Seminare dhe Institute
Mësimi 12: Ordinancat dhe Besëlidhjet e Tempullit


Mësimi 12

Ordinancat dhe Besëlidhjet e Tempullit

Hyrje

Profetët e ditëve të mëvonshme kanë shpallur: “Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të mundësuara në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se, nëpërmjet marrjes së ordinancave të tempullit, ata mund të gëzojnë bekime të shenjta gjatë vdekshmërisë dhe të fitojnë jetë të përjetshme.

Lexim Konteksti

  • Boyd K. Packer, “The Holy Temple”, Ensign, tetor 2010, f. 29–35.

  • D. Todd Christofferson, “The Power of Covenants”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 19–23.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 97:10–17; 109:12–21; 124:37–40, 55

Qëllimet e tempujve

Tregojini klasës një figurë të tempullit tuaj të parapëlqyer dhe thoni përse ai është tempulli juaj i parapëlqyer.

  • Përse kemi tempuj?

Për të ndihmuar në përgjigjen e kësaj pyetjeje, shkruajini fragmentet vijuese në tabelë. Ftojini studentët të lexojnë një nga fragmentet, duke kërkuar arsye përse Ati Qiellor siguron tempuj:

Doktrina e Besëlidhje 97:10–17

Doktrina e Besëlidhje 124:37–40, 55

  • Sipas këtyre vargjeve, cilat janë disa arsye përse Ati Qiellor siguron tempuj? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini ata të kuptojnë parimin vijues: Ati Qiellor siguron tempuj me qëllim që fëmijët e Tij të mund të marrin ordinanca e njohuri thelbësore dhe të përgatiten për të banuar në praninë e Tij.)

  • Cilat fraza në këto vargje na mësojnë se tempujt na ndihmojnë të përgatitemi për të jetuar në praninë e Perëndisë?

U thoni studentëve që Doktrina e Besëlidhje 109 përmban lutjen përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit. Kërkojuni studentëve t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 109:12–21 dhe të bëjnë një listë të mënyrave sipas të cilave tempujt na përgatitin që të banojmë në praninë e Perëndisë.

  • Sipas këtyre vargjeve, si na përgatitin tempujt për të banuar me Perëndinë? (Studentët mund të sugjerojnë sa vijon: në tempuj ne ndiejmë fuqinë e Zotit, mësojmë urtësi dhe marrim plotësinë e Frymës së Shenjtë; në tempull ne nxitemi që të pendohemi me të shpejtë; dhe nga ne kërkohet të jemi të pastër kur hyjmë në tempull. Nëse e lejon koha, ju mund të doni t’i drejtoni studentët tek Eksodi 19:10–14, që përshkruan se si Moisiu u përpoq ta përgatiste Izraelin e lashtë fizikisht dhe shpirtërisht që të hynte në praninë e Zotit.)

Lexoni thëniet vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe nga Presidenti Brigam Jang (1801–1877):

Plaku Robert D. Hejls

“Qëllimi kryesor i tempullit është të sigurojë ordinancat e nevojshme për ekzaltimin tonë në mbretërinë çelestiale. Ordinancat e tempullit na udhëheqin drejt Shpëtimtarit tonë dhe na japin bekimet që na vijnë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit” (“Bekimet e Tempullit”, Ensign, tetor 2009, f. 48).

Presidenti Brigam Jang

“Dhurimi [indaumenti] juaj [i tempullit] është të merrni të gjitha ato ordinanca në shtëpinë e Zotit, të cilat janë të nevojshme për ju, pasi të jeni larguar nga kjo jetë, për t’ju mundësuar që të ktheheni në praninë e Atit, duke kaluar engjëjt që qëndrojnë si roje” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 302).

  • Si ju ndihmojnë këto thënie që ta vlerësoni rëndësinë e marrjes së ordinancave të tempullit?

Doktrina e Besëlidhje 84:19–21

Ordinancat e priftërisë të marra në tempuj na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Perëndia

Paraqitni thënien vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Në Kishë, një ordinancë është një akt i shenjtë zyrtar që kryhet nëpërmjet autoritetit të priftërisë. Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin tonë. Këto ordinanca quhen ordinanca shpëtuese. Ato përfshijnë pagëzimin, konfirmimin, shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), indaumentin [dhurimin] e tempullit dhe vulosjen e martesës” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 105).

  • Si ndryshojnë “ordinanca[t] shpëtuese” nga ordinancat e tjera të ungjillit? (Ordinanca të tjera, të tilla si bekimi i foshnjave dhe administrimi i të sëmurëve, nuk kërkohen për ekzaltimin.)

