2012
A ia Vlente?
Maj 2012


A ia Vlente?

Plaku Dejvid F. Evans

Puna e ndarjes natyrshëm dhe normalisht të ungjillit me ata për të cilët kujdesemi dhe i duam, do të jetë puna dhe gëzimi i jetës sonë.

Gjatë kësaj konference dhe në mbledhje të tjera të kohëve të fundit1, shumë prej nesh kanë vrarë mendjen: “Çfarë mund të bëj unë që të ndihmoj për të ngritur Kishën e Zotit dhe për të parë rritje të vërtetë aty ku jetoj?”

Për këtë dhe për çdo orvatje tjetër të rëndësishme, puna jonë më e rëndësishme është gjithmonë brenda vetë shtëpisë dhe familjes sonë.2 Pikërisht brenda familjes Kisha ngrihet dhe ndodh rritja e vërtetë.3 Ne duhet t’u japim mësim fëmijëve tanë parimet dhe doktrinat e ungjillit. Ne duhet t’i ndihmojmë ata të kenë besim te Jezu Krishti dhe t’i përgatisim për pagëzim kur mbushin tetë vjeç.4 Ne vetë duhet të jemi besnikë që ata të mund të shohin shembullin tonë të dashurisë për Zotin dhe Kishën e Tij. Kjo ndihmon që fëmijët tanë të ndiejnë gëzim në mbajtjen e urdhërimeve, lumturi në familje dhe mirënjohje në shërbimin ndaj të tjerëve. Brenda shtëpive tona duhet të ndjekim modelin që dha Nefi kur tha:

“Ne punojmë me zell që … të bindim fëmijët tanë … të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë …

… Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”5

Ne punojmë me zell për t’ua sjellë këto bekime fëmijëve tanë duke frekuentuar kishën me ta, duke mbajtur mbrëmje familjare dhe duke lexuar së bashku shkrimet e shenjta. Ne lutemi çdo ditë me familjet tona, pranojmë thirrje, vizitojmë të sëmurët e të vetmuarit dhe bëjmë gjëra të tjera që ua bëjnë të ditur fëmijëve tanë se i duam ata dhe se i duam Atin tonë Qiellor, Birin e Tij dhe Kishën e Tyre.

Ne flasim dhe profetizojmë për Krishtin kur japim një mësim në mbrëmje familjare ose ulemi me një fëmijë dhe shprehim dashurinë tonë për të si dhe dëshminë tonë për ungjillin e rivendosur.

Ne mund të shkruajmë për Krishtin duke u shkruar letra atyre që janë larg. Misionarët që shërbejnë, bij ose bija në ushtri, si dhe ata që i duam, të gjithë bekohen nga letrat që u shkruajmë. Letrat nga shtëpia nuk janë thjesht mesazhe të shpejta elektronike. Letrat e vërteta na pajisin me diçka të prekshme që mund ta mbash, ta mendosh dhe ta duash.

I ndihmojmë fëmijët tanë të mbështeten te Shlyerja e Shpëtimtarit dhe ta njohin faljen e një Ati të dashur Qiellor duke treguar dashuri e falje me anë të vetë prindërimit tonë. Dashuria dhe falja jo vetëm që i afrojnë fëmijët tanë te ne, por gjithashtu ndërtojnë besimin e tyre në dijen se Ati Qiellor i do ata dhe se Ai do t’i falë kur përpiqen të pendohen dhe të bëjnë më mirë e të jenë më të mirë. Ata e besojnë këtë të vërtetë sepse e kanë provuar të njëjtën gjë nga prindërit e tyre tokësorë.

