Mësimi 7
Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia
Hyrje
Ati Qiellor e themeloi modelin hyjnor të martesës me Adamin dhe Evën në Kopshtin e Edenit. Në kohën tonë, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e kanë pohuar këtë model duke thënë: “Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Edhe pse ligjet e njerëzve mund të përpiqen ta ndryshojnë këtë përkufizim, ligjet e Perëndisë mbeten të njëjta përgjithmonë.
Lexim Konteksti
-
D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 50–53.
-
Dallin H. Oaks, “Nuk do të Kesh Perëndi të Tjerë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 72–75.
-
Sheri L. Dew, “It Is Not Good for Man or Woman to Be Alone”, Ensign, nëntor 2001, f. 12–14.
-
“The Divine Institution of Marriage”, mormonnewsroom.org/article/the-divine-institution-of-marriage.
-
Gospel Topics, “Same-Sex Marriage”, lds.org/topics.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 49:15–17; Moisiu 3:21–24
Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia
Shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë: “Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia”. Pyetini studentët se çfarë do të thotë fjala shugurohet në këtë fjali. (Përgjigjet e mundshme përfshijnë sa vijon: urdhërohet, shpallet ose caktohet me anë të autoritetit më të lartë.) Pyetini studentët se si ky përkufizim i ndihmon ata të kuptojnë domethënien e doktrinës në tabelë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 49:15–17 për të gjetur një thënie sërish nga shkrimet e shenjta të kësaj doktrine.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Moisiun 3:21–24. Ftojeni klasën të kërkojë se cili hap i rëndësishëm në planin e shpëtimit përshkruhet në këto vargje. (Ndërkohë që studentët përgjigjen, shpjegoni se referenca drejtuar brinjës së Adamit është simbolike – Perëndia nuk e hoqi vërtet një brinjë nga Adami. Ju gjithashtu mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë përkufizimin vijues të shprehjes kapet pas në anë të shkrimeve të tyre të shenjta: “krijon një bashkim të afërt, afatgjatë dhe të palëkundshëm”.)
-
Çfarë mendoni se donte të na mësonte Perëndia duke e përshkruar krijimin fizik të Evës në këtë mënyrë? (Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Brinja, duke dalë siç bëhet nga ija, duket se vë në dukje bashkëpjesëmarrje. Brinja nuk nënkupton as mbizotërim, as nënshtrim, por një marrëdhënie të dyanshme si bashkëpjesëmarrës, për të punuar e për të jetuar, krah për krah” [“Lessons from Eve”, Ensign, nëntor 1987, f. 87].)
-
Çfarë mund të mësojmë nga Moisiu 3:24? (Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se Perëndia “i bashkoi [Adamin dhe Evën] si bashkëshort e bashkëshorte. … As ne, as ndonjë tjetër njeri i vdekshëm nuk mund ta ndryshojë këtë rend hyjnor të martesës. Ai nuk është një shpikje njerëzore” [“Përse Martesa, Përse Familja”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 52].)
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë. Vëreni klasën të kërkojë idetë lidhur me arsyen përse Perëndia ka shuguruar që martesa të ndodhë vetëm midis një burri dhe një gruaje.
“Pasi u krijua toka, Adami u vendos në Kopshtin e Edenit. Sidoqoftë, në mënyrë të rëndësishme, Perëndia tha: ‘Nuk ishte mirë që njeriu të ishte i vetëm’ (Moisiu 3:18; shih edhe Zanafilla 2:18) dhe Eva u bë gruaja dhe ndihmuesja e tij. Qe e nevojshme ndërthurja e pashoqe e aftësive shpirtërore, fizike, mendore dhe emocionale si të meshkujve dhe femrave për ta realizuar planin e lumturisë. ‘Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin’ (1 Korintasve 11:11). Burri dhe gruaja janë paracaktuar të mësojnë nga njëri-tjetri, ta forcojnë, ta bekojnë dhe ta plotësojnë njëri-tjetrin” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41–42).
-
Nisur nga kuptueshmëria juaj e planit të Atit Qiellor për lumturinë, përse martesa midis një burri e një gruaje shugurohet prej Tij?
Moisiu 3:18; 5:1–5, 12, 16
Bashkëshortët dhe bashkëshortet janë bashkëpjesëmarrës të barabartë
-
Çfarë vlere ka në ndjekjen e një modeli kur bëjmë një diçka si një artikull veshjeje?
-
Çfarë vlere do të gjendej në studimin e modelit ideal të martesës?
Shpjegoni se martesa e Adamit dhe Evës përfaqëson modelin e Zotit për atë që duhet të jetë një martesë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 3:18.