Përpara se të vazhdoni, vini në dukje se disa ordinanca shpëtuese, të tilla si pagëzimi dhe shugurimi në Priftërinë Melkizedeke, ndodhin përpara se të marrim ordinancat e tempullit; megjithatë, kjo pjesë e mësimit përqendrohet tek ordinancat shpëtuese që kryhen në tempull. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 84:19–21. Vëreni klasën të kërkojë atë që mund të marrim kur marrim pjesë në ordinancat e administruara nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke.

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “fuqia e perëndishmërisë”? (Merrni parasysh të shpjegoni se “fuqia e perëndishmërisë” është fuqia për t’u bërë i perëndishëm ose si perëndia.)

  • Si do ta shprehnit një parim të dhënë mësim në Doktrinën e Besëlidhjet 84:20–21? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani sa vijon në tabelë: Nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të tempujve ne mund të bëhemi më shumë si Perëndia.)

Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të shenjojnë fjalë ose fraza që na mësojnë mënyrën se si pjesëmarrja në ordinancat e tempullit na ndihmon të bëhemi më shumë si Perëndia.

Plaku Robert D. Hejls

“Bekimet më të mëdha të bekimeve të priftërisë, në dispozicion të [të rinjve ose të të rejave] gjenden në tempull. Atje, ata marrin një vështrim të shpejtë të qiellit. … Gëzimet e përjetësisë, që mund të duken kaq të largëta jashtë tempullit, papritur duken të arritshme.

Në tempull, plani i shpëtimit shpjegohet dhe besëlidhjet e shenjta bëhen. Këto besëlidhje, së bashku me veshjen e veshjeve të shenjta, të brendshme të tempullit, e forcojnë dhe e mbrojnë njeriun që e ka marrë dhurimin [indaumentin] ndaj fuqive të kundërshtarit. …

Në ordinancën kulmore të tempullit – martesën e përjetshme – nuses dhe dhëndrit u premtohet që, nëse janë besnikë, ata do të gëzojnë unitet familjar me njëri-tjetrin, me fëmijët e tyre dhe me Zotin përgjatë gjithë përjetësisë. Ajo quhet jetë e përjetshme” (“Blessings of the Priesthood”, Ensign, nëntor 1995, f. 34).

Diskutoni atë që studentët e shenjuan.

  • Si ju ka bekuar pjesëmarrja në ordinancat e tempullit në mënyra të ngjashme me ato të përshkruara nga Plaku Hejls?

Jepuni studentëve disa çaste që të shkruajnë atë që mund të bëjnë për ta bërë adhurimin në tempull më domethënës dhe më të përqendruar që t’i ndihmojë ata të bëhen si Perëndia.

Eksodi 19:3–6; Doktrina e Besëlidhje 109:22–26

Mbajtja e besëlidhjeve të tempullit

Informojini studentët se ka një qëllim tjetër të rëndësishëm për adhurimin në tempull, i cili lidhet ngushtë me marrjen e ordinancave të tempullit. Kërkojuni atyre të dëgjojnë për këtë qëllim teksa ju lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Unë dëshmoj se në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme gjendet autoriteti i priftërisë për të administruar ordinancat me të cilat ne mund të hyjmë në besëlidhje [bashkuese] me Atin tonë Qiellor në emrin e Birit të Tij të Shenjtë. Unë dëshmoj se Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij ndaj jush kur ju i respektoni besëlidhjet [tuaja] me Të” (“Fuqia e Besëlidhjeve”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 22).

  • Kur i marrim ordinancat shpëtuese të ungjillit, në çfarë gjëje hyjmë ne?

Paraqitni thëniet vijuese nga Pleqtë Dejvid A. Bednar dhe Xhefri R. Holland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojini studentët të kërkojnë tiparet e rëndësishme të besëlidhjeve tona me Zotin:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Një besëlidhje është një marrëveshje midis Perëndisë e fëmijëve të Tij në tokë dhe është e rëndësishme të kuptohet që Perëndia i vendos kushtet e të gjitha besëlidhjeve të ungjillit. Ju dhe unë nuk marrim vendim për natyrën ose pjesët përbërëse të një besëlidhjeje. Përkundrazi, duke ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes morale, ne i pranojmë kushtet dhe kërkesat e një besëlidhjeje sikurse i ka themeluar Ati ynë i Amshuar” (David A. Bednar, “That We May Always Have His Spirit to Be with Us”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 28–29).

