Seminare dhe Institute
Mësimi 17: Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën


Mësimi 17

Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën

Hyrje

Urdhërimi për t’u shumuar dhe për të mbushur tokën është një pjesë jetike e planit të përjetshëm të Atit Qiellor dhe mbetet i vlefshëm sot. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të shohin se ata mund të udhëhiqen në vendimet e tyre për të sjellë fëmijë në botë ndërsa studiojnë fjalët e profetëve të gjallë dhe e kërkojnë udhëheqjen e Atit Qiellor nëpërmjet lutjes.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Zanafilla 1:27–28; 9:1; 35:11

Urdhërimi për të lindur fëmijë mbetet i vlefshëm

Shkruani në tabelë rreshtat e mëposhtëm nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, përpara orës mësimore:

“Urdhërimi i parë që Perëndia i dha Adamit dhe Evës, ishte rreth potencialit të tyre si burrë e grua për të qenë prindër. Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm.”

Fillojeni orën e mësimit duke pyetur:

  • Cilat janë mendimet tuaja ndërsa ju merrni në shqyrtim këto dy fjali?

Ftojini studentët të studiojnë Zanafillën 1:27–28, Zanafillën 9:1 dhe Zanafillën 35:11, duke kërkuar emrat e individëve të cilët Perëndia i urdhëroi të shumoheshin dhe të mbushnin tokën. Ju mund t’i nxitni studentët t’i bashkojnë këto referenca në shkrimet e tyre të shenjta, duke bërë një zinxhir të shkrimeve të shenjta. Sigurohuni që studentët e kuptojnë se ky urdhërim është dhënë në çdo periudhë ungjillore.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Nil L. Andersen

“Është një privilegj kurorëzues i një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje që janë në gjendje të lindin fëmijë, për të dhënë trupa të vdekshëm për këta fëmijë shpirtra të Perëndisë. Ne besojmë te familjet dhe ne besojmë te fëmijët.

Kur një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje u lind një fëmijë, ata po përmbushin një pjesë të planit të Atit tonë Qiellor për të sjellë fëmijë në tokë” (“Fëmijët”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 28).

Theksoni fjalinë e fundit në këtë thënie duke paraqitur parimin vijues: Kur një bashkëshort dhe një bashkëshorte sjellin një fëmijë në botë, ata po përmbushin një pjesë të planit të Atit Qiellor për lumturinë. Referojuni fjalive në tabelë dhe pyesni:

  • Si mendoni ju, përse Zoti, nëpërmjet profetëve të Tij të sotëm, ka përsëritur urdhërimin për t’u “shum[uar] dhe [për ta] mbush[ur] tokën” në kohën e tanishme? (Si shembull, ju mund t’u thoni studentëve se, që prej vitit 1960, përqindja e lindjeve për nënat e martuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zvogëluar me 45 për qind.)

  • Cilat janë arsyet e mundshme përse ka një prirje që çiftet e martuara të kenë më pak fëmijë? (Përgjigjet mund të përfshijnë gjëra të tilla si mungesën e financave, përfundimin e arsimimit dhe pritjen për të filluar një karrierë.)

  • Në ç’mënyrë të kuptuarit e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij mund ta ndihmojë një bashkëshort dhe bashkëshorte që janë duke vendosur se kur të kenë fëmijë dhe sa të kenë?

Shpjegoni se bashkëshortët dhe bashkëshortet do të marrin bekime nga Perëndia që do t’u mundësojnë atyre ta mbajnë urdhërimin për të lindur fëmijë, madje edhe në rrethana të vështira. Tregoni përvojën vijuese nga jeta e Plakut Xhejms O. Mejson, i Të Shtatëdhjetëve, siç tregohet nga Plaku Nil L. Andersen:

Plaku Nil L. Andersen

“Plaku Mejson pati [një] përvojë vetëm pak javë pas martesës së tij që e ndihmoi për t’u dhënë përparësi përgjegjësive të tij familjare. Ai tha:

‘Unë dhe Maria patëm arsyetuar se, që unë të mbaroja shkollën mjekësore, do të ishte e nevojshme që ajo të vazhdonte punën. Edhe pse kjo nuk ishte ajo që ne [donim] të bënim, fëmijët duhej të vinin më vonë. [Ndërsa po shihja një nga revistat e Kishës në shtëpinë e prindërve të mi] unë pashë një artikull nga Plaku Spenser W. Kimball, atëherë në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, [që theksonte] përgjegjësitë që shoqërojnë martesën. Sipas Plakut Kimball, një përgjegjësi e shenjtë ishte të shumoheshe dhe të mbushje tokën. Shtëpia e prindërve të mi ishte [pranë] Ndërtesës së Administratës së Kishës. Shkova menjëherë te zyrat dhe tridhjetë minuta pas leximit të artikullit të tij, unë u gjenda i ulur në tryezë përballë me Plakun Spenser W. Kimball.’ (Kjo nuk do të ishte kaq e thjeshtë sot.)

