Seminare dhe Institute
Mësimi 16: Fuqitë e Shenjta të Krijimit të Jetës


Mësimi 16

Fuqitë e Shenjta të Krijimit të Jetës

Hyrje

“Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Për të gjithë fëmijët e Perëndisë, të jetuarit e ligjit të dëlirësisë kërkon prej nesh që të jemi të virtytshëm në veprimet tona si edhe në mendimet tona. Intimiteti midis bashkëshortit e bashkëshortes është i bukur dhe i shenjtë, dhe është shuguruar nga Perëndia për krijimin e jetës dhe shprehjen e dashurisë.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Psalmeve 24:3–4; Mateu 5:8; Jakobi [LiM] 2:31–35; Alma 39:3–5, 9; Doktrina e Besëlidhje 42:22–24; 121:45–46

Ligji i Zotit për dëlirësinë

Shkruani në tabelë fjalinë vijuese dhe pyetini studentët se si do ta plotësonin atë:

“Mëkati pllakosës i këtij brezi është .”

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Mëkati pllakosës i këtij brezi është pamoralshmëria seksuale. Ky, tha Profeti Jozef, do të ishte burimi i më shumë tundimeve, më shumë goditjeve dhe më shumë vështirësive për pleqtë e Izraelit sesa ndonjë [mëkat] tjetër” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 232).

  • Si zbatohet thënia e Presidentit Benson në shoqërinë tonë të tanishme?

Paraqitni thënien vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë. Ndërkohë që ata dëgjojnë, u kërkoni studentëve të marrin parasysh mënyrën se si do ta shprehnin në një fjali ligjin e Zotit për dëlirësinë.

“Standardi i Zotit lidhur me pastërtinë seksuale është i qartë dhe i pandryshueshëm. Mos kryeni marrëdhënie seksuale para martese dhe jini plotësisht besnikë/e ndaj bashkëshortes/bashkëshortit tuaj pas martesës. …

… Përpara martesës mos u përfshini në puthje pasionante, mos u shtrini mbi trupin e një personi tjetër, ose mos prekni pjesët intime e të shenjta të trupit të një personi tjetër, me ose pa rroba. Mos bëni asgjë tjetër që zgjon emocione seksuale. Mos i zgjoni ato emocione në vetë trupin tuaj” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011],f. 35–36).

  • Si do ta shprehnit në një fjali ligjin e Zotit për dëlirësinë? (Ndërsa studentët përgjigjen, theksoni doktrinën vijuese nga proklamata e familjes: “Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte” [“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129].)

  • Në ç’mënyrë masat paraprake të përvijuara në paragrafin e dytë të citimit nga broshura Për Forcën e Rinisë, mund ta ndihmojnë dikë që të mos kryejë mëkate më të rënda morale?

Kopjoni në dërrasë tabelën e mëposhtme. Ndajeni klasën përgjysmë dhe ftojeni njërin grup të studiojë fragmentet nën titullin “pasojat” dhe grupin tjetër të studiojë ato që janë nën titullin “bekimet”. Nxitini studentët që, ndërsa studiojnë, t’u referohen shënimeve në fund të faqes në shkrimet e shenjta.

Pasojat e thyerjes së ligjit të dëlirësisë:

Jakobi [LiM] 2:31–35

Alma 39:3–5, 9

DeB 42:22–24

Bekimet e të jetuarit të ligjit të dëlirësisë:

Psalmeve 24:3–4

Mateu 5:8

DeB 121:45–46

Pas një kohe të mjaftueshme, diskutoni me klasën atë që ata mësuan. Bëni pyetje si këto në vijim:

  • Në ç’mënyrë pasojat e dhunimit të ligjit të dëlirësisë tregojnë rëndësinë e mbajtjes së këtij urdhërimi?

  • Si i keni përjetuar bekimet e bindjes ndaj ligjit të dëlirësisë?

Paraqitni të vërtetën vijuese nga proklamata e familjes:

“Ne deklarojmë se mënyra me anë të së cilës krijohet jeta e vdekshme, është caktuar dhe drejtuar nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129).

  • Çfarë kuptimi ka kjo deklaratë për ju?

