2011
Fëmijët
Nëntor 2011


Fëmijët

Unë dëshmoj për bekimin e madh të fëmijëve dhe të lumturisë që ata do të na sjellin në këtë jetë dhe në përjetësi.

Elder Neil L. Andersen

Kur vështrojmë në sytë e një fëmije, ne shohim një bashkëbir apo bashkëbijë të Perëndisë që ishte me ne në jetën para lindjes.

Është një privilegj i madh i një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje që janë në gjendje të lindin fëmijë për të dhënë trupa të vdekshëm për këta fëmijë shpirtra të Perëndisë. Ne besojmë te familjet dhe ne besojmë te fëmijët.

Kur një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje u lind një fëmijë, ata po plotësojnë një pjesë të planit të Atit tonë Qiellor për të sjellë fëmijë në tokë. Zoti ka thënë: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”1. Përpara pavdekësisë duhet të ketë vdekshmëri.

Familja shugurohet nga Perëndia. Familjet janë qendrore në planin e Atit tonë Qiellor këtu në tokë dhe në gjithë përjetësitë. Pasi Adami dhe Eva u bashkuan në martesë, shkrimi i shenjtë thotë: “Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën’”2. Në ditët tona profetët dhe apostujt kanë thënë: “Urdhërimi i parë që Perëndia i dha Adamit dhe Evës, lidhej me potencialin e tyre për të qenë prindër si bashkëshort e bashkëshorte. Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm.”3

Ky urdhërim nuk është harruar apo lënë mënjanë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.4 Ne shprehim mirënjohje të thellë për besimin e madh që tregohet nga bashkëshortët dhe bashkëshortet (veçanërisht bashkëshortet tona) në vullnetin e tyre për të pasur fëmijë. Kur ta kesh një fëmijë dhe sa fëmijë të kesh, janë vendime personale që merren midis një bashkëshorti e bashkëshortes dhe Zotit. Këto janë vendime të shenjta – vendime që duhet të merren me lutje të sinqertë dhe të veprohet me besim të madh.

Vite përpara Plaku Xhejms O. Mason, i Të Shtatëdhjetëve, ndau këtë histori me mua: “Lindja e fëmijës sonë të gjashtë ishte një përjetim i paharrueshëm. Ndërsa e vështroja ngultas këtë bijë të re, të mrekullueshme në inkubator në çastet pas lindjes së saj, unë dallueshëm dëgjova një zë që tha: ‘Do të ketë edhe një tjetër dhe ai do të jetë djalë’. I pamatur, me nxitim u ktheva nga ana e shtratit të bashkëshortes time absolutisht të rraskapitur dhe i thashë asaj lajmin e mirë. Ishte një kohë e zgjedhur mjaft keq nga ana ime.”5 Vit pas viti Masonët parandienin ardhjen e fëmijës së tyre të shtatë. Tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë vjet kaluan. Më në fund, pas tetë vjetësh fëmija i tyre i shtatë lindi – një djalë i vogël.

Prillin e kaluar, Presidenti Tomas S. Monson deklaroi:

“Dikur standardet e Kishës dhe standardet e shoqërisë përgjithësisht përputheshin, tani ka një ndryshim të madh midis nesh dhe ai po rritet gjithnjë më shumë. …

Shpëtimtari i njerëzimit e përshkroi veten që ishte në botë por jo prej bote. Ne gjithashtu mund të jemi në botë por jo prej bote kur kundërshtojmë konceptet false e mësimet false dhe qëndrojmë të vërtetë në atë që Perëndia ka urdhëruar.”6

Shumë zëra në botë sot e zhvleftësojnë rëndësinë e të paturit fëmijë ose sugjerojnë vonimin ose kufizimin e fëmijëve në familje. Vajzat e mia kohët e fundit, më treguan një koment në internet shkruar nga një nënë e krishterë (jo e besimit tonë) me pesë fëmijë. Ajo thoshte: “[E rritur] në këtë kulturë është shumë e vështirë të kesh një këndvështrim biblik mbi mëmësinë. … Fëmijët renditen shumë më poshtë për nga rëndësia sesa studimi në kolegj. Më poshtë se udhëtimi nëpër botë sigurisht. Më poshtë se mundësia për të dalë natën për të kaluar kohën. Më poshtë përmirësimit të trupit tuaj në palestër. Më poshtë çfarëdo pune që mund të keni apo shpresoni ta fitoni.” Ajo pastaj shton: “Mëmësia nuk është një hobi, ajo është një thirrje. Ju nuk mblidhni fëmijë sepse ju duken më të bukur se pullat. Nuk është diçka për ta bërë nëse mund t’i ngjeshni brenda kohës suaj. Të pasurit e fëmijëve është ajo për të cilën Perëndia ju dha kohë.”7

