2011
Privilegji i Lutjes
Nëntor 2011


Privilegji i Lutjes

Lutja është një nga dhuratat më të çmuara të Perëndisë për njeriun.

Elder J. Devn Cornish

Motrat dhe vëllezërit e mi të dashur, Perëndia Ati ynë nuk është një ndjenjë apo një ide, apo një forcë. Ai është një person i shenjtë, që, siç na mësojnë shkrimet e shenjta, ka një fytyrë e duar dhe një trup të pavdekshëm të përlëvduar. Ai është i vërtetë, Ai njeh secilin prej nesh personalisht dhe Ai na do ne, çdonjërin. Ai dëshiron të na bekojë.

Jezusi tha:

“A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur?

Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër?

Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë” (Mateu 7:9–11).

Ndoshta një përvojë vetjake do të jetë një shembull i mirë për këtë parim. Kur isha mjek i ri në trajnim në Spitalin e Fëmijëve në Boston, unë punoja për shumë orë dhe shumicën e kohës udhëtoja nga spitali për në shtëpinë tonë në Uotërtaun të Masaçusetsit dhe anasjelltas, kryesisht me biçikletë pasi bashkëshortja dhe familja ime e re kishte nevojë për makinën tonë. Një mbrëmje, unë po shkoja me biçikletë për në shtëpi pas shumë orësh qëndrimi në spital, duke u ndier shumë i lodhur e i uritur dhe paksa i shkurajuar. Unë e dija se duhej t’u jepja bashkëshortes dhe katër fëmijëve të mi të vegjël jo vetëm kohën dhe energjitë e mia kur të shkoja në shtëpi por gjithashtu një qëndrim gazmor. Sinqerisht, po e shihja të vështirë thjesht të vazhdoja ta ngisja biçikletën.

Itinerari im kalonte nga një restorant që shërbente pula të skuqura dhe e ndjeva se do të isha shumë më pak i uritur dhe i lodhur po të ndalesha pak për të ngrënë një porcion pule gjatë rrugës për në shtëpi. Unë e dija se ata kishin në shitje kofshë ose këmbë pule për 29 cent secila, por kur kontrollova portofolin, gjithë çfarë kisha ishin pesë cent. Ndërsa vazhdova më tej, unë i tregova Zotit gjendjen time dhe i kërkova nëse, me mëshirën e Tij, Ai do të më lejonte të gjeja një çerek dollari në anë të rrugës. Unë i thashë atij se nuk e doja këtë si një shenjë por sepse do të isha vërtet mirënjohës nëse Ai do të ndjente të ma dhuronte këtë lloj bekimi.

Unë fillova të vërej tokën më pikësynues por nuk pashë gjë. Duke u përpjekur të mbaj një qëndrim plot besim por të nënshtruar ndërsa ngisja biçikletën, unë iu afrova dyqanit. Pastaj, thuajse matanë rrugës nga vendi i pulave, unë pashë një çerek dollarëshe në tokë. Me mirënjohje dhe lehtësim, unë e mora, bleva pulën, shijova çdo grimcë dhe ngava i lumtur biçikletën për në shtëpi.

Në mëshirën e Tij, Perëndia i qiellit, Krijuesi dhe Sunduesi i të gjitha gjërave kudo, pati dëgjuar një lutje për një gjë shumë të vogël. Njeriu mundet mirë të pyesë përse Ai do të shqetësohej me diçka kaq të vogël. Unë dua të besoj se Ati ynë Qiellor na do neve aq shumë saqë gjërat që janë të rëndësishme për ne bëhen të rëndësishme për Të, thjesht sepse Ai na do ne. Sa shumë më shumë do të donte Ai të na ndihmonte në gjërat e mëdha që kërkojmë, që janë të drejta (shih 3 Nefi 18:20)?

Fëmijë të vegjël, të rinj dhe po ashtu të rritur, ju lutem besoni sa shumë Ati juaj i dashur Qiellor do që t’ju bekojëju. Por për shkak se Ai nuk do të cënojë lirinë tonë të zgjedhjes, ne duhet ta kërkojmë ndihmën e Tij. Kjo në përgjithësi bëhet nëpërmjet lutjes. Lutja është një nga dhuratat më të çmuara të Perëndisë për njeriun.

