2012
Dhe do të Udhëhiqen nga një Fëmijë
Maj 2012


Dhe do të Udhëhiqen nga një Fëmijë

Presidenti Bojd K. Paker

Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet të kuptojnë se thirrja e tyre e parë – prej së cilës nuk do të lirohen kurrë – është ndaj njëri-tjetrit dhe më pas ndaj fëmijëve të tyre.

Vite më parë, në një natë të acartë në një stacion treni në Japoni, dëgjova një trokitje të lehtë në dritaren e vagonit tim të fjetjes. Atje qëndronte një djalë që po ngrinte, i veshur me një këmishë të rreckosur, me një leckë të ndotur të lidhur rreth nofullës së fryrë. Koka e tij ishte e mbuluar me dregëza. Ai mbante një kanaçe të ndryshkur dhe një lugë, simbol i një lypësi jetim. Ndërsa luftova ta hapja derën për t’i dhënë pará, treni u nis.

Unë nuk do ta harroj kurrë atë djalë të vogël, të pangrënë që mbeti duke qëndruar në të ftohtë, duke mbajtur një kanaçe të zbrazët. As nuk mund ta harroj se sa i paaftë u ndieva ndërkohë që treni u largua ngadalë dhe e la atë duke qëndruar në platformë.

Disa vite më vonë në Kusko, një qytet lart në Andet e Perusë, Plaku A. Teodor Tatël dhe unë, mbajtëm një mbledhje sakramenti në një dhomë të gjatë e të ngushtë që kishte daljen në rrugë. Ishte natë dhe, teksa foli Plaku Tatël, një djalë i vogël, ndoshta gjashtë vjeç, u shfaq në hapësirën e derës. Ai kishte veshur vetëm një këmishë të rreckosur që i shkonte deri te gjunjët.

Në të majtën tonë ishte një tavolinë e vogël me pjatën e bukës për sakramentin. Ky jetim i pangrënë rruge pa bukën dhe u afrua ngadalë përgjatë murit drejt saj. Ai ishte thuajse te tavolina kur një grua në udhëzën mes ndenjëseve e pa atë. Me një shkundje të vrazhdë të kokës, ajo e dëboi jashtë në natë. Unë rënkova brenda vetes.

Më vonë djali i vogël u kthye sërish. Ai u fut fshehtas përgjatë murit, duke hedhur shikimin nga buka tek unë. Kur ishte afër pikës ku gruaja do ta shihte sërish, unë shtriva krahët dhe ai erdhi duke vrapuar drejt meje. E mbajta në prehrin tim.

Më pas, si diçka simbolike, e ula atë te karrigia e Plakut Tatël. Pas lutjes së mbylljes, djali i vogël e i uritur u turr si shigjetë nëpër natë.

Kur u ktheva në shtëpi, i tregova Presidentit Spenser W. Kimball rreth përvojës sime. Ai u mallëngjye thellësisht dhe më tha: “Ju po mbanit një komb në prehër”. Ai ma tha më shumë se një herë: “Ajo përvojë ka kuptim shumë më të madh sesa ju tashmë keni arritur të dini”.

Ndërsa kam vizituar afro 100 herë vende të Amerikës Latine, e kam kërkuar atë djalë të vogël në fytyrat e njerëzve. Tani e di vërtet se çfarë donte të thoshte Presidenti Kimball.

Takova një tjetër djalë duke u dridhur në rrugët e Solt-Lejk-Sitit. Ishte vonë në një natë tjetër të ftohtë dimri. Ne po largoheshim nga një darkë Krishtlindjeje te një hotel. Nëpër rrugë zbritën gjashtë ose tetë fëmijë të zhurmshëm. Të gjithë ata duhet të kenë qenë në shtëpi, jo në të ftohtë.

Njëri djalë nuk kishte pallto. Ai kërcente shumë shpejt që të largonte të dridhurat. Ai u zhduk poshtë një rrugice, pa dyshim drejt një apartamenti të vogël e të vjetër dhe një shtrati që nuk kishte mbulesa mjaftueshëm për ta mbajtur ngrohtë.

Natën, kur tërhoqa lart vetes mbulesat, ofrova një lutje për ata që nuk kanë shtretër të ngrohtë ku të shtrihen.

