Mësimi 20
Forcimi i Besimit dhe i Dëshmisë
Hyrje
Familjet dhe individët kanë një detyrë të shenjtë që të zhvillojnë besim te Jezu Krishti dhe të mbajnë dëshmi të forta. Shpëtimtari paralajmëroi se në ditët e fundit, madje “edhe të zgjedhurit” mund të mashtrohen (Joseph Smith – Mateu 1:22). Ky mësim përqendrohet te forcimi i dëshmisë për ta mbrojtur kundër forcave të kundërshtarit, të cilat kërkojnë ta shkatërrojnë besimin.
Lexim Konteksti
-
Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 21–24.
-
Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93–95.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 14:26–27; Efesianëve 4:11–14; 1 Nefi 15:23–24; 2 Nefi 31:19–20; Alma 5:45–46; Helamani 3:28–30; Doktrina e Besëlidhje 11:13–14; 21:4–6
Dëshmitë e forta sigurojnë mbrojtje ndaj kundërshtarit
Shpjegoni se Plaku Jozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, një herë foli për tufat e ujqërve që endeshin fshatrave në Ukrainë shumë vite më parë. E vetmja gjë që i frikësonte ata, ishte zjarri. Kur udhëtonin larg qyteteve, njerëzit duhej të ndiznin zjarre të mëdhenj bubulakë dhe i linin të digjeshin gjatë gjithë natës për të zmbrapsur ujqërit.
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese:
“Udhëtarët e kuptuan se ndezja dhe mbajtja e një zjarri gjëmues bubulak nuk ishte thjesht një çështje volie apo rehatie; ishte një çështje mbijetese. …
Neve nuk na duhet ta mbrojmë veten tonë nga tufat e ujqërve teksa udhëtojmë në shtegun e jetës, por, në një kuptim shpirtëror ne i hasim ujqërit dinakë të Satanit në formën e tundimit, të së ligës dhe mëkatit. Ne jetojmë në kohë të rrezikshme kur këta ujqër grabitqarë enden në fshatra shpirtërorë, në kërkim të atyre që mund të jenë të dobët në besim ose të pafuqishëm në bindjen e tyre. … Të gjithë ne jemi të cenueshëm ndaj sulmit. Megjithatë, ne mund ta fuqizojmë veten tonë me mbrojtjen që na sigurohet nga një dëshmi përvëluese që, ashtu si zjarri bubulak, është ndezur siç duhet dhe ruhet me kujdes” (“Spiritual Bonfires of Testimony”, Ensign, nëntor 1992, f. 34).
-
Përse mbajtja e një dëshmie të fortë është “një çështje mbijetese” në botën e sotme? (Pas diskutimit, shkruani sa më poshtë në tabelë: Kur ne e fuqizojmë dëshminë tonë, ne bëhemi më pak të cenueshëm ndaj sulmeve mbi besimin tonë.)
-
Në ç’mënyrë të pasurit e një dëshmie të fortë ju ndihmon t’i forconi pjesëtarët e familjes dhe të tjerët kundër sulmeve ndaj besimit të tyre?
Paraqitni ose vizatoni tabelën vijuese në dërrasë. Mos i përfshini parimet me germa të zeza në kllapa; këto parime jepen për përfitimin e mësuesit. Kërkojuni studentëve të lexojnë vargjet në një nga kolonat, duke kërkuar parimet që ndihmojnë për të na mbrojtur kundër forcave që e dobësojnë besimin. Ftojini studentët ta përmbledhin atë që lexojnë në një thënie të qartë doktrine apo parimi dhe pastaj t’i tregojnë thëniet e tyre.
(Kur ne mbajmë besim të qëndrueshëm te Jezu Krishti, ne mund të shkojmë përpara në shtegun e ngushtë e të ngushtuar që çon drejt jetës së përjetshme.) |
(Kur ne i ndjekim apostujt e Zotit, profetët dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës, ne mund të mbrohemi nga mashtrimi.) |
(Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Zoti mund të na dërgojë paqe dhe udhëheqje kur besimi ynë sulmohet.) |
(Agjërimi, lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta e forcojnë besimin e dëshminë dhe na mundësojnë t’u bëjmë ballë sfidave.) |
-
Si ju kanë forcuar këto parime juve apo dikë që ju njihni, kundër sulmeve ndaj besimit?
