Mësimi 15
Martesa e Përjetshme
Hyrje
Martesa e përjetshme është thelbësore për ekzaltimin në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale dhe ajo merret vetëm përmes të qenit të vulosur me anë të autoritetit të duhur në tempull dhe më pas të jetuarit në përputhje me besëlidhjet e bëra në atë kohë. Ky mësim do t’u ripohojë studentëve se martesa me personin e duhur, në vendin e duhur dhe nga autoriteti i duhur është vendimi më i rëndësishëm që ata do të marrin ndonjëherë.
Lexim Konteksti
-
Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92–95.
-
“Honorable, Happy, Successful Marriage”, kapitulli 18 në Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 189–201.
-
Cree-L Kofford, “Marriage in the Lord’s Way, Part One”, Ensign, qershor 1998, f. 7–12.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 132:1–24
Doktrina e martesës së përjetshme
Shpjegoni se rëndësia e martesës është dhënë mësim që në ditët e hershme të Kishës. Megjithatë, doktrina e martesës së përjetshme, nuk u dha plotësisht mësim nga Profeti Jozef Smith deri në kohën e Navusë. Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Parli P. Prat (1807–1857), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e cila përshkruan mënyrën se si u ndie ai kur mësoi për herë të parë se martesa mund të zgjasë për përjetësi. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:
“Ishte prej [Jozef Smithit] që mësova se bashkëshortja e gjirit tim mund të më sigurohej për kohën dhe gjithë përjetësinë. … Ishte prej tij që mësova se ne mund t’i forconim këto dhembshuri dhe të rriteshim e të zhvilloheshim në to për tërë përjetësinë; ndërsa rezultati i bashkimit tonë të pafundmë do të ishin pasardhës aq të shumtë sa yjet e qiellit ose sa rëra në bregdet. … Kisha dashuruar më parë, por nuk e dija përse. Por tani dashurova – me një kthjelltësi – një intensitet të një ndjenje të lartësuar, të ekzaltuar” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 297–298).
-
Çfarë ndikimi pati kuptueshmëria e re e Plakut Prat mbi martesën, në ndjenjat e tij për bashkëshorten e tij?
Shpjegoni se shumë nga mësimet e Zotit rreth martesës së përjetshme gjenden te Doktrina e Besëlidhje 132. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:19. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë kushtet që duhet të plotësohen me qëllim që një martesë të jetë e përjetshme.
-
Cilat kushte duhen të plotësohen me qëllim që një martesë të jetë e përjetshme? (Studentët duhet të kuptojnë sa më poshtë: Martesa është e përjetshme për ata që martohen me anë të fjalës së Perëndisë, martesa e të cilëve vuloset nga Shpirti i Shenjtë i Premtimit dhe të cilët e durojnë besëlidhjen.)
-
Çfarë do të thotë të “duro[sh] besëlidhjen”? (Të mbash kërkesat dhe kushtet e besëlidhjes së martesës. Kur një burrë dhe një grua hyjnë në martesë të përjetshme, ata i bëjnë premtime solemne njëri-tjetrit dhe Perëndisë. Ndaj bashkëshortëve, ata premtojnë se do ta duan atë në mënyrë të vazhdueshme dhe do t’i shërbejnë atij apo asaj me besnikëri të plotë. Ndaj Perëndisë, ata premtojnë në mënyrë solemne që t’i mbajnë kërkesat dhe kushtet e besëlidhjeve të bëra në tempull.)
-
Çfarë do të thotë që një martesë “vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit”? (Merrni parasysh të vini në dukje se Shpirti i Shenjtë i Premtimit është një nga titujt e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë ka shumë tituj, përfshirë Ngushëllues ose Zbulues. Secili prej këtyre titujve i referohet njërit prej përgjegjësive ose funksioneve të Tij të veçanta.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë titullin e Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, paraqitni thënien vijuese dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“Fryma e Shenjtë është Shpirti i Shenjtë i Premtimit (Veprat e Apostujve 2:33). Ai pohon si të pranueshme nga Perëndia veprimet, ordinancat dhe besëlidhjet e drejta të njerëzve. Shpirti i Shenjtë i Premtimit i dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirti i Shenjtë i Premtimit”, scriptures.lds.org).
