Mësimi 9
Rolet dhe Përgjegjësitë Hyjnore të Burrave
Hyrje
Si pjesë e rëndësishme e planit të Tij për lumturinë, Ati Qiellor i ka caktuar burrat të bëhen bashkëshortë dhe etër. Ky mësim përqendrohet mbi përgjegjësitë e tyre: “Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).
Lexim Konteksti
-
Riçard G. Skot, “Bekimet e Përjetshme të Martesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 94–97.
-
D. Todd Christofferson, “Let Us Be Men”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 46–48.
-
Linda K. Barton, “Ne do të Lartësohemi së Bashku”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 29–32.
-
Howard W. Hunter, “Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 66–70.
-
“Thirrja e Shenjtë e Etërve dhe Nënave”, kapitulli 15 te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 201–214.
Sugjerime për Mësimdhënien
Efesianëve 5:25
Burrat duhet të martohen dhe t’i gëzojnë bashkëshortet e tyre
Fillojeni orën mësimore duke pyetur:
-
Cilët burra kanë qenë ndikues në jetën tuaj? Përse kishin ata një ndikim të tillë mbi ju?
Shpjegoni se ky mësim do të diskutojë rolet e caktuara në mënyrë hyjnore të burrave. Nuk ka role më të rëndësishme për një burrë sesa rolet e bashkëshortit dhe të atit. Teksa burrat kërkojnë t’i përmbushin me drejtësi këto role, ata bëhen më shumë si Ati i tyre në Qiell.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Efesianëve 5:25.
-
Çfarë parimi mësoni nga ky shkrim i shenjtë rreth mënyrës se si bashkëshortët duhet të veprojnë? (Edhe pse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë këtë parim: Bashkëshortët duhet t’i duan bashkëshortet e tyre sikurse Jezu Krishti e deshi Kishën.)
-
Cilat janë disa mënyra sipas të cilave Jezu Krishti tregon dashurinë e Tij për Kishën?
-
Çfarë mund të bënin bashkëshortët për ta ndjekur shembullin e Jezu Krishtit në mënyrën se si i trajtojnë bashkëshortet e tyre?
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“Krishti e deshi kishën dhe popullin e tij kaq shumë sa ai vullnetarisht e duroi përndjekjen për ta, vuajti padrejtësitë poshtëruese për ta, u bëri ballë trimërisht dhembjes dhe keqtrajtimit fizik për ta dhe më së fundi e dha jetën e tij të çmuar për ta.
Kur burri është gati ta trajtojë familjen e tij në atë mënyrë, jo vetëm bashkëshortja, por e tërë familja do t’i përgjigjet udhëheqjes së tij” (“Home, the Place to Save Society”, Ensign, janar 1975, f. 5).
-
Çfarë mendimesh keni ndërsa merrni parasysh thënien e Presidentit Kimball?
-
Në çfarë mënyrash mund të bëjë një atë sakrifica për familjen e tij në kohën tonë?
Dëshmoni se Ati Qiellor dëshiron që burrat të përpiqen për të qenë bashkëshortë të drejtë.
Efesianëve 5:23; Doktrina e Besëlidhje 121:36–46
Etërit duhet të kryesojnë me drejtësi
Vërini studentët të hetojnë paragrafin e shtatë të proklamatës “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” që të mësojnë se çfarë pret Ati ynë Qiellor prej etërve.
-
Çfarë do të thotë fjala kryesojnë? (T’u japin udhëzim dhe drejtim të tjerëve.)
-
Si e ndihmon një burrë të kujtuarit e frazës “nëpërmjet planit hyjnor” për t’i përmbushur përgjegjësitë që Perëndia ua ka dhënë etërve?
