Mësimi 3
Potenciali Ynë Hyjnor
Hyrje
Ati Qiellor ka siguruar një plan që na aftëson të kthehemi në praninë e Tij dhe të bëhemi si Ai. Presidenti Diter F. Uhtdorf na mësoi: “Ne ishim fëmijë të Tij para se të vinim në këtë botë dhe do të jemi fëmijët e Tij përgjithmonë. Kjo e vërtetë bazë [duhet ta] ndrysho[jë] mënyrën se si e shohim veten, vëllezërit dhe motrat tona dhe vetë jetën” (“Katër Tituj”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 58). Kur studentët arrijnë ta kuptojnë më mirë potencialin e tyre hyjnor, ata ka më shumë të ngjarë që të veprojnë siç duhet me sfidat që i hasin në vdekshmëri.
Lexim Konteksti
-
Diter F. Uhtdorf, “Katër Tituj”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 58–61.
-
Gospel Topics, “Becoming Like God”, lds.org/topics.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zanafilla 1:27; Isaia 55:8–9; Veprat e Apostujve 17:29; Hebrenjve 12:9; 1 Gjonit 3:1; 4:8–9; 1 Nefi 9:6; 2 Nefi 9:20; Moroni 8:18; Doktrina e Besëlidhje 76:4; 88:41; 130:22
Ne jemi fëmijë të Perëndisë
Ftojini studentët të përfytyrojnë se një shok/qe joanëtar i ka pyetur që çfarë beson Kisha jonë se si është Ati Qiellor. Kërkojuni studentëve që të thonë shkurtimisht se si mund të përgjigjeshin.
Shkruani grupet vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë ose shpërndajuni atyre një fletushkë:
Caktojini studentët të studiojnë disa prej këtyre grupeve të shkrimeve të shenjta dhe të përcaktojnë atë që na mësojnë ato rreth Atit tonë në Qiell. Sigurohuni që të caktohet çdo grup i shkrimeve të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë se si ata mund ta përdorin një ose më shumë prej këtyre shkrimeve të shenjta për të shpjeguar atë që e dinë ose e besojnë rreth Atit Qiellor.
-
Si mund t’ju ndihmojë të diturit e këtyre tipareve të Atit Qiellor që ta adhuroni Atë?
-
Si e ndikon marrëdhënien tuaj me Të dijenia që Ati Qiellor është një qenie reale që ka një trup të përsosur, të ringjallur, prej mishi e kockash dhe që është Ati i shpirtit tuaj?
-
Përse është e dobishme kur adhurojmë Perëndinë, që të mbajmë mend se Ai është Ati i shpirtrave tanë? (Si pjesë të diskutimit, theksoni se ngaqë Perëndia është Ati i shpirtrave tanë, potenciali ynë hyjnor është që të bëhemi si Ai. Mund të jetë gjithashtu e dobishme të lexoni deklaratën vijuese të dhënë nga Presidenca e Parë në vitin 1909, nën drejtimin e Presidentit Jozef F. Smith [1838–1918]: “Të gjithë burrat e gratë janë në ngjashmërinë e Atit dhe të Nënës së gjithësisë dhe janë me kuptimin e vërtetë të fjalës bijtë dhe bijat e Hyjnisë” [“Gospel Classics: The Origin of Man”, Ensign, shkurt 2002, f. 29].)
Shpërndani kopje të thënies vijuese nga Profeti Jozef Smith. Kërkojuni studentëve ta lexojnë atë në heshtje dhe të vërejnë fraza që tregojnë rëndësinë e të kuptuarit se kush është Perëndia.
“Nëse njerëzit nuk e kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten. …
Vetë Perëndia ishte një herë siç jemi ne tani, dhe është një njeri i ekzaltuar dhe ulet i kurorëzuar në qiejt atje lart! … Nëse veli do të grisej sot dhe Perëndia i madh, që e mban këtë botë në orbitën e saj dhe që mban gjithë botët e gjithë gjërat me anë të fuqisë së Tij, do ta bënte Vetveten të dukshëm, – ju them, nëse do ta shihnit Atë sot, do ta shihnit Atë me formën e një njeriu – si ju vetë, në të gjithë personin, imazhin dhe vetë formën e një njeriu; sepse Adami u krijua sipas vetë modelit, imazhit dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe mori udhëzim nga Ai dhe eci, foli e bisedoi me Të, ashtu si një njeri flet e komunikon me një tjetër” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 42).
-
Si na ndihmon të kuptuarit se cili është Ati Qiellor që të kuptojmë veten tonë? (Teksa studentët përgjigjen, shkruani sa vijon në tabelë: Kur arrijmë ta kuptojmë Atin tonë Qiellor, ne mund të kuptojmë më mirë potencialin tonë për t’u bërë si Prindërit tanë Qiellorë.)
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë.