‘Unë i shpjegova se doja të bëhesha mjek. Nuk kishte mundësi tjetër përveçse të shtynim pasjen e fëmijëve tanë. Plaku Kimball më dëgjoi me durim dhe pastaj u përgjigj me një zë të butë: “Vëlla Mejson, a do të donte Zoti që ju të thyeni një nga urdhërimet e tij të rëndësishme me qëllim që ju të bëheni mjek? Me ndihmën e Zotit, ju mund të keni familjen tuaj dhe përsëri të bëheni mjek. Ku është besimi juaj?”

Plaku Mejson vazhdoi: ‘Fëmija jonë i parë lindi në më pak se një vit më vonë. Unë dhe Maria punuam shumë dhe Zoti i hapi pragjet e qiellit.’ Familja Mejson u bekua me dy fëmijë të tjerë përpara se ai të diplomohej nga shkolla e mjekësisë katër vjet më vonë” (“Fëmijët”, f. 29).

  • Çfarë ju bën përshtypje nga kjo përvojë?

Theksoni se të qenit i martuar është një pjesë thelbësore e zbatimit të urdhërimit për të lindur fëmijë. Lexoni deklaratën vijuese nga proklamata e familjes:

“Fëmijët kanë të drejtën të linden nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës”.

  • Çfarë epërsie kanë fëmijët kur ata linden “brenda lidhjeve të martesës”?

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni rreth ndihmës së dhënë Atit Qiellor për ta përmbushur planin e tij duke sjellë fëmijë në këtë botë?

1 Nefi 15:11; Doktrina e Besëlidhje 29:6

Kërkimi i udhëheqjes së Zotit

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Nil L. Andersen

Kur të kesh një fëmijë dhe sa fëmijë të kesh, janë vendime vetjake që merren midis një bashkëshorti e bashkëshorteje dhe Zotit. Këto janë vendime të shenjta – vendime që duhet të merren me lutje të sinqertë dhe të veprohet me besim të madh” (“Fëmijët”, f. 28; kursivet të shtuara).

  • Çfarë do të thotë se në këto vendime duhet të “veprohet me besim të madh”?

Kërkojuni studentëve të studiojnë 1 Nefin 15:11 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 29:6 për të mësuar disa parime që bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të përdorin kur janë duke kërkuar përgjigje për pyetjet rreth kohës kur të kenë një fëmijë dhe sa fëmijë të kenë.

  • Çfarë parimesh gjetët në këto fragmente që mund t’i ndihmojë bashkëshortët dhe bashkëshortet të vendosin se kur të kenë fëmijë dhe sa fëmijë të kenë? (Theksoni parimin vijues: Ndërsa bashkëshortët dhe bashkëshortet ushtrojnë besim dhe e kërkojnë Zotin në lutje, Ai do t’i udhëheqë ata në vendimet e tyre rreth lindjes së fëmijëve.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që bashkëshortët dhe bashkëshortet të këshillohen me Zotin për këto çështje?

Paraqitni thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Dallin H. Ouks

“Sa fëmijë duhet të ketë një çift? Aq sa për të cilët mund të kujdesen! Natyrisht, të kujdesesh për fëmijët do të thotë më shumë sesa thjesht t’u japësh jetë. Fëmijët duhen dashur, edukuar, mësuar, ushqyer, veshur, strehuar dhe të kenë një nisje të mirë në aftësitë e tyre që vetë ata të jenë prindër të mirë” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 75).

  • Si mund ta ndihmojnë një çift mësimet e Plakut Ouks për të vendosur sa fëmijë të kenë?

Gjatë këtij mësimi, jini të ndjeshëm ndaj atyre studentëve që mund të mos kenë mundësi të jenë prindër në këtë jetë. Thënia vijuese nga Plaku Nil L Andersen mund të jetë e dobishme:

Plaku Nil L. Andersen

“Lindja e fëmijëve mund … të jetë një temë zemërthyese për çifte të drejtë që martohen dhe zbulojnë se nuk mund t’i kenë fëmijët që ata i prisnin me aq ankth, ose për një bashkëshort dhe një bashkëshorte, që planifikojnë të kenë një familje të madhe, por bekohen me një familje më të vogël.