Plaku Xhefri R. Holland

“Një besëlidhje është një kontratë shpirtërore, lidhëse, një premtim solemn ndaj Perëndisë, Atit tonë, që ne do të jetojmë, mendojmë e veprojmë në një mënyrë të caktuar – mënyrën e Birit të Tij, Zotit Jezu Krisht. Në këmbim, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë na premtojnë madhështinë e plotë të jetës së përjetshme” (Jeffrey R. Holland, “Keeping Covenants: A Message for Those Who Will Serve a Mission”, New Era, janar 2012, f. 3).

  • Çfarë ju bie në sy në këto thënie rreth besëlidhjeve?

  • Përse është e rëndësishme që Perëndia i vendos kushtet e të gjitha besëlidhjeve të ungjillit? (Përderisa Ai është personi që na ofron jetë të përjetshme, Ai ka të drejtën që të vendosë kushtet sipas të cilave ajo merret. I vetmi ofrim që mund t’i japim Atij, është liria jonë e zgjedhjes kur ne zgjedhim të bindemi. Si pjesë të këtij diskutimi, theksoni sa vijon: Kur i mbajmë besëlidhjet tona me Zotin, ne bekohemi në vdekshmëri dhe mund të fitojmë jetë të përjetshme.)

Kërkojuni studentëve të ndahen në dyshe. Kërkojini njërit student në secilën dyshe të studiojë Eksodin 19:3–6 dhe tjetrit të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 109:22–26. Ftojini studentët të kërkojnë bekimet që janë në dispozicion të atyre të cilët i mbajnë besëlidhjet e tyre, veçanërisht besëlidhjet e tempullit. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini dyshet të diskutojnë atë që gjetën. (Në lidhje me vargjet e Eksodit, ju mund të doni të siguroheni që studentët të kuptojnë se është në tempujt e shenjtë që ne fillojmë të kualifikohemi si mbretër e mbretëresha, të cilët një ditë mund të bëhen një komb i shenjtë dhe të banojnë në praninë e Perëndisë; shih edhe Zbulesa 1:6; 5:10; 19:16; DeB 76:55–56.)

  • Si kanë qenë një bekim ose mbrojtje për ju besëlidhjet tuaja me Zotin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972):

Presidenti Jozef Filding Smith

“Në qoftë se shkojmë në tempull, ne ngremë dorën dhe besëlidhim se do t’i shërbejmë Zotit e do t’i zbatojmë urdhërimet e tij dhe do ta ruajmë veten të pastër nga bota. Nëse jemi të vetëdijshëm se ç’po bëjmë, atëherë indaumenti [dhurimi] do të jetë për ne një mbrojtje për gjithë jetën – një mbrojtje të cilën njeriu që nuk shkon në tempull, nuk e ka.

E kam dëgjuar babanë tim [Presidentin Jozef F. Smith] të thoshte se në kohën e sprovës, në kohën e tundimit, ai do të mendonte premtimet, besëlidhjet që i kishte bërë në Shtëpinë e Zotit, dhe ato ishin një mbrojtje për të. … Kjo mbrojtje është arsyeja pse ekzistojnë këto rite, pjesërisht. Ato na shpëtojnë neve tani dhe paskëtaj ato na ekzaltojnë, nëse ne do t’i nderojmë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 240).

  • Çfarë mendimesh ose përshtypjesh keni pasur gjatë këtij mësimi, për të cilat do të donit t’i tregonit klasës?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Bojd K. Paker

“Jeta është një udhëtim drejt shtëpisë për ne të gjithë, për t’u kthyer në praninë e Perëndisë në mbretërinë e Tij çelestiale.

Ordinancat dhe besëlidhjet bëhen kualifikimet tona për t’u pranuar në praninë e Tij. T’i marrim ato denjësisht është synimi i gjithë jetës; t’i mbajmë ato pasi i marrim, është sfida e vdekshmërisë” (“Covenants”, Ensign, maj 1987, f. 24).

Dëshmoni se marrja e ordinancave të tempullit është me të vërtetë “synimi i gjithë jetës”. Ordinancat e tempullit na ndihmojnë të fitojmë kualifikimet e nevojshme për pranimin në praninë e Atit Qiellor.

Ftojini studentët të përsiatin nëse adhurimi dhe marrja e ordinancave në tempull është një përparësi në jetën e tyre. Kërkojuni atyre të shkruajnë se çfarë mund të bënin që të përqendroheshin më shumë te besëlidhjet që i kanë bërë ose do t’i bëjnë në tempull.

Materiale Leximi për Studentin