Seminare dhe Institute
Mësimi 8: Gjinia dhe Identiteti i Përjetshëm


Mësimi 8

Gjinia dhe Identiteti i Përjetshëm

Hyrje

Gjinia jonë u vendos përpara se të lindeshim në vdekshmëri dhe është një tipar thelbësor i identitetit tonë të përjetshëm. Udhëheqësit e Kishës bëjnë dallimin midis tërheqjes fizike ndaj të njëjtit seks, që nuk është mëkatare, dhe sjelljes homoseksuale, që konsiderohet mëkatare ngaqë është në kundërshtim me planin e Atit Qiellor për ekzaltimin tonë. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë bazat profetike për këtë dallim dhe gjithashtu të dallojnë se të gjithë fëmijët e Perëndisë duhen në mënyrë të barabartë dhe meritojnë të trajtohen me dashuri e mirësjellje.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 76:24; Moisiu 2:27; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”

Gjinia është pjesë thelbësore e identitetit tonë të përjetshëm

Kërkojuni tre studentëve të lexojnë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:24; Moisiun 2:27; dhe paragrafin e dytë të proklamatës “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Ftojeni klasën të marrë parasysh se çfarë na mësojnë ose çfarë nënkuptojnë këto burime rreth gjinisë.

  • Si do ta përmblidhnit atë që këto burime na mësojnë rreth identitetit tonë të përjetshëm? (Studentët duhet të përcaktojnë sa vijon: Gjinia jonë është një tipar thelbësor i identitetit dhe qëllimit tonë të përjetshëm.)

  • Përse është e dobishme që të kuptojmë se gjinia jonë ekzistonte kohë përpara se të vinim në tokë? (Teksa studentët përgjigjen, ju mund të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith [1876–1972]: “Te Zanafilla ne lexojmë: … ‘Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën’. [Zanafilla 1:27; kursivet të shtuara.] A nuk është e mundshme të besojmë se shpirtrat femërorë u krijuan sipas shëmbëlltyrës së një ‘Nëne në Qiell’?” [Answers to Gospel Questions, përmb. nga Jozef Filding Smith i Riu, 5 vëll. (1957–1966), 3:144].)

  • Si na ndihmon kuptueshmëria e natyrës së përjetshme të gjinisë që të jetojmë në harmoni me planin e Atit Qiellor për lumturinë, edhe kur shoqëria nganjëherë pranon standarde shumë të ndryshme të sjelljes?

Për të ndihmuar në diskutimin e pyetjes së mësipërme, lexoni thëniet vijuese doktrinore nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Merrni parasysh leximin e secilit paragraf veç e veç dhe diskutimin e asaj që na mëson rreth mënyrës se si sjellja homoseksuale është në kundërshtim me planin e Atit Qiellor për ekzaltimin e fëmijëve të Tij.

Plaku Dallin H. Ouks

“Qëllimi i jetës në vdekshmëri dhe misioni i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është t’i përgatitin bijtë dhe bijat e Perëndisë për vendmbërritjen e tyre – që të bëhemi si prindërit tanë qiellorë.

Vendmbërritja jonë e përjetshme – ekzaltimi në mbretërinë çelestiale – bëhet e mundshme vetëm nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit (nëpërmjet së cilës ne bëhemi dhe mund të mbetemi ‘të pafajshëm përpara Perëndisë’ [DeB 93:38]) dhe është vetëm në dispozicion të një burri dhe një gruaje të cilët kanë hyrë në besëlidhjet e një martese të përjetshme në një tempull të Perëndisë dhe kanë qenë besnikë ndaj besëlidhjeve (shih DeB 131:1–4132). …

Ngaqë Satani dëshiron që ‘të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë’ (2 Nefi 2:27), përpjekjet e tij më energjike drejtohen te nxitja e atyre zgjedhjeve dhe veprimeve që do ta pengojnë planin e Perëndisë për fëmijët e tij. Ai përpiqet ta zhvleftësojë parimin e përgjegjshmërisë individuale, të na nxitë që t’i keqpërdorim fuqitë tona të shenjta të krijimit të jetës, të shkurajojë martesën dhe lindjen e fëmijëve nga burra e gra të denja dhe të pështjellojë se çfarë do të thotë të jesh një mashkull ose një femër” (“Same-Gender Attraction”, Ensign, tetor 1995, f. 7–8).

Doktrina e Besëlidhje 59:6

Kisha bën dallim midis tërheqjes fizike ndaj së njëjtit seks dhe sjelljes homoseksuale

Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët ta studiojnë thënien, duke kërkuar parimet që Plaku Holland na mëson rreth atyre që tërhiqen fizikisht ndaj njerëzve të të njëjtit seks dhe mënyrës se si t’u përgjigjemi atyre me dashuri.

Plaku Xhefri R. Holland

“Një i ri i këndshëm rreth 20 vjeç u ul përballë meje. Ai kishte një buzëqeshje të hirshme, edhe pse nuk buzëqeshi shpesh gjatë bisedës sonë. Çfarë më tërhoqi mua ishte dhimbja në sytë e tij.