Ne nuk mund t’i shpjegojmë gjithmonë vështirësitë e vdekshmërisë sonë. Ndonjëherë jeta duket shumë e padrejtë – veçanërisht kur dëshira jonë më e madhe është të bëjmë saktësisht atë që Zoti ka urdhëruar. Si shërbëtor i Zotit unë ju siguroj se ky premtim është i sigurt: ‘Anëtarët besnikë, rrethanat e të cilëve nuk i lejojnë ata të marrin bekimet e martesës së përjetshme dhe të prindërimit në këtë jetë, do t’i marrin të gjitha bekimet e premtuara në përjetësitë, [ndërsa] i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Perëndinë’ [Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.3.3]” (“Fëmijët”, f. 30).

Psalmeve 127:3; Doktrina e Besëlidhje 59:6

Shenjtëria e jetës

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Psalmeve 127:3.

  • Çfarë do të thotë që “bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti”? (Fëmijët janë një dhuratë nga Perëndia.)

Lexoni sa vijon nga proklamata e familjes: “Ne pohojmë shenjtërinë e jetës dhe rëndësinë e saj në planin e përjetshëm të Perëndisë”. Dëshmoni për këtë parim: Kur ne e kuptojmë se fëmijët janë dhurata nga Perëndia, ne e kuptojmë më mirë shenjtërinë e jetës së tyre. Në shumë anë të botës, aborti konsiderohet si i pranueshëm dhe miliona aborte kryhen çdo vit. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rregulloren e Kishës mbi abortin, tregoni thënien vijuese dhe u kërkoni studentëve të dëgjojnë për rrethanat kur një abort mund të justifikohet:

“Jeta njerëzore është një dhuratë e shenjtë nga Perëndia. Aborti me dëshirë për rehati vetjake ose shoqërore është kundër vullnetit dhe urdhërimeve të Perëndisë. … Profetët shenjtorë të ditëve të mëvonshme e kanë dënuar abortin, duke iu referuar deklaratës së Zotit: ‘Mos …vrit, as mos bëj diçka të ngjashme’ (DeB 59:6). Këshilla e tyre mbi këtë çështje është e qartë: Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk duhet t’i nënshtrohen, të kryejnë, nxitin, paguajnë apo organizojnë një abort. Anëtarët e Kishës që e nxitin abortin në çfarëdo mënyre, mund t’u nënshtrohen masave disiplinore të Kishës.

Udhëheqësit e Kishës kanë thënë se disa rrethana të jashtëzakonshme mund ta justifikojnë abortin, të tilla si kur shtatzënësia është pasojë e një incesti apo përdhunimi, kur gjykohet nga autoritete mjekësore kompetente se jeta apo shëndeti i nënës janë në rrezik serioz, ose kur njihet nga autoritete mjekësore kompetente se fetusi ka të meta të rënda që nuk do ta lejonin foshnjën të mbijetonte pas lindjes. Por edhe këto rrethana nuk e justifikojnë abortin automatikisht. Ata që përballen me rrethana të tilla, duhet ta marrin në konsideratë abortin vetëm pasi të jenë këshilluar me udhëheqësit e tyre vendorë të Kishës dhe të kenë marrë miratim nëpërmjet lutjes së zellshme” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Abortion” [“Aborti”], lds.org/topics).

  • Nën çfarë rrethanash të jashtëzakonshme mund të justifikohet një abort?

  • Edhe kur ato rrethana janë të pranishme, çfarë këshille duhet të kërkohet nga ata që po e marrin në konsideratë një abort?

Tregoni thënien vijuese për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se birësimi është një alternativë vetëmohuese përkundrejt kryerjes së një aborti:

“Ne … u shprehim mbështetjen tonë prindërve të pamartuar që i sistemojnë fëmijët e tyre për t’u birësuar në shtëpi të qëndrueshme me një nënë e një atë. Ne gjithashtu shprehim mbështetjen tonë për nënat dhe etërit e martuar që i birësojnë këta fëmijë.

… Pasja e një marrëdhënieje të sigurt, edukuese dhe të qëndrueshme me të dy, një atë dhe një nënë, është thelbësore për mirëqenien e fëmijës. Kur zgjedhin birësimin, prindërit e pamartuar u dhurojnë fëmijëve të tyre këtë bekim kaq shumë të rëndësishëm. Birësimi është një vendim joegoist e i dashur që bekon fëmijën, prindërit biologjikë dhe prindërit birësues në këtë jetë dhe gjatë përjetësive” (Deklaratë e Presidencës së Parë, 4 tetor 2006, siç citohet te Ensign, tetor 2008, f. 37).

Teksa e përfundoni mësimin, tregoni dëshminë tuaj për gëzimin që fëmijët kanë sjellë në jetën tuaj. Nxitini studentët të përgatiten denjësisht për mundësinë e shenjtë të sjelljes së fëmijëve në këtë botë.

Materiale Leximi për Studentin