Përveç punës që do të bëjmë brenda vetë familjes sonë, Nefi dha mësim se “ne punojmë me zell që … të bindim … vëllezërit tanë të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë”6. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, secili prej nesh ka bekimin dhe përgjegjësinë për të ndarë ungjillin. Disa prej atyre të cilëve iu nevojitet ungjilli në jetën e tyre, nuk janë ende anëtarë të Kishës. Disa qenë dikur mes nesh por iu duhet të ndiejnë sërish gëzimin që ndien kur përqafuan ungjillin në një kohë më të hershme të jetës së tyre. Zoti e do edhe njeriun që nuk e ka dëgjuar kurrë ungjillin, edhe njeriun që po kthehet tek Ai.7 Për Atë dhe për ne, kjo nuk ka rëndësi. E gjitha është e njëjta punë. Është vlera e shpirtrave, ciladoqoftë gjendja e tyre, që është e madhe për Atin tonë Qiellor, Birin e Tij dhe për ne.8 Vepra e Atit tonë Qiellor dhe e Birit të Tij është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme”9 e të gjithë fëmijëve të Tij, pavarësisht nga gjendja e tyre aktuale. Bekimi ynë është të ndihmojmë në këtë vepër të shkëlqyer.

Presidenti Tomas S. Monson shpjegoi se si mund të ndihmojmë, kur tha: “Përvojat tona misionare duhet të jenë aktuale. Nuk mjafton të rrish ulur e të meditosh rreth përvojave të mëparshme. Për t’u ndier të përmbushur, juve ju duhet ta ndani ungjillin vazhdimisht dhe natyrshëm.”10

Puna e ndarjes natyrshëm dhe normalisht të ungjillit me ata për të cilët kujdesemi dhe i duam, do të jetë puna dhe gëzimi i jetës sonë. Më lejoni t’ju tregoj për dy përvoja të tilla.

Dejv Orçard u rrit në Solt-Lejk-Siti, ku shumica e miqve të tij ishin anëtarë të Kishës. Ata patën ndikim të madh mbi të. Përveç kësaj, udhëheqësit e Kishës në mëhallën e tij, e ftuan vazhdimisht në aktivitete. Miqtë e tij bënë po ashtu. Edhe pse ai nuk u bashkua me Kishën në atë kohë, vitet e tij të rritjes u bekuan nga ndikimi i miqve të mirë shdm dhe aktiviteteve të sponsorizuara nga Kisha. Pasi shkoi në universitet, ai u largua nga shtëpia dhe shumica e miqve të tij shkuan në misione. Atë e mori malli për ndikimin e tyre në jetën e tij.

Një nga shokët e shkollës së mesme të Dejvit ishte ende në shtëpi. Ky shok po takohej çdo javë me peshkopin e tij në një përpjekje për ta rregulluar jetën dhe për të qenë në gjendje që të shërbente si misionar. Ai dhe Dejvi u bënë shokë dhome dhe, ashtu siç do të ishte edhe e natyrshme edhe normale, biseduan mbi arsyen përse nuk po shërbente atëherë si misionar dhe përse po takohej shpesh me peshkopin. Shoku shprehu mirënjohjen dhe respektin për peshkopin e tij dhe për mundësinë që të pendohej e të shërbente. Ai pastaj e pyeti Dejvin nëse do t’i pëlqente që të vinte në intervistën e radhës. Çfarë ftese! Por në kontekstin e miqësisë dhe rrethanave të tyre, ishte edhe e natyrshme edhe normale.

Dejvi ra dakord dhe shpejt edhe ai po takohej me peshkopin. Kjo çoi në vendimin e Dejvit për t’u takuar me misionarët. Ai mori një dëshmi se ungjilli është i vërtetë dhe u vendos një datë për pagëzimin e tij. Dejvi u pagëzua nga peshkopi i tij dhe, një vit më vonë, Dejv Orçard dhe Kethrin Evans u martuan në tempull. Ata kanë pesë fëmijë të mrekullueshëm. Kethrina është motra ime e vogël. Unë do t’i jem përgjithmonë mirënjohës këtij shoku të mirë i cili, bashkë me një peshkop të mirë, e solli Dejvin në Kishë.

Kur Dejvi foli për kthimin në besim dhe dha dëshminë e tij në lidhje me këto ngjarje, ai bëri pyetjen: “Pra, a ia vlente? A ia vlente e gjithë përpjekja e miqve dhe udhëheqësve të rinisë, dhe e peshkopit tim, gjatë gjithë viteve, që të pagëzohej thjesht një djalosh?” Duke treguar nga Kethrina dhe pesë fëmijët e tij, ai tha: “Epo, të paktën për bashkëshorten time dhe pesë fëmijët tanë, përgjigjja është po”.

