Seminare dhe Institute
Mësimi 10: Rolet dhe Përgjegjësitë Hyjnore të Grave


Mësimi 10

Rolet dhe Përgjegjësitë Hyjnore të Grave

Hyrje

Si një pjesë e rëndësishme e planit të Tij të lumturisë, Ati Qiellor u ka dhënë grave rolet hyjnore të të qenit bashkëshorte dhe nëna. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” na mëson se “nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre” dhe etërit dhe nënat duhet “të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Lexim Konteksti

  • Dieter F. Uchtdorf, “The Influence of Righteous Women”, Ensign, shtator 2009, f. 5–9.

  • “Understand the Divine Roles of Women”, Ensign, shkurt 2009, f. 67.

  • “The Women of the Church”, kapitulli 20 te Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 214–225.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 25:1–3, 10, 13–16

Ndikimi i madh i grave të drejta shenjtore të ditëve të mëvonshme në ditët e fundit

Paraqitni profecinë vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të vijë ngaqë shumë prej grave të mira të botës … do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë deri në shkallën që gratë e Kishës pasqyrojnë drejtësi dhe qartësi në jetën e tyre dhe … shihen si të dallueshme dhe të ndryshme – në mënyra të gëzuara – nga gratë e botës” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 222–223).

  • Si mendoni, përse gratë e drejta shenjtore të ditëve të mëvonshme do të jenë arsyeja për rritjen e madhe në Kishë?

Për ta zgjeruar këtë ide, vërini studentët të hetojnë Doktrinën e Besëlidhjet 25:1–3, 10, 13–16, duke kërkuar për fjalë e fraza që tregojnë se si gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme mund të jenë “të dallueshme dhe të ndryshme” në mënyra të gëzuara nga gratë e botës. Ndihmojini studentët të kuptojnë kontekstin e kësaj zbulese duke shpjeguar se ajo është një zbulesë vetjake për Ema Smithin, por mund të gjejë zbatim për të gjitha gratë në Kishë.

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth tipareve që gratë e drejta duhet të përpiqen të kenë?

  • Si do ta shprehnit një doktrinë ose parim të dhënë mësim te Doktrina e Besëlidhje 25? (Teksa studentët përgjigjen, vini në dukje këtë parim: Si dishepulle të Zotit, gratë mund t’i përdorin dhuntitë dhe talentet e tyre hyjnore që të ndihmojnë për të ngritur mbretërinë e Perëndisë.)

Paraqitni thëniet vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball dhe nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Të jesh një grua e drejtë është një gjë e lavdishme në çfarëdo moshe. Të jesh një grua e drejtë gjatë skenave përmbyllëse të kësaj toke, përpara ardhjes së dytë të Shpëtimtarit tonë, është një thirrje veçanërisht fisnike. Forca dhe ndikimi i gruas së drejtë sot mund të jetë dhjetëfishi i çfarë mund të ishte në kohët më të qeta” (Teachings: Spencer W. Kimball, f. 217).

Plaku M. Rasëll Ballard

“Motra, sfera juaj e ndikimit është një sferë e pashoqe – një sferë që nuk mund të kopjohet nga burrat. Askush nuk mund ta mbrojë Shpëtimtarin me më shumë bindje apo fuqi nga sa mund ta bëni ju – bijat e Perëndisë, që keni forcë të brendshme dhe bindje të tillë shpirtërore. Fuqia e zërit të një gruaje të kthyer në besim është e pamatshme dhe Kishës i nevojiten zërat tuaja tani më shumë se ndonjëherë” (M. Russell Ballard, “Men and Women and Priesthood Power”, Ensign, shtator. 2014, f. 33).

Kërkojuni femrave në klasën tuaj se çfarë mendimesh e ndjenjash kanë, teksa marrin parasysh ndikimin që ato mund të kenë në shtëpitë e tyre, në Kishë dhe në komunitetet e tyre. Theksoni rolet e shquara që gratë kanë si udhëheqëse në Kishë.

Ju mund t’iu kërkoni vëllezërve në klasën tuaj që të tregojnë se si ata e kanë parë forcën dhe ndikimin e grave në lagjen ose degën e tyre për t’i sjellë individët më pranë Atit Qiellor.

