Seminare dhe Institute
Mësimi 14: Të Bëhemi Shpëtimtarë në Malin e Sionit


Mësimi 14

Të Bëhemi Shpëtimtarë në Malin e Sionit

Hyrje

Nëpërmjet punës në tempull, Zoti ka bërë të mundur për të gjithë njerëzit, të cilët kanë vdekur pa një njohuri të ungjillit të Jezu Krishtit, që të “kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se si shpirti i Elijas na nxit për të marrë pjesë në punën e historisë familjare dhe të bëhemi “çlirimtarë [shpëtimtarë] … në malin e Sionit” (Abdia 1:21).

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 138:27–37, 58–59

Shërbesa e Jezu Krishtit në botën e shpirtrave

Ftojini studentët të marrin parasysh se sa prej paraardhësve të tyre kanë vdekur pa e dëgjuar ungjillin ose pa i marrë ordinancat shpëtuese.

Kujtojini studentët se, pasi Shpëtimtari vdiq, Ai iu shfaq shpirtrave të të vdekurve. Hollësitë e kësaj vizite, siç u panë në vegim nga Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918), shënohen te Doktrina e Besëlidhje 138. (Vini re se ky është një shembull për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë kontekstin kur studiojnë shkrimet e shenjta.)

Kërkojuni disa studentëve që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 138:27–37. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Zoti gjatë shërbesës së Tij në botën e shpirtrave.

  • Si e përgatiti Zoti udhën për shpirtrat e të vdekurve që të shëlbohen? (Theksoni të vërtetën vijuese: Shpëtimtari porositi, udhëzoi dhe përgatiti shpirtra të drejtë për t’ua predikuar ungjillin atyre që ishin në burgun e shpirtrave.)

  • Sipas vargut 34, përse duhet t’iu predikohen parimet e ungjillit atyre që janë në burgun e shpirtrave? (Shpjegoni se të qenit të “gjyk[uar] sipas njerëzve në mish” do të thotë që të gjithë fëmijët e Perëndisë, të gjallë apo të vdekur, do të kenë mundësinë për ta pranuar ungjillin dhe për të marrë ordinancat shpëtuese, në mënyrë që të gjithë të mund të gjykohen sipas të njëjtit standard. Shih edhe DeB 137:7–9.)

Vërini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 138:31, 58–59, duke kërkuar atë që individët, të cilëve u mësohet ungjilli në botën e shpirtrave, duhet të bëjnë me qëllim që të bëhen “trashëgimtarë të shpëtimit”.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjnë shpirtrat e të vdekurve që të bëhen “trashëgimtarë të shpëtimit”? (Ndihmoni që të sqaroni këtë parim: Pasi individëve në burgun e shpirtrave u mësohet mesazhi i ungjillit, ata mund të zgjedhin të pendohen e t’i pranojnë ordinancat e kryera në mënyrë mëkëmbëse në tempuj.)

Lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Disa njerëz e kanë keqkuptuar dhe mendojnë që shpirtrat e vdekur ‘po pagëzohen në besimin mormon pa diturinë e tyre’ ose që ‘njerëzit, të cilët u përkisnin besimeve të tjera, mund ta kenë besimin mormon të detyruar mbi ta në mënyrë prapavepruese’. Ata hamendësojnë se në njëfarë mënyre ne kemi fuqi për ta detyruar një shpirt në çështjet e besimit. Sigurisht, nuk e kemi. Perëndia i dha njeriut lirinë e tij të zgjedhjes që nga fillimi. ‘Të vdekurit që pendohen do të shpëtohen, me anë të bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë’ [DeB 138:58], por vetëm nëse i pranojnë ato ordinanca” (“The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 10).

Ftojini studentët të ndahen në dyshe dhe të interpretojnë me role të shpjeguarin për një joanëtar të mënyrës se si plani i Perëndisë e bën të mundur për të gjithë individët, si të gjallë ashtu dhe të vdekur, që të marrin ungjillin dhe ordinancat shpëtuese.

Abdia 1:21; Malakia 4:5–6; Doktrina e Besëlidhje 110:13–16; 128:18

Ne duhet të bëhemi “çlirimtarë [shpëtimtarë] … në malin e Sionit” (Abdia 1:21)

Ftojini studentët të renditin mënyra se si ne mund të marrim pjesë në punën e historisë familjare. (Gjetjen e emrave të familjes dhe çuarjen e tyre në tempull, mbledhjen dhe ruajtjen e fotografive dhe të historive të familjes, indeksimin e kështu me radhë.)

