2012
Sakrifica
Maj 2012


Sakrifica

Jeta jonë plot shërbim e sakrificë është shprehja më e përshtatshme e zotimit tonë për t’i shërbyer Mësuesit dhe bashkëqenieve tona.

Plaku Dallin H. Ouks

Sakrifica shlyese e Jezu Krishtit është quajtur “më e madhërishmja e të gjitha ngjarjeve që nga fillimi i krijimit deri në përjetësi”1. Ajo sakrificë është mesazhi qendror i të gjithë profetëve. Ajo u kumtua paraprakisht nga flijimet e kafshëve të kërkuara sipas ligjit të Moisiut. Një profet shpalli se i tërë kuptimi i tyre “[vuri] në dukje atë flijim të madh dhe të fundit … [të] Biri[t] [të] Perëndisë, po, [të] pafund dhe [të] përjetshëm” (Alma 34:14). Jezu Krishti duroi vuajtje të paimagjinueshme për ta flijuar Veten për mëkatet e të gjithë njerëzve. Ajo sakrificë ofroi dobinë përfundimtare – Qengjin e dëlirë pa të meta – për vlerën përfundimtare të së keqes – mëkatet e të gjithë botës. Në fjalët e paharrueshme të Eliza R. Snout:

Të shtrenjtin gjak për ne e dha;

dhe fli u bë për ne.

Një fli pa faj për tonat faj’,

shpëtim të gjejmë ne.2

Ajo sakrificë – Shlyerja e Jezu Krishtit – është në qendër të planit të shpëtimit.

Vuajtja e papërfytyrueshme e Jezu Krishtit, i dha fund sakrificës me anë të derdhjes së gjakut, por nuk i dha fund rëndësisë së sakrificës në planin e ungjillit. Shpëtimtari vazhdon të na kërkojë të bëjmë sakrifica, por sakrificat të cilat i urdhëron tani, janë që ne “t[’i] ofro[jmë] për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:20). Ai e urdhëron gjithashtu secilin prej nesh që ta duam e t’i shërbejmë njëri-tjetrit – në parim, të bëjmë një imitim të vogël të vetë sakrificës së Tij, duke sakrifikuar kohën vetjake dhe përparësitë tona egoiste. Në një himn të frymëzuar, ne këndojmë: “Sakrifica sjell të qiellit bekime”3.

Unë do të flas rreth këtyre sakrificave tokësore që Shpëtimtari ynë na kërkon të bëjmë. Kjo nuk i përfshin sakrificat të cilat jemi të detyruar t’i bëjmë, ose veprimet që mund të jenë të nxitura nga përfitimi vetjak më shumë sesa nga shërbimi apo sakrifica (shih 2 Nefi 26:29).

I.

Feja e krishterë ka një histori sakrifice, përfshirë sakrificën përfundimtare. Në vitet e hershme të epokës së krishterë, Roma martirizoi mijëra vetë për shkak të besimit të tyre në Jezu Krisht. Në shekujt pasues, ndërsa mospajtimet doktrinore i përçanë të krishterët, disa grupe i përndoqën dhe madje u morën jetën anëtarëve të grupeve të tjera. Të krishterët e vrarë nga të krishterë të tjerë janë martirët më tragjikë të fesë së krishterë.

Shumë të krishterë kanë bërë vullnetarisht sakrifica të nxitur nga besimi në Krisht dhe dëshira për t’i shërbyer Atij. Disa kanë zgjedhur ta përkushtojnë tërësisht në shërbim të Mësuesit jetën e tyre si të rritur. Ky grup fisnik përfshin ata që janë në urdhrat fetarë të Kishës Katolike dhe ata që kanë dhënë shërbim tërë jetën si misionarë të krishterë në fe të ndryshme protestante. Shembujt e tyre janë sfidues e frymëzues por, për shumicën e besimtarëve në Krisht, as nuk pritet e as nuk janë në gjendje t’ia përkushtojnë të gjithë jetën e tyre shërbimit fetar.

II.

Për shumicën e pasuesve të Krishtit, sakrificat tona përfshijnë atë që mund të bëjmë dita-ditës në jetën tonë të zakonshme vetjake. Në lidhje me këtë përvojë, unë nuk njoh asnjë grup, anëtarët e të cilit të bëjnë më shumë sakrifica se sa shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Sakrificat e tyre – sakrificat tuaja, vëllezërit e motrat e mia – janë në kundërshtim me kërkesat e njohura të botës për përmbushje vetjake.