-
Si ndihmon kjo thënie për të shpjeguar përse ekzaltimi kërkon më shumë se sa të qenit të vulosur në tempull? Çfarë tjetër duhet të ndodhë? (Ne duhet të jetojmë gjithashtu një jetë të drejtë dhe të mbetemi besnikë ndaj të gjitha ordinancave shpëtuese, përfshirë pagëzimin, sakramentin, ordinancat e priftërisë dhe ordinancat e tempullit. Vetëm kur ne qëndrojmë besnikë, Fryma e Shenjtë do t’i dëshmojë Atit se besëlidhjet janë mbajtur.)
Ndihmojini studentët ta kuptojnë më mirë martesën e përjetshme me anë të krahasimit dhe ballafaqimit të saj me martesën civile, duke përdorur skemën vijuese. Kopjojeni skemën në tabelë:
Ndajeni klasën në dyshe. Kërkojini njërit prej studentëve në secilën dyshe të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 132:15–18 dhe studentit tjetër të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 132:19–24. Ftojini studentët të vërejnë fjalët dhe frazat që përshkruajnë kushtet të cilat i presin ata që martohen nga ana civile, dhe bekimet të cilat i presin ata që martohen për përjetësi.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’ia tregojnë gjetjet e tyre njëri-tjetrit. Pastaj pyetini:
-
Pas vdekjes, si ndryshojnë kushtet e atyre që martohen nga ana civile nga të atyre që martohen për përjetësi? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund t’ia shtoni përgjigjet e tyre skemës në tabelë. Ju mund të doni të vini në dukje se kushtet e përshkruara në vargjet 20–24 janë të ngjashme me bekimet e premtuara në besëlidhjen e Abrahamit [shih Zanafilla 17:1–7; 22:17].)
Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, merrni parasysh të ndani thënien vijuese nga Plaku Kri-L Koford, i Të Shtatëdhjetëve:
“Autoriteti për premtimet në një martesë çelestiale vjen nga Perëndia dhe pasojat e mossuksesit tuaj për t’i nderuar ato premtime, do të vijnë gjithashtu nga Perëndia. Në një martesë civile, autoriteti për premtimet midis nuses dhe dhëndrit është integriteti moral i të dy njerëzve. Nuk shkon më lart se kaq. Nuk mundet. Autoriteti i saj vjen nga njeriu dhe jo nga Perëndia” (“Marriage in the Lord’s Way, Part One”, Ensign, qershor 1998, f. 9).
-
Çfarë mendimesh keni ndërsa krahasoni kushtet e renditura në tabelë?
-
Çfarë bekimesh keni vërejtur në shtëpitë e atyre që martohen në tempull dhe përpiqen të jetojnë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre? Çfarë shikoni se bëjnë këto çifte për t’i nderuar besëlidhjet e tyre? (Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të tregoni këtë thënie rreth martesës nga Plaku L. Uitni Klejton, i Të Shtatëdhjetëve: “Asnjë marrëdhënie tjetër e çfarëdo lloji nuk mund të sjellë kaq shumë gëzim, të ofrojë kaq shumë të mira ose të prodhojë kaq shumë përmirësim vetjak” [“Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 83].)
Shpjegojini klasës se Doktrina e Besëlidhje 132 përmban edhe disa nga udhëzimet e Zotit mbi praktikën e martesës me shumë gra. Zoti i udhëzoi shenjtorët që ta praktikonin ligjin e martesës me shumë gra si pjesë e rivendosjes së të gjitha gjërave (shih Veprat e Apostujve 3:21; DeB 132:45). Anëtarët e Kishës e praktikuan këtë ligj deri në vitin 1890, kur Zoti i zbuloi Presidentit Uilford Udraf se Ai nuk u kërkonte më anëtarëve të Kishës ta bënin këtë. Për të qartësuar qëndrimin e Kishës ndaj martesës me shumë gra sot, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008):
“Nëse ndonjë nga anëtarët tanë kapet duke praktikuar martesë me shumë gra, ai shkishërohet, ndëshkimi më i rëndë që Kisha mund të japë. … Më shumë se një shekull përpara, Perëndia i zbuloi qartësisht profetit të Tij, Uilford Udrafit, se praktika e martesës me shumë gra duhet të ndërpritet, që do të thotë se ajo tani është kundër ligjit të Perëndisë. Edhe në vendet ku ligji civil apo fetar e lejon poligaminë, Kisha na mëson se martesa duhet të jetë monogame dhe nuk i pranon në anëtarësinë e saj ata që praktikojnë martesën me shumë gra” (“What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71–72).
