Mësimi 24
Anëtarët në Moshë Madhore Beqarë të Kishës
Hyrje
Ungjilli i Jezu Krishtit thekson bekimet e përjetshme që merren nëpërmjet martesës dhe marrëdhënieve familjare. Prapëseprapë, shumë anëtarë të Kishës e gjejnë veten e tyre në rrethana ku ata nuk e kanë aktualisht mundësinë për martesë dhe familje. Ky mësim thekson se anëtarët e Kishës që janë beqarë, japin ndihmesë domethënëse në mbretërinë e Zotit. Ndërkohë që bekimet e martesës dhe të familjes ndonjëherë vonohen, ato nuk u mohohen kurrë atyre që i mbajnë drejtësisht besëlidhjet e tyre me Perëndinë.
Lexim Konteksti
-
Gordon B. Hinckley, “A Conversation with Single Adults”, Ensign, mars 1997, f. 58–63.
-
Spenser J. Kondi, “Kërkoni Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 16–18.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Korintasve 12:12–20, 25–27
Anëtarët beqarë në një Kishë të orientuar nga familja
Ftojini studentët të tregojnë disa nga sfidat që anëtarët beqarë të Kishës mund të përjetojnë kur marrin pjesë në një lagje ose degë ku shumë anëtarë janë të martuar dhe kanë fëmijë. (Anëtarët beqarë të Kishës mund të ndihen të shkurajuar, të veçuar dhe të lënë jashtë mbledhjeve dhe klasave që japin mësim rreth martesës dhe familjes.)
-
Si mendoni se anëtarët e tjerë të Kishës mund t’i ndihmojnë të rriturit në moshë madhore beqarë të ndihen të përfshirë dhe të vlerësuar në mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishës?
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Kisha është për të gjithë anëtarët. … Të gjithë ne, beqarë ose të martuar, kemi identitet dhe nevoja individuale, midis të cilave është dëshira për t’u parë si një fëmijë i veçantë i denjë i Perëndisë. …
Kjo është Kisha e Jezu Krishtit, nuk është kisha e të martuarve apo e beqarëve ose e ndonjë grupi apo individi tjetër” (“The Church Is for All People”, Ensign, qershor 1989, f. 76).
Shpjegoni se Apostulli Pal e krahasoi Kishën me një trup njerëzor dhe anëtarët individualë të Kishës me pjesë të trupit. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë 1 Korintasve 12:12–20 ndërsa pjesa tjetër e klasës kërkon mënyrën se si Pali i krahasoi pjesët e trupit fizik me anëtarët e Kishës.
-
Çfarë sfidash do të hasnim nëse një ose më shumë pjesë të trupit tonë do të mungonin?
-
Çfarë parimi na mëson analogjia e Palit rreth Kishës dhe anëtarëve të saj? (Studentët mund të përcaktojnë disa parime të rëndësishme. Sigurohuni që të theksohet parimi vijues: Çdo anëtar i Kishës ka vlerë dhe mund t’i japë Kishës një ndihmesë të rëndësishme.)
-
Çfarë ndihme i keni parë anëtarët beqarë të lagjes ose degës suaj të japin për Kishën?
Kërkojini një studenti të lexojë 1 Korintasve 12:25–27. Ftojeni klasën të kërkojë atë që mund të bëjnë anëtarët e Kishës për t’u bashkuar.
-
Çfarë mund të bëjnë të gjithë anëtarët e Kishës, të martuar ose beqarë, për ta ndihmuar njëri-tjetrin të ndihen të bashkuar me anëtarë të tjerë të lagjes ose degës?
Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Të gjithë ne i përkasim një bashkësie shenjtorësh, të gjithë ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe të gjithë ne po punojmë drejt të njëjtit synim. Çdonjëri prej nesh mund ta veçojë veten nga familja e [lagjes ose e degës sonë] në bazë të ndryshimeve tona. Por ne nuk duhet ta lëmë veten tonë jashtë apo të veçohemi nga mundësitë për shkak të ndryshimeve që ne i shohim te vetja jonë. Në vend të kësaj, le t’i ndajmë dhuratat e talentet tona me të tjerët, duke sjellë shkëlqim shprese dhe gëzimi tek ta dhe, duke vepruar kështu, ne lartësojmë vetë shpirtin tonë” (“Belonging to a Ward Family”, Ensign, mars 1996, f. 16).