-
Si mund ta përdorni këtë informacion për të forcuar dikë që ju njihni, i/e cili/a po has vështirësi me besimin e tij ose të saj?
Kujtojuni studentëve për sa vijon: “Besimi është një dhuratë nga Perëndia, i dhuruar si një shpërblim për drejtësinë vetjake. Ai jepet gjithmonë kur drejtësia është e pranishme dhe sa më e madhe të jetë masa e bindjes ndaj ligjeve të Perëndisë, aq më i madh do të jetë dhurimi i besimit” (Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. 2-të [1966], f. 264). Dëshmoni se të pasurit besim te Jezu Krishti, ndjekja e profetëve, të kërkuarit e Shpirtit dhe studimi i shkrimeve të shenjta do t’i ruajnë dhe forcojnë dëshmitë. Kur ne nuk arrijmë t’i bëjmë këto gjëra, besimi mund të dobësohet dhe dëshmitë të humbasin.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për ta ilustruar këtë pikë:
“Njëri nga misionarët e mi të mirë që shërbeu me mua kur isha president i misionit në Toronto, erdhi të më shihte disa vite më vonë. E pyeta, ‘Elder [Plak], si mund t’ju ndihmoj?’
‘President’, tha ai, ‘mendoj se po humbas dëshminë.’
Nuk mund ta besoja. E pyeta se si ishte e mundur.
‘Për herë të parë kam lexuar literaturë antimormone’, tha ai. ‘Kam disa pyetje dhe askush nuk më jep përgjigje. Jam i pështjelluar dhe mendoj se po humbas dëshminë time.’
E pyeta se cilat ishin pyetjet e tij dhe ai m’i tregoi. Ato ishin çështjet standarde antimormone, por doja pak kohë që të mblidhja materiale në mënyrë që të mund të jepja përgjigje kuptimplote. Kështu që caktova një takim pas 10 ditësh, kohë në të cilën i thashë atij se do t’i përgjigjesha çdo pyetjeje të tijën. Kur filloi të largohej, e ndalova.
‘Elder [Plak], ti më ke bërë disa pyetje sot’, i thashë. ‘Tani kam unë një pyetje për ty.’
‘Po, President?’
‘Sa kohë u bë qëkur ke lexuar nga Libri i Mormonit?’ e pyeta unë.
Ai i uli sytë poshtë. Ai pa nga dyshemeja për disa çaste. Pastaj pa nga unë. ‘Ka kaluar një kohë e gjatë, President’, rrëfeu ai.
‘Dakord’, thashë unë. ‘Ti më ke dhënë një detyrë. Do të ishte e drejtë që edhe unë të të jepja një detyrë. Dua të më premtosh se do ta lexosh Librin e Mormonit për të paktën një orë çdo ditë duke filluar nga tani e deri në takimin tonë të ardhshëm. Ai ra dakord se do ta bënte këtë.
Dhjetë ditë më vonë ai u kthye në zyrën time dhe unë isha gati. I nxora fletët e mia që të filloja t’i përgjigjesha pyetjeve të tij, por ai më ndaloi.
‘President’, tha ai, ‘kjo nuk do të jetë e nevojshme.’ Pastaj ai shpjegoi: ‘Unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë! Unë e di se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë.’
‘Epo, kjo është mrekullueshme’, thashë unë. ‘Por sido që të jetë, ti do t’i marrësh përgjigjet për pyetjet e tua. Kam punuar shumë për këtë gjë, prandaj thjesht ulu atje dhe më dëgjo.’
Dhe kështu iu përgjigja të gjitha pyetjeve të tij dhe pastaj e pyeta: ‘Elder [Plak], çfarë ke mësuar nga kjo?’
Dhe ai tha: ‘Jepi Zotit kohë të barabartë’.
Le ta skalitim atë mendim në mendjen tonë dhe ta mbajmë me vete ndërsa ecim përmes këtij procesi në vdekshmëri. Le t’i japim Zotit kohë të barabartë” (“When Shall These Things Be?” Ensign, dhjetor 1996, f. 60).
-
Çfarë mësuat nga përvoja që tregoi Plaku Ballard?
-
Në ç’mënyrë dhënia e “kohë[s s]ë barabartë” ndaj Zotit në jetën tuaj vetjake dhe familjare mund t’ju forcojë juve dhe familjen tuaj kundër Satanit?
-
Në ç’mënyrë ushtrimi i këtyre parimeve tani do t’ju përgatitë të jeni një bashkëshort/e dhe prind më i mirë?
