Seminare dhe Institute
Mësimi 26: Të Përgjegjshëm përpara Perëndisë


Mësimi 26

Të Përgjegjshëm përpara Perëndisë

Hyrje

Profetët dhe apostujt kanë paralajmëruar se “individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët, apo që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Ky mësim do të shqyrtojë mënyrën se si këto shkelje të rënda të ligjit të Perëndisë do të sjellin pasoja në këtë jetë dhe në tjetrën. Ai gjithashtu thekson se Shlyerja e Jezu Krishtit jep shpresë dhe shërim për atë që pendohet.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 18:1–6; Doktrina e Besëlidhje 42:22–25; 93:39–44

Shkelja e besëlidhjeve të dëlirësisë, abuzimi dhe dështimi për të përmbushur përgjegjësitë familjare

Kujtojuni studentëve se në mësimet e mëparshme ata kanë mësuar rreth përgjegjësive të rëndësishme familjare, duke përfshirë sa më poshtë: 1) bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet ta duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin, 2) fëmijët duhet të rriten me dashuri e drejtësi dhe 3) prindërit duhet të sigurojnë për nevojat e familjes së tyre.

  • Çfarë mund të ndodhë nëse në një familje bashkëshortët dhe prindërit i shpërfillin këto përgjegjësi?

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë atë që profetët e sotëm kanë thënë rreth rëndësisë së përmbushjes së përgjegjësive familjare, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë paragrafin 8 te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Theksoni parimin vijues: “Individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët, apo që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”.

  • Çfarë do të thotë se individët që i kryejnë këto shkelje, do të qëndrojnë përgjegjës përpara Perëndisë? (Në Ditën e Gjykimit ne do të qëndrojmë përpara Perëndisë dhe do të jemi përgjegjës ndaj Tij për mëkatet për të cilat nuk jemi penduar; shih Zbulesa 20:11–15; 2 Nefi 9:15–16.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Denis B. Nojenshvandër, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Denis B. Nojenshvandër

“Përgjegjshmëria jonë ndaj Perëndisë, si Ati dhe Krijuesi ynë, është një nga mësimet më themelore të ungjillit” (“The Path of Growth”, Ensign, dhjetor 1999, f. 15).

  • Si na ndihmon parimi i përgjegjshmërisë ndaj Perëndisë për veprimet tona, që të rritemi shpirtërisht?

Shkruani fjalët vijuese në tabelë si tituj për tri kolonat:

Shkelja e Ligjit të Dëlirësisë

Abuzimi ndaj Bashkëshortes ose Fëmijëve

Dështimi për të Përmbushur Përgjegjësitë Familjare

Ndajeni klasën në tri grupe. Ftojeni një të tretën e klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 42:22–25, një të tretën tjetër të lexojë Mateun 18:1–6 dhe një të tretën e fundit të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 93:39–44. Kërkojuni studentëve të përputhin fragmentin e shkrimit të tyre të shenjtë me titullin e saktë në tabelë. Vërini ata të kërkojnë fjalë e fraza që i mësojnë rreth natyrës së rëndë të këtyre shkeljeve. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan. (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini referencat e shkrimit të shenjtë nën titujt e duhur.)

  • Cilat fjalë e fraza në këto vargje na mësojnë rreth natyrës së rëndë të shkeljeve?

Merrni parasysh të tregoni me gisht te çdo titull në tabelë dhe të bëni pyetjet vijuese në lidhje me çdo shkelje. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre nën çdo titull.

  • Cilat janë disa qëndrime apo sjellje që, nëse nuk kontrollohen, mund ta çojnë një njeri drejt kryerjes së kësaj shkeljeje? (Për shembull, përgjigjet për shkeljen e abuzimit ndaj bashkëshortes apo fëmijëve mund të përfshijnë padurimin me të tjerët, prirjen për t’i kritikuar të tjerët dhe besimin e klisheve të pasakta rreth burrave dhe grave.)

  • Çfarë këshille do t’i jepnit dikujt që shfaq këto qëndrime apo sjellje?

