Seminare dhe Institute
Mësimi 18: Ushqimi Shpirtëror i Marrëdhënies Martesore


Mësimi 18

Ushqimi Shpirtëror i Marrëdhënies Martesore

Hyrje

“Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Duke e përfshirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në marrëdhëniet e tyre dhe duke i jetuar bashkërisht parimet e ungjillit të Jezu Krishtit, bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të marrin lumturinë përfundimtare që është synimi i planit të Perëndisë.

Lexim Konteksti

  • Rusell M. Nelson, “Nurturing Marriage”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 36–38.

  • David A. Bednar, “Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 82–87.

  • L. Uitni Klejton, “Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 83–85.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 19:3–8; Efesianëve 5:25, 28–31; Doktrina e Besëlidhje 25:5, 13–15; 42:22

Ndërtimi i një martese të suksesshme

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Martesa sjell mundësi më të mëdha për lumturi se çfarëdo marrëdhënie tjetër njerëzore. Prapëseprapë, disa çifte të martuara nuk e arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ata e lënë romancën e tyre të ndryshket, e marrin për të mirëqenë njëri-tjetrin, i lejojnë interesat e tjera ose retë e shpërfilljes ta errësojnë pamjen e asaj çka martesa e tyre mund të jetë me të vërtetë. Martesat do të ishin më të lumtura nëse do të ushqeheshin me më shumë kujdes” (“Nurturing Marriage”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 36).

  • Cilat zakone ose qëndrime ju mendoni se mund ta bëjnë martesën të “ndryshket”?

Shpjegoni se çiftet që e lejojnë martesën e tyre të ndryshket, ndonjëherë zgjedhin ta përfundojnë martesën e tyre nëpërmjet divorcit. U thoni studentëve se gjatë shërbesës së vdekshme të Shpëtimtarit, disa farisenj debatuan se divorci ishte i justifikuar edhe për arsye të parëndësishme dhe ata kërkuan ta përfshinin Jezusin në debat duke kërkuar mendimin e Tij rreth divorcit. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mateun 19:3–8 dhe ftojini studentët të shohin krahasimin midis qëndrimit të Shpëtimtarit dhe të farisenjve ndaj martesës. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se letërndarja ishte një dokument i ligjshëm që një burrë duhej t’i jepte gruas së tij përpara se ta ndante atë.

  • Cilat fjalë te vargu 3 ilustrojnë qëndrimin e farisenjve ndaj martesës dhe divorcit? (Ishte e lejuar të “nda[heshe]” ose të divorcoheshe, “për një shkak çfarëdo”.)

  • Çfarë mësimi dha Jezusi në vargun 8 që e kundërshtoi këtë mënyrë të menduari dhe pohoi natyrën solemne të martesës? (Që nga koha e Adamit dhe e Evës, Perëndia kishte si qëllim që martesat të zgjatnin përjetësisht. Për ta përforcuar këtë doktrinë, merrni parasysh t’u kërkoni studentëve të bëjnë referencë kryq vargun 8 me Predikuesit 3:14 dhe Moisiun 4:18.)

Tregoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“Lloji i martesës që kërkohet për ekzaltim – e përjetshme në kohëzgjatje dhe e perëndishme në cilësi – nuk e mendon divorcin. Në tempujt e Zotit, çiftet martohen për gjithë përjetësinë. Por disa martesa nuk përparojnë drejt atij ideali. Për shkak ‘të ngurtësisë së zemr[ës] [sonë] [Mateu 19:8], Zoti tani nuk i detyron pasojat e standardit çelestial. Ai i lejon personat e divorcuar të martohen sërish pa njollën e imoralitetit të përcaktuar qartë në ligjin më të lartë” (“Divorci”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 70; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 83).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të bëjnë për të arritur llojin e martesës që kërkohet për ekzaltim, u kërkoni studentëve të lexojnë fjalinë e parë të paragrafit gjashtë në proklamatën e familjes.

  • Çfarë detyrimi kanë bashkëshortët e bashkëshortet ndaj njëri-tjetrit? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë këtë frazë nga proklamata e familjes: “Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin”.)

  • Çfarë do të thotë për ju që çiftet e martuara kanë një “përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin”?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë përgjegjësi, ftojeni gjysmën e klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 25:5, 13–15 dhe gjysmën tjetër të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 42:22 dhe Efesianëve 5:25, 28–31. Vërini studentët të kërkojnë parime që na mësojnë se si ta ushqejmë një martesë, dhe pastaj të shkruajnë në tabelë atë që gjejnë. Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni studentëve të përzgjedhin njërën nga gjërat e shkruara në tabelë dhe të shpjegojnë se çfarë do të thotë për ta.

