Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar
Unë i kërkoj çdo burri, të ri dhe të vjetër, që mban priftërinë, të ketë një zë më të fortë dhe më të përkushtuar, … një zë për të mirën, një zë për të përhapur ungjillin, një zë për Perëndinë.
Në shpirtin e këtij himni të mrekullueshëm e nxitës dhe me lutjen shprehëse të Plakut Riçard G. Hinkli në zemër, unë dëshiroj të flas shumë çiltërsisht sonte vëllezër dhe unë përfshij në këtë çiltërsi të rinjtë e Priftërisë Aarone.
Kur flasim për madhështinë e Vegimit të Parë të Jozef Smithit, ne ndonjëherë flasim shumë pak rreth kundërvënies kërcënuese që ndodhi pak përpara tij, një kundërvënie qëllimi i së cilës ishte ta shkatërronte djaloshin nëse ishte e mundur, por nëse nuk ishte e mundur, të bllokonte zbulesën që do t’i jepej atij. Ne nuk flasim për Satanin më shumë se sa na duhet të flasim dhe mua nuk më pëlqen fare të flas për të, por përvoja e të riut Jozef na kujton atë që çdo burrë, duke përfshirë çdo të ri, mes këtij publiku ka nevojë të kujtojë.
Së pari, Satani ose Luciferi ose ati i gënjeshtrave – pavarësisht si e quani – është i vërtetë, pasqyrimi i vërtetë i së keqes. Arsyet e tij janë në çdo rast keqdashëse dhe ai dridhet dhunshëm përpara shfaqjes së dritës shëlbuese, vetëm nga mendimi i së vërtetës. Së dyti, ai është përjetësisht kundër dashurisë së Perëndisë, Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe punës së paqes e të shpëtimit. Ai do të luftojë kundër këtyre gjërave kurdo dhe kudo që të mundet. Ai e di se do të mundet dhe do të flaket në fund, por është i vendosur që të shkatërrojë sa më shumë njerëz të tjerë që të mundet.
Pra, cilat janë disa nga taktikat e djallit në këtë betejë kur jeta e përjetshme është në rrezik?Përsëri, përvoja në Korijen e Shenjtë na mëson disa nga taktikat e djallit. Jozefi shënoi se në përpjekje për të kundërshtuar ngjarjet që do të ndodhnin më vonë, Luciferi ushtroi “një ndikim kaq të mahnitshëm mbi mua, sa të ma lidhte gjuhën, kështu që unë nuk mund të flisja”1.
Siç dha mësim Presidenti Bojd K. Paker këtë mëngjes, Satani nuk mund ta vrasë dikë drejtpërdrejt. Kjo është një nga gjërat e shumta që ai nuk i bën dot. Por me sa duket përpjekja e tij për të ndaluar punën do të jetë e suksesshme deri në një farë mase, nëse ai ia del t’i pengojë njerëzit besnikë që të flasin. Vëllezër, nëse kështu është puna, unë sonte po kërkoj burra të rinj e të moshuar, të cilët kujdesen mjaftueshëm për këtë betejë mes së mirës e së ligës sa të përfshihen dhe të flasin haptas. Ne jemi në luftë dhe për këto pak minuta në vazhdim, unë dëshiroj të përfshij ushtarë të rinj në këtë betejë.
A nevojitet të këndoj nën zë këngën “We Are All Enlisted” [“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”]? Ju e njihni vargun “Ne po presim ushtarë, kush do dalë vullnetar?”2 Me siguri, gjëja madhështore e kësaj kërkese për vullnetarë që të luftojnë është se ne nuk kërkojmë vullnetarë që të hapin zjarr me pushkë apo të hedhin një granatë dore. Jo, ne duam batalione që do të marrin si armë “çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”3. Kështu që, unë sonte jam në kërkim të misionarëve që nuk do të heshtin vullnetarisht, por që me Shpirtin e Zotit dhe fuqinë e priftërisë së tyre, do t’i hapin gojët e tyre dhe do të paralajmërojnë e kryejnë mrekulli. Një fjalim i tillë, thanë dikur vëllezërit që jetonin në fillim të kësaj periudhe ungjillore, do të ishte mjeti nëpërmjet të cilit “veprat më të mrekullueshme [të besimit] janë kryer dhe do të kryhen”4.
Unë u kërkoj veçanërisht të rinjve të Priftërisë Aarone që të ngrihen dhe të jenë të vëmendshëm. Për ju, më lejoni të bëj një lidhje me sportet. Të rinj, kjo është një betejë për jetë a vdekje në të cilën jemi, kështu që unë do të qëndroj shumë pranë jush, kokë më kokë, me shumë emocion – në të njëjtën mënyrë siç bëjnë trajnerët kur loja është duke filluar dhe fitorja e lojës është gjëja më e rëndësishme. Dhe për shkak se rezultati i lojës varet nga ju, ajo që ky trajner [Plaku Holland] po ju thotë juve është se, që të luani në këtë ndeshje, disa nga ju duhet të jenë më të pastër moralisht nga ç’janë. Në këtë betejë mes së mirës dhe së ligës, ju nuk mund të luani për kundërshtarin sa herë hasni në një tundim dhe pastaj të vishni uniformën e Shpëtimtarit në tempull dhe në kohën e misionit sikur s’ka ndodhur asgjë. Këtë gjë, miqtë e mi të rinj, nuk mund ta bëni. Nuk mund të talleni me Perëndinë.
