2012
Ndërsa e Mbyllim Këtë Konferencë
Maj 2012


Ndërsa e Mbyllim Këtë Konferencë

Presidenti Tomas S. Monson

I meditofshi të vërtetat që keni dëgjuar, dhe ju ndihmofshin që të bëheni edhe më të mirë nga sa ishit kur filloi konferenca.

Zemra ime është plot ndërsa i afrohemi mbylljes së kësaj konference të lavdishme. Jemi bekuar kaq bollshëm ndërsa kemi dëgjuar këshillën dhe dëshmitë e atyre që na kanë folur. Mendoj se do të jeni dakord me mua se e kemi ndier Shpirtin e Zotit ndërsa zemrat na janë prekur dhe dëshmitë na janë forcuar.

Edhe njëherë jemi kënaqur me muzikë të bukur, që e ka zbukuruar dhe pasuruar secilin sesion të konferencës. U shpreh mirënjohjen time të gjithëve atyre që kanë ndarë talentet e tyre me ne në lidhje me këtë.

Falënderimet e mia të përzemërta shkojnë për secilin që na ka folur, si dhe atyre që kanë ofruar lutjet në secilin prej sesioneve.

Ka njerëz të panumërt që punojnë qoftë pas kuintave, qoftë në pozicione më pak të dukshme për çdo konferencë. Nuk do të ishte e mundur që t’i zhvillonim këto sesione pa ndihmën e tyre. Falënderimet e mia shkojnë te të gjithë ata gjithashtu.

E di se bashkoheni me mua për t’u shprehur mirënjohje të thellë atyre vëllezërve dhe motrave që janë liruar [nga thirrjet] gjatë kësaj konference. Do të na marrë malli për ta. Kontributi i tyre në veprën e Zotit ka qenë i pamasë dhe do të ndihet nëpër brezat që do të vijnë.

Ne kemi mbështetur gjithashtu, duke ngritur duart, vëllezër dhe motra që janë thirrur në detyra të reja gjatë kësaj konference. U urojmë mirëseardhjen dhe dëshirojmë që ta dinë se mezi po presim të shërbejmë me ta në kauzën e Mësuesit. Ata janë thirrur nëpërmjet frymëzimit nga lart.

Kemi pasur një transmetim të pashoq të konferencës, duke mbërritur te njerëzit kudo përtej kontinenteve dhe oqeaneve. Edhe pse jemi shumë larg prej shumëkujt nga ju, ne e ndiejmë shpirtin tuaj e përkushtimin tuaj dhe ju dërgojmë dashurinë e vlerësimin tonë kudo që jeni.

Sa të bekuar jemi ne, vëllezërit e motrat e mia, që kemi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në jetën dhe në zemrën tonë. Ai u jep përgjigje pyetjeve më të mëdha të jetës. Ai i jep kuptim, qëllim dhe shpresë jetës sonë.

Jetojmë në kohë të trazuara. Ju siguroj se Ati ynë Qiellor i di sfidat që hasim. Ai e do secilin prej nesh dhe dëshiron të na bekojë e të na ndihmojë. Ju drejtofshim Atij në lutje, ashtu siç na këshilloi kur tha: “Lutu gjithmonë e unë do të derdh Shpirtin tim mbi ty dhe i madh do të jetë bekimi yt–po, madje më shumë se nëse ti do të fitoje thesare të tokës”1.

Vëllezërit e motrat e mia, shtëpitë tuaja u mbushëshin me dashuri e mirësjellje dhe me Shpirtin e Zotit. Duajini familjet tuaja. Nëse ka mosmarrëveshje ose grindje midis jush, unë ju shtyj që t’i zgjidhni ato tani. Tha Shpëtimtari:

“Nuk do të ketë grindje mes jush, …

Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.

[Por] vini re, kjo nuk është doktrina ime … ; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken.”2

Si shërbëtori juaj i përulur, u bëj jehonë fjalëve të mbretit Beniamin në fjalimin drejtuar popullit të tij, kur tha:

“Unë nuk ju kam urdhëruar të … mendoni se unë vetë jam më shumë se një njeri i vdekshëm.

Por, unë jam sikurse ju, mund të prekem nga të gjitha llojet e dobësive në trup dhe mendje; megjithëkëtë, unë jam zgjedhur … nga dora e Zotit … dhe jam mbajtur dhe ruajtur nga fuqia e tij e pakrahasueshme, për t’ju shërbyer juve me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën që Zoti më ka dhënë.”3

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, unë dëshiroj me gjithë zemër që të bëj vullnetin e Perëndisë dhe t’i shërbej Atij e t’ju shërbej juve.

Tani, ndërsa largohemi nga kjo konferencë, i kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush. Ju që jeni larg shtëpisë, u kthefshi të sigurt atje. I meditofshi të vërtetat që keni dëgjuar, dhe ju ndihmofshin që të bëheni edhe më të mirë nga sa ishit kur filloi konferenca dy ditë më parë.

Derisa të takohemi sërish pas gjashtë muajsh, kërkoj që bekimet e Zotit të jenë mbi ju dhe, madje, mbi të gjithë ne, dhe e bëj këtë në emrin e Tij të shenjtë – madje Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë – amen.