Kurdoherë që ndahet ungjilli, nuk është kurrë “thjesht një djalosh”. Kurdoherë kur ndodh kthimi në besim ose dikush kthehet te Zoti, është një familje që shpëtohet. Ndërsa janë rritur, fëmijët e Dejvit dhe Kethrinës që të gjithë e kanë përqafuar ungjillin. Një bijë dhe dy bij kanë shërbyer si misionarë dhe njëri sapo mori thirrjen e tij për të shërbyer në misionin Alpin Gjermanisht Folës. Dy më të rriturit janë martuar në tempull dhe më i vogli është tani në shkollën e mesme, besnik në çdo drejtim. A ia vlente? Oh, po që ia vlente.

Motra Ajlin Ueiti mori pjesë në të njëjtën konferencë kunji ku Dejv Orçardi tregoi për përvojën e tij të kthimit në besim. Gjatë të gjithë konferencës, gjithçka që ajo mundi të mendonte ishte vetë familja e saj dhe veçanërisht motra e saj, Mishela, që prej kohësh ishte larguar nga Kisha. Mishela ishte e divorcuar dhe po përpiqej të rriste katër fëmijë. Ajlina pati përshtypjen që t’i dërgonte asaj një kopje të librit të Plakut M. Rasëll Ballard Our Search for Happiness [Kërkimi Ynë për Lumturi], bashkë me dëshminë e saj, gjë që e bëri. Pikërisht javën tjetër, një shoqe i tha Ajlinës se edhe ajo e kishte ndier se duhet të kontaktonte Mishelën. Ajo shoqe i shkroi gjithashtu Mishelës një shënim, ku ndante dëshminë dhe i shprehte dashurinë e saj. A nuk është interesante se sa shpesh Shpirti punon te disa njerëz për të ndihmuar atë në nevojë?

Koha kaloi. Mishela i telefonoi Ajlinës dhe e falënderoi për librin. Ajo i tha se kishte filluar ta dallonte boshllëkun shpirtëror në jetën e saj. Ajlina i tha se e dinte që paqja të cilën ajo po e kërkonte, mund të gjendej në ungjill. Ajo i tha se e donte dhe dëshironte që ajo të ishte e lumtur. Mishela filloi të bënte ndryshime në jetën e saj. Shumë shpejt, ajo takoi një burrë të mrekullueshëm që ishte aktiv në Kishë. Ata u martuan dhe, një vit më vonë, u vulosën në Tempullin e Ogdenit. Kohët e fundit, biri i saj 24-vjeçar u pagëzua.

Për të tjerët në familjen e Mishelës dhe për gjithë të tjerët që nuk e dinë ende se kjo Kishë është e vërtetë, ju ftoj ta merrni parasysh me lutje nëse Kisha është e vërtetë. Lejojini familjen, miqtë dhe misionarët që të japin ndihmë. Kur ta dini se është e vërtetë, dhe është e vërtetë, ejani e bashkohuni me ne duke ndërmarrë po atë hap në jetën tuaj.

Fundi i kësaj historie nuk është shkruar ende, por bekime i janë dhënë kësaj gruaje të mrekullueshme dhe familjes së saj kur ato që e duan vepruan sipas një nxitjeje dhe, në mënyrë të natyrshme dhe normale, ndanë dëshminë e tyre dhe e ftuan që të kthehej.