Në një rast, dishepujt e Jezusit pyetën: “Zot, na mëso të lutemi” (Lluka 11:1). Në përgjigje Jezusi na dha neve një shembull që mund të shërbejë si një udhërrëfyes për te parimet bazë të lutjes (shih Rasëll M. Nelson, “Mësime nga Lutjet e Zotit”, Liahona, maj 2009, f. 46–49; shih gjithashtu Mateu 6:9–13; Lluka 11:1–4). Sipas shembullit të Jezusit:

Ne fillojmë duke i thënë Atit tonë Qiellor: “Ati ynë që je në qiell” (Mateu 6:9; Lluka 11:2). Është privilegji ynë që t’i flasim Atit tonë drejtpërdrejt. Ne nuk i lutemi ndonjë qenieje tjetër. Kujtoni se ne jemi këshilluar të shmangim përsëritjet e kota, përfshirë përdorimin e emrit të Atit tepër shpesh në lutje.1

“U shenjtëroftë emri yt” (Mateu 6:9; Lluka 11:2). Jezusi i foli Atit të Tij me një qëndrim adhurues, duke njohur madhështinë e Tij dhe duke i dhënë Atij lavd dhe falënderime. Sigurisht kjo çështje e nderimit të Perëndisë dhe dhënies së falënderimeve të sinqerta dhe të veçanta është një nga pjesët jetike për lutje të efektshme.

“Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt” (Mateu 6:10; Lluka 11:2). Ne e njohim lirisht vartësinë tonë nga Zoti dhe shprehim dëshirën tonë që të bëhet vullneti i Tij, edhe nëse nuk është i njëjtë me vullnetin tonë. Fjalori i Biblës tonë në anglisht shpjegon: “Lutja është akti me anën e të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës vijnë në marrëveshje me njëri-tjetrin. Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshohet vullneti i Perëndisë, por të arrijmë për veten dhe për të tjerët bekime që Perëndia tashmë dëshiron t’i dhurojë, por që janë bërë të kushtëzuara nga kërkimi ynë për to” (Bible Dictionary, “Prayer”).

“Bukën tonë të përditshme na e jep sot” (Mateu 6:11; shih gjithashtu Lluka 11:3). Ne kërkojmë ato gjëra që duam nga Zoti. Ndershmëria është thelbësore në kërkimin e gjërave nga Perëndia. Nuk do të ishte plotësisht e ndershme, për shembull, t’i kërkoja Zotit për ndihmë në një provim në shkollë nëse nuk kam pasur vëmendjen në klasë, nuk kam bërë detyrën e shtëpisë apo studiuar për provimin. Shpesh ndërsa lutem, Shpirti më nxit lehtësisht të pranoj se ka më shumë që duhet të bëj që të marr ndihmën që po kërkoj nga Zoti. Pastaj unë duhet të marr përsipër dhe të bëj pjesën time. Është në kundërshtim me planin e Perëndisë që Zoti të bëjë për ne atë që ne mund ta bëjmë vetë.

“Dhe na i fal fajet tona” (Mateu 6:12) ose, në një variant tjetër, “Dhe na i fal mëkatet tona” (Lluka 11:4). Një pjesë thelbësore dhe nganjëherë e harruar e lutjes vetjake është pendesa. Që pendesa të ketë rezultat, duhet të jetë e posaçme, e sinqertë dhe e përhershme.

“Ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë” (Mateu 6:12; shih gjithashtu Lluka 11:4). Shpëtimtari e bëri të qartë lidhjen midis të qenit të falur nga mëkatet tona dhe të falurit e të tjerëve që kanë gabuar ndaj nesh. Ndonjëherë gabimet që të tjerët kanë bërë ndaj nesh janë shumë, shumë të dhembshme dhe shumë të vështira qoftë për t’i falur apo për t’i harruar. Unë jam kaq mirënjohës për qetësinë dhe shërimin që kam gjetur në ftesën e Zotit për t’i lënë të largohen plagët tona dhe për t’i kaluar ato tek Ai. Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 64, Ai tha:

“Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.

Dhe ju duhet të thoni në zemrat tuaja—Perëndia duhet të gjykojë midis meje dhe teje dhe të të shpërblejë sipas veprave të tua” (vargjet 10–11).

Pastaj ne duhet ta harrojmë çështjen tërësisht, duke e lënë Zotin ta trajtojë pas kësaj, nëse duam të shërohemi.

“Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga ligësia” (Mateu 6:13, shënim fundfaqeje a; nga Përkthimi prej Jozef Smithit, Mateu 6:14; shih gjithashtu Lluka 11:4, shënim fundfaqeje c; nga Përkthimi prej Jozef Smithit). Kështu, në lutjet tona ne mund të fillojmë me procesin mbrojtës të veshjes së gjithë armatimit të Perëndisë (shih Efesianëve 6:11; DeB 27:15) duke parë përpara te dita që vjen dhe duke kërkuar për ndihmë për gjëra ndonjëherë frikësuese që mund të ndeshim. Ju lutem, miq të mi, mos harroni t’i kërkoni Zotit t’ju mbrojë dhe të jetë me ju.

“Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë” (Mateu 6:13). Sa udhëzuese është që Jezusi e përfundoi këtë lutje duke lëvduar Perëndinë përsëri dhe duke shprehur nderimin e tij për Atin dhe përuljen ndaj Tij. Kur vërtet besojmë se Perëndia sundon mbretërinë e Tij dhe se Ai ka të gjithë fuqinë dhe të gjithë lavdinë, ne po njohim se Ai vërtet është në fuqi, sepse Ai na do me një dashuri të përsosur dhe sepse Ai do që të jemi të lumtur. Unë kam gjetur se një nga sekretet për jetë të gëzuar është të njohësh se të bërit e gjërave sipas mënyrës së Zotit do të më bëjë më të lumtur sesa t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime.