2 Timoteut 1:5; 3:14–15; Alma 56:47–48; 57:21

Roli i caktuar në mënyrë hyjnore i grave si nëna në Sion

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Burrat dhe gratë kanë dhurata të ndryshme, fuqi të ndryshme dhe pikëpamje e prirje të ndryshme. Kjo është një nga arsyet themelore përse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Nevojitet një burrë dhe një grua për të krijuar një familje dhe nevojiten burrat e gratë për ta kryer punën e Zotit” (“Men and Women and Priesthood Power”, f. 32).

  • Përveç ndryshimeve të dukshme fizike, cilat janë disa mënyra se si e keni vërë re që burrat dhe gratë janë në përgjithësi të ndryshëm nga njëri-tjetri?

Shpjegoni se pavarësisht nga këto ndryshime të përgjithshme, burrat dhe gratë gjithashtu kanë role të ndryshme, të caktuara në mënyrë hyjnore, siç përshkruhen te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (shih paragrafin e shtatë). Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Ju motra, u zgjodhët përpara themelimit të botës për të lindur fëmijët e Perëndisë dhe për t’u kujdesur për ta; duke e bërë këtë, ju përlëvdoni Perëndinë (shih DeB 132:63)” (“What Will You Choose?” Ensign, janar 2015, f. 19).

  • Si mund ta përlëvdojnë gratë Perëndinë kur ato lindin fëmijët e Perëndisë dhe kujdesen për ta? (Teksa studentët i japin mendimet e tyre, ndihmojini të kuptojnë këtë parim: Kur gratë e përqafojnë rolin e tyre të caktuar në mënyrë hyjnore si nëna për të lindur fëmijët e Perëndisë dhe për t’u kujdesur për ta, ato e përlëvdojnë Atë dhe bëhen më shumë si Prindërit tanë Hyjnorë. Shpjegoni se sjellja e fëmijëve në botë është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin.)

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Nil L. Andersen

“Shumë zëra në botë sot e zhvleftësojnë rëndësinë e të pasurit fëmijë ose sugjerojnë vonimin ose kufizimin e fëmijëve në familje. Vajzat e mia, kohët e fundit, më treguan një koment në internet shkruar nga një nënë e krishterë (jo e besimit tonë) me pesë fëmijë. Ajo thoshte: ‘[E rritur] në këtë kulturë është shumë e vështirë të kesh një këndvështrim biblik mbi mëmësinë. … Fëmijët renditen shumë më poshtë për nga rëndësia sesa studimi në kolegj. Më poshtë se udhëtimi nëpër botë sigurisht. Më poshtë se mundësia për të dalë natën për të kaluar kohën. … Më poshtë çfarëdo pune që mund të keni apo shpresoni ta fitoni.’ Ajo pastaj shton: ‘Mëmësia nuk është një hobi, ajo është një thirrje’” (“Fëmijët”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 28).

  • Çfarë do të thotë që ta “zhvleftësoj[m]ë” rëndësinë e të pasurit të fëmijëve?

  • Çfarë presionesh keni parë mbi gratë që ta “zhvleftësojnë” rëndësinë e të pasurit të fëmijëve?

  • Çfarë mund të bëjnë të rinjtë në moshë madhore në Kishë për të ruajtur një këndvështrim të duhur mbi rëndësinë e lindjes së fëmijëve?

Sigurojini studentët që vendimet rreth kohës kur të kenë fëmijë dhe sa fëmijë të kenë, janë çështje të brendshme midis një burri e një gruaje dhe Perëndisë. Një mësim i ardhshëm do t’i diskutojë këto çështje me më shumë hollësi.

Ftojini studentët të lexojnë e krahasojnë 2 Timoteut 1:5; 3:14–15 dhe Alma 56:47–48; 57:21, duke kërkuar ndikimin e drejtë që nënat mund të kenë mbi fëmijët e tyre. (Të mësuarit për t’i krahasuar fragmentet e shkrimeve të shenjta është një zotësi e studimit të shkrimit të shenjtë që studentët mund ta përdorin gjatë gjithë jetës së tyre.)

  • Çfarë na mësojnë këto fragmente rreth rolit të një nëne? (Theksoni parimin vijues: Kur nënat ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre, ato i ndihmojnë fëmijët e tyre që të fitojnë besim dhe i përgatitin ata që të jetojnë me drejtësi.)

  • Si ndihmojnë këto fragmente për të shpjeguar përse Satani po punon kaq shumë për ta pakësuar rolin e nënave?

  • Çfarë tiparesh kanë gratë që mund t’i ndihmojnë ato për të qenë të suksesshme në rolet e tyre si nëna?

