2012
Plaku Stenli G. Elis
Maj 2012


Plaku Stenli G. Elis

i Të Shtatëdhjetëve

Plaku Stenli G. Elis

Plaku Stenli Gareld Elis e dinte se askush nuk mund ta provonte ekzistencën e Perëndisë përmes mjeteve shkencore, por në Universitetin e Harvardit ai mësoi se mund ta provonte ekzistencën e Perëndisë duke vënë në provë premtimet e Tij. Në gjysmën e vitit të tij të parë, atij i mbaruan paratë dhe siguroi një punë që do ta ndihmonte të mbulonte shpenzimet e veta. Edhe pse dyshoi nëse mund të paguante të dhjetën dhe ende t’i mbulonte të gjitha shpenzimet e veta, ai vendosi ta “vin[te] në provë” Zotin (shih Malakia 3:10).

“Në radhë të parë pagova të dhjetën dhe një mrekulli ndodhi”, tha Plaku Elis, i thirrur së fundi nga Kuorumi i Dytë i Të Shtatëdhjetëve në Kuorumin e Parë. “Ia dola mbanë deri në pagën tjetër. Dhe kjo ndodhi çdo dy javë për të gjithë semestrin. Duke vënë në provë Zotin, unë forcova dëshminë time se Ai është i vërtetë dhe se i mban premtimet e Tij.”

Plaku Elis u lind nga Stivën dhe Heizël Elis në janar të 1947-ës në Bërlei të Ajdahos në SHBA dhe u rrit atje në një fermë dhe banesë ferme. Pas një viti studimi në Harvard ai shërbeu në Misionin e Brazilit nga viti 1966 deri në 1968-ën. Pas kthimit të tij, ai u martua me Kethrin Kloepfer në qershor të 1969-ës në Tempullin e Los Anxhelosit në Kaliforni. Ata janë prindër të nëntë fëmijëve.

Pas diplomimit të tij në Harvard, ku mori diplomën baçelor për qeverisje, ai mori diplomën për drejtësi nga Universiteti “Brigam Jang”. Plaku Elis ka punuar në planifikimin e taksave dhe u bë kryenëpunës ekzekutiv në një kompani për këshillim financiar.

Përpara thirrjes së tij në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve, Plaku Elis shërbeu në presidencën e Zonës Jugperëndimore të Amerikës Veriore, të Zonës Veriore të Brazilit, të Zonës së Brazilit dhe në Komitetin e Ndryshimit të Kufijve dhe Udhëheqjes. Nga viti 1999 deri në 2002-shin ai shërbeu si president i Misionit të Brazilit, San-Paolo Verior. Ai gjithashtu ka qenë president kunji, këshilltar në presidencën e kunjit, këshilltar i lartë, këshilltar në peshkopatë, president i kuorumit të pleqve dhe presidenti i Të Rinjve të lagjes dhe të kunjit.