Shembujt e mi të parë janë pionierët tanë mormonë. Sakrificat e tyre heroike të jetës, të marrëdhënieve familjare, shtëpive dhe rehatisë janë në themel të ungjillit të rivendosur. Sara Riç foli lidhur me atë që i nxiti këta pionierë kur përshkroi bashkëshortin e saj, Çarlin, të thirrur në një mision të largët: “Kjo qe vërtet një periudhë e vështirë për mua si dhe për bashkëshortin tim; por detyra na bëri thirrje që të ndaheshim për ca kohë dhe, duke e ditur se [po] i bindeshim vullnetit të Zotit, ne ndiem dëshirën që t’i linim mënjanë vetë ndjenjat tona në mënyrë që të ndihmonim për të themeluar punën … e të ndihmuarit në ndërtimin e Mbretërisë së Perëndisë në tokë4.

Sot, forca më e dukshme e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është shërbimi vetëmohues dhe sakrifica e anëtarëve të saj. Përpara përkushtimit të njërit prej tempujve tanë, një shërbestar i krishterë e pyeti Presidentin Gordon B. Hinkli se përse nuk përmbante asnjë përfaqësim të kryqit, simbolit më të zakonshëm të besimit të krishterë. Presidenti Hinkli u përgjigj se simboli i besimit tonë të krishterë është “jeta e njerëzve tanë”5. Në të vërtetë, jeta jonë plot shërbim e sakrificë është shprehja më e përshtatshme e zotimit tonë për t’i shërbyer Mësuesit dhe bashkëqenieve tona.

III.

Ne nuk kemi kler të trajnuar profesionalisht dhe me rrogë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Si rezultat, anëtarët joprofesionistë që thirren për të udhëhequr e për të shërbyer në bashkësitë tona, duhet t’i administrojnë të gjitha mbledhjet, programet dhe aktivitetet tona të shumta të Kishës. Ata e bëjnë këtë në më shumë se 14.000 bashkësi vetëm në Shtetet e Bashkuara e në Kanada. Sigurisht, nuk jemi unikë në të pasurin e anëtarëve joprofesionistë në bashkësitë tona që shërbejnë si mësues dhe udhëheqës pa pagesë. Por sasia e kohës së dhuruar nga anëtarët tanë për ta trajnuar e për t’i shërbyer njëri-tjetrit është e madhe në mënyrë të pashoqe. Përpjekjet tona që çdo familje në bashkësitë tona të vizitohet nga mësues shtëpie çdo muaj dhe që çdo grua në moshë madhore të vizitohet nga mësuese vizitore të Shoqatës së Ndihmës çdo muaj, janë shembull për këtë. Ne nuk kemi dijeni për ndonjë shërbim të krahasueshëm me këtë në ndonjë organizatë të botës.

Shembulli më i njohur i shërbimit e sakrificës së pashoqe të shdm-ve, është puna e misionarëve tanë. Aktualisht numërohen më shumë se 50.000 të rinj e të reja dhe mbi 5.000 burra e gra në moshë madhore. Ata ia përkushtojnë gjashtë muaj deri në dy vjet të jetës së tyre, mësimdhënies së ungjillit të Jezu Krishtit dhe dhënies së shërbimit humanitar në më shumë se 160 vende të botës. Puna e tyre përmban gjithmonë sakrificë, përfshirë vitet që japin për punën e Zotit dhe gjithashtu sakrificat e bëra në sigurimin e të ardhurave për të mbajtur veten.

Ata që mbeten në shtëpi – prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes – sakrifikojnë gjithashtu duke jetuar pa praninë dhe shërbimin e misionarëve që dërgojnë. Për shembull, një i ri brazilian mori thirrje si misionar ndërkohë që po punonte për të mbajtur vëllezërit dhe motrat, pasi babai dhe nëna e tij vdiqën. Një Autoritet i Përgjithshëm e përshkroi këtë mbledhje të fëmijëve në këshill dhe kujtimin se prindërit e tyre të ndjerë u kishin mësuar se duhet të ishin gjithnjë të përgatitur për t’i shërbyer Zotit. I riu e pranoi thirrjen e tij si misionar dhe vëllai 16–vjeçar mori përsipër përgjegjësinë për të punuar që të mbante familjen.6 Shumica prej nesh di shumë shembuj të tjerë të sakrificave për të shërbyer në mision apo për të mbështetur një misionar. Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë shërbim tjetër vullnetar dhe sakrificë si kjo në ndonjë organizatë tjetër të botës.

