Hyrje për Manualin e Mësuesit – Familja e Përjetshme (Feja 200)
Çfarë pritet nga një mësues i fesë?
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, është e rëndësishme të kuptoni Synimin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë:
“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit dhe të përgatitin vetveten, familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. x).
Ju mund ta arrini këtë qëllim duke e jetuar me zell ungjillin, duke ua mësuar në mënyrë të efektshme ungjillin studentëve tuaj dhe duke e administruar siç duhet orën mësimore ose programin tuaj. Ndërsa përgatiteni dhe e jepni mësim ungjillin në këto mënyra, ju do të kualifikoheni për ndikimin e Frymës së Shenjtë (shih DeB 42:14).
Është mundësia juaj që t’i ndihmoni studentët të mësojnë me anë të Shpirtit, që të mund ta forcojnë besimin e tyre dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besim. Ju mund t’i ndihmoni studentët që ta përmbushin këtë, ndërkohë që i udhëhiqni ata për ta përcaktuar, kuptuar dhe ndier të vërtetën dhe rëndësinë e saj, dhe për t’i vënë në jetë doktrinën dhe parimet domethënëse të ungjillit të Jezu Krishtit.
Manuali Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit është një burim thelbësor për të kuptuar procesin e mësimdhënies dhe për të mësuar mënyrën se si të bëheni të suksesshëm në klasë.
Cilat janë synimet e këtij kursi?
Ky kurs, Familja e Përjetshme (Feja 200), është një studim i rolit qendror të familjes në planin e shpëtimit, sikurse jepet mësim në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve modernë. Doktrina, temat dhe parimet e kursit nxirren veçanërisht nga “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Gjatë kursit, pyetje dhe çështje që lidhen me martesën dhe familjen, do të studiohen, diskutohen dhe vlerësohen në kontekstin e ungjillit të Jezu Krishtit.
Ky kurs do t’iu sigurojë studentëve një kuptueshmëri më të mirë të lidhjes midis bërjes e mbajtjes së besëlidhjeve dhe marrjes së bekimeve në këtë jetë dhe në botën që do të vijë. Doktrina dhe parimet që lidhen me martesën e familjen, do të përcaktohen e analizohen me qëllim që studentët të kuptojnë se si ato janë domethënëse për rrethanat e sotme. Studentët do të kuptojnë më mirë përse mund të mirëbesojnë dhe ndjekin mësimet e dhëna nga profetët modernë.
Çfarë pritet prej studentëve?
Me qëllim që të marrin kredite për diplomimin nga instituti, studentëve u kërkohet të lexojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta, bisedat e konferencave të përgjithshme dhe materiale të tjera të renditura te pjesa Materiale Leximi për Studentin e çdo mësimi. Studentët gjithashtu duhet të përmbushin kërkesat e frekuentimit dhe të tregojnë zotërim të materialit të kursit nëpërmjet përfundimit të një vlerësimi.
Si janë ndërtuar mësimet në këtë manual?
Ky kurs është hartuar si një kurs i plotë semestral me 28 mësime të shkruara për orë mësimore 50-minutëshe. Nëse klasa juaj mblidhet dy herë në javë, jepeni një mësim në secilën orë mësimore. Nëse klasa juaj mblidhet vetëm një herë në javë për 90 ose 100 minuta, ndërthurni dhe jepni dy mësime në secilën orë mësimore. Çdo plan mësimor përbëhet nga katër pjesë:
Hyrje
Lexim Konteksti
Sugjerime për Mësimdhënien
Materiale Leximi për Studentin
Hyrje
Kjo pjesë jep një hyrje të shkurtër të temave dhe synimeve të mësimit.
Lexim Konteksti
Kjo pjesë rekomandon burimet, të tilla si mesazhe nga profetët e ditëve të mëvonshme dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, që mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë doktrinën, parimet dhe të vërtetat e ungjillit të trajtuara në planin mësimor.
Sugjerime për Mësimdhënien
Pjesa Sugjerime për Mësimdhënien përfshin materialin që ju ndihmon të dini çfarë të jepni mësim dhe mënyrën se si ta jepni mësim atë (shih pjesët 4.3.3 dhe 4.3.4 te manuali Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit). Veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit hartohen për t’i ndihmuar studentët që të gjejnë, kuptojnë e zbatojnë të vërteta të shenjta. Ju mund të zgjidhni të përdorni disa ose të gjitha sugjerimet, ndërsa i përshtatni ato që të përputhen me stilin tuaj vetjak të mësimdhënies dhe që të plotësojnë nevojat dhe rrethanat e studentëve tuaj. Ndërsa merrni parasysh mënyrën se si t’i përshtatni materialet mësimore, ndiqni këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse ngulitemi tërësisht në mësimin e përshkruar që duhet ta japim, atëherë ne mund të ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë. Por ka një tundim kur flasim për këtë mundësi për ndryshueshmëri, që t’ia nisim nga përshtatja në vend që t’ia nisim nga përvetësimi. Është një baraspeshim. Është një sfidë e vazhdueshme. Por metoda e përvetësimit së pari dhe më pas përshtatjes është një mënyrë e mirë për të qëndruar mbi një bazë të shëndoshë” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012]; si.lds.org).