Të kesh fëmijë të vegjël nuk është e lehtë. Shumë ditë janë thjesht të vështira. Një nënë e re hipi në një autobus me shtatë fëmijë. Shoferi i autobuzit pyeti: “A janë të gjithë këta tuajt, zonjë? Apo është një piknik?”

“Ata janë të gjithë të mitë”, u përgjigj ajo. “Dhe nuk është piknik!”8

Ndërsa bota gjithnjë e më shumë pyet: “A janë të gjithë këta tuajt?” ne ju falënderojmë që krijoni brenda Kishës një vend të shenjtë për familje, ku ne nderojmë dhe ndihmojmë nënat me fëmijë.

Për një baba të drejtë, nuk ka fjalë të mjaftueshme që të shprehë mirënjohjen dhe dashurinë që ndien për dhuratën e pallogaritshme të lindjes e përkujdesjes për fëmijët e tyre nga bashkëshortja e tij.

Plaku Mason pati një përjetim tjetër vetëm pak javë pas martesës së tij që e ndihmoi të vendoste përparësitë e përgjegjësive të tij familjare. Ai tha:

“Meri dhe unë patëm arsyetuar se, që unë të kryeja shkollën mjekësore, do të ishte e nevojshme që ajo të vazhdonte punën. Edhe pse kjo nuk ishte ajo që ne [donim] të bënim, fëmijët duhej të vinin më vonë. [Ndërsa po shihja revistën e Kishës në shtëpinë e prindërve të mi] unë pashë një artikull nga Plaku Spenser W. Kimball, atëherë në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, [që theksonte] përgjegjësitë që shoqërojnë martesën. Sipas Plakut Kimball, një përgjegjësi e shenjtë ishte të shumoheshe dhe të mbushje tokën. Shtëpia e prindërve të mi ishte [pranë] Ndërtesës së Administratës së Kishës. Unë menjëherë shkova tek zyrat dhe tridhjetë minuta pas leximit të artikullit të tij, unë u gjenda i ulur në tryezë përballë me Plakun Spenser W. Kimball.” (Të flasësh me një autoritet të përgjithshëm pa caktuar një takim do të ishte e pamundur në kushtet e sotme.)

Unë i shpjegova se doja të bëhesha doktor. Nuk kishte mundësi tjetër përveçse të shtynim pasjen e fëmijëve tanë. Plaku Kimball dëgjoi me durim dhe pastaj u përgjigj me një zë të butë: ‘Vëlla Mason, a do të donte Zoti që ju të thyeni një nga urdhërimet e tij të rëndësishme me qëllim që ju të bëheni doktor? Me ndihmën e Zotit, ju mund të keni familjen tuaj dhe përsëri të bëheni doktor. Ku është besimi juaj?’”

Plaku Mason vazhdoi: “Fëmija jonë i parë lindi në më pak se një vit më vonë. Maria dhe unë punuam shumë dhe Zoti hapi pragjet e qiellit.” Masonët u bekuan me dy fëmijë të tjerë përpara se ai të diplomohej nga shkolla e mjekësisë katër vjet më vonë.9

Nëpër botë, kjo është një kohë paqëndrueshmërie ekonomike e pasigurie financiare. Në konferencën e përgjithshme të prillit, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Nëse jeni të shqetësuar rreth sigurimit financiarisht për një bashkëshorte dhe familje, unë mund t’ju siguroj se nuk ka turp te njё çift që i duhet të shtrëngohet dhe të kursejë. Është gjatë këtyre periudhave sfiduese përgjithësisht që ju do të afroheni më shumë së bashku, duke mësuar të sakrifikoni dhe të merrni vendime të vështira.”10

Pyetja depërtuese e Plakut Kimball “Ku është besimi juaj?” na kthen te shkrimet e shenjta.

