2011
Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen
Nëntor 2011


Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen

I ftoj të rinjtë e Kishës që të mësojnë e të përjetojnë Shpirtin e Elijas.

Elder David A. Bednar

Kur studiojmë, mësojmë dhe jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, rendi i gjërave shpeshherë të jep mësime. Merrni parasysh, për shembull, mësimet mbi përparësitë shpirtërore që ne mësojmë nga rendi i ngjarjeve madhore që ndodhën kur plotësia e ungjillit të Shpëtimtarit u rivendos në këto ditë të mëvonshme.

Në Korijen e Shenjtë Jozef Smithi pa dhe foli me Atin e Përjetshëm dhe Jezu Krishtin. Ndër të tjera, Jozefi mësoi mbi natyrën e vërtetë të Kreut-Perëndi dhe për vazhdimin e zbulesës. Ky vegim i madhërishëm filloi “[periudhën kur] plotësoheshin kohërat” (Efesianëve 1:10) dhe është një nga ngjarjet e rëndësishme të historisë së botës.

Afërsisht tre vjet më vonë, në përgjigje të lutjes së sinqertë mbrëmjen e 21 shtatorit 1823, dhoma e fjetjes e Jozefit u mbush me dritë derisa “ishte më e shndritshme se në mesditë” (Joseph Smith – Historia 1:30). Një personazh iu shfaq në anë të shtratit, e thirri djaloshin me emër dhe tha se “ishte një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë … dhe se emri i tij ishte Moroni” (vargu 33). Ai e udhëzoi Jozefin lidhur me ardhjen e Librit të Mormonit. E më pas Moroni citoi nga libri i Malakias në Dhiatën e Vjetër, me pak ndryshim në gjuhën që përdoret tek Varianti i Mbretit Xhejms: “Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nga dora e Elijas, profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe e të tmerrshme të Zotit.

… Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij” (vargjet 38:39).

Udhëzimet e Moronit drejtuar profetit të ri përfshinin së fundi dy tema parësore: 1) Librin e Mormonit dhe 2) fjalët e Malakias që parathoshte rolin e Elijas në Rivendosjen e “të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës” (Veprat e Apostujve 3:21). Kështu, ngjarjet parathënëse të Rivendosjes zbuluan një kuptim të saktë për Kreun-Perëndi, theksuan rëndësinë e Librit të Mormonit dhe parashikuan punën e shpëtimit e të ekzaltimit si për të gjallët, edhe për të vdekurit. Kjo renditje frymëzuese të mëson mbi çështjet shpirtërore që për Hyjninë kanë përparësinë më të lartë.

Mesazhi im përqendrohet mbi shërbesën dhe Shpirtin e Elijas që u parathanë nga Moroni në udhëzimet e tij të para drejtuar Jozef Smithit. Sinqerisht lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë.

Shërbesa e Elijas

Elija ishte një profet i Dhiatës së Vjetër, nëpërmjet të cilit u kryen mrekulli të fuqishme. Ai vulosi qiejt dhe në Izraelin e lashtë nuk ra shi për 3 vjet e gjysmë. Ai shumoi miellin dhe vajin e një vejusheje. Ngriti prej së vdekuri një djalosh dhe zbriti zjarr nga qielli, në sfidë me profetët e Baalit. (Shih 1 Mbretërit 17–18.) Në përfundim të shërbesës së Elijas në jetën e vdekshme, ai “u ngjit në qiell në një shakullinë” (2 Mbretërve 2:11) dhe u zhvendos.

“Ne mësojmë nga zbulesa e ditëve të mëvonshme që Elija mbante fuqinë vulosëse të Priftërisë Melkizedeke dhe ishte profeti i fundit që e mbajti, para kohës së Jezu Krishtit” (Bible Dictionary, “Elijah”). Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Shpirti, fuqia dhe thirrja e Elijas është që ju keni fuqi të mbani çelësin e … plotësisë së Priftërisë Melkizedeke … ; dhe për të marrë … të gjitha ordinancat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, [2009], f. 331; kursivet janë theksime). Ky autoritet i shenjtë vulosës është thelbësor që ordinancat e priftërisë të jenë të vlefshme dhe të lidhin si në tokë, edhe në qiell.