Jini të ndjeshëm ndaj faktit që disa të reja në klasën tuaj mund të mos martohen kurrë dhe nëse martohen, ato mund të mos jenë në gjendje të lindin fëmijë. Përdorni thënien vijuese nga Motra Sheri L. Dju, një ish-këshilltare në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, për t’i ndihmuar studentët tuaj të kuptojnë se roli i nënës është trashëgimia hyjnore e të gjitha grave:

Sheri L. Dju

“Ashtu sikurse burrat e denjë u shuguruan për të mbajtur priftërinë në vdekshmëri, gratë e drejta u dhuruan në jetën para lindjes me privilegjin e mëmësisë. Mëmësia është më shumë sesa lindja e fëmijëve, edhe pse është sigurisht ajo gjë. Është thelbi i cilave jemi si gra. Ajo përcakton vetë identitetin tonë, gjendjen dhe natyrën tonë hyjnore dhe tiparet e pashoqe që Ati ynë na i dha. …

… Disa grave iu kërkohet të presin për të pasur fëmijë. … Por koha e duhur e Zotit për secilën prej nesh nuk e mohon natyrën tonë. Disa prej nesh, atëherë, thjesht duhet të gjejnë mënyra të tjera për të qenë nëna. Dhe kudo përreth nesh janë ata që kanë nevojë të ndiejnë dashuri dhe të udhëhiqen” (“Are We Not All Mothers?” Ensign, nëntor 2001, f. 96–97).

  • Si ju ndihmon thënia e Motrës Dju për ta zgjeruar kuptueshmërinë tuaj për mëmësinë?

Pyetini studentët nëse ndonjërit prej tyre do t’i pëlqente të thoshte mendimet ose ndjenjat e veta rreth ndikimit të drejtë të vetë nënës së tyre.

Paraqitni thënien vijuese nga Motra Xhuli B. Bek, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, e cila u foli grave rreth nevojës së tyre për t’i përmbushur rolet që ju jepen atyre nga Perëndia. Kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë dhe ftojini studentët të marrin parasysh atë që do të ndodhte nëse gratë dështonin për t’i përmbushur rolet e tyre.

Xhuli B. Bek

© Busath.com

“Nëse nuk e bëjmë pjesën tonë, askush tjetër nuk do ta bëjë atë për ne. … Ne nuk mund t’ia caktojmë dikujt tjetër [pjesën tonë në planin e Atit Qiellor për lumturinë]. Ne nuk mund t’ia kalojmë atë dikujt tjetër. Është e jona. Ne mund të mos e pranojmë atë, ne mund ta mohojmë atë, por është ende pjesa jonë dhe ne jemi të përgjegjshme për të. Do të vijë një ditë kur ne të gjitha do ta kujtojmë atë që e dinim përpara se të lindeshim. Ne do të kujtojmë se luftuam në një konflikt të madh për këtë privilegj. Si e përmbushim këtë përgjegjësi? Ne i vendosim çdo ditë energjitë tona te puna që është posaçërisht e jona për ta bërë” (“Understand the Divine Roles of Women”, Ensign, shkurt 2009, f. 67).

  • Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth frazës “nëse nuk e bëjmë pjesën tonë, askush tjetër nuk do ta bëjë atë për ne”?

  • Çfarë do të humbet nga familja, nga lagjja ose dega juaj, apo nga bota nëse gratë nuk do ta bënin më “pjesën” e tyre?

  • Cilat janë disa mënyra se si të rejat në moshë madhore mund t’i përmbushin rolet e tyre hyjnore si gra në mbretërinë e Atit Qiellor?

Dëshmoni për rolet e shenjta dhe thelbësore të grave për të qenë bashkëshorte e nëna të drejta dhe theksoni se Ati ynë në Qiell një ditë do t’ua japë të gjitha bekimet fëmijëve të Tij të drejtë. Ftojini studentët të marrin parasysh t’i thonë një nëne që njohin, se sa shumë e admirojnë atë për mënyrën se si ajo e ka përmbushur rolin e saj hyjnor.

Mbylleni duke i pyetur studentët nëse ndonjë prej tyre do të donte të jepte dëshminë e vet për bekimet që vijnë kur gratë e dinë se cilat janë në planin e Atit Qiellor për shpëtimin dhe veprojnë sipas asaj diturie.

Materiale Leximi për Studentin