Kini Guxim të Qëndroni Vetëm
Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë.
Vëllezërit e mi të dashur, është një privilegj shumë i madh të jem me ju sonte. Ne që mbajmë priftërinë e Perëndisë, krijojmë një lidhje dhe vëllazëri të shkëlqyer.
Ne lexojmë në Doktrina e Besëlidhje, në seksionin 121, vargu 36, “që të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit”. Çfarë dhurate e mrekullueshme na është dhënë – të mbajmë priftërinë, që është “e lidhur në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit”. Sidoqoftë, kjo dhuratë e çmuar përfshin jo vetëm bekime të veçanta, por edhe përgjegjësi të shenjta. Ne duhet ta drejtojmë jetën tonë në mënyrë të tillë, që të jemi gjithmonë të denjë për priftërinë që mbajmë. Ne jetojmë në një kohë kur jemi të rrethuar nga shumë gjëra të cilat kanë për synim të na tërheqin nëpër shtigje që mund të na çojnë drejt shkatërrimit. Për t’i shmangur shtigje të tilla kërkohet vendosmëri dhe guxim.
Mua më kujtohet një kohë – dhe disave prej jush këtu sonte do t’ju kujtohet gjithashtu – kur standardet e pjesës më të madhe të njerëzve ishin të ngjashme me standardet tona. Nuk është më kështu. Unë lexova së fundi një artikull në revistën New York Times lidhur me një studim që u krye gjatë verës së vitit 2008. Një sociolog i njohur i Notre Dame-it udhëhoqi një ekip kërkimi për të bërë intervista të hollësishme me 230 beqarë në moshë madhore përreth Amerikës. Unë besoj se ne mund ta supozojmë me siguri se përfundimet do të ishin të ngjashme në shumicën e vendeve të botës.
Unë po ju tregoj vetëm një pjesë të këtij artikulli shumë informues:
“Intervistuesit bënë pyetje të hapura rreth të drejtës e të gabuarës, mëdyshjeve morale dhe kuptimit të jetës. Mes përgjigjeve të hallakatura, … ju shihni se të rinjtë po përpiqeshin të thonin gjëra kuptimplote mbi këto çështje. Por ata thjesht nuk kanë konceptet ose fjalorin e nevojshëm për ta bërë këtë.
Kur iu kërkuam të përshkruanin një mëdyshje morale me të cilën ishin përballur, dy të tretat e të rinjve ose nuk mundeshin të jepnin përgjigje ose përshkruanin probleme që nuk ishin aspak morale, si p.sh. nëse ata mund të përballonin marrjen me qira të një apartamenti apo nëse kishin monedha për t’i futur në një kohëmatës parkimi për një vend për të parkuar.”
Artikulli vazhdon:
“Qëndrimi tipik, të cilit shumica e tyre iu rikthye përsëri e përsëri, ishte se zgjedhjet morale varen nga preferencat individuale. ‘Është personale’, ishte përgjigjja tipike e të intervistuarve. ‘Varet nga individi. Kush jam unë që ta them këtë?’
Duke hedhur poshtë bindjen e plotë ndaj autoritetit, shumë nga të rinjtë kaluan në ekstremin tjetër, [duke thënë]: ‘Unë do të bëja atë çka do të mendoja se do të më bënte të lumtur ose do të veproja siç e ndieja. Unë nuk kam mënyrë tjetër për ta ditur ç’të bëj përveçse nga mënyra se si ndihem brenda.’”
Ata që drejtuan intervistat vunë në dukje se shumicës së të rinjve me të cilët folën “nuk u ishin dhënë burimet – nga shkollat, institucionet [ose] familjet – që të kultivonin konceptin e tyre të moralit”1.
Vëllezër, asnjëri që po më dëgjon tani nuk duhet të ketë mëdyshje lidhur me atë që është e moralshme dhe atë që nuk është, as nuk duhet të jetë dikush në mëdyshje rreth asaj çka pritet nga ne, mbajtësit e priftërisë së Perëndisë. Neve na janë mësuar dhe ende vazhdojnë të na mësohen ligjet e Perëndisë. Pavarësisht se çfarë mund të shihni apo dëgjoni diku tjetër, këto ligje janë të pandryshueshme.