Kur përfundoi Lufta II Botërore, unë isha vendosur në Osaka të Japonisë. Qyteti ishte i rrënuar dhe rrugët ishin mbushur me blloqe, copëra materialesh dhe gropa prej bombave. Edhe pse pjesa më e madhe e pemëve ishte hedhur në erë, pak prej tyre ende qëndronin me degë dhe trungje të thyera dhe kishin kurajën të lëshonin pak degë me gjethe.

Një vajzë e vocërr, e veshur me një kimono të rreckosur me ngjyra, po mblidhte me vrull gjethe fiku egjipti të verdha për një buqetë. Vajza e vogël dukej e pavetëdijshme për shkatërrimin që e rrethonte atë, ndërsa kacavirrej mbi rrënoja për t’i shtuar gjethe të tjera koleksionit të saj. Ajo kishte gjetur bukurinë e vetme të mbetur në botën e saj. Ndoshta duhet të them se ajo ishte pjesa e bukur e botës së saj. Në një farë mënyre, mendimi për të e rrit besimin tim. Te vajza ishte e mishëruar shpresa.

Mormoni na mësoi se “fëmijët e vegjël janë gjallë në Krisht”1 dhe nuk kanë nevojë të pendohen.

Rreth vitit 1900, dy misionarë po bënin punë misionare në malet në jug të Shteteve të Bashkuara. Një ditë, nga një kodër, ata panë njerëz që po mblidheshin në një çeltirë shumë më poshtë. Misionarët nuk kishin shpesh shumë njerëz të cilëve mund t’u predikonin, kështu që nisën të zbrisnin te çeltira.

Një djalë i vogël ishte mbytur dhe do të kishte një funeral. Prindërit e tij kishin dërguar që të thërrisnin meshtarin për të folur në funeralin e të birit. Misionarët qëndruan prapa ndërsa meshtari shëtitës u kthye nga babai dhe nëna e vrerosur dhe filloi predikimin e tij. Nëse prindërit do të prisnin të merrnin ngushëllim nga ky meshtar, ata do të zhgënjeheshin.

Ai i qortoi ashpër që nuk e kishin pagëzuar djalin e vogël. Ata e kishin vonuar pagëzimin për shkak të një gjëje apo një tjetre dhe tani ishte tepër vonë. Ai u tha atyre shumë hapur se djali i tyre i vogël kishte shkuar në ferr. Ishte faji i tyre. Ata duhej të fajësoheshin për vuajtjen e tij të pafund.

Pasi predikimi përfundoi dhe varri u mbulua, misionarët iu afruan prindërve të vrerosur. “Ne jemi shërbëtorë të Zotit”, i thanë ata të ëmës, “dhe ne kemi ardhur me një mesazh për ju.” Ndërkohë që prindërit e ngashëryer dëgjuan, të dy misionarët lexuan nga zbulesat dhe ndanë dëshminë e tyre për rivendosjen e çelësave për shëlbimin edhe të të gjallëve edhe të të vdekurve.

Kam ca simpati për atë predikues. Ai po bënte më të mirën që mundte me atë dritë dhe njohuri që kishte. Por ka më shumë se sa ai duhej të kishte qenë në gjendje të jepte. Ka një plotësi të ungjillit.

Misionarët erdhën si ngushëllues, si mësues, si shërbëtorë të Zotit, si shërbestarë të autorizuar të ungjillit të Jezu Krishtit.

Këta fëmijë, për të cilët fola, përfaqësojnë të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor. “Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; … Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot.”2

Krijimi i jetës është një përgjegjësi e madhe për një çift të martuar. Një nga sfidat më të mëdha të kësaj jete të vdekshme është të jesh një prind i denjë dhe i përgjegjshëm. As burri as gruaja nuk mund t’i rrisë fëmijët i vetëm. Është paracaktuar që fëmijët të kenë dy prindër – edhe babanë edhe nënën. Asnjë model ose proces tjetër nuk mund ta zëvendësojë këtë.

Shumë kohë më parë, një grua e përlotur më tha se, kur ishte studente kolegji, kishte bërë një mëkat serioz me të dashurin e saj. Ai kishte planifikuar një abort. Në kohën e duhur ata u diplomuan e u martuan dhe patën disa fëmijë të tjerë. Ajo më tha se sa vuante tani që shikonte familjen e saj, fëmijët e saj të bukur dhe që shihte në mendjen e saj vendin, bosh tashmë, ku ajo foshnjë po mungonte.