-
Si ju kanë ndihmuar përpjekjet tuaja për t’i pranuar thirrjet dhe për të marrë pjesë në lagjen apo degën tuaj, që të ndiheni më i bashkuar me anëtarët e tjerë?
Hebrenjve 11:1, 6, 8–13, 16
Pritja për bekimet e premtuara
Paraqitni thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Ata që janë beqarë, duhet ta dëshirojnë një martesë në tempull dhe t’i bëjnë prioritet përpjekjet për ta arritur atë. Rinia dhe të rinjtë beqarë duhet t’i bëjnë ballë konceptit politikisht të saktë, por përjetësisht të rremë që zhvlerëson rëndësinë e martesës dhe të pasjes së fëmijëve” (“Dëshira”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 45).
-
Si mendoni ju, përse disa anëtarë beqarë mund të ndihen të shkurajuar kur ata përsiatin doktrinën se “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”? (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).
Shpjegoni se, megjithëse martesa dhe familja janë idealja, shumë anëtarë në moshë madhore beqarë të Kishës janë të pasigurt nëse ata do të martohen ndonjëherë. Ata që janë të divorcuar ose të ve, mund të pyesin nëse do të martohen sërish.
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe vërini studentët të kërkojnë atë që ka bërë Shpëtimtari për t’i bërë të mundshme bekimet e përjetshme për ata që nuk i kanë bekimet e martesës dhe të familjes:
“T’i shpallim të vërtetat themeltare që lidhen me martesën e familjen, nuk do të thotë që nuk i vlerësojmë ose i pakësojmë sakrificat dhe sukseset e atyre për të cilët gjendja ideale nuk është një realitet i tanishëm. Disave prej jush ju është mohuar bekimi i martesës për arsye që përfshijnë një mungesë të kandidatëve të suksesshëm, tërheqje fizike ndaj së njëjtës gjini, paaftësi fizike apo mendore ose thjesht një frikë ndaj dështimit që, të paktën për çastin, hedh hije mbi besimin. Ose ju u martuat, por ajo martesë mbaroi dhe jeni lënë që t’ia dilni mbanë të vetëm asaj që dy veta së bashku mezi mund t’ia dalin mbanë. Disa prej jush që janë të martuar, nuk mund të lindin fëmijë pavarësisht nga dëshirat mbisunduese dhe lutjet përgjëruese.
… Me vetëbesim ne dëshmojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit i ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij” (“Përse Martesa, Përse Familja”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 52)
-
Çfarë doktrine na mëson Plaku Kristoferson rreth asaj se kush do t’i marrë bekimet më të mëdha të Perëndisë? (Shkruani doktrinën vijuese në tabelë: Shlyerja e Jezu Krishtit bën të mundur për secilin prej nesh që të marrë përfundimisht të gjitha bekimet e premtuara nga Ati ynë Qiellor.)
-
Çfarë duhet të bëjë një njeri për ta marrë shpresën e përshkruar në këtë doktrinë?
Paraqitni sigurinë vijuese dhënë nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Ne ju premtojmë se, për sa i takon përjetësisë, asnjë shpirti nuk do t’i hiqen bekimet e pasura dhe të mëdha dhe të përjetshme për çdo gjë që ai person nuk mundi të arrinte, se Zoti kurrë nuk dështon në premtimet e tij dhe se çdo person i drejtë do të marrë përfundimisht gjithçka që ai individ ka të drejtë të marrë dhe të cilat ai ose ajo nuk i ka penguar nëpërmjet ndonjë gabimi të tij apo të saj” (“The Importance of Celestial Marriage”, Ensign, tetor 1979, f. 5).
Dëshmoni se, ndërsa bekimet e Perëndisë ndonjëherë vonohen, ato kurrë nuk mohohen në përjetësi për ata që kërkojnë të jetojnë drejtësisht.
Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim shembujt e Abrahamit dhe të Sarës, të cilët morën premtime nga Perëndia lidhur me familjen e tyre që u vonuan ose nuk u përmbushën gjatë jetës së tyre të vdekshme (shih Zanafilla 13:14–17; 15:4–7; 17:1–8, 15–16). Kujtojuni studentëve se, ashtu si Abrahami dhe Sara, besimi ynë ndonjëherë do të provohet nga premtime që vonohen ose nuk përmbushen në vdekshmëri.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Hebrenjve 11:1, 6, ndërsa klasa kërkon një përkufizim të fjalës besim.
