Mësimi 1
Dalja në Dritë e Proklamatës “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”
Hyrje
Në shtator të vitit 1995 Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shpallën një proklamatë drejtuar Kishës dhe botës, të titulluar “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Ky deklarim profetik na mëson për rolin hyjnor të familjes në planin e përjetshëm të Perëndisë. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë përse profetët, shikuesit dhe zbuluesit e ditëve të mëvonshme e shpallën këtë dokument të frymëzuar.
Lexim Konteksti
-
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129.
-
M. Russell Ballard, “What Matters Most Is What Lasts Longest”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 41–44.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mosia 8:15–17; Moisiu 6:26–27, 31–36; 7:16–21
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” u shkrua nga shikuesit
Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 6:26–27 dhe ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti tha rreth zemrave, veshëve dhe syve të njerëzve.
-
Si e përshkroi Zoti ligësinë e njerëzve?
-
Çfarë do të thotë kur “zemrat e [njerëzve] janë forcuar dhe veshët e tyre janë të ngathët për të dëgjuar e sytë e tyre nuk mund të shohin larg”?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Moisiun 6:31–34.
-
Nëse do të ishit Enoku, çfarë do t’ju jepte sërish siguri në fjalët e Zotit?
-
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Zoti i fuqizon profetët e Tij?
Jepuni studentëve një çast që të lexojnë Moisiun 6:35–36.
-
Çfarë ishte në gjendje të shihte Enoku kur e lau baltën prej syve të tij?
-
Çfarë mund të përfaqësonte balta? (Balta mund të ishte një simbol i të qenit i botës. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se çfarë mund të jenë në gjendje të shohin nëse gjërat e botës do të laheshin prej syve të tyre.)
-
Si na ndihmon vargu 36 për të përcaktuar se çfarë është një shikues? (Përgjigjet duhet të përfshijnë të vërtetën vijuese: Një shikues është në gjendje të shohë gjëra që nuk mund të shihen me anë të syve natyrorë. (Merrni parasysh që t’u kërkoni studentëve të bëjnë një referencë kryq të vargut 36 me Mosian 8:15–17.)
Për të përcaktuar më tej një shikues, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhon A. Uidso (1872-1952), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe vëreni një student ta lexojë atë me zë të lartë:
“Një shikues është një person që sheh me sy shpirtërorë. Ai e dallon kuptimin e asaj që duket e paqartë për të tjerët; prandaj ai është një shpjegues dhe sqarues i së vërtetës së përjetshme. … Ai është një person i cili shikon, i cili ecën në dritën e Zotit me sy të hapur [shih Mosia 8:15–17]” (Evidences and Reconciliations, përsht. G. Homer Durham [1960], f. 258).
Sugjeroni që studentët ta shkruajnë një pjesë të këtij përkufizimi në shkrimet e tyre të shenjta pranë Moisiut 6:35–36. Shpjegoni se shikuesit janë edhe profetë.
Përmblidheni Moisiun 7:16–21 që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë atë që u ndodhi atyre që e pranuan Enokun si një shikues dhe i ndoqën fjalët e tij.
-
Si e ilustrojnë këto vargje rëndësinë për t’ua vënë veshin profetëve dhe shikuesve modernë? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë doktrinën vijuese: Profetët na ndihmojnë t’i shohim gjërat prej këndvështrimit të Perëndisë dhe ne bekohemi kur i mirëbesojmë fjalët e tyre.)
Lexoni thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Vëllezër e motra, ky vit shënon përvjetorin e 10-të të proklamatës drejtuar botës për familjen, e cila u shpall nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1995 [shih ‘Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës’, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129]. Ajo ishte atëherë dhe është tani një thirrje kumbuese për të mbrojtur e forcuar familjet. …
Proklamata është një dokument profetik, jo vetëm ngaqë u shpall nga profetët, por ngaqë ishte përpara kohës së saj. Ajo paralajmëron kundrejt shumë prej pikërisht gjërave që i kanë kërcënuar dhe zhvleftësuar familjet gjatë dhjetëvjeçarit të fundit dhe bën thirrje për përparësinë dhe theksimin që familjet kanë nevojë, që ato të mbijetojnë në një mjedis që duket gjithmonë e më shumë toksik ndaj martesës tradicionale dhe ndaj marrëdhënieve prind-fëmijë.