Elija u shfaq bashkë me Moisiun në Malin e Shpërfytyrimit (shih Mateu 17:3) dhe i dha këtë autoritet Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Elija u shfaq sërish me Moisiun dhe të tjerë, më 3 prill 1836, në Tempullin e Kirtlandit dhe u dha të njëjtët çelësa Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit.

Shkrimi i shenjtë dokumenton që profeti Elija qëndroi para Jozefit dhe Oliverit dhe tha:

“Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte –

Për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim –

Si rrjedhim, çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë jepen në duart tuaja; dhe me anë të kësaj ju mund të dini se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit është pranë, madje te dyert” (DeB 110:14–16).

Rivendosja e autoritetit vulosës nga Elija më 1836, ishte e domosdoshme për të përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe nisi një interesim mjaft të shtuar e mbarëbotëror në kërkimin e historisë familjare.

Shpirti dhe Puna e Elijas

Profeti Jozef Smith shpalli: “Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne, është që të kërkojmë të vdekurit tanë. … Sepse është e nevojshme që fuqia vulosëse duhet të jetë në duart tona për të vulosur fëmijët tanë dhe të vdekurit tanë për plotësinë e periudhës së kohëve – një periudhë ungjillore kjo për të plotësuar premtimet e bëra nga Jezu Krishti përpara krijimit të botës për shpëtimin e njeriut. … Prandaj, Perëndia tha: ‘Unë do t’ju dërgoj Elian, profetin’” (Mësimet: Jozef Smith, f. 508).

Jozefi më tej shpjegoi:

“Por cili është synimi i [ardhjes së Elijas] apo si do të përmbushet ai? Çelësat duhet të dorëzohen, shpirti i Elijas duhet të vijë, Ungjilli të vendoset, shenjtorët e Perëndisë të mblidhen, Sioni të ndërtohet dhe shenjtorët të ngjiten si çlirimtarë në Malin e Sionit [shih Abdia 1:21].

Por si do të bëhen ata çlirimtarë në Malin e Sionit? Duke ndërtuar tempujt e tyre … dhe duke shkuar përpara, dhe duke marrë të gjitha ordinancat … në emër të të gjithë të parëve të tyre që kanë vdekur … ; dhe në këtë qëndron zinxhiri që lidh zemrat e etërve me bijtë dhe të bijve me etërit, që përmbush misionin e Elijas” (Mësimet: Jozef Smith, f. 505–506).

Plaku Rasëll M. Nelson na ka mësuar se Shpirti i Elijas është “një shfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes” (“A New Harvest Time”, Ensign, maj 1998, f. 34). Ky ndikim karakteristik i Frymës së Shenjtë i tërheq njerëzit për t’i gjetur, dokumentuar dhe për t’i dashur paraardhësit dhe pjesëtarët e familjes së tyre – edhe të kaluar, edhe të tanishëm.

Shpirti i Elijas ndikon njerëzit brenda dhe jashtë Kishës. Sidoqoftë, si anëtarë të Kishës së Rivendosur të Krishtit, ne kemi përgjegjësi besëlidhjeje për të gjetur paraardhësit tanë e t’u sigurojmë ordinancat shpëtuese të ungjillit. “Ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur” (Hebrenjve 11:40; shih edhe Mësimet: Jozef Smith, f. 508). Dhe “as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur” (DeB 128:15).

Për këto arsye bëjmë kërkime të historisë familjare, ndërtojmë tempuj dhe kryejmë ordinanca mëkëmbëse. Për këto arsye Elija u dërgua të rivendosë autoritetin vulosës që lidh në tokë dhe në qiell. Ne jemi veprimtarët e Zotit në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit, e cila do të parandalojë që “tërë toka [të goditet] me një mallkim” (DeB 110:15) kur Ai të kthehet përsëri. Kjo është detyra jonë dhe bekimi ynë i madh.

