Seminare dhe Institute
Mësimi 28: Nxitja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë


Mësimi 28

Nxitja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë

Hyrje

Profetët e sotëm kanë shpallur: “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë, të nxitin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si mund ta ndjekin dhe ta mbrojnë këtë këshillë profetike.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 43:9, 30, 45, 48

Detyra jonë për të mbrojtur doktrinën dhe themelet morale të familjes

Përgatitini studentët për këtë mësim duke u thënë atyre se ai përqendrohet te përgjegjësia jonë për ta mbrojtur familjen. Tregoni thënien vijuese nga Plaku Brus D. Porter, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Brus D. Porter

“Kisha është një institucion i vogël krahasuar me botën në përgjithësi. Megjithatë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme si popull nuk duhet ta nënvleftësojnë fuqinë e shembullit tonë, as aftësinë tonë për ta bindur opinionin publik, për t’i ndryshuar prirjet negative apo për t’i ftuar shpirtrat që po kërkojnë të hyjnë te porta dhe të ecin në udhën e zgjedhur të Zotit. Ne duhet të bëjmë përpjekjet tona më të mira, në bashkëpunim me njerëz dhe institucione të ngjashme, për ta mbrojtur familjen dhe për të ngritur një zë paralajmërues dhe ftese në botë” (“Defending the Family in a Troubled World”, Ensign, qershor 2011, f. 18).

  • Cilat janë mendimet tuaja rreth përgjegjësisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për mbrojtjen e familjes në botën e sotme?

U thoni studentëve se, në kohë të ndryshme, nefitët i panë liritë e tyre fetare dhe vlerat familjare të kërcënoheshin nga lamanitët. Duke studiuar përvojat e tyre, ne mund të mësojmë parime që mund të përshtaten për kohën tonë. (Përshtatja e shkrimeve të shenjta për veten tonë është një aftësi studimi për shkrimet e shenjta që ju mund ta theksoni në këtë mësim.) Shpjegoni se një përvojë e nefitëve është shënuar te Alma 43.

Shkruani në tabelë Alma 43:9, 30, 45, 48 dhe vërini studentët të kërkojnë fjalë dhe fraza që na ndihmojnë të kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së vlerave familjare dhe të lirive fetare në botën e sotme. Sugjerojuni studentëve që t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza.

  • Cilat fjalë dhe fraza tregojnë rëndësinë e mbrojtjes së vlerave tona familjare dhe të lirive fetare? Çfarë parimi mësuat rreth rëndësisë së mbrojtjes së vlerave tona familjare dhe të lirive fetare? (Përgjigjet duhet të përfshijnë parimin vijues: Ne kemi një detyrë të shenjtë për t’i mbrojtur dhe për t’i nxitur vlerat tona familjare dhe liritë fetare.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që anëtarët e Kishës ta nxitin dhe mbrojnë familjen në bashkësitë e tyre?

  • Si mund ta nxitim dhe mbrojmë familjen duke përdorur mjetet mediatike shoqërore?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku L. Tom Peri

“Ne duam që zëri ynë të dëgjohet kundër të gjitha llojeve të jetesës, të gënjeshtra dhe të paraqitura si të mundshme, të cilat përpiqen ta zëvendësojnë organizimin familjar që e krijoi Perëndia Vetë. Ne gjithashtu duam që zëri ynë të dëgjohet në mbështetje të gëzimit dhe përmbushjes që sjellin njësitë tradicionale familjare. Ne duhet të vazhdojmë ta ngremë zërin tonë anembanë botës në shpalljen e arsyes përse martesa dhe familja janë kaq të rëndësishme, përse martesa dhe familja me të vërtetë kanë rëndësi dhe përse ato gjithmonë do të kenë rëndësi” (“Përse Martesa dhe Familja Janë të Rëndësishme – Kudo në Botë”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 42).

  • Sipas Plakut Peri, çfarë duhet të shpallim ne rreth familjes?

  • Çfarë i keni parë të tjerët të bëjnë për ta përkrahur dhe për të pohuar rëndësinë e familjes apo për t’u mbrojtur kundër sulmeve ndaj familjes? (Vini në dukje se mbrojtja e familjes përfshin rritjen e një familjeje të fortë si edhe mbrojtjen publikisht të familjes kur është e nevojshme.)