  • Si mund t’i mposhtë një anëtar i Kishës këto qëndrime apo sjellje? (Ndërkohë që studentët thonë përgjigjet e tyre, ndihmojini ata të kuptojnë se, kur ne praktikojmë parime të ungjillit të tilla si pendimin, shërbimin si të Krishtit, mirëkuptimin për gjendjen e dikujt, durimin e faljen, ne mund të mbështetemi te fuqia mundësuese e Shlyerjes.)

2 Korintasve 5:17–21

Shpresa për pendim, falje dhe ndryshim

Dëshmoni se ungjilli i Jezu Krishtit siguron mënyrat që individët e familjet të kenë sukses dhe të gëzojnë një jetë të begatë. Megjithatë, ne të gjithë bëjmë zgjedhje të gabuara dhe disa prej tyre mund të kenë ndikime shumë të fuqishme te ne apo tek të tjerët. Fatmirësisht ka shpresë.

Shpjegoni se disa anëtarë të Kishës bëhen viktima të të tjerëve – të tillë si të një bashkëshorti jobesnik apo një bashkëshorti apo prindi abuzues – dhe viktimat pyesin veten se çfarë mund të bëjnë në rrethanat e tyre. Kërkojini një studenti të lexojë deklaratën vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Riçard G. Skot

“Nëse kanë abuzuar me ju, Satani do të orvatet t’ju bindë se nuk ka zgjidhje. Ndonëse ai e di plotësisht që ka. Satani e di se shërimi vjen nëpërmjet dashurisë së palëkundur të Atit Qiellor për secilin prej fëmijëve të Tij. Ai gjithashtu e kupton se fuqia e shërimit është e pandarë nga Shlyerja e Jezu Krishtit. Prandaj, strategjia e tij është që të bëjë ç’është e mundur për t’ju ndarë nga Ati juaj dhe Biri i Tij. Mos e lini Satanin t’ju bindë se nuk ka shpresë” (“Të Shërojmë Pasojat Shkatërruese të Abuzimit”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 41).

  • Përse Satani përpiqet t’i bindë ata që janë abuzuar të besojnë se nuk ka zgjidhje për problemet e tyre?

  • Cilat mund të jenë rrjedhojat kur njerëzit besojnë se nuk ka shpresë apo zgjidhje për problemet e tyre?

Ndani dëshminë dhe këshillën vijuese nga Plaku Riçard G. Skot:

Plaku Riçard G. Skot

“Unë dëshmoj se njoh viktima të abuzimit serioz që e kanë kryer me sukses udhëtimin e vështirë deri në shërimin e plotë nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes. Pasi shqetësimet e veta u zgjidhën me anë të besimit të saj në fuqinë shëruese të Shlyerjes, një e re, me të cilën ati i saj kishte abuzuar rëndë, kërkoi një intervistë tjetër me mua. Ajo u kthye me një çift të moshuar. Mund ta ndieja se ajo i donte që të dy shumë fort. Fytyra e saj rrezatonte lumturi. Ajo filloi: ‘Plaku Skot, ky është babai im. Unë e dua atë. Ai është i shqetësuar për disa ngjarje që ndodhën në fëmijërinë time të hershme. Ato nuk janë më problem për mua. A mund ta ndihmoni atë?’ Çfarë vërtetimi i fuqishëm i aftësisë së Shpëtimtarit për të shëruar! Ajo nuk vuante më nga pasojat e abuzimit sepse ajo kishte një kuptueshmëri të përshtatshme të Shlyerjes së Tij, besim të mjaftueshëm dhe ishte e bindur ndaj ligjit të Tij. Kur ju e studioni me ndërgjegje Shlyerjen dhe ushtroni besimin tuaj se Jezu Krishti ka fuqinë për të shëruar, ju mund të merrni të njëjtin lehtësim të bekuar. …

Shërimi mund të fillojë me një peshkop ose president kunji të matur apo një këshilltar profesionist të mençur. Nëse do t’ju thyhej këmba, nuk do të vendosnit ta shëronit atë vetë. Abuzimi i rëndë mund të përfitojë [që të shërohet] edhe nga ndihma profesionale” (“Të Shërojmë Pasojat Shkatërruese të Abuzimit”, f. 40–42).

  • Në ç’mënyrë këshilla e frymëzuar e Plakut Skot, mund ta ndihmojë dikë që ka vuajtur prej abuzimit?