Që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë më mirë se si një atë duhet të kryesojë në shtëpi, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Efesianëve 5:23. Më pas kërkojini një studenti tjetër të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994):
“Apostulli Pal vë në dukje se ‘burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës’ (Efesianëve 5:23; kursivet të shtuara). Ky është modeli që duhet të ndjekim në rolin tonë të kryesimit në shtëpi. Ne nuk e shikojmë Shpëtimtarin ta udhëheqë Kishën me një dorë të ashpër apo të rreptë. Ne nuk e shohim Shpëtimtarin ta trajtojë Kishën e Tij me mungesë respekti apo shpërfillje. Ne nuk e shohim Shpëtimtarin të përdorë forcë ose imponim për të përmbushur qëllimet e Tij. Askund nuk e shohim Shpëtimtarin të bëjë ndonjë gjë tjetër përveç gjërave që e ngrenë moralisht, e lartësojnë, e ngushëllojnë dhe e ekzaltojnë Kishën. … Ai është modeli që duhet të ndjekim teksa marrim përsipër udhëheqjen shpirtërore në familjet tona” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 206).
-
Si do ta shprehnit një parim të dhënë mësim nga Apostulli Pal dhe Presidenti Benson? (Studentët duhet të shprehin një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur një burrë e ushtron priftërinë me denjësi në shtëpinë e tij, ai mund t’i ndikojë drejtësisht bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Përveç kësaj, ua thoni këtë parim studentëve: Kur burrat përpiqen t’i përmbushin me drejtësi rolet e bashkëshortit dhe të atit, ata do të bëhen më shumë si Ati i tyre në Qiell.)
Që të shpjegoni më tej se si një bashkëshort dhe atë duhet të kryesojë në shtëpi, merrni parasysh të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995):
“Me anë të caktimit hyjnor, përgjegjësia për të kryesuar në shtëpi qëndron mbi mbajtësin e priftërisë (shih Moisiu 4:22). Zoti kishte për qëllim që bashkëshortja të ishte një ndihmëse e përshtatshme për burrin (shprehja ndihmëse e përshtatshme nënkupton e barabartë) – që është, një shoqëruese e barabartë dhe e nevojshme në një bashkëpunim tërësor. Kryesimi me drejtësi e bën të nevojshme një përgjegjësi të ndarë midis bashkëshortit e bashkëshortes; së bashku ju veproni me njohuri dhe merrni pjesë në të gjitha çështjet familjare. Për një burrë të veprojë i pavarur ose pa u kushtuar vëmendje ndjenjave dhe këshillës së bashkëshortes së tij në qeverisjen e familjes, është që të ushtrojë një sundim të padrejtë” (“Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 50–51).
Kërkojuni studentëve të kthehen te Doktrina e Besëlidhje 121:36–46. Sugjeroni që ata të bëjnë një referencë kryq të Efesianëve 5:23, 25 me këto vargje. (Ndihmojini studentët të zhvillojnë aftësinë e studimit të shkrimeve të shenjta për referenca kryq duke i ftuar ata të krijojnë referenca të tilla kurdoherë që është e përshtatshme.)
Jepuni studentëve disa minuta që të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 121:36–39 dhe merrni parasysh se si udhëheqja e përshkruar në këto vargje është në kundërshtim me llojin e udhëheqjes që e dha shembull Jezu Krishti.
-
Çfarë mendoni se do të thotë fraza “të drejtat e priftërisë”? (Kur një burrë merr priftërinë, Perëndia dhuron mbi të të drejta dhe autoritete të caktuara. Burri mund t’i ushtrojë këto të drejta vetëm kur ai vepron me drejtësi.)
-
Çfarë ndodh kur një mbajtës i priftërisë nuk jeton me drejtësi? (Perëndia i tërheq fuqitë e qiellit prej atij burri dhe burri nuk mund ta ushtrojë më autoritetin e priftërisë; Fryma e Shenjtë ndjen hidhërim.)
Që të kuptoni se si një atë duhet ta udhëheqë familjen e tij, kërkojuni disa studentëve të lexojnë me radhë, me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:41–46.
