Mësimi 13
Përmirësimi i Adhurimit në Tempull
Hyrje
Adhurimi në tempujt e shenjtë na përgatit të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit dhe “ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion [atje], bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) i nxiti anëtarët e Kishës ta bënin tempullin “simbolin e madh të anëtarësisë së tyre” (“The Great Symbol of Our Membership”, Ensign, tetor 1994, f. 2). Në këtë mësim studentët do të mësojnë se si ta pasurojnë adhurimin e tyre në tempull, duke sjellë si rrjedhojë bekime më të mëdha në jetën e familjeve të tyre.
Lexim Konteksti
-
Riçard G. Skot, “Adhurimi në Tempull: Burimi i Forcës dhe Fuqisë në Kohë Nevoje”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 43–45.
-
L. Lionel Kendrick, “Enhancing Our Temple Experience”, Ensign, maj 2001, f. 78–79.
-
Përgatitja për të Hyrë në Tempullin e Shenjtë (broshurë, 2002).
Sugjerime për Mësimdhënien
Psalmeve 24:3–5; Gjoni 2:13–16; Doktrina e Besëlidhje 109:10–13, 20–22
Denjësia për të hyrë në tempull
Paraqitni një figurë të tempullit më të afërt me shtëpinë tuaj. Vini në dukje që fraza Shenjtëri Zotit gdhendet në pjesën e jashtme të çdo tempulli. Ftojini studentët të lexojnë Gjonin 2:13–16 dhe të marrin parasysh se si ky rrëfim e ilustron natyrën e shenjtë të tempujve.
-
Si e ilustron ky rrëfim qëndrimin që duhet të mbajmë kundrejt tempullit?
-
Në çfarë mënyrash njerëzit sot mund të tregojnë mungesë respekti për tempullin?
Kërkojini një studenti të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 109:20, e cila është pjesë e lutjes përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit:
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky varg? (Përgjigjet e studentëve duhet të përfshijnë këtë parim: Perëndia ka urdhëruar që asgjë e papastër të mos lejohet të hyjë në shtëpinë e Tij. Vini në dukje se në shkrimet e shenjta, tempujt gjithmonë portretizohen si vende të pastërtisë, dëlirësisë, shenjtërisë dhe denjësisë. Ju mund t’i nxitni studentët të vëzhgojnë për këtë lidhje kur lexojnë rreth tempujve.)
-
Cilat janë disa nga standardet e denjësisë që individët duhet t’i arrijnë përpara se të mund të hyjnë në tempull?
Jepuni studentëve disa minuta të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 109:10–13, 21–22 e Psalmeve 24:3–5 dhe të përcaktojnë bekimet që lidhen me adhurimin në tempull me denjësi. Ju mund të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
-
Çfarë premtimesh u jepen në këto vargje atyre që hyjnë në tempull me denjësi? (Lavdia e Zotit do të qëndrojë mbi popullin e Tij; ata që hyjnë në tempull, do të ndiejnë fuqinë e Zotit dhe do të pohojnë se ai është një vend i shenjtë dhe i shenjtëruar; në tempuj, Zoti do ta vendosë emrin e Tij mbi ne dhe ne do të largohemi të armatosur me fuqinë e Tij; dhe në tempuj ne mund të marrim bekime dhe drejtësi nga Zoti.)
-
Si mendoni, përse këto premtime janë në varësi të denjësisë sonë?
-
Çfarë mund t’i thonit dikujt që po pyet veten nëse ia vlen të përpiqet që të kualifikohet për një rekomandim tempulli?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Ata që i kuptojnë bekimet e përjetshme, të cilat vijnë nga tempulli, e dinë se nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që t’i marrin ato bekime. … Ata e kuptojnë se ordinancat shpëtuese të marra në tempull, që na lejojnë të kthehemi një ditë tek Ati ynë Qiellor në një marrëdhënie familjare të përjetshme dhe që të na jepen bekime dhe fuqi që nga lart, ia vlejnë çdo sakrificë dhe çdo përpjekje” (“Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 92).
-
Çfarë bekimesh të tjera keni marrë kur keni marrë pjesë në ordinanca të tempullit?
Nxitini studentët të fitojnë dhe mbajnë një rekomandim të vlefshëm tempulli për të gjithë pjesën e mbetur të jetës së tyre. Theksoni se, kur e adhurojnë me përulësi Zotin në tempullin e Tij, ata do të marrin bekimet e vëna në dispozicion vetëm për besnikët në shtëpinë e Tij të shenjtë.