Kam menduar shumë për këto dy përvoja. Një i ri, që po punonte për ta rregulluar jetën e tij, ndihmoi një tjetër të ri që po kërkonte të vërtetën. Një grua ndau dëshminë dhe besimin e saj me të motrën, e cila ishte larguar nga Kisha prej 20 vitesh. Nëse ne lutemi dhe e pyesim Atin Qiellor se cilin mund të ndihmojmë, dhe premtojmë të veprojmë sipas nxitjeve që Ai na jep duke na treguar se si mund të ndihmojmë, Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona dhe ne do të bëhemi mjete në duart e Tij për të bërë punën e Tij. Veprimi me dashuri sipas nxitjeve të dhëna nga Shpirti, bëhet katalizatori.11

Ndërsa i keni dëgjuar këto përvoja të ndarjes natyrshëm e normalisht të ungjillit me ata për të cilët kujdeseni, shumë prej jush kanë pasur të njëjtën përvojë si Ajlina Uejti. Ju keni menduar për dikë të cilit t’i zgjasni dorën dhe ose ta ftoni që të kthehet, ose të ndani me të ndjenjat tuaja për ungjillin e Jezu Krishtit. Ftesa ime është të veprojmë, pa vonesë, sipas asaj nxitjeje. Folini mikut tuaj ose anëtarit të familjes. Bëjeni atë natyrshëm dhe normalisht. Tregojuni atyre për dashurinë tuaj për ata dhe për Zotin. Misionarët mund të ndihmojnë. Këshilla ime është e njëjtë me atë që Presidenti Monson e ka dhënë kaq herë nga vetë kjo foltore: “Asnjëherë mos e vononi një nxitje”12. Ndërsa veproni sipas nxitjes dhe e bëni atë me dashuri, vëzhgoni se si Ati ynë Qiellor e përdor gatishmërinë tuaj për të bërë mrekulli në jetën tuaj dhe në jetën e njeriut për të cilin kujdeseni.13

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne mund ta lartësojmë Kishën e Tij dhe të shohim rritje të vërtetë kur punojmë për të sjellë bekimet e ungjillit te familjet tona dhe tek ata që i duam. Kjo është vepra e Atit tonë Qiellor dhe e Birit të Tij. Unë e di se Ata jetojnë dhe se u përgjigjen lutjeve. Kur veprojmë sipas atyre nxitjeve, duke pasur besim në aftësinë e Tij për të bërë mrekulli, mrekullitë do të ndodhin dhe jetët do të ndryshojnë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Mbledhja e Trajnimit Mbarëbotëror të Udhëheqjes, 11 shkurt 2012, LDS.org.

  2. Shih Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 134.

  3. Shih Bojd K. Paker, “Fuqia e Priftërisë në Shtëpi”, Mbledhja e Trajnimit Mbarëbotëror të Udhëheqjes, 11 shkurt 2012, LDS.org.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 68:25–28.

  5. 2 Nefi 25:23, 26.

  6. 2 Nefi 25:23.

  7. Shih Lluka 15:4–7.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 18:10.

  9. Moisiu 1:39.

  10. “Status Report on Missionary Work: A Conversation with Elder Thomas S. Monson, Chairman of the Missionary Committee of the Council of the Twelve”, Ensign, tetor 1977, f. 14.

  11. Shih Tomas S. Monson, “Të Angazhuar me Zell”, Liahona, nëntor 2004, f. 56–59; “To the Rescue”, Liahona, korrik 2001, f. 57–60; “The Doorway of Love”, Liahona, tetor 1996, f. 2–7.

  12. Shih Ann M. Dibb, “My Father Is a Prophet” (Brigham Young University–Idaho devotional, 19 shkurt 2008), byui.edu/devotionalsandspeeches; Thomas S. Monson, “Stand in Your Appointed Place”, Liahona, maj 2003, f. 54–57; “Peace, Be Still”, Liahona, nëntor 2002, f. 53–56; “Priesthood Power”, Liahona, janar 2000, f. 58–61; “The Spirit Giveth Life”, Ensign, maj 1985, f. 68–70.

  13. Përveç Presidentit Tomas S. Monson, profetë të tjerë kanë dhënë mësim po të njëjtin parim. Për shembull, Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim për rëndësinë e veprimit sipas përshtypjeve të dhëna nëpërmjet Shpirtit, kur tha: “Perëndia na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona. Si rrjedhim, është jetike që ne t’i shërbejmë njëri-tjetrit në mbretëri” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 82).