Linda K. Barton
Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës
Kur ishte adoleshente, Linda Kjar Barton pati një perceptim të papritur gjatë një mbledhjeje Kishe në Kishën e Krishtit në Zelandën e Re. “E dija se ungjilli ishte i vërtetë”, kujtoi ajo. “Gjithashtu isha e vetëdijshme se gjithmonë e kisha ditur.” Ajo dëshmi tani do ta mbështesë atë ndërsa shërben si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.
E lindur në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA nga Marxhori C. dhe Moris A. Kjar, Motra Barton ishte 13 vjeçe kur familja e saj u largua nga Juta, që i ati i saj të mund të kryesonte në Misionin e Zelandës së Re, Jugor. Motra Barton – e dyta nga gjashtë fëmijë – ndoqi Kolegjin e Kishës së Zelandës së Re dhe u shoqërua me adoleshentë shenjtorë te ditëve të mëvonshme nga përtej Oqeanit Paqësor. Ajo u kthye në Solt-Lejk-Siti jo vetëm me dashuri për kulturat dhe traditat e ndryshme por veçanërisht për Zotin dhe familjen e saj.
Motra Barton ishte duke ndjekur Universitetin e Jutas kur u takua dhe u martua me Krejg P. Barton në gusht të 1973-shit në tempullin e Solt-Lejkut. Çifti vendosi që të mos e vononte krijimin e familjes; fëmija i parë nga gjashtë fëmijët e tyre u lind pothuaj një vit më pas.
Duke punuar së bashku me bashkëshortin e saj, ajo qe në gjendje të qëndronte në shtëpi me fëmijët e saj ndërsa ai bënte karrierë në pasuritë e patundshme. Sfidat e hershme financiare i mësuan çiftit që ta shihnin të ardhmen me vetëbesim, “sepse ne e dimë se kemi bërë diçka të vështirë me ndihmën e Zotit”, shpjegoi ajo.
Familja bënte pushime të thjeshta dhe kënaqeshin duke qëndruar së bashku. Motra Barton shërbeu te Të Rejat, Fillorja e Shkolla e së Dielës dhe te bordi i përgjithshëm i Fillores dhe i Shoqatës së Ndihmës. Ajo shërbeu bashkë me bashkëshortin e vet ndërsa ai kryesonte në Misionin e Koresë, Seuli Perëndimor nga viti 2007 deri në 2010-ën. Në terrenin e misionit, Motra Barton kuptoi – ashtu siç e kishte kuptuar vite më përpara në Zelandën e Re – se dashuria kapërcen gjuhën dhe kulturën.
Ajo shpreson që në detyrën e saj të re do të zbatojë sërish diçka që mësoi nga një mikeshë në Kore: “Ata do ta ndiejnë dashurinë tënde”.