2011
Misionarët Janë një Thesar i Kishës
Nëntor 2011


Misionarët Janë një Thesar i Kishës

Jam mirënjohës që misionarët thirren nga Zoti, që ata i përgjigjen asaj thirrjeje dhe që ata po shërbejnë në mbarë botën.

Elder Kazuhiko Yamashita

Një natë shumë vite më parë, një misionar i sapothirrur që quhej Plaku [Eldër] Suan, dhe shoku i tij më i vjetër japonez erdhën për të na vizituar në shtëpinë tonë. Për fat të mirë, isha në shtëpi, kështu që i ftova të hynin. Kur i përshëndeta tek dera, sytë më shkuan tek xhaketa që kishte veshur Plaku [Eldër] Suan. Pa menduar, i thashë atij: “Sigurisht, është e këndshme xhaketa që ke veshur!” Megjithatë, ajo nuk ishte një xhaketë e re dhe ishte disi e vjetëruar. Hamendësova se ndonjë misionar i mëparshëm e kishte lënë xhaketën tek apartamenti i misionarëve.

Plaku [Eldër] Suan iu përgjigj menjëherë fjalëve të mia dhe ishte plotësisht e kundërta e asaj që po mendoja. Me një japonishte të çalë ai u përgjigj: “Po, kjo është një xhaketë e mirë. Babai im e veshi këtë xhaketë kur shërbeu si misionar në Japoni më tepër se 20 vite më parë.”

Babai i tij kishte shërbyer në Misionin e Japonisë, Okajama. Dhe kur biri i tij po largohej për të shërbyer një mision në Japoni, ai ia kishte dhënë atij xhaketën e vet. Kjo fotografi tregon atë xhaketë që kanë veshur në Japoni dy breza të Pleqve [Eldërve] Suan.

U preka kur dëgjova fjalët e Plakut [Eldër] Suan. Dhe tani e kuptova arsyen përse Plaku [Eldër] Saun veshi xhaketën e babait të tij ndërsa po bënte punë misionare. Plaku [Eldër] Suan e kishte nisur misionin e tij duke trashëguar dashurinë e babait të tij për Japoninë dhe popullin e saj.

Jam i sigurt se disa prej jush këtu kanë përjetuar diçka të ngjashme me këtë. Një numër misionarësh që shërbejnë në Japoni, më kanë treguar se etërit e tyre, nënat e tyre, gjyshërit e tyre apo xhaxhallarët e tyre gjithashtu kanë shërbyer në misione në Japoni.

Dëshiroj të shpreh dashurinë, respektin tim të sinqertë dhe ndjenjat e mirënjohjes për të gjithë misionarët e kthyer, që kanë shërbyer nëpër botë. Jam i sigurt se ata që keni ndihmuar të kthehen në besim, nuk ju kanë harruar ju. “Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira … !”1

Unë jam një prej atyre të kthyerve në besim. Unë u ktheva në besim në moshën 17-vjeçare, kur isha nxënës i shkollës së mesme. Misionari që kreu pagëzimin tim, ishte Plaku [Eldër] Rap nga Ajdaho. Ai u lirua së fundi nga thirrja si president kunji në Ajdaho. Nuk e kam parë qëkur sapo isha pagëzuar, por kam shkëmbyer mesazhe elektronike me të dhe kam folur në telefon. Nuk e kam harruar kurrë atë. Fytyra e tij e këndshme, e qeshur, është e gdhendur në kujtesën time. Ai qe shumë i lumtur kur mësoi se unë po shkoja mirë.

Kur isha 17 vjeç, nuk kisha vërtet një kuptueshmëri të mirë të mesazheve që misionarët po më mësonin. Megjithatë, unë kisha një ndjenjë të veçantë për misionarët dhe dëshiroja të bëhesha si ata. Dhe unë e ndieja dashurinë e tyre të thellë e të qëndrueshme.

Më lejoni t’ju tregoj për ditën kur u pagëzova. Ishte 15 korrik dhe ishte një ditë shumë e nxehtë. Një grua u pagëzua gjithashtu atë ditë. Vaska e pagëzimit ishte përgatitur me dorë nga misionarët dhe nuk ishte shumë mbresëlënëse.

Ne u konfirmuam menjëherë pasi u pagëzuam. Së pari, u konfirmua motra nga Plaku [Eldër] Llojd. Unë u ula me anëtarët e tjerë, mbylla sytë dhe dëgjova në qetësi. Plaku [Eldër] Llojd e konfirmoi atë dhe pastaj filloi të shqiptojë një bekim mbi të. Megjithatë, Plaku [Eldër] Llojd pushoi së foluri, kështu që unë hapa sytë dhe e vështrova ngultas.

