Seminare dhe Institute
Mësimi 11: Përgatitja për një Martesë të Përjetshme


Mësimi 11

Përgatitja për një Martesë të Përjetshme

Hyrje

Ndërkohë që të rinjtë në moshë madhore beqarë e jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ata mund ta presin me gëzim të ardhmen dhe ta jetojnë jetën e tyre me shpresë. Ati Qiellor do t’i udhërrëfejë në vendimet e tyre rreth martesës së përjetshme kur ata kërkojnë drejtim prej Tij. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët t’i afrohen martesës me më shumë vetëbesim, duke e ditur se mund të marrin ndihmë hyjnore nga Zoti.

Lexim Konteksti

  • Diter F. Uhtdorf, “Pasqyrimi në Ujë” (takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 1 nëntor 2009), lds.org/media-library.

  • Jeffrey R. Holland, “Be Not Afraid, Only Believe” (mbrëmje me Plakun Xhefri R. Holland, 6 shkurt 2015), lds.org/broadcasts.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 88:40

Përgatitja për martesë

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse kanë krijuar një listë të tipareve që po i kërkojnë te një bashkëshort ose bashkëshorte e ardhshme. Ftojini disa studentë të thonë disa prej tipareve në listat e tyre.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Disa njerëz në moshë të re duket se kanë një listë pazari të tipareve që i duan te një shok ose shoqe jete dhe e matin potencialin e tyre: ‘A i ke të gjitha gjërat që kërkoj unë?’ Nëse shpresoni të keni një shok ose shoqe të përjetshme, që ka cilësi të caktuara shpirtërore, atëherë ju duhet të përpiqeni t’i zhvilloni ato cilësi shpirtërore te vetja juaj. Atëherë dikush që i ka ato cilësi, do të tërhiqet drejt jush” (“Understanding Heavenly Father’s Plan”, LDS.org).

  • Çfarë parimi mësojmë nga thënia e Plakut Bednar? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë parimin vijues: “Nëse shpresoni të keni një shok ose shoqe të përjetshme, që ka cilësi të caktuara shpirtërore, atëherë ju duhet të përpiqeni t’i zhvilloni ato cilësi shpirtërore te vetja juaj”.)

Vërini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 88:40, duke kërkuar mënyrën se si ky varg e mbështet parimin e sapopërcaktuar.

  • Në ç’mënyrë individët që po përpiqen për martesë, mund t’i vënë në jetë të vërtetat e shënuara në këtë varg?

  • Si i keni parë të vërtetat në këtë varg të vihen në jetë në zgjedhjet e bëra nga të rinjtë dhe të rejat rreth miqve të tyre?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh cilësitë që do të donin t’i shihnin në bashkëshortin ose bashkëshorten e tyre të ardhshme. Ftojini studentët të marrin parasysh nëse ata i zotërojnë po të njëjtat cilësi. Kërkojuni atyre të marrin parasysh se si mund t’i përdorin parimet te Doktrina e Besëlidhje 88:40 që ta përgatitin veten më mirë për martesë.

Marku 5:35–36; Doktrina e Besëlidhje 6:36

“Mos ki frikë, vetëm ki besim”

Pyetini studentët:

  • Çfarë po prisni me padurim rreth martesës?

  • Cilat janë disa gjëra që mund t’u shkaktojnë të rinjve dhe të rejave që të kenë frikë nga martesa? (Renditini përgjigjet në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini klasës të dëgjojë për arsyet përse disa të rinj e të reja kanë frikë nga martesa.

Plaku Xhefri R. Holland

“Në raste të skajshme [të rinjtë] kanë frikë që bota është gati duke mbaruar në gjakderdhje dhe shkatërrim – diçka në të cilën ata nuk dëshirojnë ta çojnë një bashkëshorte apo një fëmijë. Në raste më pak të vështira dhe më të zakonshme, ata kanë frikë se bota thjesht do të bëhet edhe më e vështirë, se punësimet do të bëhen shumë të vështira për t’u gjetur dhe se një njeri duhet të ketë mbaruar shkollën, të mos ketë borxhe, të ketë një karrierë dhe të ketë një shtëpi përpara se të marrë parasysh martesën. …