Ne na pyesin vazhdimisht: “Si i bindni të rinjtë tuaj dhe anëtarët tuaj më në moshë që të lënë shkollimin ose pensionin e tyre për të sakrifikuar në këtë mënyrë?” Kam dëgjuar shumë njerëz të japin këtë shpjegim: “Duke ditur atë që bëri Shpëtimtari im për mua – hirin e Tij në vuajtjen për mëkatet e mia dhe mposhtjen e vdekjes që unë të mund të jetoj përsëri – unë ndihem i/e privilegjuar të bëj sakrificën e vogël që më kërkohet të bëj në shërbim të Tij. Unë dua të ndaj me të tjerët kuptueshmërinë që Ai më ka dhënë.” Si i bindim pasues të tillë të Krishtit që të shërbejnë? Ashtu siç shpjegoi një profet: “Ne [thjesht] ua kërkojmë”7.

Sakrifica të tjera që vijnë nga shërbimi misionar, janë sakrificat e atyre që veprojnë sipas mësimeve të misionarëve dhe bëhen anëtarë të Kishës. Për shumë të kthyer në besim, këto sakrifica janë shumë të mëdha, përfshirë humbjen e miqve dhe lidhjeve familjare.

Shumë vite më parë, njerëzit në këtë konferencë dëgjuan për një të ri i cili e gjeti ungjillin e rivendosur ndërkohë që po studionte në Shtetet e Bashkuara. Kur ky i ri qe gati të kthehej në vendlindje, Presidenti Gordon B. Hinkli e pyeti se çfarë do t’i ndodhte kur të kthehej në shtëpi si i krishterë, “Familja ime do të zhgënjehet”, – iu përgjigj i riu. “Ata mund të më dëbojnë dhe të më quajnë të vdekur. Sa për të ardhmen dhe karrierën time, mund të më mbyllen të gjitha dyert.”

“A je i gatshëm të paguash një çmim kaq të madh për ungjillin?” – pyeti Presidenti Hinkli.

I riu u përgjigj i përlotur: “Është i vërtetë, apo jo?” Kur profeti e pohoi atë, ai u përgjigj: “Atëherë, çfarë tjetër ka rëndësi?”8 Ky është shpirti i sakrificës midis shumë prej anëtarëve tanë të rinj.

Shembuj të tjerë shërbimi e sakrifice shfaqen në jetën e anëtarëve besnikë që shërbejnë në tempujt tanë. Shërbimi në tempull është i pashoq për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, por rëndësia e një sakrifice të tillë duhet të jetë e kuptueshme nga të gjithë të krishterët. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk kanë asnjë traditë të shërbimit në manastir, por ne prapëseprapë, mund ta kuptojmë e ta nderojmë sakrificën e atyre, besimi i krishterë i të cilëve, i nxit për t’ia përkushtuar jetën asaj veprimtarie fetare.

Vetëm një vit më parë në këtë konferencë, Presidenti Tomas S. Monson tregoi një shembull sakrifice të lidhur me shërbimin në tempull. Në një ishull të vetmuar në Paqësor, një baba besnik shenjtor i ditëve të mëvonshme bëri punë të rëndë fizike në një vend të largët për gjashtë vjet, që të fitonte paratë e nevojshme për të çuar gruan dhe 10 fëmijët e tij që të martoheshin e të vuloseshin për përjetësinë në tempullin e Zelandës së Re. Presidenti Monson shpjegoi: “Ata që i kuptojnë bekimet e përjetshme, të cilat vijnë nga tempulli, e dinë se nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që të marrin ato bekime”9.

Unë jam mirënjohës për shembujt e mahnitshëm të dashurisë, shërbimit dhe sakrificës së krishterë që kam parë mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Unë ju shoh duke i përmbushur thirrjet tuaja në Kishë, shpesh me sakrificë të madhe kohe, parash dhe mjetesh. Unë ju shoh të shërbeni në misione me vetë shpenzimet tuaja. Ju shoh të dhuroni me gëzim aftësitë tuaja profesionale në shërbim të bashkëqenieve tuaja. Ju shoh të kujdeseni për të varfrit nëpërmjet përpjekjeve vetjake e nëpërmjet mbështetjes së mirëqenies së Kishës dhe kontributeve humanitare.10 E gjithë kjo pohohet në një studim mbarëkombëtar që arriti në përfundimin se anëtarët aktivë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme “bëjnë punë vullnetare dhe dhurojnë në mënyrë të konsiderueshme më tepër se mesatarja amerikane dhe madje janë më bujarë në dhënien e kohës dhe parave se besimtarët me shërbim më të lartë [20 përqindëshi i sipërm] në Amerikë”11.

Shembuj të tillë të të dhënit ndaj të tjerëve na forcojnë të gjithëve. Ata na kujtojnë mësimin e Shpëtimtarit:

“Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten. …

Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë” (Mateu 16:24–25).