Nëse ky çift do ta kuptonte dhe zbatonte Shlyerjen, ata do ta dinin se ato përvoja dhe dhembja e lidhur me to mund të fshihen. Asnjë dhembje nuk do të zgjasë përgjithmonë. Nuk është e lehtë, por jeta kurrë nuk është menduar të jetë e lehtë apo e drejtë. Gjithmonë do t’ia vlejë mundimi për pendimin dhe shpresën e përhershme që sjell falja.

Një tjetër çift i ri i përlotur më tha se sapo kishin ardhur nga një mjek, ku u qe thënë se nuk do ishin në gjendje të kishin fëmijët e tyre. Ata ishin zemërthyer nga lajmi. Ata u habitën kur unë u thashë se në të vërtetë ishin mjaft fatlumë. Ata pyetën veten se përse do ta thoja diçka të tillë. U thashë atyre se gjendja e tyre ishte pafundësisht më e mirë se sa ajo e disa çifteve të tjera, që qenë në gjendje të ishin prindër, por që e refuzuan dhe e shmangën me egoizëm atë përgjegjësi.

U thashë atyre: “Të paktën ju dëshironi fëmijë dhe ajo dëshirë do të peshojë shumë në favorin tuaj në jetën tuaj tokësore dhe përtej, sepse do të japë qëndrueshmëri shpirtërore dhe emocionale. Së fundi, do të jeni shumë më fatlumë, sepse ju dëshironit fëmijë dhe nuk mund t’i kishit ata, në krahasim me ata që mundeshin, por që nuk do të kenë fëmijë.”

Ende të tjerë qëndrojnë të pamartuar dhe si pasojë pa fëmijë. Disa, për shkak të rrethanave përtej kontrollit të tyre, janë duke rritur fëmijë si nëna ose baballarë të vetëm. Këto janë gjendje të përkohshme. Si pjesë e planit të përjetësisë – jo gjithmonë në vdekshmëri – dëshirat e zjarrta dhe të drejta do të përmbushen.

“Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.”3

Qëllimi përfundimtar i të gjithë aktivitetit në Kishë është të shohësh burrin e gruan e tij dhe fëmijët e tyre të lumtur në shtëpi, të mbrojtur nga parimet dhe ligjet e ungjillit, të vulosur me siguri në besëlidhjet e priftërisë së përjetshme. Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet të kuptojnë se thirrja e tyre e parë – prej së cilës nuk do të lirohen kurrë – është ndaj njëri-tjetrit dhe më pas ndaj fëmijëve të tyre.

Një nga zbulimet më të mëdha të prindërimit është se ne mësojmë shumë më tepër për atë që ka vërtet rëndësi nga fëmijët tanë sesa mësuam ndonjëherë nga prindërit tanë. Ne arrijmë të njohim të vërtetën në profecinë e Isaias se “do të udhëhiqen nga një fëmijë”4.

Në Jerusalem, “Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre

dhe tha: ‘Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.’”5

“Jezusi tha: ‘I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve.’

Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.”6

Ne lexojmë në Librin e Mormonit për vizitën e Jezu Krishtit në Botën e Re. Ai i shëroi dhe i bekoi njerëzit dhe urdhëroi se fëmijët e tyre të vegjël duhet të silleshin tek Ai.

Mormoni shënoi: “Ata i sollën fëmijët e tyre të vegjël dhe i ulën përdhe rreth e përqark tij dhe Jezusi qëndroi në mes; dhe turma u hapi rrugë, derisa të gjithë u sollën pranë tij”7.

Ai më pas i urdhëroi njerëzit të gjunjëzoheshin. Me fëmijët përreth Tij, Shpëtimtari u gjunjëzua dhe i ofroi një lutje Atit tonë në Qiell. Pas lutjes, Shpëtimtari qau “dhe ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta.

Dhe pasi e bëri këtë gjë, ai qau përsëri.”8

Unë mund t’i kuptoj ndjenjat e shprehura nga Shpëtimtari ndaj fëmijëve. Ka shumë për t’u mësuar nga ndjekja e shembullit të Tij në kërkimin për t’u lutur për ta, për t’i bekuar dhe për t’u dhënë mësim “të vegj[ëlve]”9.

Unë isha fëmija i 10–të në familjen prej 11 fëmijësh. Me aq sa di unë, as babai, as nëna ime nuk shërbeu në ndonjë thirrje me rëndësi në Kishë.