-
Çfarë është të kuptuarit tuaj për termin “ndihmës të përshtatshëm”? (“Ndihmës” përkthehet nga një kombinim i dy rrënjëve hebraike, një që do të thotë të çlirosh ose të shpëtosh dhe tjetra që do të thotë të jesh i fortë. “I përshtatshëm” përkthehet nga një fjalë hebraike që sugjeron i duhur dhe i barabartë. Kështu, një “ndihmës i përshtatshëm” është një shoqërues i duhur dhe i barabartë që zotëron fuqi për të shpëtuar. Sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë përkufizim në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargut Moisiu 3:18. Shih edhe Howard W. Hunter, “Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 51.)
-
Çfarë lloj marrëdhënieje sugjeron ky term për një bashkëshort dhe një bashkëshorte? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë doktrinën vijuese: Ati Qiellor ka shuguruar që një bashkëshort dhe një bashkëshorte të jenë bashkëpjesëmarrës të barabartë.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë për një bashkëshort e një bashkëshorte që të jenë bashkëpjesëmarrës të barabartë?
Ndajeni klasën në grupe të vogla, me ndoshta tre ose katër studentë në një grup. Vërini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Moisiut 5:1–5, 12 e 16, duke kërkuar mënyra sipas të cilave Adami dhe Eva punuan së bashku si bashkëpjesëmarrës të barabartë dhe t’i diskutojnë gjetjet e tyre brenda grupeve të tyre.
Paraqitni thëniet vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe Motra Sheri L. Dju, ish-këshilltare në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Kërkojini një studenti t’i lexojë ato me zë të lartë:
“Nga ky anal i frymëzuar [Moisiu 5:1–2, 4, 12, 16] ne shohim që Adami dhe Eva na dhanë një shembull ideal të një marrëdhënieje martesore në besëlidhje. Ata punuan së bashku; bënë fëmijë së bashku; u lutën së bashku; dhe u mësuan fëmijëve ungjillin – së bashku. Ky është modeli që Perëndia do të dëshironte ta imitonin të gjithë burrat dhe gratë e drejta” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 192–193).
“Përsiatni rrëfimet e shkrimeve të shenjta për Adamin e Evën dhe shihni se çfarë do t’ju mësojë Zoti juve, që do ta forcojë martesën tuaj [dhe] familjen tuaj. … Modelet e Atit tonë na ndihmojnë të shmangim mashtrimin. Shihni te Zoti dhe jo te bota për idetë dhe modelet tuaj të përsosur rreth burrave dhe grave” (Sheri L. Dew, “It Is Not Good for Man or Woman to Be Alone”, Ensign, nëntor 2001, f. 14).
-
Kur e keni parë një bashkëshort dhe një bashkëshorte të punojnë së bashku si bashkëpjesëmarrës të barabartë?
-
Si mendoni se të kuptuarit e modelit hyjnor për martesën mund ta ndikonte të ardhmen tuaj?
Jepuni studentëve disa minuta për të bërë dy lista: 1) sjelljet që i kanë aktualisht, të cilat do të ndihmojnë që t’i udhëheqin ata drejt një martese të shuguruar nga Perëndia, dhe 2) sjelljet që mund të nevojitet t’i ndryshojnë me qëllim që të afrohen më pranë drejt atij synimi. Shprehni vetëbesimin që Zoti do t’i bekojë ata në përpjekjet e tyre.
Mormoni 9:9
Mësimet e Zotit rreth martesës mes të njëjtit seks
(Shënim: Jini të ndjeshëm ndaj studentëve që shprehin opinione të ndryshme mbi këtë çështje. Përqendroheni diskutimin e klasës te thëniet e Autoriteteve të Përgjithshme të Kishës.)
-
Si ndikohet modeli i shuguruar nga Perëndia për martesën kur qeveritë miratojnë ligje që bëjnë të ligjshme sjellje që janë në kundërshtim me këtë model? (Teksa studentët përgjigjen, përdorni Mormonin 9:9 që të tregoni se Perëndia dhe ligjet e Tij janë të pandryshueshme. Natyra e pandryshueshme e Perëndisë na ndihmon të kemi vetëbesim dhe besim tek Ai.)
