2012
Ngrihuni e Shkëlqeni
Maj 2012


Ngrihuni e Shkëlqeni

En M. Dib

Një nga mënyrat më të mrekullueshme se si ne mund të ngrihemi dhe të shkëlqejmë është t’u bindemi me vetëbesim urdhërimeve të Perëndisë.

Është një privilegj për mua të jem këtë mbrëmje me ju. Çdo janar pres me ankth njoftimin e temës së re të Aktiviteteve të Përbashkëta. Megjithatë, unë gjithmonë gjej një moment për të vlerësuar nëse i kam zotëruar mësimet e temës së vitit të kaluar.

Le t’i shqyrtojmë për një moment temat e fundit: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet [tuaja] pa pushim”1, “[Jini] të qëndruesh[me] dhe të palëvizur[a], gjithmonë plot me vepra të mira”2, “Bëhu[ni] shembull për besimtarët”3, “Ji[ni] [të] fort[a] dhe trim[e]”4 dhe neni i trembëdhjetë i besimit: “Ne besojmë në qenien të ndersh[me], të vërtet[a], të dëlir[a], mirëdashës[e], të virtytsh[me] dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve”5.

Studimi dhe përqendrimi mbi këto shkrime të shenjta për një vit të plotë i ka lejuar ato të bëhen pjesë e zemrave tona, shpirtrave tanë dhe dëshmive tona. Ne shpresojmë se ju do të vazhdoni të ndiqni udhëheqjen e tyre ndërsa e drejtojmë përqendrimin tonë te tema e Aktiviteteve të Përbashkëta për vitin 2012, që gjendet te Doktrina e Besëlidhje.

Kreu për seksionin 115 shpjegon se ishte viti 1838 dhe vendndodhja qe Far-Uesti në Misuri. Jozef Smithi ishte “duke bërë të ditur vullnetin e Perëndisë lidhur me ndërtimin e atij vendi dhe të Shtëpisë së Zotit”. Profeti ishte optimist dhe plot besim. Në vargun 5, ku gjejmë temën për këtë vit, Zoti i thotë: “Në të vërtetë unë ju them ju të gjithëve: Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet”.

Çfarë mendoni ju kur dëgjoni fjalën ngrihuni? Unë personalisht mendoj për ju – rininë fisnike të Kishës. Ju përfytyroj duke u ngritur me zell nga shtretërit tuaj çdo ditë për seminarin herët në mëngjes. Ju shoh duke u ngritur besnikërisht nga gjunjëzimi pas përfundimit të lutjeve tuaja ditore. Ju mendoj duke u ngritur me guxim për të ndarë dëshminë tuaj dhe për të mbrojtur standardet tuaja. Jam e frymëzuar nga zotimi juaj ndaj ungjillit dhe shembujt tuaj të mirë. Shumë prej jush tashmë e kanë pranuar këtë ftesë për t’u ngritur e për të shkëlqyer dhe drita juaj u jep zemër të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë.

Një nga mënyrat më të mrekullueshme se si ne mund të ngrihemi dhe të shkëlqejmë është t’u bindemi me vetëbesim urdhërimeve të Perëndisë. Ne mësojmë për këto urdhërime në shkrimet e shenjta, nga profetët e kohëve të sotme dhe brenda faqeve të broshurës Për Forcën e Rinisë. Secila prej jush duhet të ketë kopjen e saj personale. Në kopjen time personale, unë kam rrethuar fjalët për dhe ju, siç më është mësuar nga një mikeshë e respektuar. Ky veprim i thjeshtë më kujton se këto standarde nuk janë thjesht udhëzime të përgjithshme – ato janë posaçërisht për mua. Unë shpresoj se ju do ta gjeni kohën për t’i rrethuar ato fjalë në vetë broshurën tuaj, për ta lexuar nga fillimi në fund dhe për të ndier Shpirtin të dëshmojë se ato janë edhe për ju.

Mund të ketë nga ato prej jush që joshen për t’i shpërfillur ose për t’i hequr nga mendja standardet në broshurën Për Forcën e Rinisë. Ato mund ta shohin broshurën e të thonë: “Shiko, nënë, libri nuk flet në lidhje me [plotësojeni me çështjen aktuale]”. Ose ato mund të justifikojnë vetveten: “Ajo që po bëj nuk është dhe aq e keqe. Unë me siguri nuk jam aq e keqe sa [vendosni emrin e një mikeshe ose të njohure].