Përdorini thëniet vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland dhe Dejvid A. Bednar, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për të ndihmuar në thellimin e të kuptuarit të studentëve për këtë të vërtetë. Kërkojini një studenti që t’i lexojë thëniet me zë të lartë ndërsa klasa dëgjon arsyen përse ligji i dëlirësisë është me rëndësi të përjetshme.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Trupi është një pjesë thelbësore e shpirtit. Kjo doktrinë e dallueshme dhe shumë e rëndësishme e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nënvizon arsyen përse mëkati seksual është kaq i rëndë. Ne shpallim se një person që e përdor trupin e dhënë nga Perëndia të një njeriu tjetër pa miratimin hyjnor, abuzon me vetë shpirtin e atij individi, abuzon me qëllimin dhe proceset kryesore të jetës, ‘pikërisht çelësin’ e jetës, siç e quajti dikur Presidenti Bojd K. Paker. Në shfrytëzimin e trupit të një tjetri – që do të thotë shfrytëzimin e shpirtit të tij apo të saj – një person përdhos Shlyerjen e Krishtit, që e shpëtoi atë shpirt dhe bën të mundur dhuratën e jetës së përjetshme” (Jeffrey R. Holland, “Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Martesa mes një burri e një gruaje është mënyra e autorizuar përmes së cilës shpirtrat para lindjes hyjnë në vdekshmëri. Moskryerja tërësisht e marrëdhënieve seksuale përpara martesës dhe besnikëria e plotë gjatë martesës mbrojnë shenjtërinë e kësaj përgjegjësie të shenjtë.

Fuqia e krijimit të jetës është domethënëse nga ana shpirtërore. Keqpërdorimi i kësaj fuqie i shkatërron qëllimet e planit të Atit dhe të ekzistencës sonë në vdekshmëri. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur janë krijues dhe i kanë besuar secilit prej nesh një pjesë të fuqisë së Tyre krijuese. … Mënyra se si ndihemi rreth asaj fuqie hyjnore dhe mënyra se si e përdorim atë, do të përcaktojnë në shkallë të gjerë lumturinë tonë në vdekshmëri dhe fatin tonë në përjetësi” (Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 42).

  • Përse ligji i dëlirësisë është me rëndësi të përjetshme?

  • Si ndikon përdorimi nga ana jonë i fuqisë së krijimit të jetës në lumturinë tonë në vdekshmëri dhe në përjetësi?

Jepuni studentëve një çast për të shkruar masat paraprake që ata mund të marrin për t’i ndihmuar që t’i binden ligjit të dëlirësisë.

Mateu 5:27–28; Romakëve 8:6; Doktrina e Besëlidhje 63:16

Rreziqet e pornografisë

Kërkojuni studentëve të lexojnë vargjet vijuese: Mateu 5:27–28; Romakëve 8:6; dhe Doktrina e Besëlidhje 63:16. Merrni parasysh që t’u kërkoni studentëve të praktikojnë aftësinë e studimit të shkrimeve të shenjta për të krijuar zinxhirë të shkrimeve të shenjta duke filluar me fragmentin e parë, duke shkruar një referencë kryq tek tjetra e kështu me radhë deri në paragrafin e fundit.

  • Cilat sjellje ndalojnë këta paragrafë? (Një sjellje që studentët duhet të përcaktojnë, është përdorimi i pornografisë.)

  • Cilat pasoja të shikimit ose leximit të pornografisë përcaktojnë këto shkrime të shenjta?

Paraqitni thëniet e mëposhtme nga Plaku Dallin H. Ouks dhe Riçard G. Skot, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe nga Motra Linda S. Rivs, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme në Shoqatën e Ndihmës. Kërkojini një studenti që t’i lexojë ato me zë të lartë dhe ftojeni klasën të kërkojë pasojat shtesë të përdorimit të pornografisë.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Pornografia e dëmton aftësinë e dikujt për të gëzuar një marrëdhënie normale, emocionale, romantike dhe shpirtërore me një person të gjinisë së kundërt” (Dallin H. Ouks, “Pornografia”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 89 Konferenca e Përgjithshme, prill 2005 f. 105).

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Satani është bërë mjeshtër në përdorimin e fuqisë vesformuese të pornografisë për ta kufizuar aftësinë vetjake të udhëheqjes nga Shpirti. Sulmi i vrullshëm i pornografisë me të gjitha format e saj të liga, gërryese e shkatërrimtare ka shkaktuar mjerim, vuajtje, dëshpërim të madh dhe ka shkatërruar martesa” (Riçard G. Skot, “Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 9).

