2011
Dashuria e Përsosur e Nxjerr Jashtë Frikën
Nëntor 2011


Dashuria e Përsosur e Nxjerr Jashtë Frikën

Në qoftë se do t’i përgjigjeni ftesës për të ndarë ato çka besoni dhe ndjenjat tuaja rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, shpirti i dashurisë dhe shpirti i kurajës do të jenë shoqëruesit tuaj të vazhdueshëm.

Elder L. Tom Perry

Presidenti Monson, ne të gjithë jemi të kënaqur me lajmin emocionues për disa tempuj të rinj. Veçanërisht ishte emocionuese për shumë, shumë të afërm në shtetin e Uaiomingut.

Kisha në të gjithë botën bën diçka kur ndërtohet një tempull i ri, që është një traditë mjaft e zakonshme në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada – ne mbajmë një shtëpi të hapur. Gjatë javëve, pak përpara dedikimit të një tempulli të ri, ne hapim dyert dhe ftojmë udhëheqësit qeveritarë dhe ata fetarë të zonës, anëtarët e zonës të Kishës dhe njerëz të besimeve të tjera për të ardhur dhe për të vizituar tempullin e ndërtuar rishtas.

Këto janë ngjarje të mrekullueshme që i ndihmojnë personat e panjohur me Kishën të mësojnë pak më shumë për të. Pothuajse të gjithë ata që vizitojnë një tempull të ri, mahniten si me bukurinë e jashtme dhe me atë të brendshme. Atyre u lë mbresa ustallëku dhe kujdesi ndaj detajit të çdo veçorie të një tempulli. Veç kësaj, shumë nga vizitorët ndiejnë diçka unike dhe të veçantë ndërsa drejtohen nëpër tempullin e padedikuar. Këto janë përgjigjet e përgjithshme të vizitorëve për shtëpitë tona të hapura, por ato nuk janë përgjigjet më të zakonshme. Ajo që mahnit më shumë se çdo gjë tjetër shumë vizitorë janë anëtarët e Kishës që takojnë në shtëpitë tona të hapura. Vizitorët largohen përgjithmonë të mahnitur nga mikpritësit e tyre, shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Kishës nëpër botë po i kushtohet më shumë vëmendje se kurrë më parë. Pjesëmarrës të mediave shkruajnë ose flasin për Kishën çdo ditë, duke raportuar mbi aktivitetet e saj të shumta. Shumë nga mediat më të mirënjohura në Shtetet e Bashkuara diskutojnë rregullisht për Kishën ose anëtarët e saj. Këto diskutime po ndodhin gjithashtu në të gjithë botën.

Kisha gjithashtu tërheq vëmendjen në internet, që, siç e dini, ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzit shkëmbejnë informacion. Në çdo kohë të ditës në të gjithë botën, Kisha dhe mësimet e saj janë duke u diskutuar në internet, në blogje dhe rrjete sociale nga njerëz që kurrë nuk kanë shkruar për një gazetë ose revistë. Ata janë duke bërë video dhe duke i vendosur ato në internet. Këta janë njerëz të zakonshëm – si anëtarë të besimit tonë edhe të besimeve të tjera – të cilët po flasin rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ndryshimet në mënyrën se si komunikojnë shpjegojnë pjesërisht përse ne “mormonët” jemi më të përmendur se kurrë. Por Kisha gjithashtu, është në rritje dhe duke ecur përpara. Shumë njerëz, kanë fqinj dhe miq anëtarë të Kishës dhe këta janë anëtarë të njohur të Kishës në qeveri, në biznes, në industrinë e argëtimit, në arsim dhe gjithkund tjetër, kjo duket. Edhe ata të cilët nuk janë anëtarë të Kishës, e kanë vënë re këtë dhe pyesin veten se çfarë po ndodh. Është e mrekullueshme që kaq shumë njerëz tashmë janë të informuar për Kishën dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Ndërkohë që Kisha po bëhet më e dukshme, ka ende shumë njerëz të cilët nuk e kuptojnë atë. Disa njerëzve u është mësuar të jenë dyshues për Kishën, të besojnë stereotipe negative rreth Kishës pa pyetur për burimin dhe bazueshmërinë e informacionit. Ekziston edhe një keqinformim dhe ngatërresë e madhe për atë se çfarë është Kisha dhe çfarë ajo përfaqëson. Kjo ka qenë e vërtetë që nga koha e Profetit Jozef Smith.

Jozef Smithi e shkroi këtë histori pjesërisht “për të korrigjuar mendjen publike dhe për t’i vendosur të gjithë kërkuesit e së vërtetës në zotërim të fakteve” (Joseph Smith – Historia 1:1). Është e vërtetë se do të ketë gjithmonë nga ata që do ta shtrembërojnë të vërtetën dhe qëllimisht do të paraqesin ndryshe mësimet e Kishës. Por pjesa më e madhe e atyre që kanë pyetje në lidhje me Kishën, vetëm duan të kuptojnë. Këta njerëz me mendje jo të keqe janë me të vërtetë kureshtarë për ne.