‘Nuk e di nëse duhet të mbetem anëtar i Kishës’, tha ai. ‘Nuk mendoj se jam i denjë.’

‘Përse nuk do të ishe i denjë?’ e pyeta.

‘Unë jam gej.’

Hamendësoj që ai mendoi se unë do të befasohesha. Nuk u befasova. ‘Dhe … ?’ pyeta unë.

Një shkëndijëz lehtësimi kaloi përmes fytyrës së tij teksa e ndjeu interesimin tim të vazhdueshëm. ‘Nuk më tërheqin fizikisht femrat. Më tërheqin meshkujt. Jam përpjekur të mos i përfill këto ndjenja ose t’i ndryshoj ato, por …’

Ai psherëtiu. ‘Përse të jem në këtë mënyrë? Ndjenjat janë shumë reale.’

Heshta, më pas thashë: ‘Më nevojitet pak më shumë informacion përpara se të të këshilloj. Pra, tërheqja fizike ndaj të njëjtit seks nuk është mëkat, por veprimi sipas atyre ndjenjave është – po ashtu siç do të ishte me ndjenjat heteroseksuale. A e shkel ligjin e dëlirësisë?’

Ai tundi kokën. ‘Jo, nuk e shkel.’

Këtë herë u lehtësova. ‘Faleminderit që dëshiron të diskutosh për këtë çështje’, thashë unë. ‘Kërkohet kurajë të flasësh rreth kësaj dhe unë kam nderim për ty që po e mban veten të dëlirë.

Përsa i përket arsyes përse ndihesh në këtë mënyrë, unë nuk mund t’i përgjigjem asaj pyetjeje. Mund të përfshihen një numër faktorësh dhe ata mund të jenë po aq të ndryshëm sa janë të ndryshëm njerëzit. Disa gjëra, përfshirë shkakun e ndjenjave të tua, ne mund të mos i dimë kurrë në këtë jetë. Por të dish përse ndihesh në mënyrën që ndihesh, nuk është aq e rëndësishme sa është të dish se nuk ke bërë shkelje. Nëse jeta jote është në harmoni me urdhërimet, atëherë ti je i denjë për të shërbyer në Kishë, për të gëzuar shoqërimin e plotë me anëtarët, për ta frekuentuar tempullin dhe për t’i marrë të gjitha bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit.’

Ai qëndroi paksa më drejt. Unë vazhdova: ‘Ti nuk i bën ndonjë shërbim vetvetes kur e përcakton veten tënde kryesisht me anë të ndjenjave të tua seksuale. Ai nuk është tipari yt i vetëm, prandaj mos i kushto vëmendje të tepruar. Ti je para së gjithash një bir i Perëndisë dhe Ai të do ty’” (“Helping Those Who Struggle with Same-Gender Attraction”, Ensign, tetor 2007, f. 42).

  • Cilat parime i përcaktuat në këshillën e Plakut Holland?

Shkruajini në tabelë parimet e theksuara vijuese, ndërkohë që studentët i thonë, dhe diskutojini ato me ndjeshmëri:

  • Ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë kur përqendrohemi tek identiteti ynë si bijtë dhe bijat e Tij.

  • Tërheqja fizike ndaj njerëzve të të njëjtit seks nuk është një shkelje e ligjit të dëlirësisë, por të vepruarit sipas asaj tërheqjeje është. Merrni parasysh të lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 59:6: “Mos bëj shkelje kurore, … as mos bëj diçka të ngjashme”, duke vënë në dukje se shprehja “diçka të ngjashme” i drejtohet çfarëdo intimiteti seksual jashtë lidhjeve të martesës. Sjellja homoseksuale është mëkat, po ashtu si marrëdhëniet heteroseksuale jashtë martesës janë mëkatare. Kushdo që merr pjesë në ndonjë lloj mëkati seksual, mund të falet nëpërmjet pendimit.

  • Pavarësisht nga arsyet përse disa njerëz tërhiqen fizikisht drejt njerëzve të të njëjtit seks, të gjithë njerëzit mund të zgjedhin që të jetojnë në harmoni me urdhërimet e Perëndisë. Theksoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ka kaq shumë që ne nuk e kuptojmë rreth kësaj çështjeje, saqë ne do të bënim mirë të qëndronim pranë asaj që e dimë nga fjala e zbuluar prej Perëndisë. Ajo që vërtet e dimë është se doktrina e Kishës, që veprimtaria seksuale duhet të ndodhë vetëm midis një burri dhe një gruaje të cilët janë të martuar, nuk ka ndryshuar dhe nuk po ndryshon” (“What Needs to Change”, mormonsandgays.org).

  • Kur jetojmë në harmoni me urdhërimet e Perëndisë, ne mund të gëzojmë të gjitha privilegjet e anëtarësisë së Kishës dhe bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Edhe pse individët mund të mos zgjedhin që të tërhiqen fizikisht nga njerëz të të njëjtit seks, ata mund të zgjedhin se si të përgjigjen ndaj asaj tërheqjeje.

Pasi t’i renditni këto parime në tabelë, pyesni:

  • Në cilat mënyra mund t’iu sigurojnë shpresë këto parime atyre që përjetojnë tërheqje fizike ndaj të njëjtit seks?

