Seminare dhe Institute
Mësimi 21: Rritja e Fëmijëve me Dashuri dhe Drejtësi


Mësimi 21

Rritja e Fëmijëve me Dashuri dhe Drejtësi

Hyrje

“Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Prindërit ndihmojnë për ta përmbushur këtë detyrë kur ata e shprehin dashurinë dhe dëshminë e tyre me fjalë e me vepra, dhe vendosin zakone sistematike të mbajtjes së mbrëmjes familjare, të lutjes familjare dhe të studimit familjar të shkrimeve të shenjta.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 15:11–20; Efesianëve 6:4

Përgjegjësia e prindërve për t’i dashur e për t’u kujdesur për fëmijët e tyre

Tregoni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Kur vajza jonë më e vogël ishte rreth katër vjeçe, një mbrëmje unë erdha në shtëpi mjaft vonë nga puna në spital. E gjeta gruan time të dashur shumë të lodhur. … Prandaj ofrova ta bëja gati për në shtrat vajzën tonë katërvjeçare. Fillova të jepja urdhra: ‘Hiqi rrobat, vari ato; vish pizhamet, laji dhëmbët; thuaje lutjen e kështu me radhë, duke e urdhëruar në një mënyrë të përshtatshme për një rreshter të ashpër në ushtri. Papritur ajo e ktheu kokën mënjanë, më pa me sy të trishtuar dhe tha: ‘Babi, mos jam gjë prona jote?’

Ajo më dha një mësim të rëndësishëm! … Jo, fëmijët nuk janë prona jonë. Privilegji ynë prindëror është t’i duam ata, t’i udhëheqim ata dhe t’i lemë të largohen” (“Listen to Learn”, Ensign, maj 1991, f. 22).

  • Çfarë parimi na mësoi Plaku Nelson me këtë përvojë? (Prindërit kanë privilegjin t’i duan dhe t’i udhëheqin fëmijët e tyre.)

Lexoni ose paraqitni sa më poshtë nga proklamata e familjes dhe kërkojuni studentëve të përcaktojnë fjalët dhe frazat kyçe: “Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. … Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Pyetini studentët se cilat fjalë kyçe u bëjnë më shumë përshtypje dhe përse. Nëse nevojitet, pyesni:

  • Si mendoni ju, përse përdoren fjalët “solemne” dhe “të shenjtë” për të përshkruar përgjegjësitë dhe detyrat e prindërve?

U thoni studentëve se Shpëtimtari dha mësim një shëmbëlltyrë e cila tregon mënyrën se si një fëmijë që rritet me dashuri, mund të vazhdojë të mirëbesojë në marrëdhëniet e tij ose të saj familjare. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 15:11–20, duke kërkuar prova se djali plangprishës e dinte që i ati e donte. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që kanë gjetur.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë atin në shëmbëlltyrë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Robert D. Hejls

“Në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, ne gjejmë një mësim të fuqishëm për familjet dhe veçanërisht për prindërit. Pasi biri më i vogël, ‘erdhi në vete’ [Lluka 15:17], ai vendosi të shkonte në shtëpi.

Si e dinte ai se i ati nuk do ta refuzonte? Sepse ai e njihte të atin. Përmes keqkuptimeve, mosmarrëveshjeve dhe marrëzive rinore të të birit, unë mund ta përfytyroj të atin, duke qëndruar atje me një zemër të kuptueshme dhe të dhembshur, me një përgjigje të butë, me një vesh dëgjues dhe një përqafim falës. Mund ta përfytyroj edhe birin e tij duke e ditur se mund të vinte në shtëpi, për shkak se e njihte llojin e shtëpisë që po e priste atë” (“With All the Feeling of a Tender Parent: A Message of Hope to Families”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 90).

  • Cilat shprehje të dashurisë nga babai përcaktoi Plaku Hejls? Çfarë veprimesh të tjera prindërore çojnë drejt një mjedisi të dashur, përkujdesës në shtëpi? (Merrni parasysh të përdorni Efesianëve 6:4 për të plotësuar diskutimet e klasës për këtë pyetje.)

  • Çfarë shembujsh keni parë të prindërve që shfaqin dashuri për fëmijët e tyre?

  • Çfarë po bëni tani që të përgatiteni për t’i dashur dhe për t’u kujdesur për fëmijët tuaj një ditë?

Doktrina e Besëlidhje 68:25–28; 93:36–40

Rritja e fëmijëve me drejtësi

Tregojuni studentëve një fotografi të një fëmije të vogël, ndoshta vetë fëmijën tuaj.