Edhe sot mund ta kujtoj qartë atë skenë. Sytë e Plakut [Eldër] Llojd ishin mbushur me lotë. Dhe për herë të parë në jetën time, unë përjetova të qenit i mbështjellë nga Shpirti i Shenjtë. Dhe nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë unë fitova një njohuri të sigurt se Plaku [Eldër] Llojd na donte dhe se Perëndia na donte.

Pastaj qe radha ime që të konfirmohesha. Qe përsëri Plaku [Eldër] Llojd. Ai i vuri duart mbi kokën time dhe më konfirmoi një anëtar të Kishës, më dha dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe pastaj, filloi të shqiptojë një bekim. Dhe përsëri pushoi së foluri. Megjithatë, tani unë e kuptova se çfarë po ndodhte. Unë vërtet e dija nëpërmjet Frymës së Shenjtë se misionarët më donin dhe se Perëndia më donte.

Do të dëshiroja tani t’ju thoja disa fjalë misionarëve që aktualisht po shërbejnë në misione nëpër botë. Qëndrimet tuaja dhe dashuria që shfaqni kundrejt të tjerëve janë mesazhe shumë domethënëse. Edhe pse nuk i rroka menjëherë të gjitha doktrinat që misionarët më mësuan, unë e ndieva dashurinë e tyre të madhe dhe veprimet e shumta të tyre të shpirtmirësisë më dhanë mësime të rëndësishme. Mesazhi juaj është një mesazh dashurie, një mesazh shprese dhe një mesazh besimi. Qëndrimi juaj dhe veprimet tuaja ftojnë Shpirtin dhe është Shpirti që na mundëson neve të kuptojmë gjërat që janë të rëndësishme. Ajo që dua t’ju përçoj është se nëpërmjet dashurisë suaj, ju në të vërtetë po jepni dashurinë e Perëndisë. Ju jeni një thesar i kësaj Kishe. Unë ju jam mirënjohës të gjithëve ju për sakrificën tuaj dhe për përkushtimin tuaj.

Do të dëshiroja t’ju flisja gjithashtu ju, misionarëve të ardhshëm. Në vetë familjen time, katër nga fëmijët tanë kanë shërbyer në misione dhe, në fund të këtij muaji, misionari ynë i pestë do të hyjë në Qendrën për Trajnimin e Misionarëve në Provo. Vitin tjetër, fëmija ynë më i vogël po planifikon të shërbejë në një mision pasi të diplomohet nga shkolla e mesme.

Kështu, unë u flas bijve të mi dhe të gjithëve ju që po përgatiteni të shërbeni në misione. Është e domosdoshme të sillni tri gjëra me vete në misionin tuaj:

  1. Një dëshirë për të predikuar ungjillin. Zoti dëshiron që ju të kërkoni delet e Tij dhe të kujdeseni për to.2 Njerëz në mbarë botën po presin për ju. Ju lutem, shkoni shpejt atje ku janë ata. Askush nuk përpiqet më fort sesa misionarët për të shkuar që të shpëtojë të tjerët. Unë jam një nga ata të shpëtuar.

  2. Zhvilloni dëshminë tuaj. Zoti kërkon nga ju “zemrën dhe një mendje të gatshme”3.

  3. Duajini të tjerët, tamam ashtu si Plaku [Eldër] Suan, që solli me vete në mision xhaketën e babait të tij dhe dashurinë e babait të tij për Japoninë dhe njerëzit e saj.

Dhe për ata prej jush që nuk e dinë se si duhet të përgatiten që të shërbejnë në mision, ju lutem, shkoni dhe takohuni me peshkopin tuaj. Unë e di se ai do t’ju ndihmojë.

Jam mirënjohës që misionarët thirren nga Zoti, që ata i përgjigjen asaj thirrjeje dhe që ata po shërbejnë në mbarë botën. Më lejoni t’jua them të gjithëve ju misionarë të dashur të kthyer: Jam vërtet mirënjohës për të gjitha përpjekjet tuaja. Ju jeni një thesar i kësaj Kishe. Dhe vazhdofshi ju gjithmonë të jeni misionarë dhe të veproni si dishepuj të Krishtit.

Unë dëshmoj se ne jemi fëmijët e Atit tonë në Qiell, se Ai na do dhe se Ai dërgoi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, që ne të mund të kthehemi përsëri në prani të Tij. Unë i them këto gjëra në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.