Pra, unë dhe ju sonte jemi përpara një situate sfiduese. Ajo është se tashmë ka mijëra të rinj në moshën e Priftërisë Aarone në regjistrat e kësaj Kishe që janë misionarë të mundshëm në të ardhmen. Por sfida është që t’i bëjmë ata dhjakë, mësues dhe priftërinj që të qëndrojnë mjaftueshëm aktivë dhe mjaftueshëm të denjë sa që të shugurohen si pleq [eldra] dhe të shërbejnë si misionarë. Pra, ne kemi nevojë që të rinjtë që tashmë janë në ekip, të qëndrojnë në ekip dhe të mos bëjnë më triblime jashtë fushe pikërisht atëherë kur na duheni që të futeni në lojë dhe të luani me më të mirën tuaj. Në pjesën më të madhe të garave atletike që unë njoh, ka disa vija kufizuese të vizatuara mbi dysheme ose në fushë brenda të cilave duhet të qëndrojë çdo pjesëmarrës në mënyrë që të konkurrojë. Pra, Zoti ka vizatuar vija denjësie për ata që janë thirrur të punojnë me Të në këtë punë. Asnjë misionar nuk mund t’i ftojë të tjerët të pendohen për shkelje seksuale, gjuhë përdhosëse apo për shikimin e pornografisë nëse nuk është penduar vetë më parë që i ka bërë këto gjëra. Ju nuk mund ta bëni këtë! Shpirti nuk do të jetë me ju dhe fjalët do t’ju ngecin në grykë ndërkohë që i thoni. Ju nuk mund të ecni nëpër ato që Lehi i quajti “shtigje të ndaluara”5 dhe të prisni që t’i drejtoni të tjerët për tek “shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar”6, kjo – nuk mund të bëhet.
Por ka një mënyrë që ju t’i kapërceni mëkatet tuaja po aq sa ka dhe për një kërkues të cilin ju do ta mësoni të kapërcejë mëkatet e tij. Kushdo që të jeni dhe çfarëdo të keni bërë, ju mund të merrni falje. Secili prej ju të rinjve mund të lerë pas çdo shkelje me të cilën është duke luftuar. Kjo është “mrekullia e faljes”, kjo është mrekullia e Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. Por ju nuk mund ta bëni pa një zotim veprues ndaj ungjillit dhe nuk mund ta bëni pa pendim, aty ku është i nevojshëm. Unë po ju kërkoj ju të rinjve të jeni aktivë dhe të jeni të pastër. Nëse është e nevojshme, unë po ju kërkoj të bëheni aktivë dhe të bëheni të pastër.
Vëllezër, në këtë çast ne ju flasim juve haptazi, sepse e folura delikate rrallë ndodh të ketë efektin e dëshiruar te ju. Ne flasim haptazi pasi Satani është një qenie e vërtetë, e vendosur t’ju shkatërrojë dhe ju përballeni me ndikimin e tij në një moshë gjithmonë e më të re. Kështu që, ne ju kapim nga jaka dhe thërrasim me gjithë forcën që mundemi:
Mbani vesh tingullin e betejës që zhurmon fort dhe qartë;
Ejani bashkohuni me ushtrinë!7
Miqtë e mi të rinj, ne kemi nevojë për dhjetëra mijëra misionarë më shumë në muajt dhe vitet në vijim. Ata duhet të vijnë nga një numër më i madh i mbajtësve të Priftërisë Aarone që do të jenë të shuguruar, aktivë, të pastër dhe të denjë për të shërbyer.
Për ata prej jush që kanë shërbyer në misione ose janë duke shërbyer tani, ne ju falënderojmë për të mirën që keni bërë dhe për jetët që keni prekur. Bekuar qofshit! Ne gjithashtu e dimë se ka disa që kanë shpresuar gjatë gjithë jetës që të shërbenin në misione, por për arsye shëndetësore ose pengesa të tjera jashtë kontrollit të tyre, nuk mund ta bëjnë këtë. Ne e përshëndesim publikisht dhe me krenari këtë grup. Ne i njohim dëshirat tuaja dhe ju përgëzojmë për përkushtimin tuaj. Ju keni dashurinë dhe admirimin tonë. Ju jeni “në ekip” dhe do të jeni gjithmonë, megjithëse ju jeni të justifikuar me nder nga shërbimi me kohë të plotë. Por ne kemi nevojë për pjesën tjetër prej jush!
Tani, ju vëllezër të Priftërisë Melkizedeke, mos buzëqeshni dhe mos qëndroni në rehatinë e ndenjëseve tuaja. Unë nuk kam mbaruar së foluri. Ne kemi nevojë për mijëra çifte misionarësh më shumë që të shërbejnë në misionet e Kishës. Çdo president misioni lutet që në misionin e tij të dërgohen më shumë çifte misionarësh. Kudo që shërbejnë, çiftet tona i shtojnë një pjekuri punës që asnjë numër 19-vjeçarësh, sado të zotë të jenë, nuk mund ta sigurojnë.