3 Nefi 17:1–3
Përmirësimi i adhurimit tonë në tempull
Shkruani sa vijon në tabelë dhe pyetini studentët se si mund ta plotësojnë fjalinë:
Pas disa përgjigjeve, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ajo që fitojmë nga tempulli, do të varet në një shkallë të madhe nga ajo që ne çojmë në tempull në mënyrën e përulësisë, të nderimit dhe të një dëshire për të mësuar. Nëse jemi të mësueshëm, ne do të mësohemi me anë të Shpirtit, në tempull” (The Holy Temple [1980], f. 42).
-
Si mendoni se do të ndikohej përvoja juaj në tempull, nëse do të shkonit me një shpirt të “përulësisë, të nderimit dhe të një dëshire për të mësuar”? (Ndërsa përgjigjen studentët, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse shkojmë në tempull me përulësi, nderim dhe me një dëshirë për të mësuar, ne do të mësohemi me anë të Shpirtit.)
Shpjegojuni studentëve që, kur Shpëtimtari i vizitoi nefitët, Ai u mësoi atyre një model për kuptueshmërinë e gjërave të shenjta, të cilin mund ta ndjekim kur frekuentojmë tempullin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 17:1–3.
-
Çfarë u mësoi të bënin Shpëtimtari dëgjuesve të Tij, që do t’i kishte ndihmuar ata të përgatiteshin për t’i kuptuar gjërat e shenjta?
-
Si mund ta ndjekim këtë model me qëllim që ta përmirësojmë cilësinë e përvojave tona në tempull? (Ne duhet të përsiatim se çfarë përjetojmë në tempull, të lutemi për kuptueshmëri, të përgatitemi që ta frekuentojmë herën e ardhshme dhe të kthehemi sa më shpesh që na e lejojnë rrethanat.)
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku L. Lajnëll Kendrik, i Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojuni studentëve të dëgjojnë për fraza që sugjerojnë mënyra se si mund ta përmirësojmë adhurimin tonë në tempull.
“Ka një ndryshim në thjesht frekuentimin e tempullit dhe në pasjen e një përvoje të pasur shpirtërore. Bekimet e vërteta të tempullit vijnë kur ne e përmirësojmë përvojën tonë të tempullit. Për ta bërë këtë, ne duhet të ndiejmë një shpirt nderimi për tempullin dhe një shpirt adhurimi. …
Të jesh nderues nuk është thjesht të rrish i heshtur. Kjo përfshin një vetëdije të asaj që po ndodh. Përfshin një dëshirë hyjnore për të mësuar dhe për të qenë pranues ndaj nxitjeve të Shpirtit. Përfshin një përpjekje për të kërkuar dritë dhe dituri të shtuar. Çnderimi nuk është vetëm një veprim i mosnderimit për Hyjninë, por ai e bën të pamundur për Shpirtin që të na japë mësim gjërat që na nevojitet t’i dimë” (“Enhancing Our Temple Experience”, Ensign, maj 2001, f. 78).
-
Çfarë frazash në këtë thënie kanë domethënie të veçantë për ju? Përse?
Lexoni këshillën vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojuni studentëve të dëgjojë për sugjerimet që mund t’i vënë në jetë kur e vizitojnë tempullin:
“• Kuptoni doktrinën e lidhur me ordinancat e tempullit, veçanërisht rëndësinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.
• Kur merrni pjesë në ordinancat e tempullit mendoni për marrëdhënien tuaj me Jezu Krishtin dhe marrëdhënien e Tij me Atin tonë Qiellor. Ky veprim i thjeshtë do të çojë drejt kuptueshmërisë më të madhe për natyrën hyjnore të ordinancave të tempullit.
• Shprehni gjithmonë mirënjohjen me lutje për bekimet e pakrahasueshme që rrjedhin prej ordinancave të tempullit. Jetoni çdo ditë në mënyrë të tillë që t’u jepni prova Atit në Qiell dhe Birit të Tij të Dashur për atë se sa shumë rëndësi kanë këto bekime për ju.
• Programoni vizita të rregullta në tempull.
• Lini kohë të mjaftueshme që të mos nxitoni brenda mureve të tempullit.
• Ndryshoini aktivitetet që të mund të merrni pjesë në të gjitha ordinancat e tempullit.
• Hiqeni orën e dorës kur hyni në Shtëpinë e Zotit.
