Mësimi 23
Sigurimi për Nevojat Materiale
Hyrje
Perëndia i mirëbeson individët me përgjegjësi për të siguruar për vetë nevojat e tyre materiale dhe për nevojat bazë të familjeve të tyre. Prindërit kanë një detyrë të shenjtë që t’u sigurojnë fëmijëve të tyre nga ana materiale “gjërat e nevojshme për jetën” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se si parimi i mbështetjes te vetja mund të ndihmojë në qëndrueshmërinë e tyre materiale dhe shpirtërore tani dhe në të ardhmen.
Lexim Konteksti
-
M. Russell Ballard, “Becoming Self-Reliant – Spiritually and Physically”, Ensign, mars 2009, f. 50–55.
-
Robert D. Hejls, “Të Bëhemi Kujdestarë të Matur, Materialisht dhe Shpirtërisht”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 7–10.
-
Marvin J. Ashton, “One for the Money”, Ensign, shtator 2007, f. 37–39.
-
Faqja e internetit Provident Living, providentliving.org
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 6:1–3; Lluka 2:51–52
Mbështetja te vetja
Shkruani pyetjen vijuese në tabelë: “Në çfarë mënyrash e përgatiti Jezu Krishti Veten e Tij për shërbesën e Tij të vdekshme?” Ftojini studentët të lexojnë Markun 6:1–3 dhe Llukën 2:51–52, duke kërkuar mënyrat në të cilat Shpëtimtari e përgatiti Veten e Tij në vitet e Tij të hershme për shërbesën e Tij të mëvonshme. Ndërsa studentët përgjigjen, renditni sa vijon në tabelë:
-
Si mund t’ju ndihmojë ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit në pesë aspektet e përcaktuara, për të plotësuar vetë nevojat tuaja dhe ato të familjes suaj të ardhshme?
Lexoni thënien në vijim nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dhe u kërkoni studentëve të dëgjojnë atë që Presidenti Kimball përcakton si përgjegjësi të çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme:
“Kisha dhe anëtarët e saj urdhërohen nga Zoti të mbështeten te vetja dhe të jenë të pavarur. (Shih DeB 78:13–14.)
Përgjegjësia për mirëqenien shoqërore, emocionale, shpirtërore, fizike ose ekonomike të çdo personi bie së pari mbi atë vetë, së dyti mbi familjen e tij dhe së treti mbi Kishën nëse ai është anëtar besnik i saj.
Asnjë shenjtor i vërtetë i ditëve të mëvonshme, ndërsa është i aftë fizikisht ose emocionalisht, nuk do ta kalojë vullnetarisht barrën e vetë mirëqenies së tij apo të familjes së tij te dikush tjetër. Për aq sa mundet, nën frymëzimin e Zotit dhe me vetë punët e tij, ai do t’i sigurojë vetes dhe familjes së tij gjërat e nevojshme shpirtërore dhe materiale të jetës” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 116).
-
Çfarë përgjegjësie tha Presidenti Kimball ka secili prej nesh?
-
Përse është e rëndësishme që të “mbështetemi te vetja dhe të jemi të pavarur”? (Studentët duhet të përcaktojnë sa më poshtë: Kur ne bëhemi të mbështetur te vetja, ne mund t’i sigurojmë vetes dhe familjes sonë gjërat e nevojshme shpirtërore dhe materiale të jetës.)
Ftojini studentët të tregojnë atë që mbështetja te vetja do të thotë për ta. Pastaj paraqitni thënien e mëposhtme nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Mbështetja te vetja është marrja e përgjegjësisë për mirëqenien tonë vetjake shpirtërore e materiale dhe për ata që Ati Qiellor ia ka besuar përkujdesjes sonë. Vetëm kur mbështetemi te vetja, mund ta ndjekim vërtet shembullin e Shpëtimtarit në shërbimin dhe bekimin e të tjerëve.
Është e rëndësishme të kuptojmë se mbështetja te vetja është një mënyrë për të arritur një qëllim. Synimi ynë përfundimtar është që të bëhemi si Shpëtimtari dhe ai synim përmirësohet nga shërbimi ynë vetëmohues ndaj të tjerëve. Aftësia jonë për të shërbyer rritet ose zvogëlohet nga niveli i mbështetjes sonë te vetja” (“A Gospel Vision of Welfare: Faith in Action”, Basic Principles of Welfare and Self-Reliance [broshurë, 2009], f. 1–2).
-
Cili është qëllimi përfundimtar i mbështetjes te vetja?