Paraqitni thënien e mëposhtme nga Plaku Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Bojd K. Paker

“Mëshira dhe hiri i Jezu Krishtit nuk kufizohen tek ata që kryejnë mëkate, qoftë nëpërmjet bërjes ose mosbërjes, por përfshijnë premtimin e paqes së pafundme për të gjithë ata që do ta pranojnë dhe ndjekin Atë dhe mësimet e Tij. Mëshira e Tij është shëruesi i fuqishëm, madje edhe për të pafajshmin që është lënduar” (“Arsyeja për Shpresën Tonë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 7).

  • Në ç’mënyrë Shlyerja e Jezu Krishtit jep shpresë dhe shërim? (Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, ndihmojini ata të kuptojnë parimin vijues: Të gjithë ata që e ndjekin Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij, mund të marrin shërim dhe paqe të përjetshme nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Tij.)

Për t’u mësuar studentëve se si Shlyerja e Jezu Krishtit mund t’i ndihmojë individët që abuzojnë ndaj të tjerëve apo i lëndojnë ata në mënyra të tjera, lexoni së bashku si klasë 2 Korintasve 5:17–21.

  • Çfarë do të thotë të bëhesh “një krijesë e re” në Krisht? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë idenë se në përgjigje ndaj bindjes sonë të zellshme ndaj urdhërimeve të Zotit, Ai na bekon me dhuratat e Shpirtit, të cilat janë cilësi hyjnore. Këto dhurata sjellin ndryshime themelore te ne dhe ne bëhemi krijesa të reja që janë më shumë si Perëndia.)

  • Sipas vargut 21, si ndodh kjo? (Jezusi ishte plotësisht pa mëkat, por Ai mori mbi Veten e Tij mëkatet tona kështu që, mbi kushtin e pendimit tonë, ne të mund të bëhemi të drejtë nëpërmjet Tij. Ai u bë një sakrificë zëvendësuese për ne. Kur ne pendohemi dhe kërkojmë ta ndjekim shembullin e Tij, ne mund të mbështetemi te fuqia e Tij për të na ndihmuar të bëhemi krijesa te reja.)

  • Cili është kuptimi i fjalës pajtoj te vargu 18? (“Pajtimi është procesi i shpengimit të njeriut nga gjendja e tij mëkatare dhe e errësirës shpirtërore dhe e rivendosjes së tij në një gjendje harmonie dhe uniteti me Hyjninë. Nëpërmjet tij, Perëndia dhe njeriu nuk janë më armiq” [Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. (1965–1973), 2:422].)

Pyetini studentët nëse njohin ndonjë njeri që ka përjetuar shpresën dhe shërimin të bërë të mundur përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë shembujt e tyre nëse ndihen rehat [për ta bërë këtë gjë] dhe nëse shembujt nuk janë shumë vetjakë.

Tregoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Nuk e di se cili në këtë audiencë të gjerë sot mund të ketë nevojë të dëgjojë mesazhin për faljen që është pjesë e pandarë [në shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht; shih Mateu 20:1–15], por sado vonë që mendoni se jeni, pavarësisht shumë shanseve që mendoni se keni humbur, pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë apo talenteve që mendoni se nuk i keni, apo sado larg që ndieni se keni ikur nga shtëpia dhe familja, dhe Perëndia, unë ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e shkëlqimit të Shlyerjes së Krishtit. …

Ndaj, nëse keni bërë besëlidhje, mbajini ato. Nëse nuk i keni bërë, bëjini ato. Nëse i keni bërë dhe i keni thyer ato, pendohuni dhe korrigjojini. Nuk është kurrë tepër vonë për aq kohë sa Pronari i vreshtit thotë se ka kohë. Ju lutem, dëgjoni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë duke ju thënë pikërisht tani, në këtë çast, se ju duhet ta pranoni dhuratën shlyese të Zotit Jezu Krisht dhe ta shijoni shoqërinë e punës së Tij” (“Punëtorët në Vresht”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 33).

Ftojini studentët të shënojnë atë që Shpirti i Shenjtë u ka pohuar atyre sot.

Materiale Leximi për Studentin