  • Si mund t’i ndikojë pjesëmarrja në punën e historisë familjare ndjenjat tona kundrejt pjesëtarëve të vdekur të familjes?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë burimin e këtyre ndjenjave, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Plaku Rasëll M. Nelson na ka mësuar se Shpirti i Elijas është ‘një shfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes’ (‘A New Harvest Time’, Ensign, maj 1998, f. 34). Ky ndikim karakteristik i Frymës së Shenjtë tërheq njerëzit për t’i gjetur, dokumentuar dhe për t’i dashur paraardhësit dhe pjesëtarët e familjes së tyre – edhe të kaluar, edhe të tanishëm. Shpirti i Elijas [i] ndikon njerëzit brenda dhe jashtë Kishës” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 25).

Merrni parasysh ta shkruani përkufizimin vijues për “Shpirtin e Elijas” në tabelë:

Shpirti i Elijas është një shfaqje e Frymës së Shenjtë që na ndikon për t’i gjetur, për t’i dokumentuar dhe për t’i dashur pjesëtarët e familjes sonë, të së shkuarës dhe të së tashmes.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Malakian 4:5–6 .

  • Sipas këtij fragmenti, si do të ndikonte vizita e premtuar e profetit Elija te familjet e botës dhe puna e Zotit për shpëtimin në ditët e mëvonshme? (Kujtojini studentët se Elija i ringjallur iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit më 3 prill 1836 në Tempullin e Kirtlandit dhe iu dha atyre çelësat e Priftërisë Melkizedeke për vulosjen [shih DeB 110:13–16].)

  • Çfarë do të thotë që zemrat e etërve dhe të bijve do të ktheheshin te njëri-tjetri?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues të këtyre vargjeve nga Profeti Jozef Smith (1805–1844):

Profeti Jozef Smith

“Tani, fjala kthehet këtu duhet të përkthehet lidhet, apo vuloset. Por cili është synimi i këtij misioni të rëndësishëm, apo si do të përmbushet ai? Çelësat duhet të dorëzohen, shpirti i Elijas duhet të vijë … dhe shenjtorët të ngjiten si çlirimtarë [shpëtimtarë] në Malin e Sionit [shih Abdia 1:21].

Por si do të bëhen ata [shpëtimtarë] në Malin e Sionit? Duke ndërtuar tempujt e tyre, duke ngritur vaskat e tyre të pagëzimit … dhe duke shkuar përpara dhe duke marrë të gjitha ordinancat … në emër të të gjithë të parëve të tyre që kanë vdekur … ; dhe në këtë qëndron zinxhiri që lidh zemrat e etërve me bijtë dhe të bijve me etërit, që përmbush misionin e Elijas” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 505–506).

  • Çfarë tha Jozef Smithi që bëhemi ne kur i marrim ordinancat e tempullit në emër të të afërmve tanë të vdekur? (Shpëtimtarë në Malin e Sionit.)

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ne bëhemi, me tërë kuptimin e fjalës, shpëtimtarë në malin e Sionit. Çfarë do të thotë kjo? Ashtu sikurse Shëlbuesi ynë e dha jetën e Tij si një flijim mëkëmbës për të gjithë njerëzit dhe duke e bërë këtë u bë Shpëtimtari ynë, po kështu edhe ne, në një masë të vogël, kur përfshihemi në punën si mëkëmbës në tempull, bëhemi shpëtimtarë të atyre në anën tjetër, të cilët nuk kanë mjete për të përparuar nëse diçka nuk bëhet në emër të tyre nga ata që ndodhen në tokë” (“Closing Remarks”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 105).

Shpjegoni se Jezu Krishti e kreu Shlyerjen në mënyrë mëkëmbëse për ne. Kur kryejmë ordinanca mëkëmbëse në emër të atyre që kanë vdekur, ne bëhemi “shpëtimtarë në malin e Sionit”. Termi “mali i Sionit” mund t’iu drejtohet disa vendndodhjeve, duke përfshirë qytetin qiellor të Perëndisë ose qytetin e Jerusalemit të Ri (shih Hebrenjve 12:22; DeB 76:66; 84:2–4; 1 Mbretërve 8:1).