Prindërit tanë shërbyen besnikërisht në thirrjen e tyre më të rëndësishme – si prindër. Babai ynë e udhëhoqi familjen në drejtësi, kurrë me inat ose frikë. Dhe shembulli i fuqishëm i babait u lartësua nga këshilla e ëmbël e nënës. Ungjilli është një ndikim i fuqishëm në jetën e secilit prej nesh në familjen Paker dhe në brezin tjetër, dhe tjetrin, dhe tjetrin, me aq sa kemi parë.

Shpresoj të gjykohem si një burrë po aq i mirë sa babai im. Përpara se të dëgjoj ato fjalë “të lumtë” nga Ati im Qiellor, shpresoj që fillimisht t’i dëgjoj ato nga babai im i vdekshëm.

Shumë herë kam vrarë mendjen se përse duhej të thirresha si Apostull dhe më pas si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, pavarësisht se vij nga një shtëpi ku babai mund të konsiderohet si pak aktiv. Nuk jam i vetmi anëtar i Të Dymbëdhjetëve që i përshtatem atij përshkrimi.

Përfundimisht, mund ta shihja e ta kuptoja se mund të ketë qenë për shkak të asaj rrethane që u thirra. Dhe mund ta kuptoja se përse në gjithçka që bëjmë në Kishë, na duhet të sigurojmë rrugën si udhëheqës për prindërit dhe fëmijët që të kenë kohë së bashku si familje. Udhëheqësit e priftërisë duhet të jenë të kujdesshëm për ta bërë Kishën një bekim për familjen.

Ka shumë gjëra rreth të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit që nuk mund të maten përmes asaj që llogaritet ose shënohet në dokumentet e frekuentimit. Ne e ngarkojmë veten me ndërtesa e buxhete dhe programe e procedura. Duke bërë kështu, është e mundur të mos vihet re vetë qëllimi i ungjillit të Jezu Krishtit.

Shumë shpesh dikush vjen tek unë dhe thotë: “Presidenti Paker, a nuk do të ishte mirë nëse … ?”

Unë zakonisht i ndaloj ata dhe them jo, sepse dyshoj se ajo që vijon do të jetë një aktivitet ose program i ri që do të shtojë një barrë për kohën dhe detyrimet financiare në familje.

Koha për familjen është kohë e shenjtë dhe duhet të mbrohet e respektohet. Ne i nxisim anëtarët tanë të tregojnë besnikëri ndaj familjeve të tyre.

Kur u martuam në fillim, bashkëshortja ime dhe unë vendosëm se do t’i pranonim fëmijët që do të na lindnin, bashkë me përgjegjësinë që vjen nga lindja dhe rritja e tyre. Në kohën e duhur, ata kanë krijuar familjet e tyre.

Dy herë në martesën tonë, në kohën e lindjes së dy prej djemve tanë të vegjël, një doktor na tha: “Nuk mendoj se ky fëmijë do të mbijetojë”.

Të dyja herët kjo solli përgjigjen nga ana jonë se do të jepnim jetën tonë nëse djali ynë i vocërr do të mund ta mbante të tijën. Gjatë atij ofrimi, ne kuptuam se po e njëjta besnikëri është e ngjashme me atë që Ati Qiellor ndien për secilin prej nesh. Çfarë mendimi hyjnor!

Tani në perëndim të jetës sonë, motra Paker dhe unë e kuptojmë dhe kemi dëshmi se familjet mund të jenë përgjithmonë. Kur u bindemi urdhërimeve dhe e jetojmë plotësisht ungjillin, do të jemi të mbrojtur dhe të bekuar. Për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona dhe stërnipërit e stërmbesat, lutja ime është që secili prej familjes sonë të rritur do të ketë të njëjtën besnikëri kundrejt atyre të vegjëlve të çmuar.

Baballarë dhe nëna, herën tjetër që do të mbani një të porsalindur në krahët tuaj, ju mund të keni një përfytyrim të brendshëm të mistereve dhe qëllimeve të jetës. Ju do ta kuptoni më mirë përse Kisha është ashtu siç është dhe përse familja është organizimi themelor në kohë dhe në përjetësi. Unë jap dëshminë se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë dhe se plani i shëlbimit, që është quajtur plani i lumturisë, është plan për familjet. I lutem Zotit që familjet e Kishës do të bekohen, prindërit dhe fëmijët, që kjo punë do të ecë me radhë siç Ati dëshiron. E ndaj këtë dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.