Përfundojeni këtë pjesë të mësimit duke i kërkuar një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Kur ne lutemi vazhdimisht në mëngjes dhe natën, kur i studiojmë shkrimet tona të shenjta çdo ditë, kemi mbrëmje familjare të përjavshme dhe e frekuentojmë tempullin rregullisht, ne po i përgjigjemi në mënyrë aktive ftesës së [Jezu Krishtit] për të ‘ardhur tek Ai’. Sa më shumë që i zhvillojmë këto zakone, aq më në ankth është Satani për të na dëmtuar, por aq më e paktë është aftësia e tij për ta bërë këtë. Nëpërmjet përdorimit të këtyre mjeteve, ne ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për t’i pranuar dhuratat e plota të flijimit të Tij shlyes.
… Unë dëshmoj se, kur vijmë në mënyrë aktive tek Ai, ne mund të durojmë çdo tundim, çdo lëndim, çdo sfidë që hasim” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 94–95).
Pyetini studentët nëse ndonjëri/a prej tyre mund të tregojë një përvojë që nuk është shumë vetjake, ku ai ose ajo mposhti sfida për besimin e tij apo të saj.
Lluka 22:31–32; 3 Nefi 18:32; Doktrina e Besëlidhje 108:7–8
Fuqizimi i besimit të të tjerëve
Kërkojuni studentëve ta ngrenë dorën nëse njohin dikë që po lufton për ta ruajtur dëshminë e tij apo të saj.
Kërkojuni studentëve të studiojnë dhe krahasojnë Llukën 22:31–32; 3 Nefin 18:32; dhe Doktrinën e Besëlidhjet 108:7–8 për të mësuar detyrën që kemi ne si anëtarë besnikë të Kishës, veçanërisht përkundrejt pjesëtarëve të familjes. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan. Studentët duhet të kuptojnë parimin vijues: Kur ne kthehemi në besim te ungjilli i Jezu Krishtit, ne kemi për detyrë ta forcojmë besimin e të tjerëve.
Ndani thënien e mëposhtme nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Kam gjetur se dy arsye thelbësore janë kryesisht përgjegjëse për një kthim në aktivitet dhe për ndryshime të sjelljeve, zakoneve dhe veprimeve. Së pari, individët kthehen ngaqë dikush u ka treguar atyre mundësitë e tyre të përjetshme dhe i ka ndihmuar të vendosin që t’i arrijnë ato. Anëtarët më pak aktivë nuk mund të mbeten për shumë kohë të kënaqur me mediokritetin kur shohin se përsosmëria është brenda mundësive të tyre.
Së dyti, të tjerët kthehen ngaqë njerëz të dashur ose ‘bashkëqytetarë të shenjtorëve’ [Efesianëve 2:19] e kanë ndjekur këshillën e Shpëtimtarit, i kanë dashur fqinjët e tyre porsi vetveten dhe i kanë ndihmuar të tjerët t’i çojnë ëndrrat e tyre drejt përmbushjes dhe ambiciet e tyre drejt realizimit.
Katalizatori në këtë proces ka qenë – dhe do të vazhdojë të jetë – parimi i dashurisë” (“Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar”, Liahona, tetor 2013, f. 5).
-
Përse mendoni se dashuria është një katalizator kaq i rëndësishëm në forcimin e besimit të të tjerëve?
-
Çfarë keni bërë ju ose dikush që ju njihni, për ta forcuar besimin e dikujt që po luftonte shpirtërisht?
-
Çfarë hapash mund të merrni për të qenë më të efektshëm në fuqizimin e besimit të të tjerëve?
Përfundoni duke mbajtur dëshminë tuaj se studentët mund të ndihmojnë në rivendosjen dhe forcimin e besimit të miqve dhe familjes së tyre, ndërsa ata tregojnë dashuri dhe ndjekin parimet e diskutuara në këtë mësim.
Materiale Leximi për Studentin
-
Lluka 22:31–32; Gjoni 14:26–27; Efesianëve 4:11–14; 1 Nefi 15:23–24; 2 Nefi 31:19–20; Alma 5:45–46; Helamani 3:28–30; 3 Nefi 18:32; Doktrina e Besëlidhje 11:13–14; 21:4–6; 108:7–8.
-
Xhefri R. Holland, “Zot, Unë Besoj”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93–95.