Seminare dhe Institute
Mësimi 5: Kushtet e Vdekshmërisë


Mësimi 5

Kushtet e Vdekshmërisë

Hyrje

Në botën para lindjes ne “e pranua[m] planin e [Atit Qiellor], me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Trupat tanë të vdekshëm janë një bekim i madh; megjithatë, ata u nënshtrohen shumë prej tundimeve të Satanit. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund t’i mposhtim këto tundime dhe të kthehemi tek Ati ynë Qiellor.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 2:27–29; Abraham 3:25

Përvoja jonë në vdekshmëri është thelbësore për jetën e përjetshme

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“A e kemi marrë parasysh ndonjëherë me të vërtetë përse pasja e një trupi fizik është kaq e rëndësishme? … A e kuptojmë me të vërtetë përse një trup është kaq thelbësor në planin e Atit për lumturinë? A e themi ndoshta përmendsh këtë përgjigje kaq shpesh dhe në mënyrë kaq të përsëritur sa nuk arrijmë të kuptojmë rëndësinë e vërtetë të saj? Do të doja që ne të gërmonim pak më thellë në këtë pyetje përjetësisht të rëndësishme rreth arsyes përse një trup është kaq i rëndësishëm. Në fund të fundit përgjigjja e ndikon gjithçka që bëjmë” (“Ye Are the Temple of God”, Ensign, shtator 2001, f. 14).

  • Sipas Plakut Bednar, përse duhet të përpiqemi të kuptojmë arsyen pse trupat tanë fizikë janë kaq të rëndësishëm?

Ftojini studentët të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese. Teksa mësimi përparon, nxitini ata të shkruajnë mendime dhe ide shtesë.

  • Përse janë trupat tanë fizikë kaq të rëndësishëm në planin e Atit Qiellor për lumturinë?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje paragrafin e tretë te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” dhe të kërkojnë thënien që e qartëson përse një trup fizik është i domosdoshëm për përparimin tonë të përjetshëm.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar. Kërkojuni anëtarëve të klasës të dëgjojnë përse trupat tanë janë jetikë në planin e Atit Qiellor. Merrni parasysh që t’i jepni secilit student një kopje të kësaj thënieje përpara se ajo të lexohet.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohej në gjendjen tonë të para lindjes. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: ‘Shpirti ynë dhe trupi ynë ndërthuren në mënyrë të tillë që trupi ynë bëhet një mjet i mendjes sonë dhe themeli i karakterit tonë’ [“The Instrument of Your Mind and the Foundation of Your Character” (bisedë në mbledhjen rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 2 shkurt 2003), speeches.byu.edu]. Kështu, marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve dhe ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë. Në klasën e vdekshmërisë, ne përjetojmë dhembshuri, dashuri, mirësi, lumturi, hidhërim, zhgënjim, dhembje dhe madje sfidat e kufizimeve fizike në mënyra që na përgatitin për përjetësinë. E thënë thjesht, ka mësime që duhet t’i mësojmë dhe përvoja që duhet t’i kemi, siç e përshkruajnë shkrimet e shenjta, ‘sipas mishit’ (1 Nefi 19:6; Alma 7:12–13)” (“Things as They Really Are”, Ensign, qershor 2010, f. 16).

  • Çfarë na mësoi Plaku Bednar rreth arsyes përse një trup fizik është i domosdoshëm për përparimin tonë të përjetshëm? (Edhe pse përgjigjet mund të ndryshojnë, theksoni këtë të vërtetë: Me një trup fizik, ne përjetojmë kushte të vdekshmërisë që mund të na përgatitin për përjetësinë.)

  • Në çfarë mënyrash janë trupat tanë “një mjet i mendjes sonë dhe themeli i karakterit tonë”?

  • Në ç’mënyrë “aftësia jonë për t’iu bindur parimeve dhe ordinancave të ungjillit … përforcohe[t] nëpërmjet trupave tanë fizikë”? (Përgjigjet e mundshme përfshijnë sa vijon: Një trup na mundëson t’i bindemi urdhrit për t’u shumuar dhe për ta mbushur tokën. Një trup na lejon të përjetojmë gëzimet e të jetuarit në familje, ku ne mësojmë dhe praktikojmë parimet e ungjillit në shtëpi – për shembull, ne mësojmë se si ta kontrollojmë gjaknxehtësinë tonë brenda familjeve tona.)

Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Abraham 3:25 dhe 2 Nefi 2:27–29, ndërkohë që klasa kërkon se si këto fragmente të shkrimeve të shenjta veprojnë së bashku për të na ndihmuar që të kuptojmë më shumë qëllimet e pasjes së një trupi.

  • Edhe pse pasja e një trupi është një bekim i madh, si është pasja e një trupi pjesë e provës sonë në vdekshmëri? (Shumë prej tundimeve të Satanit përforcohen ngaqë ne kemi trupa.)

  • Në ç’mënyrë zgjedhja e “dëshirës së mishit” i jep djallit “fuqi të robërojë”?

Mosia 3:19; Moisiu 6:49, 53–55

“Njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë”

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 6:53–54 dhe vëreni klasën të kërkojë e më pas të shpjegojë se çfarë na mësojnë këto vargje rreth gjendjes sonë në kohën e lindjes sonë. Shpjegoni se fjala “të pacënuar” në këtë kontekst do të thotë të çliruar nga ndikimet e shkeljes së Adamit.