Tregoni thënien vijuese të treguar nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Nil L. Andersen

“Kohët e fundit fola me një vajzë të Dafinave nga Shtetet e Bashkuara. Po citoj nga mesazhi i saj elektronik:

‘Vitin që shkoi, disa shokë dhe shoqe të mia në Facebook filluan të shkruanin qëndrimin e tyre lidhur me martesën. Shumë mbanin anën e martesës midis njerëzve të së njëjtës gjini dhe disa të rinj SHDM shënuan se i ‘pëlqenin’ ato diskutime. Unë nuk bëra asnjë koment.

Vendosa ta shpreh bindjen time lidhur me martesën tradicionale në një mënyrë të kujdesshme.

Te fotografia e profilit tim, shtova fjalët: ‘Unë besoj në martesën midis një burri dhe një gruaje’. Pothuajse menjëherë fillova të marr mesazhe. ‘Je egoiste.’ ‘Ke paragjykime.’ Dikush më krahasoi me një pronare skllevërish. Dhe mora këtë shënim nga një shoqe e ngushtë, e cila është anëtare e fortë e Kishës: ‘Ke nevojë që të arrish te mendimet e kohës. Gjërat po ndryshojnë dhe duhet të ndryshosh edhe ti.’

‘Unë nuk kundërveprova’, tha ajo, ‘por nuk e hoqa deklarimin tim.’

Ajo përfundon: ‘Nganjëherë, siç tha Presidenti Monson: “Duhet të qëndroni vetëm”. Shpresoj se si të rinj, ne vërtet do të qëndrojmë së bashku për të qenë të vërtetë ndaj Perëndisë e ndaj mësimeve të profetëve të Tij të gjallë’” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 19).

  • Çfarë përvojash keni pasur me nxitjen dhe mbrojtjen e familjes?

  • Çfarë ndikimi patën fjalët dhe veprat tuaja te të tjerët?

Dëshmoni se ne mund të kemi një ndikim pozitiv në bashkësitë tona dhe mund t’i çojmë përpara qëllimet e planit të Atit tonë Qiellor, ndërsa ne i nxitim dhe i mbrojmë masat që forcojnë familjet.

Alma 46:10–13, 16; 48:7–13

Mbrojtja e familjes me ndihmën e Perëndisë dhe me respekt ndaj të tjerëve

U thoni studentëve se kapitujt 46 dhe 48 të Almës shënojnë se nefitët u kërcënuan sërish nga lamanitët. Ndajeni klasën përgjysmë. Kërkojini gjysmës së klasës të studiojë Almën 46:10–13, 16 dhe gjysmës tjetër të studiojë Almën 48:7–13. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë se si mund ta ndjekim ne shembullin e kapiten Moronit në mënyrat e duhura për t’i nxitur masat që e mbajnë dhe e forcojnë familjen. Pas një kohe të mjaftueshme, ndihmojini studentët t’i përshtatin këto fragmente me kohën tonë duke bërë pyetjet vijuese:

  • Në ç’mënyrë përpjekjet e Amalikias dhe të ndjekësve të tij mund të ngjasojnë me përpjekjet e atyre që po e sulmojnë familjen sot?

  • Çfarë mund të mësojmë nga veprimet e kapiten Moronit? (Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Kur ne e kërkojmë ndihmën e Perëndisë dhe përpiqemi t’i përdorim të gjitha burimet tona, ne do të marrim urtësi dhe forcë për ta mbrojtur familjen tonë, fenë tonë dhe liritë tona.)

  • Cilat janë disa mënyra të përshtatshme me anë të të cilave ne mund t’i nxitim masat për të forcuar dhe mbrojtur familjet?

Merrni parasysh të përdorni thëniet vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për të plotësuar diskutimin e pyetjes së mësipërme:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Le të përfshihemi në kauza të mira të komunitetit. Mund të ketë situata ku, me çështjet morale serioze që përfshihen, ne nuk mund të bëjmë kompromis në çështjet e parimit. Por në raste të tilla, ne me mirësjellje mund të mos biem dakord, pa u treguar të pakëndshëm. Ne mund ta kuptojmë sinqeritetin e atyre, pikëpamjet e të cilëve nuk mund t’i pranojmë. Ne mund të flasim për parime më shumë sesa për personalitete” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 131).