Gjuha e qartë dhe e thjeshtë e proklamatës qëndron në dallim të theksuar kundrejt kuptimeve të pështjelluara dhe të ndërlikuara të një shoqërie që nuk mund të bjerë dakord për një përkufizim të familjes” (“What Matters Most Is What Lasts Longest”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 41).
-
Si mendoni, çfarë donte të thoshte Plaku Ballard kur tha se proklamata për familjen ishte “përpara kohës së saj”?
-
Si e pohon proklamata për familjen besimin tuaj që Presidenca e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt janë profetë, shikues e zbulues?
Dëshmoni se, ngaqë Ati Qiellor na do dhe dëshiron që ne të bëhemi si Ai, Ai na dërgon profetë dhe shikues.
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”
Dalja në dritë e proklamatës për familjen
Sigurohuni që çdo student e ka në përdorim një kopje të proklamatës “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (lds.org/topics/family-proclamation). (Ju mund të duhet të siguroni një kopje të shtypur për studentët të cilëve iu nevojitet ajo.) Nxitini studentët të sjellin një kopje të shtypur ose dixhitale të proklamatës për familjen në çdo orë mësimore gjatë gjithë kursit. Shpjegoni që “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” iu paraqit fillimisht Kishës nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) më 23 shtator 1995, në një mbledhje të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës.
-
Çfarë na tregon titulli rreth publikut të synuar për këtë proklamatë?
-
Si mendoni, përse kjo proklamatë u shpall për tërë botën në vend që t’u drejtohej vetëm anëtarëve të Kishës? (Teksa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Perëndia i thërret profetët që t’ua shpallin të vërtetat e Tij të gjithë fëmijëve të Tij.)
Shpjegoni se, që kur u organizua Kisha, udhëheqësit e Kishës kanë shpallur vetëm pesë proklamata. Njëra u shpall nga Presidenca e Parë, njëra nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve dhe të tjerat nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve së bashku. Proklamatat ruhen për deklarata të një rëndësie të madhe. (Nëse studentët pyesin rreth këtyre pesë proklamatave, drejtojini ata tek Encyclopedia of Mormonism, 5 vëll. [1992], “Proclamations of the First Presidency and the Quorum of the Twelve Apostles”, 3:1151, eom.byu.edu.)
U thoni studentëve që përpara se ta lexonte proklamatën për familjen, Presidenti Hinkli shprehu disa arsye përse udhëheqësit e Kishës e ndien mbresën që ta botonin këtë dokument të rëndësishëm. Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Hinkli dhe ftojeni një student ta lexojë atë:
“Nuk nevojitet t’ju kujtoj që bota ku jetojmë është një botë me trazira, me vlera të ndryshueshme. Zëra të çjerrë na thërrasin të bëjmë një gjë apo një tjetër për t’i tradhtuar standardet e sjelljes, të provuara nga koha. Pallamarët moralë të shoqërisë sonë janë lëkundur shumë” (“Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 99).
-
Si mendoni, çfarë donte të thoshte Presidenti Hinkli kur tha që “pallamarët moralë të shoqërisë sonë janë lëkundur shumë”? (Ju mund të doni të vini në dukje që pallamarët janë litarë ose zinxhirë që i mbajnë objektet në vend.)
-
Si do ta përshkruanit atë që u ka ndodhur “pallamarëve moralë” të shoqërisë që nga viti 1995, kur Presidenti Hinkli foli rreth rënies së rëndë morale?