Tregoni thënien e mëposhtme nga Plaku L. Uitni Klejton, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini klasës të dëgjojë për ide të veçanta në fjalët të kapesh pas dhe të largohesh:

Plaku L. Uitni Klejton

“Martesat më të lumtura që unë kam parë, rrezatojnë bindje ndaj njërit prej urdhërimeve më të lumtura – që ne të ‘jeto[jmë] së bashku në dashuri’ [DeB 42:45]. Duke iu drejtuar bashkëshortëve, Zoti urdhëroi: ‘Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër’ [DeB 42:22]. Një manual i Kishës jep mësim: ‘Fjalët të kapesh pas duan të thonë të jesh plotësisht i përkushtuar dhe besnik ndaj dikujt. Çiftet e martuara kapen pas Perëndisë dhe njëri-tjetrit duke i shërbyer e duke e dashur njëri-tjetrin dhe duke i mbajtur besëlidhjet në besnikëri të plotë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Perëndisë.’ Si bashkëshorti edhe bashkëshortja e ‘lënë pas jetën e tyre si beqarë/e dhe [e] vendosin martesën si përparësinë e [tyre] të parë. … Ata nuk lejojnë asnjë njeri ose interes tjetër që të ketë përparësi më të madhe… sesa mbajtja e besëlidhjeve që kanë bërë me Perëndinë dhe njëri-tjetrin’ [Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.3.1]. Shikoni dhe mësoni: çiftet e suksesshme e duan njëri-tjetrin me përkushtim të plotë” (“Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 85).

  • Cilat janë disa gjëra që bashkëshortët ose bashkëshortet mund t’u duhet t’i “lënë pas” me qëllim që të “kape[n]” pas njëri-tjetrit?

  • Në ç’mënyrë çiftet e martuara që ju njihni, e shfaqin dashurinë dhe kujdesin për bashkëshortët e tyre?

  • Çfarë po bëni tani që do t’ju ndihmojë të përgatiteni për ta dashur dhe për t’u kujdesur në mënyrë joegoiste për bashkëshortin/en tuaj të ardhshëm/me?

Abraham 5:15–18

Të bërët një në martesë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Abrahamin 5:15–18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që na mësojnë këto vargje rreth marrëdhënies midis bashkëshortëve dhe bashkëshorteve.

  • Sipas këtyre vargjeve, drejt cilit synim duhet të punojë bashkëshorti dhe bashkëshortja? (Të bëhen “një mish”.)

Vizatojeni skemën vijuese në tabelë:

trekëndëshi i martesës

Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë ndërsa klasa kërkon atë që përfaqëson skema:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Zoti Jezu Krisht është pika qendrore në një marrëdhënie martesore në besëlidhje. Ju lutem, vini re mënyrën se si Shpëtimtari është vendosur te kulmi i këtij trekëndëshi, me një grua në bazën e një këndi dhe një burrë në bazën e këndit tjetër. Tani merrni parasysh atë që ndodh në marrëdhënien midis burrit dhe gruas kur ata individualisht dhe në mënyrë të qëndrueshme ‘[vijnë] te Krishti’ dhe përpiqen të ‘përsos[en] në Të’ (Moroni 10:32). Për shkak të Shëlbuesit dhe nëpërmjet Tij, burri dhe gruaja vijnë më afër së bashku.

Kur burri dhe gruaja, veçan, afrohen me Zotin (shih 3 Nefi 27:14), kur ata mësojnë t’i shërbejnë dhe t’i gëzohen njëri-tjetrit, kur ata i ndajnë përvojat e jetës dhe rriten së bashku dhe bëhen një, dhe kur bekohen nëpërmjet bashkimit të natyrave të tyre të veçanta, ata fillojnë të kuptojnë përmbushjen që Ati ynë Qiellor dëshiron për fëmijët e Tij. Lumturia përfundimtare, që është vetë synimi i planit të Atit, merret nëpërmjet bërjes dhe nderimit të besëlidhjeve të përjetshme të martesës” (“Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 86).

  • Sipas Plakut Bednar, çfarë e bën të mundur për bashkëshortin dhe bashkëshorten të afrohen së bashku? (Ndërsa studentët përgjigjen, theksoni parimin vijues: Ndërsa bashkëshortët dhe bashkëshortet përpiqen të vijnë te Krishti, ata mund të bëhen një në martesën e tyre.)

  • Si mendoni ju se ardhja te Krishti e ndihmon një bashkëshort dhe bashkëshorte të afrohen më pranë?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë paragrafin e dytë në thënien e Plakut Bednar. Më pas, pyetini:

  • Sipas Plakut Bednar, çfarë duhet të bëjnë çiftet për të marrë “lumturinë përfundimtare” që Perëndia do për ta?

  • Çfarë lloj gjërash i keni parë çiftet të bëjnë për të arritur unitet dhe gëzim në martesë?

Lexoni dhe pastaj dëshmoni për të vërtetën e thënies vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994):

Presidenti Ezra Taft Benson

“Vetë martesa duhet të vlerësohet si një besëlidhje e shenjtë para Perëndisë. Një çift i martuar ka një detyrim jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj Perëndisë. Ai u ka premtuar bekime atyre që e nderojnë atë besëlidhje” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 193).

  • Si mund të veprojnë ndryshe bashkëshortët nëse ata e shikojnë martesën si një besëlidhje të shenjtë të bërë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me Perëndinë?

  • Çfarë mund të bëni tani që të përgatiteni për një martesë në tempull?

Nxitini studentët që të shkruajnë në ditarin e tyre vetjak për atë që po bëjnë tani dhe atë që mund të bëjnë në të ardhmen që të përgatiten për një martesë të përjetshme.

Materiale Leximi për Studentin