-
Cilat janë disa tipare të ngjashme me të Krishtit, të përshkruara në këto vargje? Si mendoni, përse një atë, i cili i ka këto tipare, është në gjendje të marrë prej fuqive të qiellit?
-
Si do t’i ndihmojnë etërit këto tipare të ngjashme me të Krishtit që të kryesojnë në familjet e tyre? (Ju mund të qartësoni se këto tipare të ngjashme me të Krishtit gjithashtu duhet të zhvillohen nga gratë.)
-
Përshkruani se si mund të ndiheni po të ishit bashkëshortja ose fëmija e një burri, i cili kërkon ta ndjekë shembullin e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit në mënyrën se si e udhëheq familjen e tij.
Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese të shkruar nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1973:
“Atësia është udhëheqje, lloji më i rëndësishëm i udhëheqjes. Kështu ka qenë gjithmonë; kështu do të jetë gjithmonë. Atë, me ndihmën, këshillimin dhe nxitjen e shoqërueses tënde të përjetshme, ti kryeson në shtëpi. Nuk është një çështje nëse ti je më i denji apo më i kualifikuari, por është një çështje e ligjit dhe e caktimit [hyjnor]” (“Father, Consider Your Ways”, Ensign, qershor 2002, f. 16).
-
Motra, çfarë mund të bëni për t’i nxitur të rinjtë që t’i lartësojnë rolet dhe përgjegjësitë e tyre hyjnore në familjet e tyre të ardhshme?
-
Çfarë mund të bëjë secili prej jush – si burrat ashtu edhe gratë – tani që të përgatiteni më mirë për të udhëhequr në familjen tuaj të ardhshme?
Mateu 2:13–16; 1 Timoteut 5:8; Doktrina e Besëlidhje 75:28; 83:2, 4
Etërit duhet të sigurojnë materialisht për familjet e tyre dhe t’i mbrojnë ato
Kërkojuni studentëve të lexojnë 1 Timoteut 5:8 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 75:28; 83:2, 4 dhe përcaktoni një detyrë tjetër të rëndësishme të etërve. (Ju mund të sugjeroni që studentët t’i krahasojnë të kryqëzuara këto fragmente.)
-
Si mendoni, përse pret Zoti që etërit të sigurojnë gjërat e nevojshme të jetës për familjet e tyre? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, vini në dukje që në shtëpitë me një nënë të vetme, nëna mund të sigurojë materialisht për familjen e saj.)
-
Çfarë kuptimi mund të kenë këto fragmente për një të ri që ende nuk është i martuar?
Kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008):
“Punoni për një arsimim. Merreni të gjithë trajnimin që mundeni. Bota kryesisht do t’ju paguajë atë që mendon se ju vleni. … Është detyrimi juaj kryesor që të siguroni për familjen tuaj” (“Living Worthy of the Girl You Will Someday Marry”, Ensign, maj 1998, f. 50).
Theksojuni studentëve që për të siguruar në të ardhmen për familjet e tyre, është jetike si për të rinjtë dhe të rejat që ta shfrytëzojnë këtë kohë në jetën e tyre për të marrë sa më shumë që të jetë e mundur arsimim dhe trajnim për punësim.
Vini në dukje se, në proklamatën për familjen, udhëheqësit e Kishës dhanë mësim që etërit duhet të sigurojnë materialisht për familjet e tyre dhe t’i mbrojnë ato.
-
Cilat janë disa rreziqe që i kërcënojnë familjet sot?
-
Si i keni parë etërit e drejtë t’i mbrojnë familjet e tyre?
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“Një atë i drejtë i mbron fëmijët e tij me kohën dhe praninë e tij në veprimtaritë dhe përgjegjësitë e tyre shoqërore, arsimore dhe shpirtërore” (“Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 51).
-
Si mund ta zbatoni këtë këshillë në familjen tuaj të ardhshme apo në familjen tuaj tani?