Ndërsa ne jetojmë ditë pas dite, është pothuajse e pashmangshme që besimi ynë do të vihet në provë. Ndonjëherë, ne mund ta gjejmë veten të rrethuar nga njerëz të tjerë dhe prapë se prapë duke qenë pjesë e pakicës ose duke qëndruar të vetëm lidhur me atë që është e pranueshme dhe atë që nuk është. A e kemi ne guximin moral për të qëndruar të vendosur për ato çka besojmë, megjithëse duke bërë kështu do të na duhet të qëndrojmë të vetëm? Si mbajtës të priftërisë së Perëndisë, është thelbësore që ne të jemi në gjendje të përballojmë – me guxim – çfarëdolloj sfidash që na dalin përpara. Kujtoni fjalët e poetit Tenison: “Forca ime është sa për dhjetë vetë, sepse zemra ime është e dëlirë”2.
Gjithnjë e më shumë, disa njerëz të famshëm dhe të tjerë që – për ndonjë arsye apo tjetër – janë në qendër të vëmendjes së publikut, kanë një prirje për ta vënë në lojë fenë në përgjithësi dhe ndonjëherë, Kishën në veçanti. Nëse dëshmitë tona nuk kanë një themel të fortë mjaftueshëm, kritika të tilla mund të na bëjnë që të dyshojmë tek ato që besojmë ose të lëkundemi në vendosmërinë tonë.
Në vegimin e Lehit, të pemës së jetës, që gjendet tek 1 Nefi 8, Lehi shikon, përveç të tjerëve, ata që mbahen te shufra e hekurit derisa shkojnë përpara dhe marrin frutin e pemës së jetës, të cilin e dimë së përfaqëson dashurinë e Perëndisë. Dhe më pas, në mënyrë të trishtë, pasi ata kanë marrë nga fruti, disa turpërohen prej atyre që janë në “ndërtesën e madhe dhe të gjerë”, të cilët përfaqësojnë krenarinë e fëmijëve të njerëzve, që po tregojnë me gisht në drejtim të tyre dhe po i përqeshin ata; ata largohen nëpër shtigje të ndaluara dhe humbasin.3 Çfarë arme e fuqishme e kundërshtarit është vënia në lojë dhe përqeshja! Përsëri, vëllezër, a e kemi ne guximin për të qëndruar të fortë e të vendosur përpara një kundërshtimi kaq të madh?
Unë besoj se përvoja ime e parë e të pasurit guxim për bindjet e mia ndodhi kur po shërbeja në Marinën e Shteteve të Bashkuara në fund të Luftës II Botërore.
Trajnimi për anëtarët e rinj të marinës, nuk ishte një përvojë e lehtë për mua dhe për çdokënd që e ka duruar. Gjatë tri javëve të para unë ndihesha sikur isha në rrezik fizik. Marina nuk po përpiqej të më stërviste; po përpiqej të më vriste.
Unë do ta kujtoj gjithmonë kur erdhi sërish e diela pas javës së parë. Na u thanë fjalët e mirëseardhjes nga nënoficeri. Ndërsa po qëndronim drejt në pozicion në zonën e stërvitjes, nën një fllad të akullt të Kalifornisë, ne dëgjuam urdhrin e tij: “Sot të gjithë shkojnë në kishë – të gjithë, domethënë, përveç meje. Unë do bëj pushim!” Pastaj ai bërtiti: “Të gjithë ju katolikë, ju do të mblidheni në Kampin Diketër – dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Përpara, marsh!” Një kontigjent mjaft i konsiderueshëm u largua. Më pas ai dha me ashpërsi urdhrin tjetër: “Ata prej jush që janë judenj, ju do të mblidheni në Kampin Henri – dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Përpara, marsh!” Një kontigjent paksa më i vogël marshoi tutje. Pastaj ai tha: “Pjesa tjetër prej jush protestantëve, ju do të mblidheni në sallën e Kampit Ferëgat – dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Përpara, marsh!”