Nuk ishte në Kopshtin e Edenit ku Adami dhe Eva lindën fëmijën e tyre të parë. Duke lënë kopshtin, “Adami [dhe Eva] filluan të lëro[nin] tokën. … Adami e njohu gruan e tij dhe ajo i dha atij bij e bija dhe ata [duke vepruar në besim] filluan të shumëzohen e të mbushin tokën.”11

Nuk ishte në shtëpinë e tyre në Jeruzalem, me ar, argjend dhe gjëra të çmuara, që Lehi dhe Sara, duke vepruar në besim, lindën djemtë e tyre Jakobin dhe Jozefin. Kjo ndodhi në vendin e shkretë. Lehi iu drejtua birit të tij Jakobit: “I parëlinduri im në ditët e vuajtjes sime në vendin e shkretë”12. Lehi i tha Jozefit: “Ti ishe lindur në vendin e shkretë të mjerimeve [tona]; po, në ditët e pikëllimit [tonë] më të madh, të lindi nëna ty”13.

Në librin e Eksodit një burrë dhe një grua u martuan dhe, duke vepruar në besim, patën një fëmijë djalë. Nuk pati ndonjë tabelë mirëseardhjeje në derën ballore që të njoftonte lindjen e tij. Ata e fshehën atë sepse Faraoni pati udhëzuar që çdo mashkull i parëlindur izraelit duhej “[të hidhej] në lumë”14. Ju e dini pjesën tjetër të historisë: fëmija me dashuri u vendos në një kanistër prej xunkthi, u vendos në lumë, u mbikëqyr nga motra e tij, u gjet nga e bija e Faraonit dhe pati përkujdesjen nga vetë nëna e tij si dado. Djali u rikthye tek e bija e Faraonit, që e mori atë si djalin e saj dhe e quajti Moisi.

Në historinë më të dashur të lindjes së një fëmije, nuk pati çerdhe të zbukuruar apo djep fëmijësh të modës – vetëm një grazhd për Shpëtimtarin e Botës.

Në “kohët më të mira [dhe] … kohët më të këqija”15, shenjtorët e vërtetë të Perëndisë, duke vepruar në besim, nuk e kanë harruar, larguar apo shpërfillur kurrë “urdhërimin e Perëndisë … për t’u shumëzuar dhe mbushur tokën”16. Ne përparojmë në besim – duke kuptuar se vendimi se sa fëmijë të kenë dhe kur t’i kenë është midis një bashkëshorti e bashkëshortes dhe Zotit. Ne nuk duhet të gjykojmë njëri-tjetrin për këtë çështje.

Lindja e fëmijëve është një temë delikate që mund të jetë shumë e dhembshme për gratë e drejta, që nuk kanë mundësinë të martohen dhe të kenë familje. Juve gra fisnike, Ati ynë Qiellor i di lutjet dhe dëshirat tuaja. Sa mirënjohës jemi ne për ndikimin tuaj të mrekullueshëm, përfshirë ndihmën me krahë dashurie për fëmijët që kanë nevojë për besimin dhe forcën tuaj.

Lindja e fëmijëve mund të jetë gjithashtu një temë zemërndrydhëse për çifte të drejtë që martohen dhe shohin se nuk mund të kenë fëmijët, që ata i prisnin me aq ankth, ose për një bashkëshort dhe një bashkëshorte, që planifikojnë të kenë një familje të madhe, por janë bekuar me një familje më të vogël.

Ne nuk mund të shpjegojmë gjithmonë vështirësitë e vdekshmërisë sonë. Ndonjëherë jeta duket shumë e padrejtë – veçanërisht kur dëshira jonë më e madhe është të bëjmë saktësisht atë që Zoti ka urdhëruar. Si shërbëtor i Zotit unë ju siguroj ju se ky premtim është i sigurt: “Anëtarët besnikë, rrethanat e të cilëve nuk i lejojnë ata të marrin bekimet e martesës së përjetshme dhe të prindërisë në këtë jetë, do të marrin të gjitha bekimet e premtuara në përjetësitë, [kur] ata t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Perëndinë”17.