Ftojini studentët të marrin parasysh se si do të përpiqen t’i forcojnë e mbrojnë familjet e tyre dhe më pas t’i shënojnë mbresat e tyre.
Shpjegoni se ne mund të mësojmë një parim të rëndësishëm nga përkujdesja e Jozefit për Jezusin e ri. Vëreni një student të lexojë Mateun 2:13–16, duke kërkuar atë që Jozefi bëri për ta mbrojtur Krishtin e vogël nga rreziku.
U thoni studentëve se, edhe pse nuk ka të ngjarë që atyre do t’iu nevojitet të ndryshojnë vendndodhjen me qëllim që t’i mbrojnë familjet e tyre, ata mund t’i përngjasojnë ose zbatojnë këto vargje për veten e tyre nëpërmjet analizimit të disa hollësive të rëndësishme:
-
Çfarë i kumtoi Zoti Jozefit në vargun 13?
-
Kur dhe si iu përgjigj Jozefi këtij paralajmërimi?
-
Në çfarë mënyrash mund ta ndjekin etërit shembullin e Jozefit në mbrojtjen e familjeve të tyre? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë këtë parim: Kur etërit kërkojnë dhe e ndjekin udhërrëfimin nga Zoti, ata mund t’i mbrojnë më mirë familjet e tyre.)
Burrat dhe Gratë Duhet të Përmbushin Planin e Zotit
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Nëse je një i ri në moshën e përshtatshme dhe nuk je martuar, mos e shko dëm kohën me aktivitete boshe. Shko përpara në jetë dhe përqendrohu te lidhja e martesës. Jo thjesht të endesh pa përpjekje në këtë periudhë të jetës. Të rinj, shërbeni një mision të denjë. Pastaj, bëjeni përparësinë tuaj më të lartë gjetjen e një shoqeje të denjë, të përjetshme. …
… Martesa siguron një mjedis ideal për të kapërcyer çfarëdo prirje për të qenë egoist ose i përqendruar te vetja. Mendoj se një nga arsyet se pse ne na këshillojnë të martohemi qysh herët në jetë, është që të shmangim zhvillimin e tipareve të papërshtatshme të karakterit, që janë të vështira të ndryshojnë” (“Bekimet e Përjetshme të Martesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 95–97).
-
Në botën e sotme, çfarë shtytjesh gjenden për të rinjtë dhe të rejat që ta vonojnë martesën?
-
Përse përpiqet kundërshtari që t’ua largojë vëmendjen të rinjve dhe të rejave nga ndjekja e marrëdhënieve që mund të çojnë te martesa dhe lindja e fëmijëve?
-
Si mendoni, përse udhëheqësit e Kishës vazhdimisht i këshillojnë të rinjtë që të kërkojnë në mënyrë aktive marrëdhënie që mund të çojnë drejt martesës?
(Shënim: Gjatë këtij diskutimi, jini të ndjeshëm ndaj faktit që disa të rinj në klasën tuaj mund të mos martohen ose mund të mos bëhen kurrë etër për shkak të rrethanave përtej kontrollit të tyre.)
Ndërsa e mbyllni mësimin, mendoni për rrethanat e studentëve tuaj. Çfarë mund t’iu drejtonit si sfidë studentëve tuaj meshkuj që të përmbushin detyrimet e tyre për t’u bërë bashkëshortë dhe etër të drejtë? Ju mund t’i ftoni të gjithë studentët tuaj që të përqendrohen në zhvillimin e një virtyti të veçantë, të ngjashëm me të Krishtit, të tillë si durimi ose shprehja e dashurisë për të tjerët, që do të jetë i dobishëm për familjet e tyre.
Leximet e Studentëve
-
Mateu 2:13–16; Efesianëve 5:23, 25; 1 Timoteut 5:8; Doktrina e Besëlidhje 75:28; 83:2, 4; 121:36–46.
-
D. Todd Christofferson, “Let Us Be Men”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 46–48.