Jepini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe ftojini studentët të kërkojnë arsyet përse udhëheqësit e Kishës kanë folur për martesën mes të njëjtit seks:
“Procedurat ligjore dhe veprimet legjislative në disa vende i kanë njohur në mënyrë civile marrëdhëniet martesore mes të njëjtit seks dhe çështja e martesës mes të njëjtit seks vazhdon të debatohet gjerësisht. Ndërsa përballemi me këtë dhe çështje të tjera, ne i nxitim të gjithë të mbajnë në mendje qëllimet e Atit tonë Qiellor në krijimin e tokës dhe sigurimin e lindjes dhe përvojës sonë këtu në vdekshmëri si fëmijët e Tij [shih Zanafilla 1:27–28; 2:24]. … Martesa midis një burri dhe një gruaje u krijua nga Perëndia dhe është thelbësore në planin e Tij për fëmijët e Tij dhe për mirëqenien e shoqërisë. Familjet e forta, të drejtuara nga një nënë dhe një atë i dashur, shërbejnë si institucioni themelor për ushqimin shpirtëror të fëmijëve, rrënjosjen e besimit dhe përçimin te brezat e ardhshëm të forcave dhe vlerave morale që janë të rëndësishme për qytetërimin dhe vendimtare për shpëtimin e përjetshëm.
Ndryshimet në ligjin civil nuk e ndryshojnë, në të vërtetë nuk mund ta ndryshojnë, ligjin moral që Perëndia e ka krijuar. Perëndia pret nga ne që t’i mbrojmë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, pavarësisht nga mendimet ose prirjet e kundërta në shoqëri. Ligji i Tij për dëlirësinë është i qartë: marrëdhëniet seksuale janë të përshtatshme vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte” (cituar në Gospel Topics, “Same-Sex Marriage”, lds.org/topics).
-
Si na ndihmon kuptueshmëria e planit dhe doktrinës së Perëndisë që të dallojmë rëndësinë e martesës midis një burri dhe një gruaje?
Gjithashtu jepini secilit student një kopje të thënies vijuese, e cila vjen prej një dokumenti të botuar nga Kisha, të titulluar “The Divine Institution of Marriage” [“Institucioni Hyjnor i Martesës”]. Vërini studentët të kërkojnë arsyet përse përkufizimi i martesës midis një burri dhe një gruaje duhet të ruhet në ligjet dhe rregulloret:
“Martesa është shumë më tepër sesa një kontratë midis individëve për të miratuar ndjenjat e tyre të dashurisë dhe për të siguruar detyrime të ndërsjella. Përkundrazi, martesa është një institucion jetik për rritjen e fëmijëve dhe mësimdhënien atyre që të bëhen të rritur të përgjegjshëm. Përgjatë epokave, qeveritë e të gjitha llojeve e kanë pranuar martesën si thelbësore në ruajtjen e qëndrueshmërisë shoqërore dhe në vazhdueshmërinë e jetës. Pavarësisht nëse martesat u kryen si një rit fetar apo një ceremoni civile, pothuajse në çdo kulturë martesa është mbrojtur dhe përkrahur nga qeveritë kryesisht për ta ruajtur e nxitur institucionin më qendror në rritjen e fëmijëve dhe në mësimdhënien atyre të vlerave morale që janë themeli i qytetërimit. …
Për shkak të lidhjeve të ngushta që kanë ekzistuar prej kohësh midis martesës, krijimit të jetës, gjinisë dhe qenies prindër, martesa mes të njëjtit seks nuk mund të shihet thjesht si dhënia e një ‘të drejte’ të re. Ajo është një ripërkufizim largpamës i vetë natyrës së martesës. Ajo shënon një ndryshim themeltar në institucionin e martesës në mënyra që janë në kundërshtim me qëllimet e Perëndisë për fëmijët e Tij dhe dëmtuese ndaj interesave afatgjata të shoqërisë” (“The Divine Institution of Marriage”, mormonnewsroom.org/article/the-divine-institution-of-marriage).
-
Cilat janë disa arsye përse shoqëritë tradicionalisht e kanë përkrahur e mbrojtur martesën midis një burri dhe një gruaje?
-
Si mund të arrijë një njeri të dallojë të vërtetën e pozitës së Kishës për këtë çështje të rëndësishme?
Nxitini studentët të marrin parasysh se si opinionet e tyre krahasohen me mësimet e Perëndisë mbi martesën, sikurse na mësohen nga udhëheqësit e Kishës. Jepni dëshminë tuaj që të besuarit te modeli i Perëndisë për martesën dhe të mbështeturit e atij modeli do të na sjellin bekime të përjetshme.
Materiale Leximi për Studentin
-
Mormoni 9:9; Doktrina e Besëlidhje 49:15–17; Moisiu 3:18–25; 5:1–16.
-
“The Divine Institution of Marriage”, mormonnewsroom.org/article/the-divine-institution-of-marriage.