Në çast në mendje më lindi mendimi: “Monson ti nuk je as katolik, nuk je as jude; nuk je as protestant. Ti je mormon, kështu që ti thjesht qëndro këtu!” Unë mund t’ju siguroj se ndihesha krejtësisht vetëm. I guximshëm dhe i vendosur, po – por i vetëm.
Dhe më pas dëgjova fjalët më të ëmbla që kisha dëgjuar ndonjëherë të shqiptoheshin nga ai nënoficer. Ai pa drejt meje dhe më pyeti: “Po ju djema si e quani veten?” Deri në atë çast unë nuk e kisha kuptuar se të tjerë kishin qëndruar pas meje në zonën e stërvitjes. Pothuajse njëzëri, secili prej nesh u përgjigj: “Mormonë!” Është e vështirë ta përshkruaj gëzimin që mbushi zemrën time kur u ktheva dhe pashë disa marinarë të tjerë.
Nënoficeri kruajti kokën me një shprehje hutimi, por së fundi tha: “Mirë, shkoni gjeni një vend për t’u mbledhur. Dhe mos u ktheni deri në orën tre fiks. Përpara, marsh!”
Ndërkohë që ne marshonim tutje, unë mendova për fjalët e një rime që kisha mësuar në Fillore vite më parë:
Guxo të jesh mormon;
Guxo të qëndrosh i vetëm.
Guxo të kesh një zotim të fortë;
Guxo t’ua tregosh të tjerëve këtë zotim.
Megjithëse përvoja doli ndryshe nga ajo që prisja, unë kisha qenë i gatshëm të qëndroja vetëm, nëse kjo do të kishte qenë e nevojshme.
Që nga ajo ditë, ka pasur kohë kur nuk ka pasur asnjë që të qëndronte pas meje dhe kështu unë vërtet qëndrova i vetëm. Sa mirënjohës jam që e kam marrë shumë kohë më parë vendimin për të qëndruar i fortë dhe i vërtetë, gjithmonë i përgatitur dhe gati për të mbrojtur besimin tim, kur të ishte e nevojshme.
Në rast se ndihemi ndonjëherë të papërshtatshëm për detyrat përpara nesh, vëllezër, më lejoni të ndaj me ju një deklaratë të bërë në vitin 1987 nga Presidenti i Kishës në atë kohë Ezra Taft Benson kur ai iu drejtua një grupi të madh anëtarësh në Kaliforni. Presidenti Benson tha:
“Gjatë gjithë epokave, profetët e kanë vështruar, përmes tuneleve kohore, kohën tonë. Miliarda që kanë vdekur dhe ata që ende do të lindin, i kanë sytë tek ne. Mos u gaboni për këtë – ju jeni një brez i shënuar. …
Për afërsisht gjashtë mijë vjet, Perëndia ju ka mbajtur në stolin e rezervave për t’ju shfaqur në ditët e fundit përpara ardhjes së dytë të Zotit. Disa njerëz do të largohen nga Kisha; por mbretëria e Perëndisë do të mbetet e pacënuar për të mirëpritur kthimin e udhëheqësit të saj – madje Jezu Krishtit.
Ndërkohë që ky brez do të jetë i krahasueshëm për ligësinë me ditët e Noeut, kur Zoti e pastroi tokën me përmbytje, ka një ndryshim më të madh në këtë kohë: [ai është që] Perëndia ka ruajtur për periudhën e Tij të fundit disa prej më të fortëve … nga fëmijët e tij, që do të japin ndihmën e vet për ta nxjerrë mbretërinë triumfuese.”4
Po, vëllezër, ne përfaqësojmë disa nga fëmijët e Tij më të fortë. E jona është përgjegjësia për të qenë të denjë për të gjitha bekimet e lavdishme që Ati ynë në Qiell ka ruajtur për ne. Kudo që të shkojmë, e kemi priftërinë me vete. A po qëndrojmë në vende të shenjta? Ju lutem, përpara se ta vini veten dhe priftërinë tuaj në rrezik duke shkuar nëpër vende ose duke marrë pjesë në aktivitete që nuk janë të denja për ju ose për atë priftëri, ndaluni për të marrë parasysh pasojat. Secilit prej nesh iu dha Priftëria Aarone. Gjatë procesit, çdonjëri mori fuqinë që mban çelësat e shërbesës së engjëjve. Presidenti Gordon B. Hinkli tha:
“Ju nuk mund t’ia lejoni vetes që të bëni diçka që do të vendoste një perde midis jush dhe shërbesës së engjëjve në emrin tuaj.