Ka një rrezik që një person mund të mos ndihet sa duhet i denjë për t’u lutur. Kjo ide vjen nga ai shpirt i keq, që është ai që na mëson neve të mos lutemi (shih 2 Nefi 32:8). Është po aq tragjike të mendosh se jemi tepër mëkatarë për t’u lutur siç është për një person shumë të sëmurë që të besojë se është tepër i sëmurë për të shkuar te doktori!

Ne nuk duhet të mendojmë se çfarëdo lloj lutjeje, pavarësisht sa e sinqertë, do të jetë e efektshme nëse ne gjithçka që bëjmë është të themi lutjen. Ne duhet jo vetëm t’i themi lutjet tona, ne duhet t’i jetojmë ato. Zoti është shumë më tepër i kënaqur me personin që lutet dhe pastaj shkon të punojë sesa me personin që vetëm lutet. Shumë ngjashëm me ilaçin, lutja ndikon vetëm kur ne e përdorim siç udhëzohet.

Kur them se lutja është një privilegj i ëmbël, kjo nuk është thjesht sepse jam mirënjohës të kem mundësi t’i flas Atit Qiellor dhe të ndiej Shpirtin e Tij kur lutem. Ajo është gjithashtu sepse Ai në të vërtetë na përgjigjet dhe na flet neve. Patjetër, mënyra që Ai na flet neve është zakonisht jo me zë që e dëgjojmë. Presidenti Bojd K. Paker shpjegoi: “Ai zë i ëmbël e i qetë frymëzimi vjen më shumë si një ndjesi sesa si një tingull. Inteligjencë e pastër mund t’i flitet mendjes. … Kjo udhëheqje vjen si mendime, si ndjenja përmes nxitjeve dhe mbresave” (“Lutjet dhe Nxitjet”, Liahona, nëntor 2009, f. 44).

Ndonjëherë ne duket të mos marrim përgjigje për lutjet tona të sinqerta dhe të vendosura. Kërkon besim që të kujtosh se Zoti përgjigjet në kohën e Tij dhe në mënyrën e Tij që të na bekojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ose, duke menduar më shumë, ne shpesh do të kuptojmë se tashmë e dimë tërësisht mirë çfarë duhet të bëjmë.

Lutem, mos u shkurajoni nëse kjo nuk rezulton kështu për të gjithë ju menjëherë. Si të mësuarit e një gjuhe të huaj, ajo kërkon praktikë dhe përpjekje. Ju lutemi dijeni, megjithatë, se ju mund të mësoni gjuhën e Shpirtit dhe, kur ju e bëni, ajo do t’ju japë besim dhe fuqi të madhe në drejtësi.

Unë e dua fort këshillën e profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson, që tha: “Atyre që dëgjojnë zërin tim, të cilët po ndeshen me sfida dhe vështirësi, të mëdha e të vogla, lutja është furnizuesja e forcës shpirtërore; ajo është pasaporta drejt paqes. Lutja është mjeti me anë të së cilës i qasemi Atit tonë në Qiell, që na do. I flisni Atij në lutje dhe pastaj dëgjoni përgjigjen. Mrekullitë janë shkruar përmes lutjes” (“Të Jini më i Miri që Mundeni”, Liahona, maj 2009, f. 68).

Unë jam thellësisht mirënjohës për privilegjin e të shkuarit tek Ati i shenjtë Qiellor në lutje. Unë jam mirënjohës për herët e shumta që Ai më ka dëgjuar dhe më është përgjigjur. Për shkak se Ai më përgjigjet, përfshirë ndonjëherë në mënyra të parashikueshme dhe të mrekullueshme, unë e di se Ai jeton. Unë gjithashtu përulësisht dëshmoj se Jezusi, Biri i Tij i shenjtë, është Shpëtimtari ynë që jeton. Kjo është Kisha dhe mbretëria e Tij mbi tokë; kjo punë është e vërtetë. Tomas S. Monsoni, për të cilin ne lutemi me zjarr, është profeti i Tij. Për këto unë dëshmoj me siguri të plotë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Shih Francis M. Lyman, “Proprieties in Prayer”, në Brian H. Stuy, përmb., Collected Discourses Delivered by President Wilford Woodruff, His Two Counselors, the Twelve Apostles, and Others, 5 vëllime. (1987–1992), 3:76–79; B. H. Roberts, përmb., The Seventy’s Course in Theology, 5 vëllime. (1907–1912), 4:120; Encyclopedia of Mormonism (1992), “Prayer”, 1118–1119; Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, botimi i 2-të (1966), f. 583.