Ajo Ç’Ka Unë Shpresoj se Mbesat e Mia (dhe Nipërit e Mi) do të Kuptojnë rreth Shoqatës së Ndihmës
Që nga dita që ungjilli filloi të rivendosej në këtë periudhë ungjillore, Zoti kishte nevojë për gra besnike për të marrë pjesë si pasuese të Tij.
Është një privilegj t’ju drejtohem juve në këtë mbledhje historike. Është një bekim për ne që të jemi së bashku. Gjatë shërbimit tim si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, unë kam zhvilluar një dashuri të thellë për motrat e Shoqatës së Ndihmës të kësaj Kishe dhe Zoti ka zgjeruar kuptimin tim për mënyrën se si Ai ndihet për ne dhe çfarë pret Ai prej nesh.
E kam titulluar këtë mesazh: “Ajo Ç’Ka Unë Shpresoj se Mbesat e Mia (dhe Nipërit e Mi) do të Kuptojnë rreth Shoqatës së Ndihmës”. Mbesat e mia më të mëdha janë duke punuar me vrull për Përparimin Personal dhe po zhvillojnë zakone dhe tipare të drejta të natyrës femërore. Së shpejti, ato dhe shoqet e tyre do të mbajnë përgjegjësi për këtë motëri të mrekullueshme në mbarë botën.
Unë shpresoj se ajo që do të them në këtë mesazh do t’u japë atyre dhe të gjithave që e dëgjojnë ose lexojnë, një kuptim më të qartë të asaj që Zoti synonte për bijat e Tij, kur u organizua Shoqata e Ndihmës.
Një Model i Lashtë Dishepullimi
Unë shpresoj se mbesat e mia do ta kuptojnë se Shoqata e Ndihmës sot, është organizuar sipas një modeli dishepullimi që ka ekzistuar në Kishën e dikurshme. Kur Shpëtimtari e organizoi Kishën e Tij në kohët e Dhiatës së Re, “gratë ishin pjesëmarrëse të rëndësishme në shërbesën e [Tij]”1. Ai vizitoi Martën dhe Marien, dy prej pasueseve të Tij më të devotshme, në shtëpinë e Martës. Ndërsa Marta e dëgjoi Atë dhe i shërbeu Atij sipas zakonit të kohës së tyre, Ai e ndihmoi atë të kuptonte se ajo mund të bënte më shumë se kaq. Ai i ndihmoi Martën dhe Marien të kuptonin se mund të zgjidhnin “pjesën më të mirë”, që atyre nuk do t’u hiqej.2 Kjo vërejtje e ëmbël shërbeu si një ftesë për të marrë pjesë në shërbesën e Zotit. Dhe më vonë në Dhiatën e Re, dëshmia e fortë e Martës për hyjninë e Shpëtimtarit na jep kuptueshmëri për besimin dhe dishepullimin e saj.3
Ndërsa lexojmë më tej në Dhiatën e Re, ne mësojmë se apostujt vazhduan të krijonin Kishën e Zotit. Gjithashtu ne mësojmë rreth grave besnike, dishepullimi i të cilave ndihmoi në rritjen e Kishës. Pali foli për pasueset femra në vende të tilla si Efes4 dhe Filipi5. Por kur Kisha e vërtetë e Zotit humbi në braktisje, ky model dishepullimi humbi gjithashtu.
Kur Zoti filloi të rivendoste Kishën e Tij me anë të Profetit Jozef Smith, Ai përsëri përfshiu gra në modelin e dishepullimit. Pak muaj pasi Kisha u organizua zyrtarisht, Zoti dha zbulesë se Ema Smithi do të veçohej si një udhëheqëse dhe mësuese në Kishë dhe si një ndihmëse zyrtare për burrin e saj, Profetin6. Në thirrjen e saj për të ndihmuar Zotin në ndërtimin e mbretërisë së Tij, asaj iu dhanë udhëzime se si të rriste besimin e saj dhe drejtësinë vetjake, si të forconte familjen e shtëpinë e saj dhe si t’u shërbente të tjerëve.
Unë shpresoj se mbesat e mia do ta kuptojnë se që nga dita që ungjilli filloi të rivendosej në këtë periudhë ungjillore, Zoti kishte nevojë për gra besnike për të marrë pjesë si pasuese të Tij.
