2012
Ndërsa Mblidhemi Përsëri
Maj 2012


Ndërsa Mblidhemi Përsëri

Presidenti Tomas S. Monson

Ati ynë Qiellor e do secilin prej nesh dhe i di nevojat tona. U mbushëshim me Shpirtin e Tij ndërsa marrim pjesë në punimet e kësaj konference.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, ndërsa mblidhemi përsëri në konferencën e përgjithshme të Kishës, unë ju uroj mirëseardhjen dhe ju shpreh dashurinë time. Ne takohemi çdo gjashtë muaj për të forcuar njëri-tjetrin, për të dhënë inkurajim, për të ofruar ngushëllim, për të forcuar besimin tonë. Ne jemi këtu për të mësuar. Disa prej jush mund të jenë duke kërkuar përgjigje për pyetjet dhe sfidat që po përjetojnë në jetën e tyre. Disa po luftojnë me zhgënjimet apo humbjet. Secili mund të ndriçohet, të lartësohet dhe të ngushëllohet ndërsa ndihet Shpirti i Zotit.

Nëse ka ndryshime që duhen bërë në jetën tuaj, e gjetshit nxitjen dhe kurajën për t’i bërë ato ndërsa dëgjoni fjalët e frymëzuara që do të thuhen. E përtërittë secili prej nesh vendosmërinë për të jetuar në mënyrë të tillë që të jemi bij e bija të denja të Atit tonë Qiellor. Le të vazhdojmë ta kundërshtojmë të keqen kudo që të gjendet.

Ne jemi shumë të bekuar që kemi ardhur në tokë në një kohë të tillë si kjo – një kohë e mrekullueshme në historinë e gjatë të botës. Ne nuk mund të qëndrojmë të gjithë nën të njëjtën çati, por tani kemi aftësinë për të marrë pjesë në zhvillimet e kësaj konference nëpërmjet mrekullive të televizionit, radios, televizionit me kabëll, transmetimit satelitor dhe internetit – madje në telefonat celularë. Ne bashkohemi si një, duke folur gjuhë të ndryshme, duke jetuar në vende të ndryshme, por të gjithë të një besimi dhe një doktrine, dhe një qëllimi.

Nga një fillim i vogël 182 vjet më parë, prania jonë tani ndihet anembanë botës. Kjo kauzë e madhe në të cilën jemi përfshirë, do të vazhdojë të shkojë përpara, duke ndryshuar dhe bekuar jetë ndërsa ndodh kështu. Asnjë shkak, asnjë forcë në të gjithë botën nuk mund ta ndalojë punën e Perëndisë. Pavarësisht se çfarë ndodh, kjo kauzë e madhe do të shkojë përpara. Ju i mbani mend fjalët profetike të Profetit Jozef Smith: “Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë; përndjekjet mund të egërsohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të futet në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”1.

Ka shumë gjëra të vështira dhe sfiduese në botë sot, vëllezër e motra të mia, por ka gjithashtu shumë gjëra që janë të mira dhe lartësuese. Ashtu siç shpallim në nenin tonë të trembëdhjetë të besimit: “Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra”. Vazhdofshim përherë të bëjmë kështu.

Ju falënderoj për besimin dhe përkushtimin tuaj ndaj ungjillit. Unë ju falënderoj për dashurinë dhe kujdesin që i shfaqni njëri-tjetrit. Ju falënderoj për shërbimin që sillni në lagjet e degët tuaja dhe në kunjet e distriktet tuaja. Është një shërbim i tillë që i mundëson Zotit të përmbushë shumë nga qëllimet e Tij këtu në tokë.

Unë ju shpreh falënderimet e mia për dashamirësinë tuaj ndaj meje kudo që shkoj. Ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim. Unë i kam ndier ato lutje dhe jam mirënjohës së tepërmi për to.

Tani, vëllezërit dhe motrat e mia, kemi ardhur këtu që të udhëzohemi dhe të frymëzohemi. Shumë mesazhe do të ndahen gjatë këtyre dy ditëve. Unë mund t’ju siguroj se ata burra e gra që do t’ju flasin, kanë kërkuar ndihmë dhe drejtim nga qielli, kur kanë përgatitur mesazhet e tyre. Ata kanë marrë mbresa në lidhje me atë që do të ndajnë me ne.

Ati ynë Qiellor e do secilin prej nesh dhe i di nevojat tona. U mbushëshim me Shpirtin e Tij ndërsa marrim pjesë në punimet e kësaj konference. Kjo është lutja ime e sinqertë, në emrin e shenjtë të Zotit e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 147.