Seminare dhe Institute
Mësimi 4: Familja dhe Plani i Madh i Lumturisë


Mësimi 4

Familja dhe Plani i Madh i Lumturisë

Hyrje

Me krijimin e Adamit dhe të Evës, familja njerëzore u themelua në tokë. Rënia e Adamit dhe Evës bëri të mundur që fëmijë të silleshin në botë dhe Shlyerja nga ana e vet na mundëson për t’i mposhtur ndikimet negative të Rënies. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë se si Krijimi, Rënia dhe Shlyerja veprojnë së bashku për shpëtimin e familjeve.

Lexim Konteksti

  • M. Russell Ballard, “The Miracle of the Holy Bible”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 84–87.

  • Julie B. Beck, “Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 12–17.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moisiu 1:27–39; Doktrina e Besëlidhje 49:15–17

Moisiu mësoi qëllimin e krijimit të tokës

Sillni një enë të vogël me rërë dhe një gotë me ujë në klasë. Ftojeni një student ta zhytë një gisht në ujë dhe më pas në rërë. Më pas kërkojuni studentëve të përcaktojnë se sa kokrra rëre janë ngjitur në gisht.

  • Sa kokrra rëre mendoni se janë në enën me rërë? Ose në brigjet e deteve?

Kërkojuni studentëve të kthehen te Moisiu 1, që shënon një seri të vegimeve që i pa Moisiu. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 1:27–29 dhe ftojini studentët të kërkojnë atë që Zoti i tregoi Moisiut.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë pa Moisiu në vegim?

  • Çfarë mendimesh mund të kishit pasur po ta kishit përjetuar këtë vegim?

Kërkojuni studentëve të lexojnë Moisiun 1:30 dhe të shenjojnë dy pyetje që Moisiu ia bëri Zotit (përse dhe si u krijuan toka dhe banorët e saj). Ndihmojini studentët që të zhvillojnë aftësitë e tyre të studimit vetjak të shkrimeve të shenjta duke i nxitur ata që të kërkojnë pyetje, si dhe përgjigjet e tyre në shkrimet e shenjta teksa studiojnë.

Ftojini studentët të lexojnë Moisiun 1:31–33 dhe të kërkojnë se si Zoti iu përgjigj dy pyetjeve të Moisiut.

  • Sipas vargut 31, përse e krijoi Perëndia botën?

  • Çfarë doktrine na mësojnë vargjet 32–33 rreth mënyrës se si Ati Qiellor i krijoi botët? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Nën drejtimin e Atit, Jezu Krishti krijoi tokën dhe botët pa numër.)

Ftojini studentët të lexojnë Moisiun 1:36–39 dhe të përcaktojnë dëshirën shtesë të Moisiut dhe përgjigjen e Zotit.

  • Cili ishte qëllimi i Atit Qiellor në krijimin e tokës dhe të banorëve të saj? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Toka u krijua për të ndihmuar që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut. Vini në dukje se pavdekësia është të jetuarit përgjithmonë në një gjendje të ringjallur, ndërkohë që jeta e përjetshme është të jetuarit sikurse jeton Perëndia, që do të thotë të jetuarit përgjithmonë si pjesë e një familjeje të përjetshme.)

  • Si ndihmon krijimi i tokës për ta përmbushur punën dhe lavdinë e Atit Qiellor? (Përdoreni Doktrinën e Besëlidhjet 49:15–17 për të treguar që toka u krijua si një vend banimi për familjet në vdekshmëri.)

Dëshmoni që toka u krijua për të ndihmuar që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Perëndisë. Njësia familjare skicohet që të na ndihmojë të fitojmë jetë të përjetshme, që do të thotë që ne të jetojmë përgjithmonë si pjesë e një familjeje të përjetshme – jetën që Perëndia jeton.

2 Nefi 2:19–25; Moisiu 3:16–17; 5:9–11

Rënia e Adamit dhe Evës është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë

Shpjegoni që Perëndia iu dha Adamit dhe Evës udhëzime të posaçme në Kopshtin e Edenit. Vërini studentët të lexojnë në heshtje Moisiun 3:16–17 dhe më pas pyetini:

  • Çfarë tha Zoti se do t’i ndodhte Adamit dhe Evës nëse e hanin frutën e ndaluar?