Ju nuk mund të jeni të pamoralshëm në asnjë mënyrë. Ju nuk mund të jeni të pandershëm. Ju nuk mund të mashtroni ose të gënjeni. Ju nuk mund ta përmendni emrin e Perëndisë më kot, ose të përdorni gjuhë përdhosëse dhe prapë të keni të drejtën e shërbesës së engjëjve.”5
Nëse ndonjëri prej jush ka mëkatuar në udhëtimin e tij, unë dua që ju të kuptoni pa asnjë dyshim se sidoqoftë ka një mënyrë për t’u kthyer prapa. Procesi quhet pendim. Shpëtimtari dha jetën e Tij për t’jua siguruar juve dhe mua atë dhuratë të bekuar. Pavarësisht faktit se shtegu i pendimit nuk është i lehtë, premtimet janë të vërteta. Ne na është thënë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”6. “Dhe unë nuk do t’i kujtoj më ato.”7 Çfarë shpalljeje. Ç’bekim. Ç’premtim.
Mund të ketë disa nga ju që po mendoni me vete: “Epo, unë nuk jam duke i jetuar të gjitha urdhërimet dhe unë nuk jam duke bërë gjithçka që duhet të bëj dhe prapë jeta im po shkon shumë mirë. Unë mendoj se mund ta shijoj jetën dhe të mos jem i detyruar të mbaj urdhërimet.” Vëllezër, unë ju premtoj se kjo nuk do të funksionojë në periudha afatgjata.
Jo shumë muaj më parë, unë mora një letër nga një burrë që dikur mendonte se mund t’i shërbente dy zotërinjve. Ai tashmë është penduar dhe e ka vënë jetën në pajtim me parimet e ungjillit dhe urdhërimet. Unë dua t’ju tregoj një paragraf nga letra e tij, sepse ai përfaqëson realitetin e mendjelehtësisë: “M’u desh të mësoja për veten time (në mënyrën e vështirë) se Shpëtimtari kishte absolutisht të drejtë kur tha: ‘Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve: sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin. Ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.’8 Unë u përpoqa, aq shumë sa është përpjekur ndonjëherë ndokush që t’i bëja të dyja. Në fund, tha ai, unë ndieja gjithë boshllëkun, errësirën dhe vetminë që Satani ua jep atyre që besojnë në mashtrimet, iluzionet dhe gënjeshtrat e tij.”
Në mënyrë që të jemi të fortë dhe t’u bëjmë ballë të gjitha forcave që na shtyjnë në drejtimin e gabuar ose të gjithë zërave që na nxisin të marrim rrugën e gabuar, ne duhet të kemi dëshminë tonë vetjake. Qoftë nëse jeni 12 apo 112 vjeç – ose sado mes këtyre – ju mund ta dini për veten tuaj se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë. Lexoni Librin e Mormonit. Meditoni rreth mësimeve të tij. Pyeteni Atin Qiellor nëse është i vërtetë. Ne kemi premtimin se “në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”9.
Kur ne dimë se Libri i Mormonit është i vërtetë, më pas ne dimë se Jozef Smithi ishte me të vërtetë një profet dhe se ai pa Perëndinë, Atin e Përjetshëm dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ne gjithashtu dimë, se ungjilli u rivendos në këto ditë të mëvonshme nëpërmjet Jozef Smithit – duke përfshirë rivendosjen e të dyja Priftërive, Aarone dhe Melkizedeke.