  • Cilat janë mësimet thelbësore që i nevojiten një fëmije me qëllim që ai të zhvillohet nga ana shpirtërore?

Kërkojuni studentëve ta marrin parasysh këtë pyetje ndërsa studiojnë dhe krahasojnë mësimet që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 93:36–40 dhe 68:25–28. (Shënim: “Një fragment i shkrimit të shenjtë ose një doktrinë apo parim shpesh qartësohet kur krahasohet” me një fragment tjetër nga shkrimet e shenjta [Gospel Teaching and Learning (2012), f. 22].)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje lidhur me përgjegjësitë e prindërve? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të kuptojnë parimin vijues: Prindërit i binden urdhrit të Zotit kur ata i rritin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë. Shpjegoni se në kontekstin e këtyre vargjeve, “dritë” i referohet njohurisë dhe të kuptuarit shpirtëror të parimeve të drejta.)

  • Përse është thelbësore që prindërit t’u mësojnë fëmijëve parimet dhe ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit në shtëpi?

Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ndani thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Presidenti Bojd K. Paker

“Shkrimet e shenjta flasin për ‘mburojën e besimit me të cilën’, tha Zoti, ‘mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut’ (DeB 27:17).

Kjo mburojë besimi prodhohet më së miri në një industri artizanale [shtëpiake]. Ndërsa mburoja mund të lustrohet në klasat e Kishës dhe në veprimtari, ajo është e destinuar të punohet në mënyrë artizanale në shtëpi dhe t’i përshtatet çdo individi” (“Do Not Fear”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 79).

  • Si i keni parë prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre në mënyrë të efektshme parime të drejta që i çojnë ata drejt dritës dhe së vërtetës?

  • Cila pasojë përmendet te Doktrina e Besëlidhje 68:25, për prindërit që e njohin ungjillin e Jezu Krishtit, por dështojnë t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet e ungjillit? (Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Prindërit që e njohin ungjillin e Jezu Krishtit, do të jenë përgjegjës ndaj Perëndisë nëse dështojnë t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet e ungjillit.)

Shpjegoni që udhëheqësit e Kishës kanë përcaktuar në mënyrë të përsëritur praktikat e drejta që prindërit duhet të zbatojnë në shtëpi, me qëllim që t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet e ungjillit.

fletushkë, Bekime të Lutjes Familjare, Studimit Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe Mbrëmjes Familjare

handout iconShpërndajini çdo studenti fletushkën që gjendet në fund të mësimit, dhe lexoni udhëzimet e fletushkës. Pas një kohe të mjaftueshme dhe siç nxiteni nga Fryma e Shenjtë, bëni pyetje të tilla si ato që vijojnë:

  • Si keni përfituar ju nga këto tri praktika familjare?

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të zhvilloni zakone të lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe mbajtjes së mbrëmjeve familjare përpara se ju të martoheni dhe të filloni të keni fëmijë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se ka mjedise të tjera në të cilat prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet e ungjillit, ndani thëniet vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar dhe Xhefri R. Holland:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Prindërit duhet të jenë vigjilentë dhe të vëmendshëm shpirtërisht ndaj mundësive që ndodhin spontanisht, për t’u dhënë dëshmi fëmijëve të tyre. Raste të tilla nuk kanë nevojë të programohen, të planifikohen ose shkruhen. Në fakt, sa më pak e programuar të jetë një ndarje e tillë dëshmie, aq më shumë ka gjasa për ngritje morale dhe ndikim të qëndrueshëm. …

Për shembull, një bashkëbisedim familjar që ndodh natyrshëm në drekë, mund të jetë mjedisi i përsosur që një prind të rrëfejë dhe dëshmojë për bekimet e veçanta që ai apo ajo mori gjatë rrjedhës së veprimtarive relativisht rutinë atë ditë” (Dejvid A. Bednar, “Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 42).

