2012
Qëndroni në Territorin e Zotit!
Maj 2012


Qëndroni në Territorin e Zotit!

Pyetja jonë e përditshme duhet të jetë: “A më vendosin veprimet e mia në territorin e Zotit apo në territorin e kundërshtarit?”

Plaku Ulises Soaresh

Presidenti Tomas S. Monson tha një herë: “Më lejoni të tregoj një formulë të thjeshtë, nëpërmjet së cilës ju mund të masni zgjedhjet që hasni. Është e lehtë për t’u mbajtur mend: ‘Ju nuk mund të jeni të drejtë duke vepruar gabim; ju nuk mund të jeni gabim duke vepruar drejt’” (“Pathways to Perfection”, Liahona, korrik 2002, f. 112). Formula e Presidentit Monson është e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Ajo funksionon në të njëjtën mënyrë si funksionoi Liahona që iu dha Lehit. Nëse ushtrojmë besim dhe jemi të zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Zotit, do ta gjejmë lehtësisht drejtimin e duhur për ta ndjekur, veçanërisht kur përballemi me zgjedhjet tona të përditshme.

Apostulli Pal na këshillon rreth rëndësisë së mbjelljes në Frymë dhe të qenit të vetëdijshëm për të mos mbjellë në mish. Ai tha:

“Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.

Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:7–9).

Të mbjellësh në Frymë do të thotë se të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet tona duhet të na ngrenë në nivelin e hyjnueshmërisë së prindërve tanë qiellorë. Megjithatë, shkrimet e shenjta i referohen mishit si natyra fizike apo trupore e njeriut të natyrshëm, që i lejon njerëzit të ndikohen nga pasioni, dëshirat, orekset dhe shtytjet e mishit, në vend të kërkimit për frymëzim nga Fryma e Shenjtë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ato ndikime të ndërthurura me presionin e së keqes në botë, mund të na nxisin të praktikojmë sjellje të vrazhdë dhe të pamatur, që mund të bëhet pjesë e karakterit tonë. Në mënyrë që t’i shmangim ato ndikime të pahijshme, ne duhet të ndjekim atë për të cilën Zoti e udhëzoi Profetin Jozef Smith rreth mbjelljes vazhdimisht në Frymë: “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (DeB 64:33).

Për ta zmadhuar shpirtin tonë, kërkohet që “të flak[im] larg [nesh] çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi” (Efesianëve 4:31) dhe që të “[jemi] të urtë në ditët e provës [sonë] dhe [të] qëroh[emi] nga çdo fëlliqësi” (Mormoni 9:28).

Ndërsa studiojmë shkrimet e shenjta, ne mësojmë se premtimet që Zoti na ka bërë, varen nga bindja jonë dhe këto premtime nxisin të jetuarin e drejtë. Këto premtime duhet ta ushqejnë shpirtin tonë, duke na sjellë shpresë përmes inkurajimit që të mos heqim dorë, madje edhe kur jemi duke u përballur me sfidat tona të përditshme të të jetuarit në një botë, vlerat etike dhe morale të së cilës po zhduken, që për rrjedhojë, i nxit njerëzit të mbjellin në mish edhe më shumë. Por, në ç’mënyrë mund të jemi të sigurt se zgjedhjet tona po na ndihmojnë të mbjellim në Frymë dhe jo në mish?

Presidenti Xhorxh Albert Smith, duke përsëritur këshillën nga gjyshi i tij, një herë tha: “Ka një vijë kufiri të përcaktuar mirë midis territorit të Zotit dhe territorit të djallit. Nëse ju do të qëndroni nga ana e Zotit e vijës, ju do të jeni nën ndikimin e tij dhe nuk do të keni dëshirë të bëni gabim; por, nëse kaloni në anën e djallit të asaj vije sado pak, ju jeni në fuqinë e tunduesit dhe, nëse ai është i suksesshëm, ju nuk do të jeni në gjendje të mendoni ose madje të arsyetoni siç duhet, sepse ju do ta keni humbur Shpirtin e Zotit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Xhorxh Albert Smith [2011], f. 189).

Si rrjedhojë, pyetja jonë e përditshme duhet të jetë: “A më vendosin veprimet e mia në territorin e Zotit apo në territorin e kundërshtarit?”

Profeti Mormoni e paralajmëroi popullin e tij rreth rëndësisë së të pasurit të aftësisë për të dalluar të mirën nga e keqja:

“Prandaj, të gjitha gjërat që janë të mira vijnë nga Perëndia dhe ajo që është e ligë vjen nga djalli; pasi djalli është armik i Perëndisë dhe lufton kundër tij përherë dhe fton, dhe nxit në mëkat dhe për të bërë atë që është e ligë përherë.

Por vini re, ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë” (Moroni 7:12–13).