Vetëm një nga shembujt e kontributit të tyre të jashtëzakonshëm ishte në punën misionare. Rritja e madhe e Kishës së hershme u bë e mundur sepse burra besnikë qenë të gatshëm të linin familjet e tyre për të udhëtuar në vende të panjohura dhe të vuanin mungesën e kushteve të jetesës e vështirësi për të dhënë mësim ungjillin. Megjithatë, këta burra e kuptuan se misionet e tyre nuk do të ishin bërë të mundura pa besimin e plotë dhe bashkëpjesëmarrjen e grave në jetën e tyre, të cilat mbajtën financiarisht shtëpitë e bizneset dhe siguruan të ardhura për familjet e tyre e misionarët. Motrat u kujdesën gjithashtu për mijëra të kthyer në besim që u mblodhën në komunitetet e tyre. Ato ishin thellësisht të angazhuara në një mënyrë të re jete, duke ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Zotit e duke marrë pjesë në punën e Tij të shpëtimit.
Të Lidhura me Priftërinë
Unë shpresoj se mbesat e mia do ta kuptojnë se Zoti e frymëzoi Profetin Jozef Smith për t’i organizuar gratë e Kishës “me priftërinë sipas modelit të priftërisë”7 dhe për t’i mësuar ato “se si do t’i zotëronin [ato] privilegjet, bekimet dhe dhuratat e Priftërisë”8.
Kur Shoqata e Ndihmës u organizua zyrtarisht, Ema Smithi vazhdoi në thirrjen e saj si udhëheqëse. Ajo u emërua si presidente e organizatës, me dy këshilltaret për të shërbyer me të në presidencë. Në vend që të zgjidhej nga vota e popullit, siç ishte e zakonshme në organizatat jashtë Kishës, kjo presidencë u thirr nëpërmjet zbulesës, e mbështetur nga gratë që ato do të drejtonin dhe veçonin përmes udhëheqësve të priftërisë për të shërbyer në thirrjet e tyre, duke qenë të “thirr[ura] nga Perëndia, me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet”9. Të qenit e organizuar sipas priftërisë bëri të mundur që presidenca të merrte drejtim nga Zoti dhe profeti i Tij për një punë të veçantë. Organizata e Shoqatës së Ndihmës mundësoi “depon” e Zotit për talentin, kohën dhe pasuritë që do të administroheshin në urtësi dhe rregull.
Gratë, të cilat i përkisnin atij grupi të parë të Shoqatës së Ndihmës e kuptuan se u ishte dhënë autoriteti për të dhënë mësim, për të frymëzuar dhe organizuar motrat si pasuese për të ndihmuar në punën e Zotit për shpëtim. Në mbledhjet e tyre të para motrave iu mësuan qëllimet udhëzuese të Shoqatës së Ndihmës: për të rritur besimin e drejtësinë vetjake, për të forcuar familjen e shtëpinë dhe për të kërkuar e ndihmuar ata në nevojë.
Unë shpresoj se mbesat e mia do ta kuptojnë se organizimi i Shoqatës së Ndihmës ishte një pjesë thelbësore e përgatitjes së shenjtorëve për privilegjet, bekimet dhe dhuratat që gjenden vetëm në tempull. Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se Shoqata e Ndihmës “është një pjesë jetike e mbretërisë së Perëndisë në tokë” dhe “është e organizuar dhe e drejtuar në mënyrë të tillë që të ndihmojë anëtaret e saj besnike për të fituar jetën e përjetshme në mbretërinë e Atit tonë”10. Ne mund ta imagjinojmë se si mund t’u jetë dukur motrave, në ato mbledhje të para të Shoqatës së Ndihmës, të ishin në “Dyqanin me Tulla të Kuqe” të Jozef Smithit, përballë kodrës ku po ndërtohej një tempull, ndërsa Profeti i mësonte ato se “duhet të ketë një shoqatë të veçantë, të veçuar nga të gjitha të këqijat e botës, të përzgjedhur, të drejtë dhe të shenjtë”11.