  • Çfarë parimesh të tjera mësojmë nga thëniet e Plakut Holland?

Mateu 7:12; Gjoni 8:1–11; 15:12

Ne duhet t’i trajtojmë të tjerët me dashuri dhe respekt

(Shënim: Teksa e jepni këtë pjesë të mësimit, sigurohuni të theksoni se ata që tërhiqen fizikisht nga njerëz të të njëjtit seks pa vepruar sipas asaj tërheqjeje, nuk janë mëkatarë sikurse gruaja e kapur duke shkelur kurorën. Megjithatë, veprimet e Krishtit kundrejt gruas janë një shembull i mënyrës se si ne duhet t’i trajtojmë të gjithë njerëzit – pavarësisht nëse ata po marrin pjesë ose jo në sjellje të pamoralshme.)

U thoni studentëve se Apostulli Gjon shënoi një rast kur Shpëtimtari u përball me një situatë shumë delikate. Jepuni studentëve disa çaste që të studiojnë Gjonin 8:1–11, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari e trajtoi gruan e kapur duke shkelur kurorën. Ndihmojini studentët ta përngjasojnë këtë tregim me vetë sjelljet dhe veprimet e tyre kundrejt njerëzve që përfshihen në sjellje homoseksuale ose sjellje të tjera të pamoralshme duke bërë pyetjet vijuese:

  • Çfarë na mësojnë veprimet e Shpëtimtarit rreth mënyrës se si ne duhet t’i trajtojmë të tjerët? (Edhe pse Ai nuk e miratoi mëkatin e gruas, Ai e trajtoi gruan me mirësi e respekt, jo me egërsi.)

  • Si mund ta vëmë në jetë shembullin e Shpëtimtarit në vetë sjelljet dhe veprimet tona kundrejt vëllezërve e motrave tona homoseksualë, pavarësisht nëse ata kanë marrë pjesë ose jo në sjellje të pamoralshme? Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit kur kemi dashamirësi për të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe i trajtojmë ata me ndjeshmëri e mirësi. (Shih edhe Mateu 7:12; Gjoni 15:12.)

Merrni parasysh të shfaqni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe t’i kërkoni një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Dallin H. Ouks

“Zoti në mënyrë të dukshme nuk e shfajësoi mëkatin e gruas. Thjesht i tha asaj se Ai nuk e mallkoi gruan – që do të thotë, Ai nuk i dha asaj gjykimin përfundimtar në atë kohë. Ky interpretim vërtetohet nga ajo që Ai më pas u tha farisenjve: ‘Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri’ (Gjoni 8:15). Gruas së kapur duke shkelur kurorën iu dha kohë që të pendohej, kohë që do t’i ishte mohuar nga ata që donin ta vrisnin atë me gurë” (“‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 8).

Studentët mund të përfitojnë nga mësimi që, sipas Përkthimit prej Jozef Smithit të Gjonit 8:11, pas ndërveprimit të saj me Shpëtimtarin “gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë dhe besoi në emrin e tij” (te Gjoni 8:11, shënimi c në fund të faqes [shih Biblën në anglisht]).

Shfaqni thënien vijuese nga Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Kuentin L. Kuk

“Si një kishë, askush nuk duhet të ketë më shumë dashuri dhe dhembshuri. Qofshim në pararojë përsa i përket shprehjes së dashurisë, dhembshurisë dhe përfshirjes. Mos i paçim familjet që t’i përjashtojnë apo të mos kenë respekt ndaj atyre që zgjedhin një lloj të ndryshëm jete si rrjedhojë e ndjenjave të tyre rreth vetë gjinisë së tyre” (“Love One Another: A Discussion on Same-Sex Attraction”, mormonsandgays.org).

Ftojini studentët të vlerësojnë vetë sjelljet dhe veprimet e tyre kundrejt njerëzve që tërhiqen fizikisht ndaj njerëzve të të njëjtit seks. A janë ato sjellje dhe veprime në përputhje me mësimet dhe shembullin e Zotit?

  • Çfarë do të bënit nëse ishit në një grup ku thënie poshtëruese po bëheshin rreth njerëzve që përjetojnë tërheqje fizike ndaj të njëjtit seks?

Dëshmoni se, në qoftë se do të tregojmë dashuri dhe mirësi më të madhe kundrejt vëllezërve dhe motrave tona homoseksuale, jetët mund të ndryshohen, familjet mund të shërohen dhe njerëzit që ndihen të tëhuajtur nga Kisha, mund të ndihen më të mirëpritur nga anëtarët e Kishës. Kujtojini studentët se bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit janë në dispozicion të cilitdo që përpiqet t’i zbatojë urdhërimet dhe të mbetet i vërtetë ndaj besëlidhjeve të ungjillit.

Ftojini studentët të mendojnë për individë që i njohin, të cilët tërhiqen fizikisht nga njerëz të të njëjtit seks dhe të përsiatin se çfarë do të bëjnë që të jenë më të dhembshur ndaj tyre, ndërkohë që qëndrojnë të vërtetë ndaj ligjit të Zotit për dëlirësinë.

Leximet e Studentëve