• Dëgjoni me kujdes paraqitjen e secilit element të ordinancës me mendje dhe zemër të hapur.
• Kujtohuni për individin për të cilin ju po kryeni ordinancat mëkëmbëse. Nganjëherë lutuni që ai apo ajo të kuptojë rëndësinë jetike të ordinancave dhe të jetë i denjë apo të përgatitet që të jetë i denjë për të përfituar prej tyre” (“Adhurimi në Tempull: Burimi i Forcës dhe Fuqisë në Kohë Nevoje”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 43–44).
-
Cilat nga këto ide mund të kishin përfitim më të madh për ju për t’i vënë në jetë?
-
Çfarë keni bërë ju ose të tjerët që ta bënit adhurimin në shtëpinë e Zotit më domethënës? Çfarë ndryshimi vjen kur ju i bëni këto gjëra? (Si pjesë të diskutimit, merrni parasysh diskutimin e thënies vijuese nga Presidenca e Parë: “Kur anëtarët e Kishës gjejnë emrat e paraardhësve të tyre dhe i çojnë ata emra në tempull për punën e ordinancave, përvoja në tempull mund të pasurohet së tepërmi” [letër e Presidencës së Parë, 8 tetor 2012].)
Nxitini studentët të shkruajnë se çfarë kanë ndier mbresë të bëjnë me qëllim që ta përmirësojnë përvojën e tyre në tempull. Nxitini ata që të ndjekin ecurinë e asaj që shkruan.
Doktrina e Besëlidhje 109:8
Një vend zbulese
Shpjegoni se në lutjen përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit, Profeti Jozef Smith përshkroi disa nga qëllimet e tempujve. Kërkojuni studentëve të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 109:8. Vini në dukje se një prej qëllimeve është që të jetë një “shtëpi mësimi”.
-
Çfarë mund të presim të mësojmë në tempuj?
Shfaqeni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Kjo godinë e shenjtë bëhet një shkollë udhëzimi për gjërat e ëmbla dhe të shenjta të Perëndisë. Këtu ne kemi të përvijuar planin e një Ati të dashur në emër të bijve dhe bijave të Tij të të gjitha brezave. Këtu kemi të skicuar përpara nesh odisenë e udhëtimit të përjetshëm të njeriut, nga ekzistenca para lindjes, përmes kësaj jete deri në jetën pas kësaj. Të vërteta të mëdha themelore dhe thelbësore jepen mësim me qartësi dhe thjeshtësi, pikërisht brenda kuptueshmërisë së të gjithë njerëzve që dëgjojnë” (“The Salt Lake Temple”, Ensign, mars 1993, f. 5–6).
-
Si na ndihmon pjesëmarrja në ordinancat e tempullit që të mësojmë të vërtetat e madhërishme dhe themelore të planit të Atit Qiellor?
-
Si mund të na ndihmojë modeli i shënuar te 3 Nefi 17:1–3 që të mësojmë më shumë ndërkohë që jemi brenda në tempull?
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:
“Të shumtë janë ata që në kohët e stresit, kur vendimet e vështira duhet të merren dhe problemet e ndërlikuara duhet të zgjidhen, kanë ardhur në tempull me një shpirt agjërimi e lutjeje për të kërkuar udhëzim hyjnor. Shumë kanë dëshmuar se, ndërkohë që zërat e zbulesës nuk u dëgjuan, mbresa lidhur me një drejtim për ta ndjekur u përjetuan në atë kohë ose më vonë, të cilat u bënë përgjigje ndaj lutjeve të tyre” (“The Salt Lake Temple”, Ensign, mars 1993, f. 6).
Mbylleni duke iu kërkuar studentëve nëse ndonjërit prej tyre do t’i pëlqente të shprehte ndjenjat dhe dëshminë e vet rreth tempullit. Theksoni se studentët janë në një kohë shumë të rëndësishme në jetën e tyre, kur duhet të merren shumë vendime. Dëshmoni se në shtëpinë e Zotit, studentët mund të ndiejnë Shpirtin, ngushëllimin dhe udhërrëfimin e Perëndisë.
Leximet e Studentëve
-
Psalmeve 24:3–5; Gjoni 2:13–16; 3 Nefi 17:1–3; Doktrina e Besëlidhje 109:8–22.
-
Riçard G. Skot, “Adhurimi në Tempull: Burimi i Forcës dhe Fuqisë në Kohë Nevoje”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 43–45.