Unë shpresoj që mbesat e mia ta vlerësojnë tempullin siç bënë motrat e para të Shoqatës së Ndihmës, të cilat besuan se bekimet e tempullit ishin shpërblimi më i madh dhe qëllimi kryesor i çdo gruaje shenjtore të ditëve të mëvonshme. Unë shpresoj se, ashtu si motrat e hershme të Shoqatës së Ndihmës, mbesat e mia do të luftojnë çdo ditë për t’u bërë të pjekura mjaftueshëm për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta të tempullit dhe se, kur të shkojnë në tempull, ato do t’i kushtojnë vëmendje gjithçkaje që thuhet dhe bëhet. Nëpërmjet bekimeve të tempullit ato do të jenë të armatosura me fuqi12 dhe të bekuara për të marrë “çelësin e diturisë së Perëndisë”13. Me anë të ordinancave të priftërisë të gjendura vetëm në tempull, ato do të bekohen për të përmbushur përgjegjësitë e tyre hyjnore e të përjetshme dhe ato do të premtojnë të jetojnë si pasuese të zotuara. Unë jam mirënjohëse që një nga qëllimet kryesore të Zotit në organizimin e Shoqatës së Ndihmës ishte t’u jepte grave përgjegjësinë për të ndihmuar njëra-tjetrën për t’u përgatitur “për bekimet më të mëdha të priftërisë që gjenden në ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit”14.
Ngushëllimi dhe Ndikimi i një Motërie Mbarëbotërore
Unë shpresoj se mbesat e mia do të arrijnë të kuptojnë ndikimin e rëndësishëm dhe fuqinë e motërisë së mrekullueshme mbarëbotërore të Shoqatës së Ndihmës. Që nga viti 1842, Kisha është përhapur shumë përtej Navusë dhe tani Shoqata e Ndihmës gjendet në 175 vende, ku motrat flasin mbi 80 gjuhë. Çdo javë organizohen lagje e degë të reja dhe motra të reja të Shoqatës së Ndihmës bëhen pjesë e motërisë gjithnjë në zgjerim, “të përhapur në të gjitha kontinentet”15. Kur Shoqata e Ndihmës ishte relativisht e vogël në numër dhe ishte organizuar kryesisht në Juta, udhëheqëset e saj mund të përqendroheshin më shumë në organizimin dhe dishepullimin e tyre në programet sociale të zonës dhe punën e bashkërenduar të shoqatës. Ato zhvilluan punime të përgatitura në kushte shtëpiake dhe kryen projekte për të ndërtuar spitale dhe për të krijuar rezerva me drithëra. Ato përpjekje të hershme të Shoqatës së Ndihmës ndihmuan në krijimin e modeleve të dishepullimit, të cilat tashmë po zbatohen në të gjithë botën. Ndërsa Kisha është zmadhuar, Shoqata e Ndihmës tani është në gjendje të përmbushë qëllimet e saj në secilën lagje dhe degë, në secilin kunj dhe distrikt, teksa i përshtatet një bote gjithnjë në ndryshim.
Çdo ditë, motrat e Shoqatës së Ndihmës në mbarë botën përjetojnë një seri të tërë sfidash dhe përvojash tokësore. Gratë dhe familjet e tyre sot përjetojnë vetë pritshmëri të parealizuara; sëmundje mendore, fizike dhe shpirtërore; aksidente dhe vdekje. Disa motra vuajnë vetminë dhe zhgënjimin, sepse nuk kanë familjet e tyre dhe të tjera vuajnë nga pasojat e zgjedhjeve të gabuara të bëra nga anëtarët e familjes. Disa kanë përjetuar luftë ose uri apo fatkeqësi natyrore dhe të tjera janë duke mësuar rreth përleshjes me varësitë, papunësinë ose arsimimin e trajnimin e pamjaftueshëm. Të gjitha këto vështirësi kanë aftësinë për të shkatërruar besimin dhe për t’ia shteruar fuqinë individëve dhe familjeve. Një nga qëllimet e Zotit në organizimin e motrave në dishepullim ishte të siguronte ngushëllim, që do t’i ngrinte mbi “gjithçka që pengon gëzimin dhe përparimin e gruas”16. Në secilën lagje dhe degë, ka një Shoqatë Ndihme me motra, të cilat mund të kërkojnë e të marrin zbulesë dhe të këshillohen me udhëheqësit e priftërisë për të forcuar njëra-tjetrën dhe për të punuar mbi zgjidhjet që janë të zbatueshme në shtëpitë dhe komunitetet e tyre.