Dukshmëria dhe reputacioni në rritje i Kishës përfaqësojnë një mundësi të mrekullueshme tek ne si anëtarë të saj. Ne mund të ndihmojmë “për të korrigjuar idetë e gabuara të njerëzve” dhe për të ndrequr keqinformimin kur ne portretizohemi si diçka që nuk jemi. Akoma dhe më e rëndësishme, ne mund t’u tregojmë të tjerëve se kush jemi.

Ka shumë gjëra që ne mund të bëjmë – që ju mund të bëni – për të rritur kuptueshmërinë për Kishën. Nëse e bëjmë atë me të njëjtin qëndrim dhe nëse sillemi vetë në të njëjtën mënyrë se si sillemi kur presim njerëz në shtëpinë e hapur të tempullit, miqtë dhe fqinjët tanë do të na kuptojnë më mirë. Dyshimet e tyre do të zhduken, stereotipet negative do të fshihen dhe ata do të fillojnë ta kuptojnë Kishën ashtu siç është në të vërtetë.

Më lejoni të sugjeroj disa ide për atë se çfarë mund të bëjmë.

Së pari, ne duhet të jemi të guximshëm në deklaratat tona për Jezu Krishtin. Ne dëshirojmë që të tjerët të dinë se, ne besojmë se Ai është personi më i rëndësishëm në të gjithë historinë e njerëzimit. Jeta dhe mësimet e Tij janë mesazhi qendror i Biblës dhe i librave të tjerë që ne i konsiderojmë shkrime të shenjta. Dhiata e Vjetër na përgatit për shërbesën e vdekshme të Krishtit. Dhiata e Re përshkruan shërbesën e Tij të vdekshme. Libri i Mormonit na jep dëshminë e dytë të shërbesës së Tij të vdekshme. Ai erdhi në tokë për të shpallur ungjillin e Tij që të jetë një themel për gjithë njerëzimin në mënyrë që gjithë fëmijët e Perëndisë të mund të mësojnë rreth Tij dhe mësimeve të Tij. Më pas Ai dha jetën e Tij për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Vetëm me anë të Jezu Krishtit, është i mundur shpëtimi. Kjo është arsyeja se përse ne besojmë se Ai është personi më i rëndësishëm në gjithë historinë e njerëzimit. Fati ynë i përjetshëm gjithmonë është varur nga fuqia e Tij. Është një gjë e lavdishme të besojmë në Të dhe ta pranojmë Atë si Shpëtimtarin tonë, Zotin tonë dhe Mësuesin tonë.

Ne gjithashtu besojmë se vetëm nëpërmjet Krishtit është e mundur të gjejmë kënaqësi, shpresë e lumturi më të madhe – si në këtë jetë edhe në përjetësi. Siç është dhënë mësim në Librin e Mormonit, doktrina jonë prerazi shpall: “Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).

Ne shpallim besimin tonë në Jezu Krisht dhe e pranojmë Atë si Shpëtimtarin tonë. Ai do të na bekojë dhe drejtojë ne në të gjitha përpjekjet tona. Ndërsa mundohemi këtu në vdekshmëri, Ai do të na forcojë dhe do të na sjellë paqe në kohë sprovash. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e jetojnë jetën me besim në Atë, Kisha e të cilit është kjo.

Së dyti, jini shembuj të drejtë për të tjerët. Pas deklaratës tonë për ato çka besojmë, ne duhet të ndjekim këshillën e dhënë për ne te 1 Timoteu 4:12: “Por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi”.

Shpëtimtari na mësoi mbi rëndësinë e të qenit shembull të besimit tonë, duke thënë: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16).

Jeta jonë duhet të jetë shembull i mirësisë dhe i virtytit, ndërsa përpiqemi të ndjekim shembullin e Tij në botë. Veprat e mira nga secili prej nesh mund të rrisin reputacionin si të Shpëtimtarit edhe të Kishës së Tij. Ndërsa jeni të përfshirë në bërjen e veprave të mira, duke qenë gra dhe burra të ndershëm dhe të drejtë, Drita e Krishtit do të reflektohet përmes jetës tuaj.

Tjetër, flisni në mbrojtje të Kishës. Gjatë jetës tonë të përditshme, ne bekohemi me shumë mundësi për të ndarë me të tjerët ato që ne besojmë. Kur kolegët tanë profesionistë dhe të ngushtë na pyesin rreth bindjeve tona fetare, ata po na ftojnë të ndajmë atë që ne jemi dhe çfarë ne besojmë. Ata mund të jenë ose mund të mos jenë të interesuar për Kishën, por ata janë të interesuar për të na njohur ne më thellësisht.