Nëse studentët kanë pyetje rreth martesës me shumë gra, drejtojini ata te Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Plural Marriage in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints” [“Martesa me Shumë Gra në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, lds.org/topics.
Doktrina e Besëlidhje 131:1–4
Rëndësia e zgjedhjes së martesës së përjetshme
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 131:1–4. Vëreni klasën të kërkojë përse është e rëndësishme që ne të martohemi në mënyrën që Zoti ka dekretuar.
-
Çfarë bekimi i pret ata që zgjedhin të hyjnë në një besëlidhje të re dhe të përjetshme të martesës? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë këtë parim: Kur ne hyjmë në një besëlidhje të re dhe të përjetshme të martesës, ne mund të ekzaltohemi në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale. Shpjegoni se në këtë kontekst, fjala e re do të thotë që kjo zbulesë u rivendos sërish në periudhën tonë ungjillore. Fjala e përjetshme do të thotë se kjo besëlidhje do të durojë përmes përjetësisë dhe se ajo u shugurua në botën e shpirtrave përpara kësaj jete si pjesë e planit të shpëtimit. Ajo ka qenë pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit që nga koha e Adamit. Rreth fjalës rritje, Profeti Jozef Smith dha mësim se ata që marrin shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, “do të vazhdojnë të rriten dhe të kenë fëmijë në lavdinë çelestiale” [në History of the Church, 5:391].)
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“[Shpëtim] do të thotë të shpëtohesh nga vdekja fizike dhe shpirtërore. … [Ekzaltim] nënkupton gjendjen më të lartë të lumturisë dhe lavdisë në sferën çelestiale” (“Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 8).
“Ndërsa shpëtimi është një çështje individuale, ekzaltimi është një çështje familjare. Vetëm ata që martohen në tempull dhe martesa e të cilëve vuloset nga Shpirti i Shenjtë i Premtimit, do të vazhdojnë si bashkëshortë pas vdekjes dhe do të marrin shkallën më të lartë të lavdisë çelestiale, apo ekzaltimin” (“Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92).
-
Përse martesa e përjetshme është kaq e rëndësishme? (Ndërsa studentët përgjigjen dhe siç drejtoheni nga Shpirti, ju mund të doni të theksoni prirjen shkatërruese në botën e sotme të njerëzve që zgjedhin të mos martohen sepse ata i vlerësojnë gjëra të tilla si karriera më shumë sesa përmbushja e planit të Perëndisë për ta. Duke mos e pranuar martesën, ata po humbasin bekime që Perëndia do të donte t’ua jepte atyre tani dhe në përjetësi.)
-
Si mendoni ju, përse martesa në tempull i jep një çifti mundësi më të mëdha për lumturi sesa një martesë civile ose të jetuarit së bashku pa martesë?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se të gjithë shenjtorët përfundimisht do ta marrin bekimin e një martese të përjetshme për aq kohë sa nuk i rrezikojnë standardet e tyre në ndonjë mënyrë, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995):
“Asnjë bekim, duke përfshirë atë të martesës së përjetshme dhe të një familjeje të përjetshme, nuk do t’i mohohet asnjë individi të denjë. Ndërkohë që mund të kërkojë një kohë disi më të gjatë – ndoshta madje përtej kësaj jete në vdekshmëri – që disa njerëz ta arrijnë këtë bekim, ai nuk do të mohohet” (“The Church Is for All People”, Ensign, qershor 1989, f. 76).
-
Sa prej jush njohin njerëz që dëshirojnë të martohen në tempull, por nuk e kanë pasur këtë mundësi? Si mund t’i ndihmojë këta njerëz premtimi në thënien e Presidentit Hanter?
Përfundoni duke i ftuar studentët t’i përgjigjen me shkrim njërës apo të dyja pyetjeve të mëposhtme:
-
Çfarë vendimesh po marr unë që do të më çojnë drejt të qenit i/e vulosur në tempull?
-
Cilat aspekte në jetën time kërkojnë ndryshim ose rritje në mënyrë që unë të jem gati për t’u vulosur në tempull?
Ftojini disa studentë të tregojnë atë që po bëjnë për t’u përgatitur për martesën në tempull. Tregoni dëshminë tuaj se, kur një bashkëshort dhe bashkëshorte i mbajnë besëlidhjet që ata bënë kur u vulosën në tempull, ata do të bashkohen përjetësisht. Tregoni se si kjo njohuri ka qenë një bekim në jetën tuaj.
Materiale Leximi për Studentin
-
Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92–95.