2012
Vrapimi i Jetës
Maj 2012


Vrapimi i Jetës

Presidenti Tomas S. Monson

Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku shkojmë pasi largohemi nga kjo jetë? Këto pyetje universale nuk kanë pse të mbeten më pa përgjigje.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, këtë mëngjes dëshiroj t’ju flas për të vërtetat e përjetshme – ato të vërteta që do ta pasurojnë jetën tonë dhe do të na kthejnë të sigurt në shtëpi.

Gjithandej njerëzit e kanë me ngut. Avionë me motorë reaktivë çojnë me vrik ngarkesën e tyre të çmuar njerëzore përmes kontinenteve të mëdha dhe oqeaneve të paanë që të mund të merret pjesë në takimet e punës, të përmbushen detyrimet, të gëzohen pushimet ose të vizitohen familjet. Gjithandej rrugët tokësore – duke përfshirë rrugë shumëkalimshe, autostrada dhe rrugë për automjete të shpejta – mbajnë miliona automjete, të mbushura me miliona njerëz, në një rrjedhë në dukje të pafund dhe për një tufë arsyesh ndërsa nxitojmë në punën e përditshme.

Në këtë jetë me ritëm të përshpejtuar, a ndalojmë ne ndonjëherë për çaste meditimi – madje mendime për të vërteta të përjetshme?

Kur krahasohen me të vërtetat e përjetshme, shumica e pyetjeve dhe shqetësimeve të jetës së përditshme janë me të vërtetë shumë të parëndësishme. Çfarë duhet të hamë për darkë? Me çfarë ngjyre duhet ta lyejmë dhomën e ndenjjes? A duhet ta regjistrojmë Xhonin në futboll? Këtyre pyetjeve dhe të tjerave të panumërta si këto, u zbehet rëndësia kur vijnë kohë krizash, kur njerëz të dashur lëndohen apo dëmtohen, kur sëmundja hyn në një shtëpi me shëndet të mirë, kur qiriri i jetës tretet dhe errësira kërcënon. Mendimet tona bëhen të mprehta dhe ne jemi lehtësisht të aftë të përcaktojmë se çfarë është vërtet e rëndësishme dhe çfarë është thjesht e parëndësishme.

Së fundi, vizitova një grua që po lufton me një sëmundje të rrezikshme për jetën prej më tepër se dy vjet. Ajo tregoi se, përpara sëmundjes, ditët e saj qenë të mbushura me aktivitete të tilla si pastrimi i shtëpisë së saj deri në përsosmëri dhe mbushja e saj me mobilje të bukura e të kushtueshme. Ajo shkonte tek parukierja dy herë në javë dhe shpenzonte para e kohë çdo muaj duke i shtuar veshje gardërobës së saj. Nipërit e mbesat e saj nuk ftoheshin shpesh për vizitë, sepse ajo qe gjithmonë e shqetësuar se ato që ajo i konsideronte zotërimet e saj me vlerë, mund të thyheshin ose të prisheshin në ndonjë mënyrë tjetër, nga duar të vockëla e të pakujdesshme.

Dhe më pas ajo mori lajmin tronditës se jeta e saj në vdekshmëri qe në rrezik dhe se asaj mund t’i kishte mbetur një kohë shumë e kufizuar këtu. Ajo tha se, në çastin që dëgjoi diagnozën nga doktori, ajo e dinte menjëherë se do ta kalonte atë kohë që i kishte mbetur, me familjen e miqtë e saj dhe me ungjillin në qendrën e jetës së saj, sepse këto përfaqësonin atë që ishte më me vlerë për të.

Çaste të tilla qartësie na vijnë të gjithëve ne në një kohë apo në një tjetër, edhe pse ndoshta jo gjithmonë përmes një rrethane kaq dramatike. Ne shohim qartë se çfarë është ajo që ka vërtet rëndësi në jetën tonë dhe si duhet të jetojmë.

Tha Shpëtimtari:

“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,

përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.

Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.”1

Në kohët tona të meditimit më të thellë apo nevojës më të madhe, shpirti njerëzor zgjatet drejt qiellit, duke kërkuar një përgjigje hyjnore për pyetjet më të mëdha të jetës: Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku shkojmë pasi largohemi nga kjo jetë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk zbulohen brenda kapakëve të librave akademikë ose duke kërkuar në internet. Këto pyetje e kapërcejnë vdekshmërinë. Ato përqafojnë përjetësinë.