Një Ftesë për Brezin e Ri

Tani unë kërkoj vëmendjen e të rejave, të rinjve dhe të fëmijëve të brezit të ri, ndërsa i vë theksin rëndësisë së Shpirtit të Elijas në jetën tonë sot. Mesazhin tim e mendoj për tërë Kishën në përgjithësi – por për ju në veçanti.

Shumë prej jush mund të mendojnë se puna e historisë familjare duhet të kryhet kryesisht nga njerëz më të rritur. Por unë nuk di të përshkruhet asnjë kufi moshe në shkrimet e shenjta apo në udhëzimet e shpallura nga udhëheqës të Kishës, që e kufizon këtë shërbesë të rëndësishme tek personat plotësisht të rritur. Ju jeni bij dhe bija të Perëndisë, fëmijë të besëlidhjes dhe ndërtues të mbretërisë. Nuk ju duhet të prisni derisa të arrini një moshë të kërkuar, që të përmbushni përgjegjësinë tuaj për të ndihmuar në punën e shpëtimit për familjen njerëzore.

Zoti ka bërë të mundur në kohën tonë burime të mrekullueshme që ju aftësojnë që ta mësoni e ta doni këtë punë, e cila ndizet nga Shpirti i Elijas. Për shembull, FamilySearch është një koleksion dokumentesh, burimesh dhe shërbimesh që arrihen lehtësisht me kompjutera e pajisje të larmishme portative vetjake, i cili është projektuar t’i ndihmojë njerëzit që të zbulojnë e të dokumentojnë historinë e familjes së tyre. Këto burime gjithashtu mundësohen në qendrat e historisë familjare në shumë prej ndërtesave të Kishës sonë anembanë botës.

Nuk është rastësi që FamilySearch dhe instrumente të tjera kanë dalë në një kohë kur të rinjtë janë kaq të familjarizuar me një gamë të gjerë teknologjish të informacionit dhe të komunikimit. Gishtërinjtë tuaj janë stërvitur në shkrim e dërgim teksti për të përshpejtuar e çuar më përpara punën e Zotit – jo thjesht për të komunikuar shpejt me miqtë tuaj. Aftësitë dhe prirjet e dukshme mes shumë të rinjve të sotëm janë një përgatitje për t’i kontribuar punës së shpëtimit.

I ftoj të rinjtë e Kishës që të mësojnë e të përjetojnë Shpirtin e Elijas. Ju inkurajoj që të studioni, të gjeni paraardhësit tuaj e të përgatiteni për të kryer pagëzime mëkëmbëse në shtëpinë e Zotit për të vdekurit e farefisit tuaj (shih DeB 124:28–36). Dhe ju nxis që të ndihmoni njerëz të tjerë për të gjetur historitë e tyre familjare.

Kur i përgjigjeni me besim kësaj ftese, zemra juaj do të kthehet drejt etërve. Premtimet që iu bënë Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, do të nguliten në zemrën tuaj. Bekimi juaj patriarkal, me shpalljen prej tij të linjës së prejardhjes, do t’ju lidhë te këta etër e do të jetë për ju më kuptimplotë. Dashuria dhe mirënjohja për paraardhësit tuaj do të shtohet. Dëshmia juaj për kthimin në besim tek Shpëtimtari, do të bëhet e thellë dhe e qëndrueshme. Dhe unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur ndaj ndikimit në rritje të kundërshtarit. Ndërsa merrni pjesë dhe e doni këtë punë të shenjtë, ju do të mbroheni në rini dhe gjatë gjithë jetës suaj.

