ju bëj thirrje që t’i ngjani, të jeni dhe të veproni si një shërbëtor i Atit tonë në Qiell. … Unë dëshiroj t’ju premtoj juve se ka bekime të mrekullueshme gati për ju nëse vazhdoni të ecni përpara me zellin që ju dikur e kishit si një misionar kohëplotë” (“The Returned Missionary”, Liahona, janar 2002, f. 88, 89; Ensign, nëntor 2001, f. 77).

Tani, për të rinjtë që kanë ende për të të shërbyer një mision kohëplotë, unë ndaj këshillën e Presidentit Monson nga tetori i kaluar: “Unë ju përsëris atë që kanë dhënë mësim prej kohësh profetët – që çdo i ri i denjë dhe i aftë duhet të përgatitet që të shërbejë në mision. Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë” (“Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku”, Liahona, nëntor 2010, f. 5–6).

Ashtu si me misionarët e kaluar dhe të tanishëm, Zoti ju njeh ju dhe ka një përvojë misioni të përgatitur për ju. Ai e njeh presidentin tuaj të misionit dhe bashkëshorten e tij të mrekullueshme, të cilët do t’ju duan juve si fëmijët e tyre dhe që do të kërkojnë frymëzim dhe drejtim në emrin tuaj. Ai e njeh secilin prej shokëve tuaj dhe çfarë ju do të mësoni nga ata. Ai e njeh çdo zonë në të cilën ju do të punoni, anëtarët që do të takoni, njerëzit që do të mësoni dhe jetët që do të ndikoni për përjetësinë.

Nëpërmjet shërbimit tuaj të përkushtuar dhe sakrificës së vullnetshme, misioni juaj do të bëhet përvojë e shenjtë për ju. Ju do të dëshmoni mrekullinë e kthimit në besim ndërsa Shpirti punon përmes jush për të prekur zemrat e atyre që ju mësoni.

Ndërsa përgatiteni për të shërbyer, ka shumë për të bërë. Të bërit një shërbëtor i dobishëm i Zotit do të kërkojë më shumë se të qenit të veçuar, se të vendosurit e emrit në pllakëz ose të futurit në qendrën e trajnimit misionar. Ai është një proces që fillon shumë kohë para se të referoheni si “Plaku”.

Mbërrini në misionin tuaj me dëshminë tuaj vetjake për Librin e Mormonit, të marrë nëpërmjet studimit dhe lutjes. “Libri i Mormonit është një dëshmi e fuqishme e hyjnisë së Krishtit. Ai është gjithashtu një provë e Rivendosjes me anë të Profetit Jozef Smith. … Si një misionar, në fillim ju duhet të keni vetë një dëshmi personale se Libri i Mormonit është i vërtetë. … Kjo dëshmi e Frymës së Shenjtë [do të bëhet] epiqendra e mësimdhënies tuaj” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2004], f. 107).

Mbërrini në misionin tuaj të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Sipas fjalëve të Presidentit Ezra Taft Benson: “Shpirti është elementi i vetëm më i rëndësishëm i kësaj pune. Me Shpirtin që lartëson thirrjen tuaj, ju mund të bëni mrekulli për Zotin, në fushën e misionit. Pa Shpirtin, ju kurrë nuk do të përparoni pavarësisht nga talenti dhe aftësitë tuaja” (në Predikoni Ungjillin Tim, f. 182).

Mbërrini në misionin tuaj gati për të punuar. “Suksesi juaj si misionar [do të] matet kryesisht nga përkushtimi juaj për të gjetur, mësuar, pagëzuar dhe konfirmuar.” Nga ju pritet të “punoni efektivisht çdo ditë, [duke dhënë] maksimumin tuaj për të sjellë shpirtra te Krishti” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 10, 11).

Unë e përsëris ftesën e Plakut M. Rasëll Ballard, dhënë një grupi të rinjsh të mëparshëm që po përgatiteshin për të shërbyer: “Ne e hedhim vështrimin tek ju, vëllezërit e mi të rinj të Priftërisë Aarone. Ne kemi nevojë për ju. Ashtu si 2.000 ushtarët e rinj të Helamanit, ju jeni gjithashtu bij shpirtërorë të Perëndisë dhe ju gjithashtu mund të pajiseni me fuqinë për të ngritur dhe mbrojtur mbretërinë e Tij. Ne kemi nevojë që ju të bëni besëlidhje të shenjta, sikurse ata i bënë. Ne kemi nevojë që ju të jeni plotësisht të bindur dhe besnikë, sikurse ishin ata” (“The Greatest Generation of Missionaries”, Liahona, nëntor 2002, f. 47).

Ndërsa ju pranoni këtë ftesë, ju do të mësoni një mësim të mrekullueshëm, siç mësoi Plaku Misiego dhe të gjithë ata që kanë shërbyer, janë rikthyer dhe e kanë vënë në jetë me besnikëri. Ju do të mësoni se fjalët e profetit tonë, Presidentit Tomas S. Monson, janë të vërteta: “Mundësia unike në jetë e misionit është e juaja. Bekimet e përjetësisë ju presin juve. I juaji është privilegji për të mos qenë spektatorë por pjesëmarrës në skenën e shërbimit të priftërisë” (Ensign, maj 1995, f. 49). Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.