Presidenti Harold B. Li dha mësim: “Më i rëndësishmi i të gjithë urdhërimeve të Perëndisë është ai [urdhërim] për të cilin jeni duke pasur më shumë vështirësi për ta mbajtur sot”6. Mbreti Beniamin shpjegoi: “Unë nuk mund t’ju tregoj juve të gjitha gjërat që mund t’ju shtyjnë të bëni mëkat; pasi ka mënyra dhe mjete të ndryshme, madje aq shumë sa unë nuk mund t’i numëroj ato”7. Nëse po luftoni me mbajtjen e këtyre standardeve dhe urdhërimeve, unë ju nxis të kërkoni mbështetje brenda ungjillit. Lexojini shkrimet tuaja të shenjta. Kaloni kohë në faqen zyrtare të internetit të Kishës, LDS.org, për të gjetur përgjigje për pyetjet tuaja. Flisni me prindërit tuaj, udhëheqësit tuaj të Kishës dhe ata që shkëlqejnë plot ndriçim teksa e jetojnë ungjillin. Lutuni. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor, i cili ju do. Përdoreni dhuratën e pendimit çdo ditë. Shërbejuni të tjerëve. Dhe më e rëndësishmja, dëgjojini dhe bindjuni nxitjeve të Frymës së Shenjtë.

Presidenti Tomas S. Monson na inkurajon të gjithëve me këto fjalë: “Miqtë e mi të rinj, jini të fortë. … Ju e dini ç’është e drejtë e ç’është e gabuar dhe asnjë maskim, sado tërheqës, nuk e ndryshon dot këtë. … Nëse të ashtuquajturit miq ju nxisin të bëni diçka që e dini se është e gabuar, ju, bëhuni ai që mbështet të drejtën, edhe nëse ju duhet ta bëni këtë vetëm.”8

Ati Qiellor nuk dëshiron nga ne që të shohim botën dhe të ndjekim qëndrimet e saj që ndryshojnë përherë. Ai dëshiron që ne të shohim tek Ati dhe të ndjekim drejtimin e Tij të pandryshueshëm. Ai dëshiron që ne ta jetojmë ungjillin dhe t’i drejtojmë të tjerët për tek ai, duke vendosur standarde të larta.

Shkrimet e shenjta tregojnë shumë shembuj të mrekullueshëm për ta ilustruar këtë ide. Në librin e Gjyqtarëve në Dhiatën e Vjetër, ne mësojmë rreth Sansonit. Sansoni u lind me potencial të madh. Të ëmës së tij iu premtua: “Ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve”9. Por ndërkohë që Sansoni rritej, ai dëshironte të ndiqte tundimet e botës më shumë se drejtimin e Perëndisë. Ai bëri zgjedhje sepse “[i] pëlqen[in]”10 në vend që t’i bënte sepse ato zgjedhje ishin të drejta. Shkrimet e shenjta e përdorin në mënyrë të përsëritur frazën “pastaj zbriti”11 ndërsa tregojnë për udhëtimet, veprimet dhe zgjedhjet e Sansonit. Në vend që të ngrihej e të shkëlqente për të përmbushur potencialin e tij të madh, Sansoni u mposht nga bota, humbi fuqinë e dhënë nga Perëndia dhe ndërroi jetë në një vdekje tragjike të parakohshme.

Nga ana tjetër, shkrimet e shenjta tregojnë shembullin e Danielit. Danieli u lind gjithashtu me potencial të madh. Te libri i Danielit, kapitulli 6, ne lexojmë: “Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë”12. Kur Danielit i erdhën sfidat tokësore, ai nuk pa drejt standardeve të shoqërisë – ai u ngrit dhe pa drejt qiellit. Në vend që të zbatonte dekretin tokësor të mbretit, që për 30 ditë askush nuk duhej t’i lutej askujt përveç mbretit, Danieli “hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falenderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.”13

Danieli nuk kishte frikë të ngrihej e të shkëlqente në ndjekjen e urdhërimeve të Perëndisë. Edhe pse kaloi një natë të mundimshme në gropën e luanëve ngaqë qëndroi për atë që ishte e drejtë, ai u mbrojt dhe u bekua për bindjen e tij. Kur mbreti Dar e nxori Danielin nga gropa e luanëve mëngjesin pasues, ai hartoi një dekret që çdokush duhej t’i frikësohej Perëndisë së Danielit dhe të ndiqte shembullin e tij besnik. Me të vërtetë Danieli na tregon se çka do të thotë të qenit një flamur për kombet dhe të mos i ulim asnjëherë standardet tona kur përballemi me tundimet e kësaj bote.