Unë shpresoj se mbesat e mia do ta kuptojnë se, me anë të Shoqatës së Ndihmës, dishepullimi i tyre është zgjeruar dhe se ato mund të angazhohen me të tjerët në llojin e punës madhështore dhe të jashtëzakonshme që Shpëtimtari ka bërë. Lloji i punës që u është kërkuar motrave të kësaj Kishe për të bërë në kohën tonë nuk ka qenë asnjëherë shumë modest në qëllim ose i parëndësishëm për Zotin. Nëpërmjet besnikërisë së tyre, ato mund të ndiejnë pëlqimin e Tij dhe mund të bekohen me shoqërimin e Shpirtit të Tij.
Mbesat e mia duhet të dinë gjithashtu se motëria e Shoqatës së Ndihmës mund t’u ofrojë një vend sigurie, strehimi dhe mbrojtjeje.17 Ndërsa kohët tona bëhen gjithnjë e më të vështira, motrat besnike të Shoqatës së Ndihmës do të bashkohen për të mbrojtur shtëpitë e Sionit nga zërat e çjerrë të botës dhe ndikimi dëmtues e ngacmues i Satanit. Dhe përmes Shoqatës së Ndihmës, ato do të mësohen e do të forcohen dhe pastaj do të mësohen e do të forcohen më tepër, dhe ndikimi i grave të drejta mund të bekojë shumë më tepër fëmijë të Atit tonë.
Një Dishepullim Përkujdesjeje Vigjilente dhe Shërbese
Unë shpresoj se mbesat e mia do ta kuptojnë se vizita mësimore është një shprehje e dishepullimit të tyre dhe një mënyrë domethënëse për të nderuar besëlidhjet e tyre. Kjo pjesë e dishepullimit tonë mund t’i përngjajë ngushtë shërbesës së Shpëtimtarit tonë. Në ditët e para të Shoqatës së Ndihmës, një komitet vizite nga secila lagje mori një detyrë për të vlerësuar nevojat dhe për të mbledhur dhurimet që do t’u shpërndaheshin njerëzve në nevojë. Përgjatë viteve, motrat dhe udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës kanë mësuar hap pas hapi dhe janë përmirësuar në aftësitë e tyre për t’u kujdesur për të tjerët. Ka pasur kohë kur motrat janë përqendruar më shumë në kryerjen e vizitave, dhënien e mësimeve dhe lënien e pusullave kur ndalonin nga shtëpitë e motrave të tyre dhe nuk i gjenin në shtëpi. Këto praktika i kanë ndihmuar motrat për të mësuar modelin e përkujdesjes vigjilente. Ashtu si njerëzit në kohën e Moisiut që përqendroheshin në mbajtjen e listave të gjata të rregullave, nganjëherë motrat e Shoqatës së Ndihmës kanë imponuar shumë rregulla të shkruara dhe të pashkruara në veten e tyre, prej dëshirës për të kuptuar se si ta forconin njëra-tjetrën.
Me kaq shumë nevojë për ndihmë dhe shpëtim në jetën e motrave dhe të familjeve të tyre sot, Ati ynë Qiellor ka nevojë që ne të ndjekim një shteg më të lartë dhe për t’i treguar dishepullimin tonë duke u kujdesur çiltërsisht për fëmijët e Tij. Me këtë qëllim të rëndësishëm në mendje, drejtueseve iu është mësuar të kërkojnë raporte për mirëqenien shpirtërore e materiale të motrave dhe të familjeve të tyre si dhe rreth shërbimit të dhënë.18 Tani mësueset vizitore kanë përgjegjësinë “ta njohin dhe ta duan çiltërsisht çdo motër, ta ndihmojnë për të forcuar besimin e saj dhe t’i ofrojnë shërbim”19.