Më pas kërkojuni studentëve të lexojnë Moisiun 6:49 e 55 dhe pyetini anëtarët e klasës:

  • Çfarë japin mësim këto vargje rreth mënyrës se si Rënia e Adamit dhe e Evës na ndikon gjatë gjithë jetës sonë në vdekshmëri? (Kur iu dorëzohemi tundimeve të Satanit, ne i provojmë pasojat e hidhura të zgjedhjeve tona të jenë mishtore, epshore dhe të djallëzuara. Ju mund t’i drejtoheni Ethërit 3:2, që na mëson se “për shkak të rënies, natyra jonë është bërë e ligë vazhdimisht”.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë disa prej rreshtave të parë të Mosias 3:19. Shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Çfarë është njeriu i natyrshëm?

Përse është njeriu i natyrshëm një armik ndaj Perëndisë?

Jepuni studentëve disa minuta që të kërkojnë përgjigje për këto pyetje dhe që ta zgjerojnë kuptueshmërinë e tyre për termin “njeriu i natyrshëm” nëpërmjet studimit të shënimeve në fund të faqes për vargun 19 (veçanërisht shënimin a, si edhe fragmentet e tjera, të referuara në shënimet në fund të faqes). Pas një kohe të mjaftueshme, diskutoni gjetjet e studentëve. Vini në dukje se ky term përshkruan një kusht që gjen zbatim në mënyrë të barabartë si për burrat edhe për gratë.

  • Nëse një njeri ka tiparet e një njeriu të natyrshëm, çfarë efekti mund të ketë kjo mbi një martesë apo një familje?

Kërkojini të njëjtit student ta mbarojë leximin e Mosias 3:19 dhe ftojeni klasën të kërkojë një parim rreth mënyrës se si ne mund ta mposhtim njeriun e natyrshëm. (Teksa studentët përgjigjen, shkruajeni këtë parim në tabelë: Nëpërmjet pranimit të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe dëgjimit të thirrjeve të Shpirtit të Shenjtë, ne mund ta zhveshim njeriun e natyrshëm dhe të bëhemi një shenjtor/e.)

Shpjegoni se në këtë kontekst, të dëgjosh do të thotë t’u nënshtrohesh ose dorëzohesh nxitjeve të Frymës së Shenjtë.

  • Si mund të dallojë një njeri se çfarë po e nxit të bëjë atë Shpirti i Shenjtë?

  • A mund të tregoni një përvojë që nuk është tepër vetjake, në të cilën Shpirti i Shenjtë ju nxiti ta zhvishnit njeriun e natyrshëm?

Dëshmoni se, kur i dëgjojmë thirrjet e Shpirtit të Shenjtë, ne fitojmë të drejtën për fuqi të Shlyerjes.

Mosia 3:19; 16:3–6

Vënia në Jetë e Shlyerjes së Krishtit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 16:3–6 teksa klasa e ndjek, duke kërkuar çfarë do të na ndihmojë t’i mposhtim në jetën tonë efektet e Rënies.

  • Çfarë mase paraprake në planin e Atit Qiellor na aftëson që ta mposhtim natyrën tonë të rënë? (Shkruani doktrinën vijuese në tabelë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të shëlbohemi nga gjendja jonë e humbur dhe e rënë.)

Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Çdo oreks, dëshirë, prirje dhe shtysë e njeriut të natyrshëm mund të mposhtet nga Shlyerja e Jezu Krishtit dhe nëpërmjet saj. Jemi këtu në tokë për të zhvilluar cilësi të perëndishme dhe për t’i frenuar të gjitha pasionet e mishit” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 43).

Shpjegojuni studentëve se, kur kemi besim te Shlyerja, ne marrim hirin e Jezu Krishtit, të bërë të mundur nëpërmjet flijimit të Tij shlyes. Ideja kryesore e fjalës hir është një “ndihmë ose forcë e tillë hyjnore, e dhënë nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së begatë të Jezu Krishtit”. Është një “fuqi aftësuese” që na ndihmon të pendohemi dhe të zhvillojmë tipare që nuk mund t’i zhvillojmë vetë (shih Bible Dictionary, “Grace” [“Hir”]). Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë tiparet si të Krishtit që duhet t’i zhvillojmë, kërkojuni atyre të rishikojnë listën e cilësive që na drejtojnë të bëheshim shenjtorë, siç gjenden te Mosia 3:19.

  • Si ju ka ndihmuar Shpëtimtari që të zhvilloni një prej tipareve të renditura te Mosia 3:19?

  • Si i keni parë individët që zotërojnë një ose më shumë prej këtyre tipareve, të jenë një bekim në familjet e tyre?

  • Si mund t’ju ndihmojë zhvillimi i një ose më shumë prej këtyre tipareve nëpërmjet fuqisë aftësuese të hirit të Shpëtimtarit që të bëheni një bashkëshort ose bashkëshorte më e mirë, një baba ose nënë më e mirë?

Shpjegojuni studentëve se secili prej nesh lihet me një pyetje të rëndësishme për t’iu përgjigjur si rrjedhojë e mësimit të sotëm. Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar dhe kërkojuni studentëve ta lexojnë atë në heshtje:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Natyra e saktë e provës së vdekshmërisë, atëherë, mund të përmblidhet në pyetjen vijuese: A do t’u përgjigjem prirjeve të njeriut të natyrshëm, apo do t’iu hap rrugë mbresave të Shpirtit të Shenjtë dhe do ta zhvesh njeriun e natyrshëm e do të bëhem shenjtor përmes Shlyerjes së Krishtit, Zotit (shih Mosia 3:19)? Kjo është prova” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, f. 43).

Jepuni studentëve disa minuta për të shkruar një përgjigje për pyetjen e Plakut Bednar. Ftojini ata të përsiatin tiparet si të Krishtit që gjenden te Mosia 3:19 dhe të bëjnë një plan që të fillojnë të zhvillojnë një nga këto tipare më tërësisht.

Leximet e Studentëve

Shtyp në Letër