Për më tepër, kaq shumë të rinj me të cilët flas, kanë frikë se, në qoftë se martohen, ata do të jenë thjesht një statistikë më shumë për divorcin. … Bashkojeni atë dyshim rreth suksesit të martesës me talljen e pahijshme, të pakëndshme, madje të djallëzuar të dëlirësisë, të besnikërisë dhe të jetës familjare, të portretizuar kaq rregullisht në filma e televizion dhe ju e kuptoni problemin” (“Be Not Afraid, Only Believe” [mbrëmje me Plakun Xhefri R. Holland, 6 shkurt 2015], lds.org/broadcasts).

  • Sa prej jush njohin dikë që ka frikë nga martesa për shkak të një prej arsyeve të përmendura nga Plaku Holland?

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 6:36 dhe të marrin parasysh se si këshilla e Zotit drejtuar Oliver Kaudërit gjen zbatim në përgatitjen për martesë të përjetshme. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 5:35–36. Shpjegoni se Jairi, kryetari i një sinagoge, erdhi te Jezusi duke shpresuar që Ai do ta shëronte bijën e tij. Kërkojini klasës të marrë parasysh se si inkurajimi i Shpëtimtarit për Jairin mund të gjejë zbatim për ata që po përgatiten për martesë.

  • Si mund të na ndihmojë të shikuarit te Zoti “në çdo mendim” që të “mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë”, kur marrim parasysh të ardhmen tonë?

  • Si i ndihmon këshilla e Zotit dhënë Oliver Kaudërit dhe Jairit individët që kanë frikë që të martohen? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Kur shohim te Jezu Krishti me besim, ne mund ta mposhtim frikën dhe të kemi vetëbesim në të ardhmen.)

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland. Kërkojini klasës të dëgjojë përse Plakut dhe Motrës Holland iu nevojitej besim që të zgjidhnin të martoheshin kur ata u martuan.

Plaku Xhefri R. Holland

“Kur [Motra Holland dhe unë] u martuam, ne ishim ende që të dy studentë në UBJ, me asnjërën prej dysheve të prindërve tanë aspak në gjendje për të na ndihmuar financiarisht, pa asnjë mënyrë që të përfytyronim të gjithë arsimimin pasuniversitar që e kishim ende përpara nesh, dhe këtë me 300 dollarë që i kishim ne të dy në ditën tonë të martesës! Tani ajo mund të mos jetë mënyra e përsosur për ta filluar një martesë, por çfarë martese ka qenë ajo dhe çfarë do të kishim humbur, në qoftë se do të kishim pritur qoftë edhe një ditë më shumë nga ç’pritëm pasi e dinim se ajo martesë ishte e drejtë. … Drithërohem kur mendoj se çfarë do të kishim humbur nëse do të kishim marrë ‘këshillë nga frika jonë’, sikurse Presidenti Xhejms E. Faust do të më thoshte më vonë, herë pas here se unë dhe askush tjetër nuk duhej ta bënim kurrë” (“Be Not Afraid, Only Believe”).

  • Si ishte situata e Plakut dhe Motrës Holland e ngjashme me situatën e shumë të rinjve sot?

  • Çfarë do të thotë të merrni këshillë nga frika juaj? Përse është kjo një mënyrë e gabuar për të marrë vendime?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë këtë thënie dhe premtim nga Presidenti Tomas S. Monson:

Presidenti Tomas S. Monson

“Vëllezër dhe motra të mia të dashura, mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj” (“Merrni Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 92).

  • Çfarë mendimesh e ndjenjash keni rreth së ardhmes, ndërkohë që përsiatni këtë inkurajim profetik?

Ndihmojini studentët të mendojnë se si ata mund ta vënë në jetë këtë pjesë të mësimit duke iu kërkuar atyre të marrin parasysh nëse kanë ndonjë frikë rreth martesës. Ftojini të përsiatin se si ata mund ta zëvendësojnë frikën rreth së ardhmes me besimin te Zoti.

Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:2–3; 9:7–9; 11:12–14

Të kërkuarit e drejtimit hyjnor në zgjedhjen se me kë të martoheni

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ky do të jetë vendimi më i rëndësishëm i jetës suaj, individi me kë të martoheni. Nuk ka asnjë zëvendësues për martesën në tempull. … Martohuni me njeriun e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur” (“Life’s Obligations”, Ensign, shkurt 1999, f. 2).

  • Si mund ta merrni siç duhet këtë vendim më të rëndësishmin rreth njeriut me kë të martoheni?

Ndajeni klasën në dyshe. Caktojini secilës dyshe të lexojë së bashku fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta: Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 8:2–3; 9:7–9; 11:12–14. (Këto vargje janë shembuj të një teme të përsëritur për mënyrën se si marrim zbulesë vetjake, që gjendet në shumë seksione të hershme të Doktrinës e Besëlidhjeve. “Temat janë cilësi ose ide të ndërthurura, të përsëritura dhe bashkuese” [David A. Bednar, “A Reservoir of Living Water” (mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007), f. 6, speeches.byu.edu].)

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh skenarin vijues teksa studiojnë vargjet nga Doktrina e Besëlidhje: Përfytyroni që shoku ose shoqja juaj është duke dalë në takime me dikë për ca kohë dhe vjen tek ju për këshillë nëse ai ose ajo duhet të martohet me atë person. Çfarë do ta këshillonit shokun ose shoqen tuaj të bënte?

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i studiuar shkrimet e shenjta, kërkojini një studenti nga secila dyshe që të luajë rolin e shokut ose shoqes që po del në takime. Kërkojini një studenti tjetër në secilën dyshe që të shpjegojë se si këto vargje mund ta ndihmojnë shokun ose shoqen që të marrë një vendim. Pasi të përfundohet kjo veprimtari, sigurohuni që studentët i kuptojnë parimet vijuese rreth marrjes së vendimeve: Ne duhet ta “studio[jmë]” një vendim në mendjen tonë, të marrim vendimin më të mirë që mundemi dhe më pas të pyesim Perëndinë nëse vendimi është i drejtë. Më pas, nëse paqe dhe gëzim na vjen në zemrën dhe në mendjen tonë, vendimi është një vendim i mirë. Theksoni parimin vijues: Kur kërkojmë udhërrëfimin e Zotit ndërkohë që i marrim vendimet tona, Ai do të na flasë në mendjen tonë dhe do të na i mbushë shpirtrat tanë me paqe e gëzim kur zgjedhjet tona janë të drejta.

  • Si keni arritur të dini vërtetësinë e asaj që na e mësojnë këto vargje rreth marrjes së zbulesës vetjake?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si do t’i përgjigjeshin skenarit vijues: personi me të cilin/ën keni dalë në takime shpjegon se ai ose ajo e ka ndjekur këtë proces për marrjen e vendimeve dhe ka marrë një mbresë që ju të dy duhet të martoheni.

Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë thënien me zë të lartë:

Plaku Dallin H. Ouks

“Kam dëgjuar për raste ku një i ri i tha një të reje se ajo duhej të martohej me të, sepse ai kishte marrë një zbulesë që ajo duhej të ishte shoqja e tij e përjetshme. Nëse kjo është një zbulesë e vërtetë, ajo do t’i pohohet së resë drejtpërsëdrejti nëse ajo përpiqet të dijë. Ndërkohë, ajo nuk është aspak e detyruar t’ia vërë veshin kësaj. Ajo duhet të kërkojë udhërrëfimin e vet dhe të marrë vendimin e vet. Mashkulli mund të marrë zbulesë për t’i udhërrëfyer veprimet e tij, por ai nuk mund të marrë siç duhet zbulesë për t’i drejtuar veprimet e saj. Ajo është jashtë kujdestarisë së tij” (“Revelation” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 29 shkurt 1981], f. 6, speeches.byu.edu).

Dëshmoni që studentët do të ndiejnë paqe teksa e presin me dëshirë martesën e përjetshme me një këndvështrim besimi. Nxitini ata t’i përdorin parimet e diskutuara në këtë mësim që të përgatiten për mundësinë e lavdishme të martesës së përjetshme.

Leximet e Studentëve