Pamja
Linda S. Rivs

“[Fëmijët dhe të rinjtë] duhet t’i dinë rreziqet e pornografisë dhe mënyrën se si e pushton ajo jetën, duke shkaktuar humbjen e Shpirtit, ndjenja të shtrembëruara, gënjeshtra, humbjen e vetëkontrollit dhe harxhim pothuaj të plotë të kohës, mendimit dhe energjisë” (Linda S. Rivs, “Mbrojtja nga Pornografia – një Shtëpi e Përqendruar te Krishti”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 15)

Nxitini studentët që po luftojnë me pornografinë apo lloje të tjera të imoralitetit, që të takohen me peshkopin ose presidentin e degës së tyre. Sigurojini se ata mund ta gjejnë sërish udhën për te paqja dhe lumturia nëpërmjet pendimit. Dëshmoni për të vërtetën vijuese: Shmangia e pornografisë do të çojë drejt një lumturie më të madhe në këtë jetë dhe në përjetësi. Merrni parasysh të renditni në tabelë faqet e mëposhtme të internetit të Kishës për të ndihmuar studentët që janë përfshirë në përdorimin e pornografisë:

overcomingpornography.org

addictionrecovery.lds.org

Zanafilla 2:21–24

Roli i intimitetit në martesë

Shënim: Për shkak të natyrës së ndjeshme të kësaj pjese të mësimit, mbështetuni te mësimet profetike dhe shmangni mësimdhënien përtej asaj që gjendet këtu, duke përfshirë ndarjen e hollësive rreth marrëdhënies suaj me bashkëshortin/en tuaj.

Dëshmoni se intimiteti fizik është i shenjtë, i përshtatshëm dhe i veçantë kur ai ndodh brenda marrëdhënies martesore, mënyra se si Zoti e ka caktuar.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Zanafillën 2:21–24.

  • Megjithëse nuk përmendet në mënyrë të veçantë, çfarë nënkuptojnë këto vargje për atë çka është qëllimi i intimitetit fizik midis një burri dhe një gruaje? (Të bëhemi një me bashkëshortin/en tonë.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Intimiteti njerëzor ruhet për një çift të martuar sepse ai është simboli përfundimtar i një bashkimi të plotë, një plotësi dhe një bashkim i shuguruar dhe i përcaktuar nga Perëndia. Që nga Kopshti i Edenit e më tej, martesa kishte për qëllim të nënkuptonte një shkrirje të plotë të një burri dhe një gruaje – zemrat, shpresat, jetën, dashurinë, familjen, të ardhmen, çdo gjë” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).

  • Si ju ndihmon thënia e Plakut Holland të kuptoni më mirë qëllimet e intimitetit fizik midis një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje? (Studentët duhet të kuptojnë sa më poshtë: Intimiteti brenda martesës e forcon lidhjen shpirtërore dhe emocionale midis bashkëshortit dhe bashkëshortes.)

Merrni parasysh t’i shpërndani thëniet vijuese në një fletushkë. Jepini një kopje çdo studenti dhe u kërkoni studentëve të nënvizojnë qëllimet e intimitetit fizik në martesë.

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Bashkimi i sekseve, bashkëshort dhe bashkëshorte (dhe vetëm bashkëshort dhe bashkëshorte), ishte për qëllimin kryesor të sjelljes së fëmijëve në botë. Përvojat seksuale kurrë nuk kishin për qëllim nga Zoti që të ishin thjesht një lojë ose thjesht për të kënaqur pasionet dhe epshet” (Spencer W. Kimball, “The Lord’s Plan for Men and Women”, Ensign, tetor 1975, f. 4).

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka një standard të vetëm, të pandryshueshëm të moralshmërisë seksuale: marrëdhëniet intime janë të përshtatshme vetëm midis një burri dhe një gruaje në marrëdhënien martesore të përshkruar në planin e Perëndisë. Marrëdhënie të tilla nuk janë thjesht një kuriozitet për t’u zbuluar, një dëshirë për t’u kënaqur, ose një lloj kalimi kohe apo argëtimi për t’u ndjekur me egoizëm. … Përkundrazi, në vdekshmëri ato janë një prej shprehjeve bazë të natyrës e potencialit tonë hyjnor dhe një mënyrë për të forcuar lidhjet emocionale dhe shpirtërore midis bashkëshortit dhe bashkëshortes” (Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 42).

Diskutoni se cilat qëllime nënvizuan studentët.

Ftojini studentët të përsiatin atë që kanë mësuar rreth ligjit të dëlirësisë, dhe pastaj t’i shkruajnë përgjigjet për pyetjet vijuese në ditarët e tyre:

  • Si e forcon të kuptuarit e ligjit të dëlirësisë vendosmërinë tuaj për të jetuar një jetë moralisht të pastër?

  • Cilat janë arsyet që ju e jetoni ligjin e dëlirësisë?

Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për parimet e diskutuara në klasë.

Materiale Leximi për Studentin

Shtyp në Letër