  • Në çfarë mënyrash të kuptuarit e shprehjes “shpëtimtarë në malin e Sionit” mund të na nxitë të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes sonë, të së shkuarës dhe të së tanishmes, që të marrin bekimet e tempullit?

Si pjesë të diskutimit, ju mund të lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Duke gjetur paraardhësit tanë dhe duke kryer për ta ordinancat e shpëtimit, që ata vetë nuk mund t’i kryenin, ne po dëshmojmë për shtrirjen e pafundme të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Krishti ‘vd[iq] për të gjithë’. [2 Korintasve 5:15.]” (“The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 10).

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 128 përmban një letër që Profeti Jozef Smith ua shkroi shenjtorëve, në të cilën ai citoi Malakian 4:5–6 dhe më pas dha shpjegime të frymëzuara për ato vargje.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 128:18. Kërkojuni atyre të shenjojnë arsyet që dha Jozef Smithi për pjesëmarrjen në punën e shëlbimit të pjesëtarëve të vdekur të familjeve tona. Pasi të diskutoni atë që përcaktuan studentët, diskutoni për sa vijon:

  • Si mund të sjellin përpjekjet tona për të siguruar ordinanca shpëtuese për paraardhësit tanë gjithashtu shpëtim për ne?

Në tabelë, shkruani fjalët vijuese: Gjej, Çoj dhe Mësoj.

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si këto tri fjalë mund të përshkruajnë hapat që ne nxitemi t’i ndërmarrim teksa kryejmë punë në tempull dhe punë për historinë familjare. (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë sa vijon: Gjej dhe përgatit emra për punën e ordinancave të tempullit; i çoj ato emra në tempull dhe kryej si mëkëmbës ordinancat e tempullit për ata individë; i mësoj të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.)

video iconPër t’i ndihmuar studentët të kuptojnë bekimet që vijnë nga ndjekja e këtyre hapave, paraqitni dhe kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, ose shfaqni videon “The Promised Blessings of Family History” (lds.org/topics/family-history/fdd-cook/blessings-video). Ndërsa studentët lexojnë ose shohin, ftojini ata të kërkojnë bekimet e premtuara që vijnë nga pjesëmarrja në punën e historisë familjare.

Plaku Dejvid A. Bednar

“I ftoj të rinjtë e Kishës që të mësojnë e të përjetojnë Shpirtin e Elijas. Ju inkurajoj që të studioni, të gjeni paraardhësit tuaj e të përgatiteni për të kryer pagëzime mëkëmbëse në shtëpinë e Zotit për të vdekurit e farefisit tuaj (shih DeB 124:28–36). Dhe ju nxis që të ndihmoni njerëz të tjerë për të gjetur historitë e tyre familjare.

Kur i përgjigjeni me besim kësaj ftese, zemra juaj do të kthehet drejt etërve. … Dashuria dhe mirënjohja juaj për paraardhësit tuaj do të shtohen. Dëshmia juaj për Shpëtimtarin dhe kthimi juaj në besim tek Shpëtimtari do të bëhen të thella dhe të qëndrueshme. Dhe unë ju premtoj se do të jeni të mbrojtur ndaj ndikimit në rritje të kundërshtarit. Ndërsa merrni pjesë dhe e doni këtë punë të shenjtë, ju do të mbroheni në rini[në tuaj] dhe gjatë gjithë jetës suaj” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, f. 26–27).

  • Cilat bekime iu vijnë atyre që marrin pjesë në punën e historisë familjare?

Pyetini nëse studentët mund të tregojnë ndonjë përvojë vetjake lidhur me marrjen e bekimeve nëpërmjet pjesëmarrjes në punën e historisë familjare.

  • Për ata prej jush që keni marrë ordinanca për paraardhësit, për cilat ndjenja mund të tregoni rreth pjesëmarrjes në këto përvoja të shenjta?

Ftojini studentët të bëjnë kërkim për historitë e tyre familjare duke përdorur burimet e vëna në dispozicion te FamilySearch.org dhe të kërkojnë ndihmë nga një këshilltar i historisë familjare në lagjen ose degën e tyre, nëse nevojitet. Nxitini studentët të bëjnë një plan për të gjetur emrat e paraardhësve të tyre, për t’i çuar emrat e këtyre paraardhësve në tempull e për të kryer ordinanca në emër të tyre dhe për t’i mësuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Leximet e Studentëve