Nga kemi ardhur? Kjo pyetje mendohet në mënyrë të pashmangshme, edhe nëse nuk shprehet, nga çdo qenie njerëzore.

Apostulli Pal u tha athinasve në mes të Aeropagut se “ne jemi pasardhës të Perëndisë”2. Duke qenë se e dimë që trupat tanë fizikë e kanë prejardhjen nga prindërit tanë të vdekshëm, duhet të kërkojmë kuptimin e deklarimit të Palit. Zoti deklaroi se “fryma e trupi janë shpirti i njeriut”3. Kështu është shpirti që është pasardhës i Perëndisë. Autori i hebrenjve i drejtohet Atij si “Ati [i] shpirtrave”4. Shpirtrat e të gjithë njerëzve janë me të vërtetë “bij e bija të lindura të [Tij]”5.

Ne vëmë re se poetë të frymëzuar, për studimin e kësaj teme nga ana jonë, kanë shkruar mesazhe mallëngjyese dhe mendime të mrekullueshme. Poeti anglez Uilliam Uordsuorth shkroi të vërtetën:

Lindja jonë është veç një gjumë e një harresë:

Shpirti që kemi në lindje, është si një yll,

Tjetërkund e ka banesën,

Dhe prej së largu vjen:

Ne nuk kemi harruar gjithçka,

Dhe nuk jemi tërësisht të papërgatitur,

Por prej shtigje resh të lavdishme ne vijmë

Nga Perëndia, që është shtëpia jonë:

Qiellin e kemi pranë në foshnjërinë tonë! 6

Prindërit meditojnë rreth përgjegjësisë së tyre për të dhënë mësim, frymëzuar dhe për të dhënë udhëzim, drejtim dhe shembull. Dhe ndërsa prindërit mendojnë thellë, fëmijët – dhe veçanërisht të rinjtë – bëjnë pyetjen depërtuese: “Përse jemi këtu?” Zakonisht, i thuhet dhe i shprehet në heshtje shpirtit: “Përse jam unë këtu?”

Sa mirënjohës duhet të jemi që një Krijues i urtë i dha formë tokës dhe na solli këtu me një vel harrese për ekzistencën tonë të mëparshme në mënyrë që të përjetojmë një periudhë prove, një mundësi për të provuar veten, që të mund të kualifikohemi për gjithçka që Perëndia ka përgatitur që të marrim.

Qartazi, një qëllim kryesor i ekzistencës sonë në tokë është që të marrim një trup prej mishi e kockash. Neve na është dhënë gjithashtu dhurata e lirisë së zgjedhjes. Ne jemi të privilegjuar në një mijë mënyra për të zgjedhur për veten tonë. Këtu ne mësojmë nga mbikëqyrësi i rreptë i përvojës. Ne dallojmë të mirën nga e keqja. Ne bëjmë dallimin mes të hidhurës e të ëmblës. Ne zbulojmë se ka pasoja të lidhura me veprimet tona.

Me anë të bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, ne mund të kualifikohemi për atë “shtëpi” për të cilën foli Jezusi kur deklaroi: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. … Unë po shkoj t’ju përgatis një vend … që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.”7

Megjithëse vijmë në vdekshmëri prej “shtigje resh të lavdishme”, jeta shkon përpara në mënyrë të pamëshirshme. Rinia ndjek fëmijërinë dhe pjekuria vjen përherë kaq pa u kuptuar. Nga përvoja, ne mësojmë nevojën për t’iu drejtuar qiellit për ndihmë ndërsa ecim përgjatë udhës së jetës.

Perëndia, Ati ynë, dhe Jezu Krishti, Zoti ynë, e kanë shënuar udhën drejt përsosmërisë. Ata na thërrasin që të ndjekim të vërtetat e përgjithshme dhe që të bëhemi të përkryer, si janë Ata të përkryer.8

Apostulli Pal e krahasoi jetën me një vrapim. Ai u bëri thirrje hebrenjve: “Duke hedhur tej … mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh”9.