IV.

Ndofta shembujt më të njohur dhe me të rëndësishëm të shërbimit dhe sakrificës vetëmohuese gjenden në familjet tona. Nënat ia përkushtojnë veten mbajtjes dhe edukimit të fëmijëve të tyre. Bashkëshortët japin nga vetja për të mbështetur financiarisht bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Sakrificat e përfshira në shërbimin përjetësisht të rëndësishëm ndaj familjeve tona janë tepër të shumta për t’u përmendur dhe shumë të njohura për të qenë nevoja t’i përmendim.

Unë shoh gjithashtu, shenjtorë të ditëve të mëvonshme joegoistë që adoptojnë fëmijë, përfshirë ata me nevoja të veçanta, dhe që përpiqen t’u sigurojnë fëmijëve të birësuar shpresën dhe mundësitë që iu mohuan atyre nga rrethana të mëparshme. Unë ju shoh duke u kujdesur për pjesëtarët e familjes dhe fqinjët që vuajnë nga të meta që prej lindjes, nga sëmundje mendore e fizike dhe vështirësitë e pleqërisë. Edhe Zoti ju shikon dhe Ai i ka bërë profetët e Tij të shpallin se “teksa sakrifikoni për njëri-tjetrin dhe fëmijët tuaj, Zoti do t’ju bekojë”12.

Unë besoj se shenjtorët e ditëve të mëvonshme që bëjnë shërbim e sakrificë vetëmohuese në ndjekjen plot adhurim të shembullit të Shpëtimtarit, i përkrahin vlerat e përjetshme në një shkallë më të lartë se çdo grup tjetër njerëzish. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i shohin sakrificat e tyre të kohës dhe të mjeteve si pjesë të shkollimit dhe kualifikimit për përjetësinë. Kjo është një e vërtetë e zbuluar përmes Jozef Smithit, te Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin] që na mëson se “një fe që nuk kërkon sakrificën e të gjitha gjërave nuk ka kurrë fuqi të mjaftueshme për të prodhuar besimin e mjaftueshëm për jetën e për shpëtimin. … Është nëpërmjet kësaj sakrifice dhe vetëm nëpërmjet kësaj, që Perëndia i ka shuguruar njerëzit që të gëzojnë jetën e përjetshme.”13

Njësoj siç është sakrifica shlyese e Jezu Krishtit në qendër të planit të shpëtimit, ne, pasuesit e Krishtit, duhet të bëjmë vetë sakrificat tona për t’u përgatitur për fatin që plani ka siguruar për ne.

Unë e di që Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Atit të Përjetshëm. E di se për shkak të sakrificës së Tij shlyese, ne kemi sigurinë e pavdekshmërisë dhe mundësinë për jetë të përjetshme. Ai është Zoti ynë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, dhe unë dëshmoj për Të, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Bruce R. McConkie, The Promised Messiah: The First Coming of Christ (1981), f. 218.

  2. “Oh, sa Urti dhe Dashuri”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 19.

  3. “Lavdi Njeriut”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 50.

  4. Sarah Rich, në Guinevere Thomas Woolstenhulme, “I Have Seen Many Miracles”, në Richard E. Turley Jr. dhe Brittany A. Chapman, botuese Women of Faith in the Latter Days: Volumi 1, 1775–1820 (2011), f. 283.

  5. Gordon B. Hinckley, “The Symbol of Our Faith”, Liahona, prill 2005, f. 3.

  6. Shih Harold G. Hillam, “Sacrifice in the Service”, Ensign, nëntor 1995, f. 42.

  7. Gordon B. Hinckley, “The Miracle of Faith”, Liahona, korrik 2001, f. 84.

  8. Gordon B. Hinckley, “It’s True, Isn’t It?” Tambuli, tetor 1993, f. 3–4; shih edhe Nil L. Andersen, “Është i Vërtetë, Apo jo? Atëherë, Çfarë Tjetër ka Rëndësi?” Liahona, maj 2007, f. 74; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 87.

  9. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 91–92.

  10. Shih, për shembull, Naomi Schaefer Riley, “What the Mormons Know about Welfare”, Wall Street Journal, 18 shkurt 2012, f. A11.

  11. Ram Cnaan e të tjerë, “Called to Serve: The Prosocial Behavior of Active Latter-day Saints” (projekt), f. 16.

  12. Ezra Taft Benson, “To the Single Adult Brethren of the Church”, Ensign, maj 1988, f. 53.

  13. Lectures on Faith (1985), f. 69.