Ky kurs përfshin thënie nga udhëheqës të Kishës që ka mundësi të jenë në dispozicion në shumë gjuhë. Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të doni t’i përshtatni mësimet duke përdorur thënie të tjera që i keni në dispozicion nga udhëheqësit e Kishës, të cilat janë domethënëse për lëndën e temës.
Pjesa Sugjerime për Mësimdhënien në secilin mësim përmban të paktën një thënie të doktrinës ose parimit, e cila shfaqet me germa të theksuara. Ndërsa studentët i zbulojnë këto të vërteta dhe shprehin atë që kanë mësuar, fjalët e tyre mund të ndryshojnë nga ato të thëna në manual. Kur ndodh kjo, bëni kujdes të mos nënkuptoni që përgjigjet e tyre janë të gabuara. Sidoqoftë, nëse një thënie do të mund të ishte më e saktë, ndihmoni me kujdes që ta qartësoni të kuptuarin.
Ky program mësimor tregon se si të ndërthuren parimet themelore të mësimdhënies dhe të të mësuarit të ungjillit në një kurs tematik (shih Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit, f. 10, 23–31, 38–41). Në muajt e ardhshëm, Seminaret dhe Institutet do të botojnë një dokument të quajtur “Mësimdhënia Tematike në Institutet e Fesë”, që do të shpjegojë më tej mënyrën se si të ndërthuren parimet themelore të mësimdhënies dhe të mësuarit të ungjillit në një kurs tematik.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi disa prej përfitimeve që vijnë nga të studiuarit e ungjillit në mënyrë tematike:
“Megjithëse leximi i një libri të shkrimit të shenjtë nga fillimi deri në fund siguron një gjerësi bazë të diturisë, studimi sipas temës e shton thellësinë e diturisë sonë. Kërkimi nëpër zbulesa i lidhjeve, modeleve dhe temave e ndërton dhe e shton njohurinë tonë shpirtërore…; ai zgjeron këndvështrimin dhe kuptueshmërinë tonë për planin e shpëtimit.
Sipas mendimit tim, kërkimi me zell për të zbuluar lidhjet, modelet e temat është pjesë e asaj që do të thotë të ‘ushqehemi me bollëk’ me fjalët e Krishtit. Kjo mënyrë mund t’i hapë dyert e përmbytjes së rezervuarit shpirtëror, ta ndriçojë kuptueshmërinë tonë nëpërmjet Shpirtit të Tij dhe të prodhojë një thellësi të mirënjohjes për shkrimet e shenjta dhe një shkallë të zotimit shpirtëror që nuk mund të merret në asnjë mënyrë tjetër. Një kërkim i tillë na bën të aftë të ndërtojmë mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë dhe t’u bëjmë ballë erërave të ligësisë në këto ditë të fundit” (“A Reservoir of Living Water” [mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007], f. 3, speeches.byu.edu).
Materiale Leximi për Studentin
Kjo pjesë rendit fragmente të shkrimeve të shenjta, biseda nga udhëheqës të Kishës dhe materiale të tjera që do ta pasurojnë kuptueshmërinë e studentëve për temat e theksuara në mësimet. Caktojini dhe nxitini studentët që t’i lexojnë këto materiale përpara se të vijnë në çdo orë mësimore. Kur i studiojnë këto materiale të frymëzuara, ata jo vetëm që do të jenë të përgatitur më mirë për të marrë pjesë në diskutimet e klasës, por gjithashtu do të fitojnë një kuptim më të gjerë dhe më të thellë të temave të kursit. Jepuni studentëve një listë të të gjitha pjesëve Materiale Leximi për Studentin në fillim të semestrit.
Si mund të përgatitem për të dhënë mësim?
Zoti do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Ndërsa përgatiteni, mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes pyetjet vijuese:
A po përpiqem ta jetoj ungjillin që të mund të jem pranues ndaj Shpirtit në përgatitjen dhe mësimdhënien time?
A jam lutur për të marrë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë?
A i kam studiuar fragmentet e caktuara të shkrimeve të shenjta dhe leximet e kontekstit?
A e kam lexuar programin mësimor dhe a kam përcaktuar nëse ka ndonjë gjë që duhet ta përshtat ose rregulloj për t’i përmbushur nevojat e studentëve të mi?
Si mund ta ndjek ecurinë me studentët për t’u siguruar që ata po përfitojnë nga shumica e leximeve të caktuara?
