Mësimi 25
Ushtrimi i Besimit në Rrethana të Vështira Familjare
Hyrje
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” thotë se “paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera [familjare] mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen ose ndryshimin e këtyre roleve. Të afërm të tjerë duhet të ndihmojnë kur është e nevojshme” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Kur krijohen rrethana të vështira, ungjilli i Jezu Krishtit jep perspektivë dhe forcë për të bërë rregullimet e nevojshme.
Lexim Konteksti
-
Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19.
-
“Strengthening the Family: Adapting to Circumstances”, Ensign, dhjetor 2005, f. 34–35.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 16:34–39; 17:1–4
Përshtatja ndaj rrethanave sfiduese familjare
Fillojeni orën e mësimit duke shpjeguar se udhëheqësit e Kishës përgjithësisht na mësojnë se si ta arrijmë dhe ta mbajmë idealen – përfshirë martesën dhe familjen ideale. Megjithatë, në disa raste, rrethanat e jetës na pengojnë që ta arrijmë idealen. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Nëpërmjet ungjillit të rivendosur ne mësojmë se ka një familje ideale. Ajo është familja e përbërë nga një mbajtës i drejtë i Priftërisë Melkizedeke me një bashkëshorte të drejtë të vulosur me të dhe me fëmijët e lindur në besëlidhje ose të vulosur me ta. Me një nënë në shtëpi, në një mjedis dashurie dhe shërbimi, prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre, përmes shembullit dhe parimit, udhët e Zotit dhe të vërtetat e Tij. Ata i përmbushin rolet e caktuara atyre në mënyrë hyjnore të përmendura në proklamatën e familjes. Fëmijët e tyre rriten duke i jetuar mësimet e rrënjosura që nga lindja. Ata zhvillojnë karakteristikat e bindjes, integritetit moral, dashurisë për Perëndinë dhe të besimit në planin e Tij të shenjtë” (“First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 7).
-
Cilat janë disa ngjarje ose rrethana që mund të na pengojnë, të paktën për njëfarë kohe, nga arritja e një situate familjare ideale? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa më poshtë: vdekja, paaftësia, divorci, pamundësia për të pasur fëmijë, humbja e punës dhe prindërit që punojnë në disa punë.)
-
Ftojini studentët të studiojnë paragrafin e shtatë të proklamatës së familjes, duke kërkuar atë që Ati Qiellor pret nga ne të bëjmë nëse situata jonë familjare nuk është ideale:
“Paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen ose ndryshimin e këtyre roleve. Të afërm të tjerë duhet të ndihmojnë kur është e nevojshme” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).
Pastaj lexoni thënien vijuese dhe vërini studentët të kërkojnë llojet e përshtatjeve që familjet mund të duhet të bëjnë kur krijohen sfida:
“Në një botë ideale të gjithë të rriturit do të ishin lumturisht të martuar, të gjitha martesat do të bekoheshin me fëmijë dhe të gjithë pjesëtarët e familjes do të ishin të shëndetshëm, të bindur dhe mbështetës ndaj njëri-tjetrit. Por jeta rrallë është ideale. Çdo individ përjeton fatkeqësi dhe udhëtimi i vdekshëm i asnjë familjeje nuk është vazhdimisht pa shqetësime. …
Sëmundja, paaftësia, vdekja, divorci dhe faktorë të tjerë përçarës mund të krijojnë sfida. Në situata të tilla, ‘përshtatja individuale’ e roleve mund të jetë e nevojshme. Babait mund t’i nevojitet të marrë përgjegjësi shtesë shtëpiake dhe edukative ose një nëne që ka qenë shtëpiake me kohë të plotë, mund t’i duhet të futet në punë. Edhe fëmijëve mund t’u duhet të pranojnë përgjegjësi të reja.
Kur ndodhin ngjarje shqetësuese, të afërm të tjerë gjithashtu mund të ndihmojnë. Mbështetja mund të fillojë nga sigurimi i ndihmës financiare deri te dhënia e kohës për t’u kujdesur për fëmijët, për të ndihmuar për punët e shtëpisë ose përkujdesja për një pjesëtar të sëmurë ose të paaftë të familjes. Shkalla e përfshirjes së të afërmve varet nga situata dhe nevojat e familjes” (“Strengthening the Family: Adapting to Circumstances”, Ensign, dhjetor 2005, f. 34–35).