Paraqitni paragrafin vijues nga biseda e Presidentit Hinkli. Jepuni studentëve një çast që ta lexojnë dhe të shënojnë fjalë e fraza që shpjegojnë më tej problemet që udhëheqësit e Kishës po i shihnin në botë dhe arsyet përse e shpallën këtë proklamatë.
“Me kaq shumë sofizëm që jepet si e vërtetë, me kaq shumë mashtrim lidhur me standardet e vlerat, me kaq shumë joshje dhe nxitje për të përqafuar ndotjen e ngadaltë të botës, ne kemi pasur ndjenjën që të lajmërojmë dhe paralajmërojmë. Në mbështetje të kësaj, ne të Presidencës së Parë dhe të Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve tani i shpallim një proklamatë Kishës dhe botës si një deklarim dhe ripohim të standardeve, doktrinave dhe praktikave që lidhen me familjen, të cilat profetët, shikuesit dhe zbuluesit e kësaj Kishe i kanë përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë së saj” (“Stand Strong against the Wiles of the World”, f. 100).
Teksa studentët ndajnë çfarë përcaktuan, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Tabela mund të duket si kjo:
-
Çfarë është “sofizma”? (Sofizma është një arsyetim i gënjeshtërt që paraqitet si i vërtetë.) Si i keni parë ide të rreme të jepen mësim si e vërteta në lidhje me familjen? (Ju mund t’i drejtoheni DeB 89:4 si një shembull të sofizmës.)
-
Çfarë mund të mësojmë rreth përgjegjësive të profetëve dhe apostujve të ditëve të mëvonshme nga thënia e Presidentit Hinkli? (Përgjigjet e studentëve duhet të përfshijnë të vërtetën vijuese: Profetët kanë një përgjegjësi të shenjtë për të shpallur “standarde[t], doktrina[t] dhe praktika[t e Zotit] lidhur me familjen”.)
Caktojini studentët të harxhojnë disa minuta për t’i hedhur një sy proklamatës për familjen dhe të përcaktojnë disa nga përgjigjet që ajo i jep për pyetjet bashkëkohore rreth familjes. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë atë që gjetën. Ngaqë mësime të tjera e mbulojnë me hollësi proklamatën, mos harxhoni shumë kohë në këtë veprimtari.
Dëshmoni për të vërtetat vijuese: Proklamata për familjen është plot me përgjigje të frymëzuara për problemet e shoqërisë. Proklamata është një spirancë e qëndrueshme për individët dhe familjet në një botë vlerash të ndryshueshme.
Shpjegoni që pasi Presidenti Hinkli e lexoi proklamatën për familjen, ai shpalli:
“Ne iu urojmë të gjithëve një lexim të kujdesshëm, plot mendim e lutje të kësaj proklamate. Forca e çdo kombi i ka rrënjët brenda mureve të shtëpive të tyre. Ne i nxitim njerëzit tanë kudo që t’i forcojnë familjet e tyre në përputhje me këto vlera të nderuara nga koha” (“Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 101).
-
Çfarë do të thotë për ju që ta lexoni plot lutje proklamatën për familjen?
-
Në çfarë mënyrash i kanë ndikuar ndjenjat tuaja rreth martesës dhe familjes parimet që gjenden në proklamatën për familjen?
Ndihmojini studentët të marrin parasysh dhe të tregojnë se si ata mund ta zbatojnë nxitjen nga Presidenti Hinkli për të mësuar e vënë në zbatim doktrinat dhe parimet që gjenden në proklamatën për familjen (për shembull, të mësuarit përmendsh të pjesëve të proklamatës). Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë dhe ftojini të marrin parasysh plot lutje se si ata mund të forcojnë veten e tyre dhe familjet e tyre duke i vënë në jetë “këto vlera të nderuara nga koha”.
Materiale Leximi për Studentin
-
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129, lds.org/topics/family-proclamation.
-
M. Russell Ballard, “What Matters Most Is What Lasts Longest”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 41–44.