Plaku Dallin H. Ouks

“Kur besimtarët i shpalosin pikëpamjet e tyre në diskutimin publik, ata duhet të jenë gjithmonë tolerantë për opinionet dhe pikëpamjet e atyre që nuk kanë bindjet e tyre. Besimtarët duhet të flasin gjithmonë me dashuri dhe të tregojnë durim, mirëkuptim e dhembshuri ndaj kundërshtarëve të tyre. Besimtarët e krishterë janë nën urdhrin që t’i duan fqinjët e tyre (shih Lluka 10:27) dhe të falin (shih Mateu 18:21–35). Ata duhet të kujtojnë gjithashtu mësimin e Shpëtimtarit për ‘[t’i bekuar] ata që [i] mallkojnë [ata], [t’u bëjnë] mirë atyre që [i] urrejnë [ata] dhe [të] lut[en] për ata që [i] keqtrajtojnë dhe [i] përndjekin [ata]’ (Mateu 5:44)” (Dallin H. Oaks, “Balancing Truth and Tolerance”, Ensign, shkurt 2013, f. 30–31).

  • Si mendoni ju se mund t’i praktikoni parimet e dhëna mësim nga Presidenti Hinkli dhe Plaku Ouks?

Theksoni parimin që vijon: Ndërsa ne i nxitim masat për ta mbrojtur dhe forcuar familjen, ne duhet të tregojmë respekt ndaj të tjerëve dhe tolerancë ndaj mendimeve të tyre.

Nxitja e masave që forcojnë familjen

Shfaqeni thënien vijuese dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

U thoni studentëve se në janar 2015 udhëheqësit e Kishës mbajtën një konferencë zyrtare për shtyp gjatë së cilës ata u bënë thirrje zyrtarëve të qeverisë të miratonin ligje që do t’i mbronin liritë fetare dhe do të ruanin shenjtërinë e familjes. Shpjegoni që, megjithëse udhëheqësit e Kishës po trajtonin veçanërisht mbrojtjen e lirive fetare në këtë deklaratë, fjalët e tyre gjejnë zbatim edhe për mbrojtjen e vlerave familjare. Shumë liri fetare lidhen drejtpërdrejt me familjen, të tilla si shenjtëria e martesës.

Ndani me studentët thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, si një përmbledhje e asaj që u paraqit në atë konferencë për shtyp:

Plaku Dallin H. Ouks

“Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shpall parimet vijuese të bazuara në mësimet e Jezu Krishtit dhe në barazinë për të gjithë, duke përfshirë njerëzit e besimit:

1. Ne pohojmë për çdokënd të drejtën e dhënë nga Perëndia dhe Kushtetuta për ta jetuar besimin e tij/saj sipas diktateve të vetë ndërgjegjes së tij/saj, pa dëmtuar shëndetin apo sigurinë e të tjerëve.

2. Ne pranojmë se e njëjta liri ndërgjegjeje duhet të zbatohet për burrat dhe gratë kudo, që të ndjekin besimin fetar të zgjedhjes së tyre ose asnjërën nëse ata zgjedhin kështu.

3. Ne besojmë se ligjet duhet të hartohen për të arritur një drejtpeshim në mbrojtjen e lirive për të gjithë njerëzit ndërkohë që respektohen ata njerëz me vlera të ndryshme.

4. Ne nuk e pranojmë përndjekjen dhe hakmarrjen e çdo lloji, përfshirë përndjekjen e bazuar te raca, etnia, bindjet fetare, rrethanat ekonomike ose ndryshimet gjinore apo orientimin seksual” (Dallin H. Oaks, “Transcript of News Conference on Religious Freedom and Nondiscrimination” [27 janar 2015], mormonnewsroom.org/article/publicstatement-on-religious-freedom-and-nondiscrimination).

  • Çfarë mësuat nga kjo deklaratë që mund t’ju ndihmojë të nxitni masa që e forcojnë familjen si njësia themelore e shoqërisë? (Si pjesë e këtij diskutimi, theksoni se rritja e fëmijëve në mënyrat e Zotit, mbështetja e familjeve të tjera, lartësimi i thirrjeve në Kishë dhe forcimi i bashkësive tona janë të gjitha masa që e nxitin familjen.)

Ftojini studentët të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për t’i nxitur masat që forcojnë dhe mbrojnë familjen.

Materiale Leximi për Studentin