Prindër dhe udhëheqës, ju lutem ndihmojini fëmijët dhe të rinjtë tuaj që të mësojnë e të përjetojnë Shpirtin e Elijas. Por mos e teproni programimin e kësaj përpjekjeje apo të jepni informacion ose trajnim tepër të hollësishëm. Ftojini të rinjtë që të bëjnë kërkime, të eksperimentojnë dhe të mësojnë vetë (shih Joseph Smith – Historia 1:20). Kushdo i ri ose e re mund ta bëjë atë që unë po këshilloj, duke përdorur modulet mësimore që mundësohen tek adresa lds.org/familysearch.org/ldsyouth. Presidencat e kuorumit të Priftërisë Aarone dhe të klasës së Të Rejave mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar që gjithë rinia të njihet me këto burime bazë. Të rinjtë nevojitet gjithnjë e më shumë të jenë nxënës që veprojnë e që në këtë mënyrë të marrin dritë e dije shtesë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë – dhe jo thjesht studentë pasivë që kryesisht detyrohen të veprojnë (shih 2 Nefi 2:26).

Prindër dhe udhëheqës, ju do të qëndroni plot habi që sa shpejt fëmijët tuaj dhe rinia e Kishës bëhen tepër të aftë në këto mjete. Në fakt, do të mësoni mësime të vlefshme nga këta të rinj lidhur me përdorimin e efektshëm të këtyre burimeve. Rinia mund t’u ofrojë shumë ndihmë personave më të rritur që i mundon ose i tremb teknologjia apo janë të pamësuar me FamilySearch-in. Ju gjithashtu do të numëroni bekime të shumta, teksa të rinjtë i përkushtojnë më shumë kohë punës së historisë familjare dhe shërbimit në tempull e më pak kohë lojërave elektronike, lundrimit në internet dhe përdorimit të profileve shoqërore si Facebook-u.

Troi Xhekson, Xherën Houp dhe Endrju Alen janë mbajtës të Priftërisë Aarone të cilët qenë thirrur nga një peshkop i frymëzuar që së bashku t’i jepnin mësim një klase të historisë familjare në lagjen e tyre. Këta të rinj janë shembuj tipikë të aq shumëve prej jush në padurimin e tyre për të mësuar e dëshiruar që të shërbejnë.

Troi u shpreh: “Vija në kishë dhe thjesht ulesha aty, por tani kuptoj se nevojitet të shkoj në shtëpi e të bëj diçka. Ne të gjithë mund të bëjmë histori të familjes.”

Xherën njoftoi se, ndërsa ai mësonte më shumë për historinë familjare, ai kuptoi “se këta nuk ishin thjesht emra, por njerëz të vërtetë. Më ngjallte gjithnjë e më shumë emocion çuarja e emrave në tempull.”

Dhe Endrju komentoi: “Jam pushtuar nga historia familjare me një dashuri e vrull që nuk e dija se mund ta kisha. Kur përgatitesha çdo javë për të dhënë mësim, shpesh Fryma e Shenjtë më shtynte të veproja e të provoja disa nga metodat që mësoheshin në mësim. Më parë historia familjare ishte gjë e frikshme. Por, i ndihmuar nga Shpirti, isha në gjendje të plotësoja thirrjen time e të ndihmoja shumë njerëz në lagjen tonë.”

Fort të dashur vëllezër e motra të mia të reja, historia familjare nuk është thjesht një program apo veprimtari interesante e sponsorizuar nga Kisha; më saktë, ajo është një pjesë jetësore e punës së shpëtimit e të ekzaltimit. Ju qetë përgatitur për këtë kohë dhe për të ngritur mbretërinë e Perëndisë. Jeni këtu mbi tokë tani për të ndihmuar në këtë punë të lavdishme.

Unë dëshmoj që Elija u kthye në tokë dhe e rivendosi autoritetin e shenjtë vulosës. Dëshmoj se çfarë lidhet mbi tokë, mund të lidhet në qiell. Dhe unë e di se rinia e brezit të ri ka një rol kyç për të luajtur në këtë përpjekje të madhe. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.