Në përkushtimin tonë, le të mos e anashkalojmë këshillën e urtë nga Predikuesit: “Vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët”10. Në të vërtetë, çmimi i përket atij ose asaj që duron deri në fund.

Kur mendoj për vrapimin e jetës, unë kujtoj një lloj tjetër vrapimi, madje që nga ditët e fëmijërisë. Shokët e mi dhe unë merrnim thika xhepi në dorë dhe formonim barka të vogla e të kohës prej lodre nga druri i butë i një peme shelgu. Me një velë të pambuktë në formë trekëndore të vendosur, secili do ta lëshonte barkën e tij të papërpunuar mirë në një garë përgjatë ujërave të trazuara të lumit të Provos në Juta. Ne vraponim përgjatë bregut të lumit dhe i shihnim anijet e vockëla herë duke pluskuar fort në rrymën e shpeshtë dhe herë duke lundruar qetësisht ndërsa uji thellohej.

Gjatë një gare të tillë, ne vumë re se një barkë i drejtoi gjithë të tjerat drejt vijës së caktuar të përfundimit. Papritur, rryma e tërhoqi atë pranë një vorbulle të madhe dhe barka u anua dhe u përmbys. Ajo u tërhoq rreth e rrotull, pa mundur të çante për t’u kthyer sërish në rrymën kryesore. Në fund ajo pati një ndalesë të parehatshme në fund të vorbullës, mes mbeturinave të anijeve e ngarkesave që e rrethuan, e ngecur mes tentakulave të myshkut të gjelbër që e shtrëngonte.

Barkat prej lodre të fëmijërisë nuk kishin bazament për qëndrueshmëri, as timon për të siguruar drejtim dhe asnjë burim fuqie. Fati i tyre qe në mënyrë të pashmangshme që të ndiqnin rrymën – shtegun me rezistencë më të pakët.

Ndryshe nga barkat prej lodre, neve na janë siguruar karakteristika hyjnore që ta drejtojnë udhëtimin tonë. Ne hyjmë në vdekshmëri jo që të pluskojmë sipas rrymave të jetës që lëvizin, por me fuqi për të menduar, për të arsyetuar dhe për të pasur arritje.

Ati ynë Qiellor nuk na hodhi në udhëtimin tonë të përjetshëm pa na siguruar mjetet nëpërmjet të cilave ne mund të merrnim udhëzim nga Ai për të siguruar kthimin tonë të sigurt. Po flas për lutjen. Po flas edhe për pëshpëritjet nga ai zë i qetë, i ulët; dhe nuk lë pa përmendur shkrimet e shenjta që përmbajnë fjalët e Zotit dhe fjalët e profetëve – të cilat na janë siguruar për të na ndihmuar të arrijmë me sukses te vija e përfundimit.

Në njëfarë kohe të misionit tonë në vdekshmëri, shfaqet çapitja ngurruese, buzëqeshja e venitur dhe dhembja e sëmundjes – madje zhdukja e verës së rinisë, afrimi i vjeshtës, acari i dimrit të plakjes dhe përvoja që e quajmë vdekje.

Çdo njeri i kujdesshëm i ka bërë vetes pyetjen që e shprehu më së miri Jobi i lashtësisë: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?”11 Sado të përpiqemi ta mbajmë pyetjen jashtë mendimeve tona, ajo gjithnjë kthehet. Vdekja i vjen të gjithë njerëzimit. U vjen të moshuarve ndërsa çapiten me këmbë të ligështuara. Thirrja e saj është dëgjuar nga ata që thuajse kanë arritur në mes të rrugës në udhëtimin e jetës. Ndonjëherë pushon të qeshurën e fëmijëve të vegjël.