Shpjegoni se, kur Adami dhe Eva e hëngrën frutën e ndaluar, ata sollën mbi njerëzimin dy lloje të vdekjes.

Shkruajeni sa vijon në tabelë:

Vdekja shpirtërore = ndarja nga Perëndia

Vdekja fizike = ndarja e shpirtit nga trupi fizik

Ftojini studentët të studiojnë 2 Nefin 2:19–25 dhe të bëjnë një listë të pasojave shtesë të Rënies.

  • Si e aftësoi ngrënia e frutës së ndaluar Adamin, Evën dhe gjithë njerëzimin që të bëheshin më shumë si Ati Qiellor?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Rënia ishte një pjesë thelbësore e planit hyjnor të Atit Qiellor. Pa të asnjë fëmijë në vdekshmëri nuk do t’i ishte lindur Adamit e Evës dhe nuk do të kishte pasur asnjë familje njerëzore që të provonte kundërshtim dhe rritje, liri morale të zgjedhjes dhe gëzimin e ringjalljes, shëlbimit dhe jetës së përjetshme” (“The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, mars 2008, f. 35).

Lexoni me studentët Moisiun 5:9–11. Ndihmojini studentët të shprehin të vërtetat e shënuara në këto vargje duke pyetur:

  • Çfarë të vërtetash mësuan Adami dhe Eva pasi u dëbuan nga Kopshti i Edenit? (Studentët duhet të kuptojnë të vërtetat vijuese: Për shkak të Rënies, Adami dhe Eva mund të lindnin fëmijë dhe pasardhësit e tyre mund të përparonin drejt jetës së përjetshme.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vërini studentët të kërkojnë arsyet përse ne ishim të gëzuar që të vinim në tokë:

Plaku Riçard G. Skot

“Një prej çasteve më gjallëruese të jetës suaj – kur u mbushët me padurim, emocion dhe mirënjohje – ju nuk jeni në gjendje ta kujtoni. Ajo përvojë ndodhi në jetën para lindjes, kur ju u njoftuat se koha juaj më së fundi kishte ardhur që ta linit botën e shpirtrave për të banuar në tokë duke pasur një trup të vdekshëm. Ju e dinit se mund të mësonit nëpërmjet përvojës vetjake mësimet që do të sillnin lumturi në tokë, mësimet që më së fundi do t’ju çonin drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme si një qenie e përlëvduar, çelestiale në praninë e Atit tuaj Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur” (“First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 6).

  • Si i ndikon zgjedhjet që bëni në këtë jetë, kuptueshmëria e qëllimeve të Rënies dhe të vdekshmërisë?

2 Nefi 9:6–12

Shlyerja i mposht pasojat e Rënies

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Janarin që shkoi familja jonë vuajti humbjen tragjike të nipit tonë, Nejthënit, në rrëzimin e një avioni. Nejthëni kishte shërbyer në Misionin rusishtfolës të Baltikut. Ai i donte njerëzit dhe e dinte se ishte një privilegj që t’i shërbente Zotit. Tre muaj pasi unë kreva martesën e tij të përjetshme me të dashurën e tij, Xheniferin, ky aksident ia mori jetën” (“The Atonement and the Value of One Soul”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 84).

Shpjegoni se, për shkak të Rënies së Adamit dhe të Evës, ne të gjithë u nënshtrohemi përvojave fatkeqe dhe tragjike, të tilla si ajo që ndodhi në familjen e Plakut Ballard. Për fat të mirë, Ati Qiellor ka siguruar një mënyrë që të mposhten pasojat e Rënies.

Ftojini studentët të studiojnë 2 Nefin 9:6–12, duke kërkuar mënyrën se si Shlyerja e Jezu Krishtit mund ta ndihmojë secilin prej nesh që të mposhtë vdekjen fizike dhe shpirtërore. Ju mund t’i nxitni studentët të marrin parasysh shenjimin e fjalëve dhe frazave kyçe në shkrimet e tyre të shenjta ndërkohë që lexojnë. Më pas ftojini studentët të ndajnë gjërat që i gjetën.