Unë jam bekuar të dëgjoj shumë shembuj të rinisë së sotme, sikurse ju, që nuk kanë frikë të ngrihen e të shkëlqejnë dhe që e lejojnë dritën e tyre të jetë një flamur midis bashkëmoshatarëve të tyre. Xhoana ishte një nga vetëm tre anëtarë të Kishës në shkollën e saj të mesme dhe e vetmja e re në lagjen e saj. Ajo iu zotua vetes dhe Zotit se kurrë nuk do të përdorte gjuhë vulgare. Kur u caktua të punonte në grup me një të ri për një projekt të shkollës, i cili nuk kishte bërë të njëjtin zotim, ajo nuk i uli standardet e saj. Ajo i kërkoi atij t’i respektonte dhe t’i nderonte vlerat e saj. Me kalimin e kohës, me shumë tërheqje të ëmbla të vëmendjes dhe disa relativisht të papëlqyeshme, miku i saj krijoi zakone të reja dhe përdori gjuhë më të dëlirë. Shumë njerëz e vunë re ndryshimin, përfshirë babanë e tij, që e falënderoi Xhoanën që qe një ndikim i mirë në jetën e të birit.14

Në një detyrë trajnimi të kohëve të fundit në Filipine, unë takova Karenin, e cila tregoi një përvojë që pati si Dafinë ndërkohë që po studionte për diplomën baçelor për administrimin e hoteleve dhe restoranteve. Një mësues kërkoi që çdo student/e të mësonte të bënte e të provonte shumëllojshmërinë e pijeve që do të shërbeheshin në restorantet e tyre. Disa prej pijeve përmbanin alkool dhe Kareni e dinte se ishte kundër urdhërimeve të Zotit që t’i provonte. Me gjithë pasojat serioze që rrezikonte, Kareni gjeti guxim për t’u ngritur e për të shkëlqyer dhe ajo nuk i provoi pijet.

Kareni shpjegoi: “Mësuesi m’u afrua dhe më pyeti përse nuk po pija. Ai tha: ‘Znjsh. Karen, si mund ta dallosh shijen dhe ta kalosh këtë lëndë të rëndësishme, nëse të paktën nuk i provon pijet?’ Unë i thashë atij se jam anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe si anëtarë nuk i konsumojmë gjërat që janë të dëmshme për ne. Çfarëdolloj gjëje që ai priste prej meje, edhe nëse do të thoshte të merrje një notë jokaluese, unë do ta kuptoja, por unë nuk do të harroja të jetoja standardet e mia vetjake.”

Javët kaluan dhe nuk u tha më asgjë për atë ditë. Në përfundim të semestrit, Kareni e dinte se nota e saj përfundimtare do të pasqyronte refuzimin e saj për të provuar pijet. Ajo ngurroi ta shihte notën, por kur e pa, zbuloi se kishte marrë notën më të lartë në klasë.

Ajo tha: “Nëpërmjet kësaj përvoje unë mësova se Perëndia … pa dyshim do të na bekojë kur e ndjekim Atë. Unë gjithashtu e di se, edhe në qoftë se do të kisha marrë një notë jokaluese, nuk do të ndieja keqardhje për atë që bëra. Unë e di se kurrë nuk do të dështoj në sytë e Zotit kur zgjedh të bëj atë që e di se është gjëja e duhur.”15

Të reja të dashura, secila prej jush ka lindur me potencial të madh. Ju jeni bija të dashura të Atit Qiellor. Ai ju njeh dhe ju do. Ai ju fton të “ngrih[eni] e [të] shkëlqeni” dhe Ai premton se, ndërsa veproni kështu, Ai do t’ju mbështesë e do t’ju bekojë. Unë lutem që secila prej jush do ta gjejë guximin ta pranojë ftesën e Tij dhe të marrë premtimet e Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.