“Merrni parasysh fuqinë e idesë që jepet mësim në këngën tonë të dashur ‘Fëmi i Per’ndis’ Jam’ [Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58]. … Këtu është përgjigjja për një nga pyetjet e mëdha të jetës: ‘Kush jam unë?’ Unë jam një fëmijë i Perëndisë me prejardhje shpirtërore nga prindër qiellorë. Ajo prejardhje përcakton potencialin tonë të përjetshëm. Ajo ide e fuqishme është një mjet i fortë kundër depresionit. Ajo mund ta forcojë secilin prej nesh që të bëjë zgjedhje të drejta dhe të kërkojë më të mirën që është brenda nesh” (“Powerful Ideas”, Ensign, nëntor 1995, f. 25).
Shkruajeni sa vijon në tabelë:
Ftojini disa studentë të tregojnë se si do ta plotësonin njërën prej këtyre fjalive.
Romakëve 8:16–17; 1 Gjonit 3:2; 3 Nefi 12:48
Potenciali ynë hyjnor
Thuajini klasës suaj se nganjëherë ne dëgjojmë që dikush ka “potencial të madh”.
-
Si mendoni, çfarë do të thotë kjo frazë?
Shkruani referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe kërkojuni studentëve që t’i studiojnë ato për të mësuar rreth potencialit tonë hyjnor: Romakëve 8:16–17; 1 Gjonit 3:2; 3 Nefi 12:48. Ju mund të sugjeroni që studentët t’i lidhin kryq këto referenca në shkrimet e tyre të shenjta duke i shkruar dy referencat e tjera në anë të faqes pranë secilit shkrim të shenjtë.
-
Duke pasur parasysh shkrimet e shenjta që i studiuam rreth karakterit të Perëndisë, çfarë do të thotë për ju fraza “ne [do] të jemi si Ai”?
-
Si mendoni, çfarë do të thotë të jemi një “bashkëtrashëgimtar” me Jezu Krishtin? (Si Biri i Vetëmlindur i Atit në mish, është e drejta e Jezu Krishtit që të trashëgojë gjithçka që Ati ka. Ata që janë të bindur dhe marrin bekimet e plota të Shlyerjes së Shpëtimtarit, do të trashëgojnë gjithashtu gjithçka që Ati ka [shih Romakëve 8:14–18; Galatasve 3:26–29; DeB 84:38]. Theksoni parimin vijues: Plani i Atit Qiellor siguron një mënyrë për ne që të bëhemi si Prindërit tanë Qiellorë. Vini në dukje se, edhe pse disa njerëz mund ta kritikojnë bindjen tonë që ne mund të bëhemi si Perëndia, kjo bindje bazohet në mësimet e Biblës.)
Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:
Lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks dhe vërini studentët të kërkojnë përgjigje për pyetjen në tabelë:
“Në teologjinë e kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, qëllimi i jetës në vdekshmëri është të na përgatitë që të bëjmë të ndodhë fati ynë si bij dhe bija të Perëndisë – të bëhemi si Ai. … Bibla i përshkruan njerëzit e vdekshëm si ‘bij të Perëndisë’ dhe si ‘trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit’ (Romakëve 8:16–17). Ajo gjithashtu shpall që ‘[ne] vuajmë me të [që të mund të] lavd[ër]ohemi me të’ (Romakëve 8:17) dhe që ‘kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të’ (1 Gjonit 3:2). Ne i pranojmë këto mësime të Biblës me tërë kuptimin e fjalës. Ne besojmë se qëllimi i jetës në vdekshmëri është që të fitojmë një trup fizik dhe, nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit, të kualifikohemi për gjendjen e përlëvduar, të ringjallur, çelestiale që quhet ekzaltim ose jetë e përjetshme. … (Ky fat i jetës së përjetshme ose jetës së Perëndisë duhet të jetë i njohur për të gjithë ata që e kanë studiuar doktrinën e lashtë, të krishterë të hyjnizimit ose apoteozës dhe të besimit tek hyjnizimi apo apoteoza.) …
… Teologjia jonë fillon me prindërit qiellorë. Aspirata jonë më e lartë është të bëhemi si ata. Nën planin e mëshirshëm të Atit, e gjithë kjo është e mundur nëpërmjet shlyerjes së Birit të Vetëmlindur të Atit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit” (“Apostasy and Restoration”, Ensign, maj 1995, f. 86–87).
(Shënim: Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjalët hyjnizim dhe apoteozë i drejtohen idesë që një njeri mund të bëhet një perëndi apo të lartësohet në një gjendje hyjnore.)
Diskutoni përgjigjet e studentëve për pyetjen në tabelë. Më pas pyetni:
-
Çfarë mendimesh keni teksa merrni parasysh se plani i Atit Qiellor ju jep mundësinë që të bëheni si Ai?
-
Përse është Shlyerja e Krishtit e domosdoshme për ne që të bëhemi si Perëndia?