Rekomandimi im për ju është që t’i pranoni ftesat e tyre. Kolegët tuaj nuk janë duke ju ftuar për t’ju predikuar, për t’ju dhënë mësim, për t’ju sqaruar ose këshilluar. Ftojini ata në një bisedim të dyanshëm – ndani diçka mbi bindjet tuaja fetare por edhe pyetini rreth atyre që ata besojnë. Vlerësoni nivelin e interesit nga pyetjet që bëjnë. Nëse janë duke ju bërë shumë pyetje, përqendrojeni bisedën në dhënien e përgjigjeve për ato pyetje. Gjithmonë mbani mend se është më mirë që t’ju pyesin ata se sa t’u tregoni ju vetë.

Disa anëtarë duket sikur duan ta mbajnë sekret anëtarësinë e tyre në Kishë. Ata kanë arsyet e tyre. Për shembull, ata mund të mendojnë se nuk u takon atyre të tregojnë ato çka besojnë. Ndoshta ata janë të frikësuar se mund të gabohen ose mund t’u bëhet një pyetje që ata nuk mund t’i përgjigjen. Nëse ju vijnë ndonjëherë mendime të tilla, kam disa këshilla për ju. Thjesht kujtoni fjalët e Gjonit: “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1 Gjoni 4:18). Nëse thjesht e duam Perëndinë dhe i duam fqinjët tanë, neve na është premtuar se ne do t’i mposhtim frikërat tona.

Nëse keni vizituar kohët e fundit faqen e internetit Mormon.org, që është faqja zyrtare e Kishës, për ata që janë të interesuar për të mësuar rreth Kishës, ju mund të keni parë anëtarë të cilët kanë ndarë informacion për veten e tyre. Ata kanë krijuar profile në internet që shpjegojnë se cilët janë dhe përse bindjet e tyre fetare janë të rëndësishme për ta. Ata po flasin hapur rreth besimit të tyre.

Ne duhet t’i vlerësojmë dhe qasim bashkëbisedimet e tilla me dashuri si të Krishtit. Toni ynë, qoftë duke folur apo shkruar, duhet të jetë plot respekt dhe i qytetëruar, pavarësisht nga përgjigjet e të tjerëve. Ne duhet të jemi të ndershëm e të hapur dhe të përpiqemi të jemi të qartë në atë që themi. Ne duam të shmangim debatin ose të qenit në mbrojtje në çfarëdo mënyre.

Apostulli Pjetër shpjegoi: “Po ashtu siç është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj” (1 Pjetrit 1:15).

“Mënyra e bisedimit” të sotëm duket sikur përfshin gjithnjë e më shumë internetin. Ne i nxisim njerëzit, të rinj dhe të vjetër, ta përdorin internetin dhe median sociale për të përhapur dhe ndarë bindjet e tyre fetare.

Ndërsa shfrytëzoni internetin, ju do të hasni bashkëbisedime të vazhdueshme rreth Kishës. Kur të drejtoheni nga Shpirti, mos ngurroni të shtoni mendimin tuaj te këto bashkëbisedime.

Mesazhi i ungjillit të Jezu Krishtit është ndryshe nga çdo gjë tjetër që ju do të ndani me të tjerët. Në epokën e informacionit, ai është informacioni më i çmuar në të gjithë botën. Nuk ka dyshime rreth vlefshmërisë së tij. Është një margaritar me vlerë të madhe (shih Mateu 13:46).

Kur flasim për Kishën, ne nuk përpiqemi ta bëjmë atë të duket më e mirë se sa është. Ne nuk duhet ta tjerrim mesazhin tonë. Ne duhet ta përcjellim mesazhin ndershmërisht dhe në mënyrë direkte. Nëse do t’i hapim rrugët e komunikimit, mesazhi i ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit do të vërtetohet vetë tek ata të cilët janë të përgatitur për ta marrë atë.

Ndonjëherë ka një ndryshim të madh – një mospërputhje në të kuptuarin – mes mënyrës se si ne e përjetojmë Kishën si anëtarë dhe mënyrës se si të tjerët e shohin atë nga jashtë. Kjo është arsyeja kryesore që ne kemi shtëpi të hapura për tempujt, përpara se të arrihet çdo dedikim. Anëtarët vullnetarë në shtëpitë e hapura për tempujt thjesht përpiqen t’i ndihmojnë të tjerët ta shohin Kishën në mënyrën që ata e shohin si anëtarë. Ata e njohin Kishën si një punë të mrekullueshme dhe një çudi, dhe ata duan që të tjerët ta dinë këtë gjithashtu. Unë ju kërkoj juve të bëni të njëjtën gjë.

Unë ju premtoj se, në qoftë se do t’i përgjigjeni ftesës për të ndarë ato çka besoni dhe ndjenjat tuaja rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, shpirti i dashurisë dhe shpirti i kurajës do të jenë shoqëruesit tuaj të vazhdueshëm, pasi “dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1 Gjoni 4:18).

Kjo është koha e rritjes së mundësive për të ndarë ungjillin e Jezu Krishtit me të tjerët. E përgatitshim veten për të shfrytëzuar mundësitë që i janë dhënë secilit prej nesh për të ndarë ato çka besojmë, unë lutem plot nderim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.