-
Si zvogëlohet aftësia jonë për t’u shërbyer të tjerëve nëse ne nuk mbështetemi te vetja?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej [parimin e] mbështetjes te vetja, paraqitni thënien vijuese nga Motra Xhuli B. Bek, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës:
“Si bëhemi të mbështetur te vetja? Ne bëhemi të mbështetur te vetja duke marrë mjaftueshëm njohuri, arsimim dhe shkrim e këndim; duke i administruar me mençuri paratë e burimet, duke qenë të fortë shpirtërisht, duke u përgatitur për gjendje kritike e probleme të mundshme; si dhe duke pasur shëndet fizik dhe mirëqenie shoqërore dhe emocionale” (“The Welfare Responsibilities of the Relief Society President”, Basic Principles of Welfare and Self-Reliance, f. 4).
Shkruani fjalët vijuese në krye të tabelës: arsimim, financa, forcë shpirtërore, prodhim dhe ruajtje në shtëpi, shëndet dhe punësim. Udhëzojini studentët që mbështetja te vetja përfshin këto gjashtë aspekte të një jete të drejtpeshuar (shih Providing in the Lord’s Way: Summary of a Leader’s Guide to Welfare [broshurë, 2009], f. 1–2). Gjeni pak kohë si klasë për të diskutuar atë që të rinjtë në moshë madhore beqarë mund të bëjnë për t’u bërë më shumë të mbështetur te vetja në secilin prej këtyre aspekteve, kështu që ata do jenë në gjendje më të mirë për të siguruar për nevojat materiale dhe shpirtërore të familjeve të tyre të ardhshme dhe për të shërbyer në Kishë. Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë. Idetë mund të përfshijnë sa vijon:
-
Arsimi: Merrni një diplomë apo certifikatë nga një universitet apo shkollë profesionale, përmirësoni zakonet e studimit, mësoni aftësi të tjera pune, mësoni të kryeni rregullime bazë në shtëpi dhe të makinave.
-
Financat: Paguani një të dhjetë dhe ofertë të ndershme, mësoni të krijoni një buxhet dhe ta respektoni atë, mësoni vetëdisiplinën, shmangni borxhin e panevojshëm, shlyeni borxhet, kurseni para nga çdo pagë.
-
Forcë shpirtërore: Lutuni, studioni shkrimet e shenjta, agjëroni me një qëllim, frekuentojeni tempullin rregullisht.
-
Prodhimi dhe ruajtja në shtëpi: Mësoni se si t’i mbani dhe ruani ushqimet, mbillni një kopsht (edhe thjesht disa bimë).
-
Shëndeti: Bindjuni Fjalës së Urtësisë; stërvituni rregullisht, hani shëndetshëm, flini gjumë mjaftueshëm; paguani sigurimin shëndetësor.
-
Punësimi: Zhvilloni aftësi të reja pune, ushqeni një etikë të fortë pune, merrni certifikata të mëtejshme.
-
Çfarë keni bërë për ta rritur mbështetjen te vetja në njërin prej këtyre aspekteve? Si i rriti kjo përpjekje ndjenjat tuaja për mbështetjen te vetja dhe respektin për veten? Si e rriti aftësinë tuaj për të siguruar për veten tuaj dhe për të shërbyer më plotësisht në Kishë?
Ftojini studentët të vendosin një synim për t’u përmirësuar në njërin prej këtyre gjashtë aspekteve.
Malakia 3:8–12; Mateu 6:19–21; 1 Timoteut 6:7–10; 2 Nefi 9:51; Jakobi [LiM] 2:13–14, 18–19; Doktrina e Besëlidhje 104:13–18
Administrimi financiar
Kujtojuni studentëve se, nëse ata nuk janë ende përgjegjës, do të jenë një ditë, për të siguruar për veten e tyre dhe ndofta për një familje. Prandaj, ata duhet të mësojnë të jenë të mençur me burimet e tyre materiale.
Caktojini çdo studenti të lexojë disa nga fragmentet vijuese dhe të përcaktojë parimet që lidhen me administrimin e kujdesshëm financiar.