Për ta çuar më tej këtë diskutim, rishikoni me studentët tuaj thënien vijuese:
“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kuptojnë madhështinë e Shlyerjes së Krishtit përsa i përket potencialit të gjerë njerëzor që ajo bën të mundur. Shlyerja e Krishtit jo vetëm që siguron falje për mëkatin dhe fitore mbi vdekjen, ajo gjithashtu i shëlbon marrëdhëniet e papërsosura, i shëron plagët shpirtërore që e ndrydhin rritjen, dhe i forcon e aftëson individët për të zhvilluar tiparet e Krishtit [shih Alma 7:11–12]. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se është vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit që ne mund të kemi një shpresë të sigurt të lavdisë së përjetshme dhe se fuqia e Shlyerjes së Tij përdoret tërësisht vetëm nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund në ndjekjen e udhëzimit dhe të shembullit të Krishtit [shih 2 Nefi 31:20; Nenet e Besimit 1:4]. Prandaj, ata që bëhen si Perëndia dhe hyjnë në plotësinë e lavdisë së Tij, përshkruhen si njerëz që janë ‘bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij’ [DeB 76:69]” [Gospel Topics, “Becoming Like God”, lds.org/topics).
Shpërndani kopje të thënies vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Ftojini studentët ta lexojnë thënien dhe të shenjojnë ide që ju japin atyre shpresë se mund të arrijnë potencialin e tyre hyjnor. Vini në dukje që Presidenti Uhtdorf e dha këtë bisedë në një sesion të priftërisë të një konference të përgjithshme, por idetë gjejnë zbatim për çdo njeri:
“Një titull që na përcakton të gjithë ne, në mënyrën më themelore, është bir [ose bijë] e Atit Qiellor. Pavarësisht nga çfarë tjetër jemi apo bëjmë në jetë, nuk duhet të harrojmë kurrë se ne jemi fëmijë shpirtërorë të mirëfilltë të Perëndisë. Ne ishim fëmijë të Tij para se të vinim në këtë botë dhe do të jemi fëmijët e Tij përgjithmonë. Kjo e vërtetë bazë ndryshon mënyrën se si e shohim veten, vëllezërit dhe motrat tona dhe vetë jetën. …
Mund të jetë shkurajuese nganjëherë kur e di se çfarë do të thotë të jesh bir i Perëndisë dhe përsëri të dështosh në përmbushjen e potencialit tënd si i tillë. Kundërshtari dëshiron t’i shfrytëzojë këto ndjenja. Satani do të donte që ju ta përcaktonit veten sipas mëkateve tuaja dhe jo sipas potencialit tuaj hyjnor. Vëllezër, mos ia vini veshin atij.
Ne të gjithë e kemi parë një foshnjë që mëson të ecë. Ai bën një hap të vogël dhe lëkundet. Ai bie. A e qortojmë një përpjekje të tillë? Natyrisht që jo. Cili baba do ta ndëshkonte një foshnjë sepse pengohet? Ne nxitim, ne duartrokasim dhe ne lavdërojmë sepse, me çdo hap të vogël, fëmija po bëhet më shumë si prindërit e tij.
Tani, vëllezër, krahasuar me përsosmërinë e Perëndisë, ne të vdekshmit zor se jemi më shumë se foshnja të ngathëta, ngurruese. Por Ati ynë i dashur Qiellor dëshiron që ne të bëhemi më shumë si Ai dhe, vëllezër të dashur, ky duhet të jetë qëllimi ynë i përjetshëm gjithashtu. Perëndia e kupton se ne nuk arrijmë atje brenda një çasti, por duke i bërë hapat një e nga një” (“Katër Tituj”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 58).
-
Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave të përjetshme që të arrini potencialin tuaj hyjnor?
-
Si mund ta ndikojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave mënyrën se si ju i trajtoni pjesëtarët e familjes suaj?
-
Si mund ta ndikojë njohuria juaj për këto të vërteta dëshirën tuaj për të kërkuar informacion rreth pjesëtarëve të vdekur të familjes suaj dhe për të kryer ordinanca në tempull për ta?
Nxitini studentët t’ia tregojnë atë që kanë mësuar dhe ndier gjatë këtij mësimi, një pjesëtari të familjes ose një shoku apo shoqeje gjatë javës së ardhshme. Ata gjithashtu mund të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë çdo ditë që ta kujtojnë në mënyrë të ndërgjegjshme se janë fëmijë të Atit Qiellor dhe që të planifikojnë për ta shënuar në një ditar mënyrën se si të kujtuarit e kësaj të vërtete të shenjtë i ndikon veprimet e tyre.
Materiale Leximi për Studentin
-
Zanafilla 1:27; Isaia 55:8–9; Veprat e Apostujve 17:29; Romakëve 8:16–17; Hebrenjve 12:9; 1 Gjonit 3:1–2; 4:8–9; 1 Nefi 9:6; 2 Nefi 9:20; 3 Nefi 12:48; Moroni 8:18; Doktrina e Besëlidhje 76:4; 88:41; 130:22.
-
Gospel Topics, “Becoming Like God”, lds.org/topics.