-
Cilat janë disa përshtatje që familjet ose individët mund të duhet të bëjnë kur krijohen sfida?
-
Cilat janë disa nga gjërat që ju i keni parë familjet ose individët të bëjnë, për t’u përshtatur dhe për të qëndruar të fortë kur hasin rrethana të vështira ose shqetësuese?
-
Kur i keni parë të afërmit e familjes të japin mbështetje dhe ndihmë kur nevojitet?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Merrill J. Beitmen, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për atë që Plaku Beitmen thotë se mund t’i ndihmojë familjet që hasin rrethana të vështira.
“Sprovat dhe vuajtjet marrin shumë forma: vdekjen e një njeriu të dashur, një martesë që është ndryshe nga ajo që pritej, asnjë martesë, një divorc, një fëmijë i lindur me paaftësi, asnjë fëmijë, humbja e punës, prindër që bëjnë gabime, një djalë ose vajzë në udhë të gabuar, shëndet të keq. Lista është e pafundme. Përse Perëndia lejoi që në planin e Tij të kishte zhgënjim, dhembje, vuajtje dhe vdekje? …
Një kuptueshmëri e planit të shpëtimit, e jetës para vdekjes, e jetës në tokë dhe e jetës pas vdekjes siguron këndvështrim” (“Living a Christ-Centered Life”, Ensign, janar 1999, f. 13).
-
Në ç’mënyrë të kuptuarit e planit të Perëndisë i përgatit familjet që t’i përballojnë sfidat? (Shkruani parimin vijues në tabelë: Të kuptuarit e planit të Zotit, i lejon familjet që t’i përballojnë sfidat tokësore me besim të shtuar dhe me një këndvështrim të përjetshëm.)
-
Si mund të na japë kurajë më të madhe këndvështrimi i ungjillit për të bërë përshtatje ose edhe për të marrë përgjegjësi të reja në familjet tona kur është e nevojshme?
Pyetini studentët nëse mund të mendojnë për ndonjë familje në shkrimet e shenjta që hasi sfida dhe mori ndihmë hyjnore për t’i mposhtur apo duruar ato sfida. Kujtojuni studentëve familjen e Lehit dhe atë të Ishmaelit, të cilat udhëtuan përmes shkretëtirës së mjeruar pasi u larguan nga Jerusalemi. Ftojini studentët të mendojnë rreth disa sfidave që mund të kenë hasur këto familje në udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar dhe më pas t’ia tregojnë klasës mendimet e tyre.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 16:34–39 dhe 17:1–4. Kërkojini klasës të dëgjojë për shembuj të mënyrës se si pjesëtarë të ndryshëm të familjes së Lehit dhe të Ishmaelit reaguan ndaj sfidave që hasën.
-
Si mendoni ju, përse disa pjesëtarë të familjes së Lehit dhe të Ishmaelit ishin në gjendje të duronin me besim dhe mirëbesim te Perëndia, ndërsa të tjerët mërmëritën për shkak të vështirësive të tyre?
-
Në çfarë mënyrash e keni parë që njohuria dhe dëshmia për ungjillin i bekon familjet që po përjetojnë sfida?
Ashtu siç nxiteni nga Shpirti dhe nevojat e studentëve tuaj, ju mund të doni të tregoni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Gjatë gjithë jetës suaj në tokë, kërkoni me zell që të përmbushni qëllimet themelore të kësaj jete nëpërmjet familjes ideale. Ndërkohë që ju mund të mos e keni arritur atë ideal, bëni gjithçka që mundeni nëpërmjet bindjes dhe besimit në Zot që t’i afroheni vazhdimisht sa më pranë që të mundeni. Mos lejoni asgjë t’ju devijojë nga ai synim. … Mos bëni asgjë që do t’ju bënte të padenjë për të. Nëse e keni humbur vizionin e martesës së përjetshme, rindizeni atë. Nëse ëndrra juaj kërkon durim, jepjani atë” (“First Things First”, f. 7).
Fjalët e Urta 3:5–6; Mateu 11:28–30; Mosia 24:8–16; Doktrina e Besëlidhje 121:7–8
Kur ne vijmë te Krishti, Ai do të na forcojë
Kujtojuni studentëve për rrëfimin në Librin e Mormonit ku Alma dhe populli i tij u arratisën nga ushtria e mbretit Noe dhe themeluan një qytet të drejtë. Pasi jetuan në rrethana paqësore për njëfarë kohe, Alma dhe populli i tij u zbuluan nga një ushtri lamanite, të cilët i robëruan ata. Ndërsa Alma dhe populli i tij ushtruan besim dhe durim, Zoti i lehtësoi barrët e tyre dhe përfundimisht i çliroi nga robëria.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë Mosian 24:8–16. Vëreni klasën të përfytyrojë mënyrën se si vështirësitë e përmendura në këto vargje mund të kenë pasur ndikim te familja e Almës dhe populli i tij. (Vini re se përfytyrimi është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta që mund t’i bëjë rrëfimet në shkrimet e shenjta më të vërteta e të gjalla për lexuesit.) Kërkojini gjithashtu klasës që të kërkojë atë që bënë Alma dhe populli i tij për t’u bërë ballë vështirësive të tyre.
-
Duke i përfytyruar ngjarjet e këtyre vargjeve, si mendoni ju se u ndikuan familjet nga rrethanat e tyre?
-
Çfarë bëri populli i Almës për të marrë ndihmën e Zotit? (Megjithëse studentët mund të përcaktojnë disa parime të rëndësishme, theksoni sa më poshtë: Kur ne ushtrojmë besim e durim në vuajtjet tona dhe e thërrasim Perëndinë, Ai mund të na forcojë për t’i mbajtur barrët tona me lehtësi më të madhe.)
-
Si mendoni ju se i forcoi Zoti ata që “të mund t[’i] duroni[n] barrat e tyre me lehtësi”?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese, në të cilën Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, flet për rrëfimin e popullit të Almës:
“Çfarë kishte ndryshuar në këtë situatë? Nuk ishte barra që ndryshoi; sfidat dhe vështirësitë e përndjekjes nuk u hoqën menjëherë nga njerëzit. Por Alma dhe pasuesit e tij u forcuan dhe aftësia e forca e tyre e rritur, i bënë barrët që ata mbajtën, më të lehta. Këta njerëz të mirë u fuqizuan nëpërmjet Shlyerjes që të vepronin si vetëveprues dhe të ndikonin në rrethanat e tyre. Dhe në ‘fuqinë e Zotit’, Alma dhe njerëzit i tij më pas u drejtuan të sigurt në tokën e Zarahemlës” (“Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Ensign, prill 2012, f. 16).
-
Përse është e rëndësishme të pranoni se Zoti nuk i heq gjithmonë barrët nga individët dhe familjet, nuk i largon sfidat tona apo nuk na mundëson që të përjetojmë rrethana ideale?
-
Në çfarë mënyrash njohuria jonë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij mund të na fuqizojë të veprojmë me besim kur ne përballemi me rrethana të vështira familjare?
Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, paraqitni thënien e mëposhtme nga Plaku Stiven E. Snou, i Të Shtatëdhjetëve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:
“Shpresa jonë në Shlyerjen na fuqizon me një këndvështrim përjetësie. Një këndvështrim i tillë na lejon që të shohim përtej të këtushmes dhe të tanishmes drejt premtimit të përjetësive” (“Shpresa”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 54).
Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta. Ftojini studentët që t’i studiojnë këto fragmente dhe të përcaktojnë premtimet e bëra ndaj atyre që i durojnë sprovat e tyre besnikërisht:
-
Si mund t’i ndihmojë familjet që po hasin vështirësi, të kujtuarit e këtyre premtimeve?
Teksa përfundoni, ftojini studentët të mendojnë për një rast kur, pavarësisht nga vështirësitë, familjet e tyre u ndien të forcuara nga besimi në Perëndi ose u bekuan për shkak të njohurisë së tyre për ungjillin e Jezu Krishtit. Ftojeni çdo student që ndihet i shtyrë për ta bërë këtë, që të ndajë me klasën përvoja që janë të përshtatshme. Nxitini studentët të shkruajnë në ditarin e tyre vetjak dëshminë e tyre për mënyrën se si Perëndia mund t’i bekojë dhe forcojë familjet.
Materiale Leximi për Studentin
-
Fjalët e Urta 3:5–6; Mateu 11:28–30; 1 Nefi 16:34–39; 17:1–4; Mosia 24:8–16; Doktrina e Besëlidhje 121:7–8.
-
“Strengthening the Family: Adapting to Circumstances”, Ensign, dhjetor 2005, f. 34–35.