Si pasuese të zotuara të Shpëtimtarit, ne jemi përmirësuar në aftësinë tonë për të bërë gjërat që Ai do të bënte nëse do ishte këtu. Ne e dimë se për Të është kujdesi ynë që ka rëndësi dhe që kështu ne po përpiqemi të përqendrohemi tek kujdesi ndaj motrave më shumë se sa te plotësimi i listave me gjërat për t’u bërë. Shërbesa e vërtetë matet më shumë me thellësinë e dashurisë tonë hyjnore se sa nga përsosja e statistikave tona. Ne do ta dimë se jemi të suksesshme në shërbesën tonë si mësuese vizitore kur motrat mund të thonë: “Mësuesja ime vizitore më ndihmon të rritem shpirtërisht” dhe “Unë e di se mësuesja ime vizitore kujdeset fort për mua dhe familjen time” dhe “Nëse kam probleme, unë e di se mësuesja ime vizitore do të veprojë pa pritur që ta ftojmë”. Udhëheqëset që e kuptojnë rëndësinë e shërbesës ndaj të tjerëve, do të këshillohen së bashku për të kërkuar dhe marrë zbulesë rreth mënyrës se si t’i lartësojnë mësueset vizitore dhe si të organizojnë e kryejnë një shërbesë të frymëzuar.
Përveç kësaj, vizita mësimore është një shtesë e detyrës së peshkopëve për t’u kujdesur për grigjën e Zotit. Peshkopi dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës kanë nevojë për shërbimin e mësueseve të frymëzuara vizitore që t’u japin atyre ndihmë për përmbushjen e përgjegjësive të tyre. Nëpërmjet shërbesës së mësueseve vizitore, një presidente e Shoqatës së Ndihmës mund të jetë në dijeni për mirëqenien e çdo motre në lagje dhe të raportojë rreth mirëqenies së tyre kur të takohet me peshkopin e saj.
Presidenti Tomas S. Monson na ka mësuar se: “Kur kërkojmë me besim pa ngurruar për asgjë për të përmbushur detyrat që na janë caktuar, kur kërkojmë frymëzimin e të Plotfuqishmit në kryerjen e përgjegjësive tona, ndodhin mrekulli”20. Unë shpresoj se mbesat e mia do të marrin pjesë në mrekullitë ndërsa ndihmojnë që vizitat mësimore të bëhen një model dishepullimi që Zoti do ta njohë kur të vijë përsëri.
Përmbushja e Qëllimeve të Shoqatës së Ndihmës
Këto dhe mësime të tjera të rëndësishme rreth Shoqatës së Ndihmës tani janë në dispozicion të mbesave të mia për t’u studiuar në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës]. Ky libër përmban një dokument të trashëgimisë së Shoqatës së Ndihmës dhe të grave të kësaj Kishe. Ai do t’i bashkojë motrat nëpër botë dhe do t’i ndihmojë ato të jetojnë në përputhje me qëllimet e Shoqatës së Ndihmës dhe privilegjet e modelet e të jetuarit si një pasuese. Ai është një dëshmi e rolit qendror të grave në planin e lumturisë së Atit tonë dhe ofron një standard të palëkundur të asaj se çfarë besojmë, çfarë bëjmë dhe çfarë do të mbrojmë. Presidenca e Parë na ka nxitur që ta “studiojmë këtë libër dhe që t’i lejojmë të vërtetat e tij të përjetshme e shembujt e tij frymëzues që të ndikojnë në jetën [tonë]”21.
Duke ditur se organizata e Shoqatës së Ndihmës u krijua hyjnisht, Presidenti Jozef F. Smith u tha motrave të Shoqatës së Ndihmës: “Ju duhet ta drejtoni botën dhe veçanërisht të drejtoni gratë e botës. … Ju duhet ta drejtoni”, tha ai, “jo ta ndiqni botën.”22 Ndërsa koha e rikthimit të Zotit afrohet, unë shpresoj se mbesat e mia do të bëhen gra të forta dhe besnike që do t’i zbatojnë parimet dhe modelet e Shoqatës së Ndihmës në jetën e tyre. Ndërsa Shoqata e Ndihmës bëhet një mënyrë jetese për to, unë shpresoj se ato do të shërbejnë të bashkuara me të tjerat për të përmbushur qëllimet e saj hyjnore. Unë kam një dëshmi për Kishën e vërtetë të rivendosur të Jezu Krishtit dhe jam mirënjohëse për modelin e dishepullimit që u rivendos kur Zoti frymëzoi Profetin Jozef Smith për të organizuar Shoqatën e Ndihmës. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.