Plaku Xhefri R. Holland

“Jetojeni ungjillin sa më dukshëm që të jetë e mundur. Mbajini besëlidhjet që fëmijët tuaj e dinë se i keni bërë. Jepni bekime priftërie. Dhe jepeni dëshminë tuaj! Thjesht mos hamendësoni se fëmijët tuaj në njëfarë mënyre do t’i kuptojnë vetë bindjet tuaja. …

… A e dinë fëmijët tanë se ne i duam shkrimet e shenjta? A na shohin ata t’i lexojmë ato dhe t’i shenjojmë ato, dhe të kapemi pas tyre në jetën tonë të përditshme? A kanë hapur ndonjëherë papritur fëmijët tanë një derë të mbyllur dhe na kanë gjetur në gjunjë duke u lutur? A na kanë dëgjuar që jo vetëm të lutemi me ta, por edhe të lutemi për ta, të nxitur nga asgjë më shumë veçse nga dashuria e thjeshtë prindërore? A e dinë fëmijët tanë se ne besojmë te agjërimi … ? A e dinë ata se neve na pëlqen shumë të jemi në tempull … ? A e dinë ata se ne i duam dhe i mbështetim udhëheqësit vendorë dhe të përgjithshëm, të papërsosur siç janë ata … ? A e dinë ata fëmijë se ne e duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë dhe kemi mall ta shohim fytyrën – dhe të biem te këmbët – e Birit të Tij të Vetëmlindur? Unë lutem që ata të mund ta dinë këtë” (Jeffrey R. Holland, “A Prayer for the Children”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 86–87).

  • Në ç’mënyrë prindërit tuaj ose prindër të tjerë që ju keni parë, kanë përfituar nga mundësitë e paplanifikuara për të dhënë mësim parimet e ungjillit?

  • Përse është e rëndësishme që prindërit ta jetojnë dukshëm ungjillin?

  • Çfarë po bëni tani për ta thelluar njohurinë tuaj për ungjillin, kështu që ju do të jeni në gjendje t’i mësoni fëmijët tuaj në dritë dhe të vërtetë?

Dëshmoni se prindërit mund “[t’i] rrit[in] fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi” duke i udhëhequr sërish për te Ati i tyre Qiellor me anë të dashurisë për ta, duke u mësuar atyre parimet e ungjillit dhe duke dhënë një shembull të mirë.

Materiale Leximi për Studentin

Fletushkë

fletushkë, Bekime të Lutjes Familjare, Studimit Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe Mbrëmjes Familjare

Bekime të Lutjes Familjare, Studimit Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe Mbrëmjes Familjare

Manuali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 21

Ndërkohë që ju lexoni mësimet e mëposhtme të udhëheqësve të Kishës, nënvizojini bekimet që vijnë nga lutja e përditshme familjare dhe studimi i shkrimeve të shenjta, dhe mbrëmja e përjavshme familjare.

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Prindër, ndihmoni që t’i mbroni fëmijët tuaj duke i armatosur ata në mëngjes e në mbrëmje me fuqinë e lutjes familjare. … Mbrojini fëmijët tuaj nga ndikimet e përditshme të botës duke i fortifikuar me bekimet e fuqishme që rrjedhin nga lutja familjare. Lutja familjare duhet të jetë një përparësi e padiskutueshme në jetën tuaj të përditshme.

… Bëjini [shkrimet e shenjta] pjesë përbërëse të jetës suaj të përditshme. Nëse dëshironi që fëmijët tuaj t’i dallojnë dhe kuptojnë nxitjet e Shpirtit dhe të veprojnë sipas tyre, ju duhet t’i studioni shkrimet e shenjta me ta. … Nëpërmjet studimit të përditshëm, të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, ju do të gjeni paqe në trazirën përreth jush dhe forcë për t’u bërë ballë tundimeve. Ju do të zhvilloni besim të fortë te hiri i Perëndisë dhe do të dini se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, gjithçka do të rregullohet sipas kohës së Perëndisë” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93–94).

Motra Linda S. Rivs, e presidencës së përgjithshme në Shoqatën e Ndihmës, dha mësim:

“Unë duhet të dëshmoj për bekimet e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta e të lutjes dhe të mbrëmjes së përjavshme familjare. Këto janë pikërisht zakone që ndihmojnë në largimin e stresit, në dhënien e drejtimit në jetën tonë dhe shtimin e mbrojtjes për shtëpitë tona” (“Mbrojtja nga Pornografia – një Shtëpi e Përqendruar te Krishti”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 16).

Presidenti Tomas S. Monson shpalli:

“Lutja familjare është parandaluesi më i madh i mëkatit dhe, si rrjedhojë, furnizuesi më i dobishëm i gëzimit dhe lumturisë” (“Hallmarks of a Happy Home”, Ensign, nëntor 1988, f. 69).

Përsiatni pyetjet vijuese:

  • Cilët nga këto bekime keni përjetuar në familjen tuaj ose keni parë në familje të tjera?

  • Çfarë mund të bëni tani për t’i marrë më plotësisht këto bekime?