Po çfarë lloj ekzistence ka përtej vdekjes? A është vdekja fundi i gjithçkaje? Robert Bletçford, në librin e tij God and My Neighbor [Perëndia dhe i Afërmi Im], i sulmoi me forcë bindjet e pranuara të krishtera të tilla si: Perëndia, Krishti, lutja dhe veçanërisht pavdekshmëria. Ai pohoi me guxim se vdekja qe fundi i ekzistencës sonë dhe se askush nuk mund të vërtetonte të kundërtën. Pastaj ndodhi diçka e habitshme. Muri i tij i skepticizmit papritmas u shkërmoq në pluhur. Ai mbeti i nënshtruar dhe i pambrojtur. Ngadalë, ai filloi të ndiente rrugën e kthimit për te besimi që kishte përqeshur dhe braktisur. Çfarë e kishte shkaktuar këtë ndryshim të thellë në pikëpamjen e tij? Bashkëshortja e tij vdiq. Me zemër të thyer ai shkoi në dhomën ku qëndronte gjithçka që qe e vdekshme prej saj. Ai pa përsëri fytyrën që e deshte aq shumë. Duke dalë, ai i tha një miku: “Ajo është dhe prapëseprapë nuk është. Gjithçka ka ndryshuar. Diçka që qe atje më parë është zhdukur. Ajo nuk është e njëjta. Çfarë mund të ketë ikur përveç shpirtit?”

Më pas ai shkroi: “Vdekja nuk është ajo që shumë njerëz përfytyrojnë. Është thjesht si të shkosh në një dhomë tjetër. Tek ajo dhomë tjetër ne do të gjejmë … gratë e burrat e dashur dhe fëmijët e ëmbël që kemi dashur dhe i kemi humbur.”12

Vëllezër e motra të mia, ne e dimë se vdekja nuk është fundi. Kjo e vërtetë është dhënë mësim nga profetët e gjallë nëpër epoka. Ajo gjendet edhe në shkrimet tona të shenjta. Në Librin e Mormonit ne lexojmë fjalë të posaçme dhe ngushëlluese:

“Tani, në lidhje me gjendjen e shpirtit midis vdekjes dhe ringjalljes – Vër re, mua m’u bë e ditur nga një engjëll që shpirtrat e të gjithë njerëzve, posa të largohen nga ky trup i vdekshëm, po, shpirtrat e të gjithë njerëzve, qofshin ata të mirë ose të ligj, çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë.

Dhe do të ndodhë që shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat.”13

Pasi Shpëtimtari u kryqëzua dhe trupi i Tij qe dergjur në varr për tri ditë, shpirti hyri përsëri në trup. Guri u rrokullis dhe Shëlbuesi i ringjallur shkoi përpara, i veshur me një trup të pavdekshëm prej mishi e kockash.

Përgjigjja për pyetjen e Jobit: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” erdhi kur Maria dhe të tjerat u afruan te varri dhe panë dy burra me veshje të shndritshme që u folën atyre: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur.”14

Si rrjedhim i fitores së Krishtit mbi varrin, ne të gjithë do të ringjallemi. Ky është shëlbimi i shpirtit. Pali shkroi: “Ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyre të tokës”15.

Është lavdia çelestiale ajo që kërkojmë ne. Është në prani të Perëndisë vendi ku dëshirojmë të banojmë. Është familja e përhershme ajo ku duam të jemi pjesëtarë. Bekime të tilla fitohen gjatë një jete mundimesh, kërkimi, pendimi dhe më në fund arritjes së suksesit.

Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku shkojmë pasi largohemi nga kjo jetë? Këto pyetje universale nuk kanë pse të mbeten më pa përgjigje. Nga thellësia e shpirtit tim dhe me të gjithë përulësinë, unë dëshmoj se ato gjëra për të cilat kam folur janë të vërteta.

Ati ynë Qiellor gëzohet për ata që i mbajnë urdhërimet e Tij. Ai është i shqetësuar edhe për fëmijën e humbur, adoleshentin e vonuar, rininë e pabindur, prindin e papërgjegjshëm. Mjeshtri u flet me dhembsuri këtyre dhe në të vërtetë të gjithëve: “Kthehuni. Ngrihuni. Hyni. Ejani në shtëpi. Ejani tek unë.”

Për një javë ne do të festojmë Pashkën. Mendimet tona do të shkojnë te jeta e Shpëtimtarit, vdekja e Tij dhe Ringjallja e Tij. Si dëshmitar i Tij i veçantë, unë ju dëshmoj se Ai jeton dhe se Ai pret kthimin tonë ngadhënjimtar. Qoftë një kthim i tillë ai i yni, unë lutem përulësisht në emrin e Tij të shenjtë – madje Jezu Krishtit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, amen.