Drita e Krishtit së bashku me shoqërimin e Frymës së Shenjtë duhet të na ndihmojnë të përcaktojmë nëse mënyra jonë e të jetuarit po na vendos ose jo në territorin e Zotit. Nëse qëndrimet tona janë të mira, ato janë të frymëzuara nga Perëndia, pasi çdo gjë e mirë vjen nga Perëndia. Por, nëse veprimet tona janë të këqija, ne po ndikohemi nga kundërshtari sepse ai i bind njerëzit të bëjnë ligësi.

Afrikanët më frymëzojnë për shkak të vendosmërisë dhe zellit të tyre për të qëndruar në territorin e Zotit. Edhe në rrethana të vështira në jetë, ata të cilët e pranojnë ftesën për të ardhur te Krishti, bëhen një dritë për botën. Disa javë më parë, ndërsa po vizitoja një nga lagjet në Afrikën e Jugut, unë pata privilegjin të shoqëroja dy priftërinj të rinj, peshkopin dhe presidentin e tyre të kunjit, në një vizitë te të rinjtë më pak aktivë të kuorumit të tyre. U mahnita jashtë mase nga guximi dhe përulësia që treguan ata dy priftërinj, ndërkohë që i ftuan të rinjtë më pak aktivë të kthehen në kishë. Ndërsa u folën këtyre të rinjve më pak aktivë, unë vura re se fytyra e tyre pasqyroi dritën e Shpëtimtarit dhe, në të njëjtën kohë, ajo mbushi me dritë të gjithë ata përreth tyre. Ata po përmbushnin detyrën e tyre për të “ndihm[uar] të dobëtit, ngri[tur] duart që varen poshtë dhe forc[uar] gjunjët e këputur” (DeB 81:5). Qëndrimi i atyre dy priftërinjve i vendosi ata në territorin e Zotit dhe ata shërbyen si mjete në duart e Tij ndërsa i ftuan të tjerët të bënin po ashtu.

Te Doktrina e Besëlidhje 20:37, Zoti na jep mësim mbi atë se çfarë do të thotë të mbjellësh në Frymë dhe se çfarë na vë ne vërtet në territorin e Zotit, sikurse vijon: të përulemi para Perëndisë, të vijmë me zemra të thyera dhe shpirtra të penduar, të dëshmojmë para Kishës se jemi penduar me të vërtetë për të gjithë mëkatet tona, të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, të kemi vendosmëri për t’i shërbyer Atij deri në fund, të manifestojmë me anë të veprave tona se e kemi marrë Shpirtin e Krishtit dhe të merremi me anë të pagëzimit në Kishën e Tij. Gatishmëria jonë për t’i përmbushur këto besëlidhje, na përgatit për të jetuar në praninë e Perëndisë si qenie të ekzaltuara. Kujtimi i këtyre besëlidhjeve mund ta drejtojë sjelljen tonë në lidhje me familjen, në ndërveprimin tonë shoqëror me njerëz të tjerë dhe, veçanërisht, në marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin.

Jezu Krishti krijoi modelin e përsosur të sjelljes, me anë të së cilit ne mund t’i ndërtojmë qëndrimet tona që të jemi në gjendje t’i përmbushim këto besëlidhje të shenjta. Shpëtimtari dëboi nga jeta e Tij çdo ndikim që mund ta shpërqendronte nga misioni i Tij hyjnor, veçanërisht kur Ai u tundua nga djalli ose nga pasuesit e tij ndërsa shërbeu këtu në tokë. Edhe pse Ai nuk mëkatoi kurrë, Ai kishte një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, plot me dashuri për Atin tonë Qiellor dhe për të gjithë njerëzimin. Ai e përuli veten para Atit tonë në Qiell, duke e mohuar vullnetin e Tij vetjak për të përmbushur atë që Ati kishte kërkuar prej Tij në të gjitha gjërat deri në fund. Madje edhe në atë çast dhembjeje të skajshme fizike dhe shpirtërore, duke mbajtur barrën e mëkateve të të gjithë njerëzimit mbi shpatullat e Tij dhe duke derdhur gjak nga poret e Tij, Ai i tha Atit: “Por jo atë që dua unë, por atë që do ti” (Marku 14:36).

Ndërsa mendojmë rreth besëlidhjeve tona, lutja ime, vëllezër dhe motra, është që ne të mund ta mbajmë veten të fortë kundër “shigjeta[ve] [të] flakta të kundërshtarit” (1 Nefi 15:24), duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit në mënyrë që të mund të mbjellim në Frymë dhe të qëndrojmë në territorin e Zotit. Le ta kujtojmë formulën e Presidentit Monson: “Ju nuk mund të jeni të drejtë duke vepruar gabim; ju nuk mund të jeni gabim duke vepruar drejt”. Unë i them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.