-
Malakia 3:8–12 (t’i bindemi ligjit të së dhjetës dhe ofertave)
-
Mateu 6:19–21 (të shmangim vënien e zemrës sonë mbi zotërimet tokësore)
-
1 Timoteut 6:7–10 (të jemi të kënaqur me atë që kemi – “lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave”)
-
2 Nefi 9:51 (të mos shpenzojmë para ose të mos punojmë për gjëra pa vlerë)
-
Jakobi [LiM] 2:13–14, 18–19 (të kërkojmë pasuri për qëllime të drejta)
-
Doktrina e Besëlidhje 104:13–18 (ta përdorim bollëkun tonë për të ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët)
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që t’i tregojnë klasës atë që gjetën. Sigurohuni që studentët e kuptojnë parimin vijues: Duke vënë në zbatim parime të mençura financiare, individët dhe familjet mund ta rritin qëndrueshmërinë e tyre financiare dhe mund të jenë të përgatitur për t’i ndihmuar të tjerët. (Ju mund të vini në dukje se në shkrimet e shenjta, Zoti shpesh bën një lidhje midis fitimit të pasurive dhe detyrimit për t’i ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët. Për shembull, shih Jakobi [LiM] 2:18–19 dhe DeB 104:18.)
-
Çfarë bekimesh keni përjetuar nga vënia në zbatim e parimeve të mençura financiare në jetën tuaj?
Doktrina e Besëlidhje 104:78
Shmangia e borxhit të panevojshëm
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 104:78. Pastaj paraqitni thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin (1917-2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“Mbani mend këtë: borxhi është një formë skllavërie. Ai është një termit financiar. Kur ne bëjmë blerje me kredi, ata na japin vetëm një iluzion të mirëqenies. Ne mendojmë se i zotërojmë gjërat, por e vërteta është se gjërat tona na zotërojnë ne.
Disa borxhe – të tilla si për një shtëpi të thjeshtë, shpenzimet për arsimim, ndoshta për një makinë të parë që nevojitet – mund të jenë të nevojshme. Por ne kurrë nuk duhet të hyjmë në skllavëri financiare nëpërmjet borxhit të konsumatorit pa i peshuar me kujdes kostot” (“Earthly Debts, Heavenly Debts”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 40–41).
-
Përse borxhi është një formë skllavërie? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini ata të kuptojnë parimin vijues: Shmangia e borxhit të panevojshëm i ndihmon individët dhe familjet të jenë të lirë nga skllavëria financiare.) Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) na mësoi: “Mbështetja te vetja nuk mund të [ekzistojë] kur ka një borxh të madh në vatrën familjare. Një njeri nuk ka as pavarësi as liri nga skllavëria kur ai është i detyruar ndaj të tjerëve” (“To the Boys and to the Men”, Ensign, nëntor 1998, f. 53).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë këshillën e mëposhtme nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Shmangeni filozofinë dhe shfajësimin se lukset e së djeshmes janë bërë nevojat e të sotmes. Ato nuk janë të nevojshme vetëm nëse ne i bëjmë të tilla. Shumë prej çifteve të reja sot duan të fillojnë me shumë makina dhe llojin e shtëpisë që mami dhe babi punuan një jetë të tërë për ta siguruar. Si pasojë, ata hyjnë në borxhe afatgjata mbi bazën e dy rrogave. Ndoshta tepër vonë, ata zbulojnë se ndodhin ndryshime, gratë bëhen me fëmijë, sëmundja i ndjek disa familje, humbasin punët, ndodhin shkatërrime natyrore dhe situata të tjera dhe pagesa e hipotekës nuk mund të bëhet më e bazuar mbi të ardhurat e dy rrogave. Është thelbësore që ne të jetojmë brenda kufijve tanë” (“The Restoration of All Things”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 20).
-
Cilat janë disa pasoja të mundshme për individët dhe familjet që nuk arrijnë të njohin ndryshimin midis dëshirave dhe nevojave?
-
Cilat janë disa mënyra për të bërë dallimin midis dëshirave dhe nevojave?
Nxitini studentët të mendojnë rreth pyetjeve vijuese dhe t’i shkruajnë përgjigjet në ditarët e tyre:
-
Në cilat aspekte të jetës ju mund të bëheni më të mbështetur te vetja?
-
Si mund t’i administroni më mirë burimet tuaja materiale?
Materiale Leximi për Studentin
-
Malakia 3:8–12; Mateu 6:19–21; Marku 6:1–3; Lluka 2:51–52; 1 Timoteut 6:7–10; 2 Nefi 9:51; Jakobi [LiM] 2:17–19; Doktrina e Besëlidhje 56:17; 75:28; 104:13–18, 78.
-
Robert D. Hejls, “Të Bëhemi Kujdestarë të Matur, Materialisht dhe Shpirtërisht”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 7–10.