-
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth kuptimit të besimit? (Kujtojuni studentëve të shohin te vargu 1, shënimi b në fund të faqes , i cili thotë se siguri mund të nënkuptojë edhe garanci, bazë, ose themel. Mbani mend që t’i ndihmoni studentët të zhvillojnë aftësi të studimit vetjak të shkrimeve të shenjta duke iu referuar mjeteve të studimit gjatë orës së mësimit.)
-
Çfarë do të thotë fraza “tregim i gjërave që nuk shihen”? (Besimi është një siguri ose një dëshmi e realiteteve të padukshme. Kjo siguri e gjërave të shpresuara dhe e gjërave të padukshme vjen vetëm kur ne veprojmë mbi parimet e ungjillit dhe u bindemi atyre – veçanërisht kur është e vështirë për ta bërë këtë. Besimi është veprimi bindës që pason në dhuratën shpirtërore të dëshmisë. Do të thotë të besosh dhe të mirëbesosh te Zoti mjaftueshëm sa t’i bindesh Atij pa e parë më parë përfundimin.)
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Hebrenjve 11:8–13, 16, ndërsa pjesa tjetër e klasës kërkon mënyrën se si Abrahami dhe Sara ushtruan besim gjatë rrethanave të vështira. Sugjerojini klasës se ata mund të nënvizojnë fjalë dhe fraza që tregojnë se si ushtruan besim Abrahami dhe Sara.
-
Vargu 13 thotë se, megjithëse Abrahami, Sara dhe shumë të tjerë vdiqën pa i “marrë premtimet”, ata i panë premtimet “për së largu” dhe kishin besim te aftësia e Perëndisë për t’i përmbushur ato premtime. Në ç’mënyrë shembulli i këtyre shenjtorëve të lashtë mund t’i ndihmojë shenjtorët e sotëm, besimi i të cilëve sfidohet për shkak se ata nuk i marrin bekimet e premtuara në vdekshmëri? (Të gjithë ne duhet të mësojmë nevojën për të ushtruar besim dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Zotit, edhe kur bekimet për të cilat shpresojmë duket se nuk vijnë kur ne i dëshirojmë ato.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë që këta shenjtorë të lashtë jetuan si “të huaj dhe shtegtarë mbi dhe”? (Ata e dinin se jeta e vdekshme ishte e përkohshme dhe se kjo botë nuk ishte shtëpia e tyre e përhershme.)
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë. Për këtë unë dëshmoj personalisht” (“An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38).
-
Si i ndihmon anëtarët e Kishës që ndihen të trishtuar ose të dëshpëruar për shkak se ata nuk janë martuar ose nuk kanë fëmijë, njohuria se asnjë bekim nuk do t’u mohohet besnikëve?
-
A mund të mendoni për një rast kur ju u ndiet i shkurajuar, por gjithsesi zgjodhët të vepronit me besim dhe të ecnit përpara në jetën tuaj?
Nëse e lejon koha, tregoni këshillën vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks:
“Nëse po e lini kohën të ikë duke pritur një kandidat të mundshëm për martesë, jepini fund pritjes. Ju mund të mos e keni kurrë mundësinë për një martesë të përshtatshme në këtë jetë, prandaj jepini fund pritjes dhe filloni të lëvizni. Përgatiteni veten tuaj për jetën – madje një jetë beqarie – me anë të arsimimit, përvojës dhe planifikimit. Mos prisni që lumturia t’ju vijë nga qielli. Kërkojeni atë te shërbimi dhe të mësuarit. Bëjeni vetë jetën tuaj. Dhe mirëbesoni te Zoti” (“Dating versus Hanging Out”, Ensign, qershor 2006, f. 14).
Nxitini studentët të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta shtuar besimin e tyre te Jezu Krishti dhe të mirëbesojnë në aftësinë e Tij për të bërë të ndodhë përmbushja e bekimeve të premtuara.
Materiale Leximi për Studentin
-
Gordon B. Hinckley, “A Conversation with Single Adults”, Ensign, mars 1997, f. 58–63.