Pasi ne kemi një dëshmi, është përgjegjësia jonë që ne ta ndajmë këtë dëshmi me të tjerët. Shumë nga ju vëllezër kanë shërbyer si misionarë anembanë botës. Shumë nga ju të rinj nuk keni shërbyer akoma. Përgatitni veten tani për atë mundësi. Sigurohuni që të jeni të denjë për të shërbyer.
Nëse jemi të përgatitur për ta ndarë ungjillin, ne jemi gati për t’iu përgjigjur këshillës së Apostullit Pjetër, që na nxiti: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”10.
Ne do të kemi mundësi përgjatë jetës sonë për të ndarë ato çka besojmë, megjithëse ne nuk e dimë gjithnjë se kur do të thirremi për ta bërë këtë. Një mundësi e tillë, më erdhi në vitin 1957 kur punoja në një shtëpi botuese dhe m’u kërkua të shkoja në Dallas të Teksasit, të quajtur ndonjëherë “qyteti i kishave” për të folur në një marrëveshje biznesi. Pas përfundimit të marrëveshjes, unë mora një autobus turistik për të bërë një turne përmes rrethinave të qytetit. Ndërsa kalonim pranë kishave të bukura, shoferi ynë do të komentonte: “Në të majtë po shihni Kishën Metodiste”, ose, “Atje në të djathtë është Katedralja Katolike”.
Ndërsa kaluam pranë një ndërtese të bukur me tulla të kuqe të vendosur mbi një kodër, shoferi na informoi: “Ajo ndërtesë është vendi ku mblidhen mormonët”. Zëri i një zonje nga fundi i autobusit pyeti: “Shofer, a mund të na thoni diçka mbi mormonët?”
Shoferi e ndaloi autobusin në anë të rrugës, u rrotullua në karrigen e tij dhe u përgjigj: “Zonjë, gjithçka që di unë për mormonët është se ata mblidhen në atë ndërtesë me tulla të kuqe. A ka ndonjë njeri në këtë autobus që di diçka për mormonët?”
Unë prita që dikush të përgjigjej. Unë ia ngula sytë shprehjes në fytyrën e secilit person duke kërkuar ndonjë shenjë njohjeje, pak dëshirë për të komentuar. Asgjë. Unë e kuptova se ishte radha ime për të bërë siç këshilloi Apostulli Pjetër që të “jeni gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”. Unë kuptova gjithashtu, vërtetësinë e fjalës së urtë: “Kur vjen koha për të marrë vendime, ka ikur koha për përgatitje”.
Për pothuajse 15 minutat vijuese, unë pata privilegjin që t’u tregoja atyre që ishin në autobus, dëshminë time lidhur me Kishën dhe ato çka ne besojmë. Unë isha mirënjohës për dëshminë time dhe mirënjohës që isha i përgatitur ta ndaja atë.
Me gjithë zemrën dhe shpirtin tim, unë lutem që çdo burrë që mban priftërinë do ta nderojë atë priftëri dhe do të jetë i vërtetë ndaj mirëbesimit që iu tregua kur iu dha ajo priftëri. E dittë çdonjëri prej nesh që mban priftërinë e Perëndisë, se çfarë beson. Qofshim ne gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë, dhe nëse do të na duhet të qëndrojmë vetëm në këtë proces, e bëfshim këtë me guxim, të forcuar nga njohuria se në të vërtetë ne nuk jemi kurrë vetëm kur ne qëndrojmë për Atin tonë në Qiell.
Ndërsa sodisim dhuratën e madhe që na është dhënë – “të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit” – vendosmëria jonë u bëftë gjithmonë rojë dhe e mbroftë atë që të jetë e denjë për premtimet e saj të mëdha. E ndjekshim ne udhëzimin e Shpëtimtarit për ne, që gjendet në librin e 3-të të Nefit: “Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë”.11
E ndjekshim ne përherë atë dritë dhe e mbafshim atë lart që e gjithë bota ta shohë, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.