Presidenti J. Skot Dorius i Misionit të Perusë, Lima Perëndimore më tregoi historinë e tij me bashkëshorten. Ai tha:

“Beki dhe unë ishim të martuar për 25 vjet pa qenë në gjendje të kishim [apo adoptonim] fëmijë. Ne u përpoqëm disa herë. Ta prezantonim veten në çdo situatë të re ishte e sikletshme dhe ndonjëherë e dhembshme. Anëtarët e lagjes habiteshin përse ne [nuk kishim] fëmijë. Ata nuk ishin të vetmit që habiteshin, ne vetë po ashtu.

Kur u thirra si peshkop, anëtarët e lagjes [shprehën] shqetësimin që unë nuk kisha ndonjë përvojë me fëmijë dhe me adoleshentë. Unë i falënderova për votën e tyre mbështetëse dhe u kërkova të më lejonin të praktikoja aftësitë e mia për rritje fëmijësh me fëmijët e tyre. Ata me dashuri më lejuan.

Ne pritëm, fituam një këndvështrim dhe mësuam durimin. Pas 25 vjetësh martese, një fëmijë mrekullie erdhi në jetën tonë. Ne adoptuam Nikolën dy vjeçare dhe pastaj të porsalindurin Nikolai. Të huajt tani na përgëzojnë për mbesat dhe nipërit tanë të mrekullueshëm. Ne qeshim dhe themi: ‘Ata janë fëmijët tanë. Ne e kemi jetuar jetën tonë mbrapsht.’”18

Vëllezër dhe motra, ne nuk duhet të jemi gjykues me njëri-tjetrin në këtë përgjegjësi të shenjtë dhe private.

“Dhe [Jezusi] mori një fëmijë … në krahë dhe u tha …

Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; Dhe kushdo që më pranon mua, … [pranon] … atë që më ka dërguar.”19

Çfarë bekimi të mrekullueshëm kemi që të pranojmë bijtë dhe bijat e Perëndisë në shtëpinë tonë.

Le të kërkojmë përulësisht dhe me lutje të kuptojmë dhe të pranojmë urdhërimet e Perëndisë, duke mbajtur vesh me nderim për zërin e Shpirtit të Tij të Shenjtë.

Familjet janë qendrore për planin e përjetshëm të Perëndisë. Unë dëshmoj për bekimin e madh të fëmijëve dhe të lumturisë që ata do të na sjellin në këtë jetë dhe në përjetësi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Moisiu 1:39.

  2. Zanafilla 1:28.

  3. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  4. Sipas Studimit vjetor të Komunitetit Amerikan, nxjerrë nga Zyra e Regjistrimit të Popullatës së SHBA, “Juta ende ka familjet më të mëdha të kombit, nivelin më të lartë të lindshmërisë, moshën më të ulët mesatare, moshën më të re në martesë dhe shumicën e nënave shtëpiake” (“Who Are Utahns? Survey Shows We’re Highest, Lowest, Youngest”, Salt Lake Tribune, 22 shtator 2011, Al, A8).

  5. Postë elektronike e marrë nga Plaku James O. Mason, 25 qershor 2011.

  6. Tomas S. Monson, “Fuqia e Priftërisë”, Liahona maj 2011, f. 66, 67.

  7. Rachel Jankovic, “Motherhood Is a Calling (and Where Your Children Rank)”, 14 korrik 2011, desiringgod.org.

  8. Shih “Jokes and Funny Stories about Children”, thejokes.co.uk/jokes-about-children.php.

  9. Postë elektronike e marrë nga Plaku James O. Mason, 29 qershor 2011.

  10. Tomas S. Monson, Liahona, maj 2011, f. 67.

  11. Moisiu 5:1, 2.

  12. 2 Nefi 2:1.

  13. 2 Nefi 3:1.

  14. Eksodi 1:22.

  15. Charles Dickens, A Tale of Two Cities (Signet Classic, 1997), f. 13.

  16. Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  17. Handbook 2: Administering the Church (2010), 1.3.3.

  18. Postë elektronike nga Presidenti J. Scott Dorius, 28 gusht 2011.

  19. Mateu 9:36–37.