Që të nxisë më shumë çifte për të shërbyer, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve kanë bërë një nga lëvizjet më të hapura dhe bujare që janë parë ndonjëherë në punën misionare në 50 vitet e fundit. Në maj të këtij viti, udhëheqësit e priftërisë në terren, morën një lajmërim se kostot e strehimit për çiftet (dhe ne e kemi fjalën vetëm për kostot e strehimit) do të plotësohen nga fondi i Kishës për misionarët nëse kostoja kalon një sasi të paracaktuar në muaj. Ç’bekim! Kjo është një ndihmë dërguar nga qielli që do të përdoret për shpenzimin e vetëm më të madh me të cilin përballen çiftet në misionet e tyre. Vëllezërit kanë vendosur gjithashtu, që misionet në çift mund të jenë për 6 ose 12 muaj, njëkohësisht edhe si zakonisht 18 apo 23 muaj. Me një gjest tjetër të mrekullueshëm, çifteve u jepet leje që, me shpenzimet e tyre, të kthehen në shtëpi për pak kohë për ngjarje shumë të rëndësishme familjare. Dhe mjaft u shqetësuat se do t’ju duhet të trokisni nëpër dyer ose të keni të njëjtin program si 19-vjeçarët! Ne nuk ju kërkojmë juve ta bëni këtë, por ka shumë gjëra të tjera që ju mund të bëni dhe ju do të keni shumë liri për të vendosur se si do t’i bëni ato.
Vëllezër, ne e kuptojmë se disa nga ju nuk do të kenë mundësi të shkojnë në mision për momentin ose ndoshta asnjëherë për arsye të mira e të mjaftueshme shëndeti, familjare ose ekonomike. Por me pak planifikim, shumë nga ju munden të shkojnë në mision.
Peshkopë dhe presidentë të kunjeve, diskutoni për këtë nevojë në këshillat dhe konferencat tuaja. Uluni në krye të mbledhjeve tuaja dhe kërkoni me lutje përshtypje për pjesëmarrësit e mbledhjes që duhet të marrin një thirrje për të shkuar në mision. Pastaj këshillohuni me ta dhe ndihmojini të vendosin një datë për shërbimin e tyre. Vëllezër, kur kjo të ndodhë, thuajuni grave tuaja se nëse ju mund ta lini divanin tuaj të rehatshëm dhe telekomandën e televizorit për pak muaj të shkurtër, edhe ato mund t’i lënë nipërit dhe mbesat. Ata pëllumba të vegjël do të jenë mirë dhe unë ju premtoj se ju do të bëni gjëra për ta gjatë shërbimit për Zotin që, për mijëra vjet nuk do t’i bënit dot kurrë nëse do të qëndronit në shtëpi për t’u kujdesur për ta. Çfarë dhurate më të madhe mund t’i japin gjyshërit pasardhësve të tyre sesa t’u thonë me vepra dhe me fjalë: “Në këtë familje, ne shërbejmë misione!”
Puna misionare nuk është e vetmja gjë që na duhet të bëjmë në këtë Kishë, të madhe në numër, të gjerë gjeografikisht dhe të mrekullueshme. Por pothuajse gjithçka tjetër që na duhet të bëjmë, varet së pari nga fakti nëse njerëzit dëgjojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe kthehen në besim. Me siguri kjo është arsyeja pse urdhri i fundit i Jezusit për Të Dymbëdhjetët ishte ai kryesori – “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”8. Pas kësaj dhe vetëm atëherë, mund të vijë pjesa tjetër e bekimeve të ungjillit – solidariteti familjar, programet rinore, premtimet e priftërisë dhe ordinancat që na drejtojnë për në tempull. Por ashtu siç dëshmoi Nefi, asnjë nga këto gjëra nuk mund të vijë derisa një njeri të ketë “hy[rë] në … portë”9. Për shkak të gjithçkaje që duhet bërë në shtegun e jetës së përjetshme, ne kemi nevojë për më shumë misionarë që ta hapin portën dhe t’i ndihmojnë të tjerët të hyjnë në të.
Unë i kërkoj çdo burri, të ri dhe të vjetër, që mban priftërinë, të ketë një zë më të fortë dhe më të përkushtuar, një zë jo vetëm kundër së keqes dhe atij që është mishërimi i saj, por një zë për të mirën, një zë për të përhapur ungjillin, një zë për Perëndinë. Vëllezër të të gjitha moshave, zgjidhini gjuhët tuaja dhe shikoni se si fjalët tuaja do të bëjnë mrekulli në jetën e atyre “të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”10.
Nxitoni për në betejë, nxitoni për në fushë;
E vërteta është helmeta, mbrojtja dhe streha jonë.
Qëndrojmë pranë flamurit tonë, që me krenari valëvitet!
Ne me gëzim, me gëzim po marshojmë për në qiell.11.
Në emrin e Jezu Krishtit, Mjeshtrit tonë, amen.