Si mund ta ndihmoj secilin prej studentëve të mi që të marrë pjesë plotësisht në mësim?
Sugjerimet vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:
Nxitini studentët që t’i lexojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe artikujt e caktuar përpara çdo ore mësimore.
Prisni nga studentët që ta përmbushin rolin e tyre si nxënës.
Siguroni mundësi të vazhdueshme për studentët që t’i shpjegojnë doktrinën dhe parime me fjalët e tyre, të tregojnë përvoja të përshtatshme dhe të dëshmojnë për atë që dinë e ndiejnë.
Ndryshojini veprimtaritë dhe metodat e të mësuarit që i përdorni gjatë çdo ore mësimore dhe gjithashtu nga mësimi në mësim.
Krijoni një mjedis të të mësuarit që e fton Shpirtin dhe u jep studentëve privilegjin dhe përgjegjësinë që të japin mësim dhe të mësojnë nga njëri-tjetri (shih DeB 88:78, 122).
Përgjatë gjithë kursit ju do të gjeni referenca ndaj aftësive të veçanta të studimit të shkrimeve të shenjta. Shfrytëzojini këto mundësi për t’i ndihmuar studentët që të bëhen më të mbështetur te vetja në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta dhe më të përkushtuar në të mësuarin gjatë gjithë jetës nga shkrimet e shenjta.
Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Sigurohuni që ka pjesëmarrje të shumtë, sepse ai përdorim i lirisë së zgjedhjes nga një student e autorizon Frymën e Shenjtë që të udhëzojë. … Kur studentët i shprehin të vërtetat me fjalët e tyre, ata përforcohen në shpirtrat e tyre dhe i forcojnë dëshmitë e tyre vetjake” (“To Understand and Live Truth” [mbrëmje me Plakun Riçard G. Skot, 4 shkurt 2005], f. 3; si.lds.org).
Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me paaftësi?
Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe rezultatet që prisni për t’i ndihmuar ata që t’ia dalin mbanë. Kërkoni mënyra që t’i ndihmoni ata të ndiejnë dashuri, të ndihen të mirëpritur dhe të përfshirë. Nxitni një marrëdhënie mirëbesimi.
Për më shumë ide dhe burime, drejtojuni faqes Disability Resources [Burime në lidhje me Paaftësitë] te disabilities.lds.org dhe seksionit të manualit të rregullave të Seminareve dhe Instituteve të Fesë, të titulluar “Orë dhe Programe Mësimi të Përshtatura për Studentë me Paaftësi”.
Familja e Përjetshme (Feja 200)
Leximet e Studentëve
Familja e Përjetshme – Hyrje
Shënim: Nuk ju kërkohet të lexoni ndonjë nga materialet e sugjeruara që nuk janë në dispozicion në gjuhën tuaj.
Mësimi | Titulli | Materiale Leximi të Sugjeruara |
---|---|---|
1 | Dalja në Dritë e Proklamatës “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” |
|
2 | Profetët dhe Apostujt Shpallin në Mënyrë Solemne |
|
3 | Potenciali Ynë Hyjnor |
|
4 | Familja dhe Plani i Madh i Lumturisë |
|
5 | Kushtet e Vdekshmërisë |
|
6 | Familja Është Qendrore në Planin e Atit Qiellor |
|
7 | Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia |
|
8 | Gjinia dhe Identiteti i Përjetshëm |
|
9 | Rolet dhe Përgjegjësitë Hyjnore të Burrave |
|
10 | Rolet dhe Përgjegjësitë Hyjnore të Grave |
|
11 | Përgatitja për një Martesë të Përjetshme |
|
12 | Ordinancat dhe Besëlidhjet e Tempullit |
|
13 | Përmirësimi i Adhurimit në Tempull |
|
14 | Të Bëhemi Shpëtimtarë në Malin e Sionit |
|
15 | Martesa e Përjetshme |
|
16 | Fuqitë e Shenjta të Krijimit të Jetës |
|
17 | Urdhërimi për t’u Shumëzuar dhe për të Mbushur Tokën |
|
18 | Ushqimi Shpirtëror i Marrëdhënies Martesore |
|
19 | Ndërtimi i Jetëve dhe Shtëpive të Përqendruara te Krishti |
|
20 | Ruajtja e Besimit dhe Dëshmisë |
|
21 | Rritja e Fëmijëve me Dashuri dhe Drejtësi |
|
22 | Krijimi i një Familjeje të Suksesshme |
|
23 | Sigurimi për Nevojat Materiale |
|
24 | Anëtarët e Kishës në Moshë Madhore Beqarë |
|
25 | Ushtrimi i Besimit në Rrethana të Vështira Familjare |
|
26 | Të Përgjegjshëm përpara Perëndisë |
|
27 | Paralajmërimet Profetike Lidhur me Familjen |
|
28 | Nxitja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë |
|
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat.