Seminare dhe Institute
Mësimi 27: Paralajmërimet Profetike Lidhur me Familjen


Mësimi 27

Paralajmërimet Profetike Lidhur me Familjen

Hyrje

Profetët e sotëm kanë paralajmëruar se “shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Ky mësim thekson se familjet do të mbrohen nëse iu binden urdhrave të Zotit. Premtohet fuqi shpirtërore për t’i ndihmuar prindërit e drejtë që t’i rritin fëmijët e tyre në ditët e fundit.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Timoteut 3:1–7, 13

Do të ketë pasoja kur familja shpërfillet

Ftojini disa studentë të tregojnë shembuj të situatave ose vendeve në të cilat dikush do të priste të shihte paralajmërime të shkruara (shembujt mund të përfshijnë shenjat e trafikut, shishet mjekësore ose mbajtëset e materialeve të rrezikshme.)

  • Cilat janë disa nga pasojat e mundshme të shpërfilljes së këtyre paralajmërimeve?

  • Cilat janë disa nga paralajmërimet që kanë dhënë profetët rreth rreziqeve tokësore dhe shpirtërore që ekzistojnë në kohën tonë?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Timoteut 3:1–7 dhe 13 ndërsa klasa kërkon rreziqet që Apostulli Pal paralajmëroi se do të ekzistonin në ditët e fundit.

  • Cilat nga rreziqet që përshkroi Pali, keni parë apo për cilat keni dëgjuar?

  • Çfarë ndikimi mund të kenë këto rreziqe tek individët, martesat dhe familjet?

Kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni klasën të dëgjojë arsyet përse Satani është kaq i përqendruar në shkatërrimin e familjeve.

Plaku Robert D. Hejls

“Për shkak të rëndësisë së familjes në planin e përjetshëm të lumturisë, Satani bën një përpjekje madhore për ta shkatërruar shenjtërinë e familjes, për ta zvogëluar rëndësinë e rolit të burrave dhe grave, për të nxitur papastërtinë morale dhe shkeljet e ligjit të shenjtë të dëlirësisë dhe për t’i shkurajuar prindërit që ta vendosin lindjen dhe rritjen e fëmijëve si një nga përparësitë e tyre më të larta.

Kaq thelbësor është uniteti në familje për planin e shpëtimit saqë Perëndia ka shpallur një paralajmërim se …shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë” (“The Eternal Family”, Ensign, nëntor 1996, f. 65).

Theksoni parimin vijues: “Shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Kujtojuni studentëve se ky paralajmërim vjen nga proklamata e familjes.

Shkruani sa vijon në tabelë:

Shpërbërja e familjes

Pasojat

Ftojini studentët të mendojnë rreth provave që ata shohin se “shpërbërja e familjes” po ndodh kudo në botë. (Këto mund të përfshijnë sa më poshtë: rritjen e divorceve, aborteve dhe abuzimit; më pak martesa dhe më pak fëmijë të lindur nga çifte të martuara; dhe më shumë familje që nuk funksionojnë.) U kërkoni atyre t’i renditin provat në tabelë nën titullin “Shpërbërja e familjes”.

Ftojini studentët të mendojnë rreth shembujve të pasojave individuale dhe shoqërore që mund të vijnë si rrjedhojë e shpërbërjes së familjes. (Këto mund të përfshijnë sa më poshtë: humbjen e Shpirtit, pikëllim dhe palumturi, rritje të shkallës së krimit, shkelje nga të miturit dhe humbje të paqes dhe qëndrueshmërisë në shoqëri.) U kërkoni atyre t’i renditin shembujt në tabelë nën titullin “Pasojat”.

Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Në ç’mënyrë respektimi i doktrinës dhe parimeve në proklamatën e familjes mund t’i ndihmojë individët, familjet, komunitetet dhe kombet që t’i shmangin këto pasoja?

1 Nefi 14:14–17; 22:16–17; Doktrina e Besëlidhje 97:22–28

Ka shpresë për familjet

Shpjegojuni studentëve se, pavarësisht nga ligësia që mbizotëron në botën e sotme, nuk është ende tepër vonë për t’i forcuar familjet. Ata mund të sjellin ndryshimin në vetë familjet, lagjet ose degët dhe komunitetet e tyre. Dëshmoni se ka shpresë për individët dhe familjet që u binden urdhërimeve të Zotit.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 97:22–28, duke kërkuar atë që mund të bëjmë ne për t’i shpëtuar hakmarrjes së Zotit dhe pasojave që vijnë për shkak të mëkatit. (Qartësoni se në këto vargje Sioni i referohet Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtarëve të saj.) Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë togfjalëshin në qoftë se kudo ku gjendet në këto vargje. (Ndihmojini studentët të kuptojnë se përcaktimi i thënieve shkak-pasojë ose nëse/atëherë është një aftësi e dobishme e studimit të shkrimeve të shenjta.)

  • Si do t’i përmblidhnit këto vargje në një formulim të thjeshtë të parimit? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse jemi të bindur ndaj të gjitha urdhërimeve, ne mund të marrim bekime të mëdha dhe t’i shpëtojmë hakmarrjes së Zotit.)

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ne nuk themi se të gjithë shenjtorët do të kursehen dhe shpëtohen nga ardhja e ditës së shkretimit. Por ne themi se nuk ka premtim për siguri dhe premtim për mbrojtje, përveçse për ata që e duan Zotin dhe po kërkojnë të bëjnë gjithçka që ai urdhëron. …

Dhe kështu ne ngremë zërin e paralajmërimit dhe themi: Kini kujdes, përgatituni; vëzhgoni dhe jini gati. Nuk ka siguri në asnjë shteg përveçse shtegut të bindjes dhe pajtimit e drejtësisë.

Sepse kështu thotë Zoti: ‘Ndëshkimi i Zotit do të kalojë pranë, gjatë natës e gjatë ditës, dhe rrëfimi i tij do t’i shqetësojë gjithë njerëzit; po, ai nuk do të ndalet derisa Zoti të vijë; …

Megjithatë, Sioni do të shpëtojë, në qoftë se ai do të kujdeset të bëjë gjithçka që unë e kam urdhëruar’ [DeB 97:23, 25]” (“Stand Independent above All Other Creatures”, Ensign, maj 1979, f. 93–94).

  • Si mund të ndihmojë kjo thënie për ta nxitur një familje t’u bindet urdhërimeve të Zotit?

Kujtojuni studentëve se Nefi pa disa vegime të ditëve të fundit. Në ato vegime, ai pa se të drejtët do të mbrohen.

Kërkojuni studentëve të lexojnë 1 Nefin 14:14–17 dhe 22:16–17, duke kërkuar mënyrat në të cilat do të mbrohen shenjtorët. (Shënim: Këto fragmente theksojnë temën e përbashkët të shkrimeve të shenjta se bindja sjell premtimin e Zotit për mbrojtje. Plaku Dejvid A. Bednar ka theksuar rëndësinë e kërkimit të “lidhjeve, modeleve dhe temave” të tilla të shkrimeve të shenjta [“A Reservoir of Living Water” (mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore të Sistemit Arsimor të Kishës, 4 shkurt 2007) f. 3, lds.org/media-library]. Kjo temë ose ky model është veçanërisht i zakonshëm në Librin e Mormonit.)

  • Si ju japin shpresë shkrimet e Nefit?

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Brus D. Porter, i Të Shtatëdhjetëve. Ftojini studentët të renditin bekimet që do t’u jepen prindërve besnikë në ditët e fundit:

Plaku Brus D. Porter

“Pavarësisht nga ajo që e ardhmja mund të sjellë, Perëndia ka shuguruar se në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, prindërve të Kishës do t’u jepet fuqi për t’i ndihmuar që t’i shpëtojnë fëmijët e tyre nga errësira përreth tyre. Ndërsa zemrat e etërve dhe të nënave kthehen te bijtë e tyre dhe zemrat e bijve kthehen te prindërit e tyre, ne përfundimisht do të dëshmojmë ngritjen e një brezi të pastruar dhe të përgatitur për ta takuar Shpëtimtarin në ardhjen e Tij. Ngadhënjimi i mbretërisë së Perëndisë në ditët e mëvonshme do të jetë një ngadhënjim jo vetëm i Kishës si një organizatë, por edhe i qindra mijëra familjeve individuale, të cilat me anë të besimit e kanë mposhtur botën” (“Defending the Family in a Troubled World”, Ensign, qershor 2011, f. 18).

  • Çfarë bekimi u premtohet prindërve të kësaj periudhe ungjillore që po kërkojnë t’i rritin fëmijët e tyre në drejtësi?

  • Si e keni parë Zotin t’i fuqizojë prindërit në përpjekjet e tyre për t’i forcuar dhe mbrojtur fëmijët e tyre nga errësira e botës?

Ftojini studentët që të marrin parasysh se cilat ndikime apo forca janë vënë në punë për t’i shkatërruar vetë familjet e tyre dhe mënyrën se si Satani po përpiqet t’i pengojë nga të punuarit drejt pasjes së vetë familjeve të tyre në të ardhmen. Nxitini studentët të përsiatin rreth asaj që mund të bëjnë për të marrë ndihmën e Zotit, që ta forcojnë veten e tyre dhe t’i mbrojnë familjet e tyre.

Materiale Leximi për Studentin