  • Çfarë doktrine na mësojnë këto vargje rreth marrëdhënies midis Rënies së Adamit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë sa vijon: Shlyerja e Jezu Krishtit siguron mënyrën për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor që të mposhtin si vdekjen fizike ashtu edhe atë shpirtërore. Ju mund t’i nxitni studentët që të vënë re lidhjen e shpeshtë të shkrimeve të shenjta midis Rënies dhe Shlyerjes, teksa i studiojnë shkrimet e tyre të shenjta. Merrni parasysh të lexoni këtë citim: “Një lidhje është një marrëdhënie ose një hallkë midis ideve, njerëzve, gjërave ose ngjarjeve. … Përcaktimi plot lutje, të mësuarit rreth lidhjeve të tilla dhe përsiatja e tyre … prodhojnë ide frymëzuese dhe thesare të diturisë së fshehur” [David A. Bednar, “A Reservoir of Living Water” (mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore të Sistemit Arsimor të Kishës, 4 shkurt 2007), f. 4, lds.org/media-library].)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë sa vijon, që është një vazhdim i thënies nga Plaku M. Rasëll Ballard:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Marrja e Nejthënit kaq papritur nga prania jonë në vdekshmëri e ka kthyer secilën prej zemrave dhe mendjeve tona drejt Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. …

Lindja e çmuar, jeta, Shlyerja në Kopshtin e Gjetsemanit, vuajtja në kryq, varrimi në varrin e Jozefit dhe Ringjallja e lavdishme e Shpëtimtarit, të gjitha u bënë një realitet i ripërtërirë për ne. Ringjallja e Shpëtimtarit na siguron ne të gjithëve që një ditë ne, gjithashtu, do ta ndjekim Atë dhe do të përjetojmë vetë ringjalljen tonë. Çfarë paqeje, çfarë ngushëllimi është kjo dhuratë e mrekullueshme, e cila vjen nëpërmjet hirit të dashur të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit të të gjithë njerëzimit. Për shkak të Tij ne e dimë se mund të jemi me Nejthënin përsëri” (“The Atonement and the Value of One Soul”, f. 84).

  • Si tregon përgjigjja e familjes së Plakut Ballard kundrejt vdekjes së pjesëtarit të familjes së tyre mënyrën se si Shlyerja e Jezu Krishtit mund t’i ndihmojë familjet që të përballen me pasojat gjithëpërfshirëse të Rënies?

  • Çfarë bën të mundur Shlyerja për familjen e Nejthënit dhe për secilën prej familjeve tona në përjetësi?

Lejojini studentët për një çast që të marrin parasysh pyetjen vijuese përpara se t’u kërkoni atyre të përgjigjen:

  • Në çfarë mënyrash e ka ndihmuar Shlyerja e Krishtit familjen tuaj që t’i mposhtë disa prej pasojave të Rënies? (Si pjesë e diskutimit, shpjegoni se vetëm ata që janë bërë të përsosur nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit, do të jenë në gjendje të jetojnë së bashku përjetësisht në martesa dhe familje.)

Mbylleni duke paraqitur këtë thënie nga Motra Xhuli B. Bek, ish-presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe duke e ftuar një student ta lexojë atë:

Xhuli B. Bek

© Busath.com

“Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi një teologji të familjes që bazohet te Krijimi, Rënia dhe Shlyerja. Krijimi i tokës siguroi një vend ku familjet të mund të jetonin. Perëndia krijoi një burrë dhe një grua, të cilët ishin dy gjysma thelbësore të familjes. Ishte pjesë e planit të Atit Qiellor që Adami dhe Eva të vuloseshin dhe të formonin një familje të përjetshme.

Rënia siguroi një mënyrë që familja të rritej. Adami dhe Eva ishin udhëheqës familjeje që zgjodhën të kishin një përvojë në vdekshmëri. Rënia u bëri të mundur atyre që të kishin bij dhe bija.

Shlyerja e lejon familjen të vuloset së bashku në përjetësi. Ajo u lejon familjeve të kenë rritje të përjetshme dhe përsosmëri. Plani i lumturisë, i quajtur gjithashtu edhe plani i shpëtimit, ishte një plan i krijuar për familjet” (“Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 12).

Nxitini studentët që të përsiatin dëshmitë e tyre për Krijimin, Rënien e Shlyerjen dhe çfarë mund të bëjnë ata që ta ftojnë fuqinë e Shlyerjes që të jetë një forcë më e madhe në vetë jetën e tyre dhe në jetën e familjeve të tyre.

Materiale Leximi për Studentin