2012
Ta Mbajmë të Shenjtë
Maj 2012


Ta Mbajmë të Shenjtë

Plaku Pol B. Pajper

Gjërat e shenjta duhet të trajtohen me më shumë kujdes, duhet t’u jepet respekt më i madh, duhen marrë në konsideratë me nderim më të thellë.

Afërsisht 1.500 vite para Krishtit, një bari u çua tek një shkurre flakëruese në shpatet e malit Horeb. Ai takim hyjnor nisi shndërrimin e Moisiut nga një bari në një profet dhe të punës së tij nga kullotja e dhenve në mbledhjen e Izraelit. Një mijë e treqind vjet më vonë, një prift i ri e i privilegjuar në oborrin mbretëror u magjeps nga dëshmia e një profeti të dënuar. Ai takim nisi zhvillimin e Almës nga një nëpunës civil në një shërbëtor të Perëndisë. Afro 2.000 vjet më vonë, një djalë 14-vjeçar hyri në pyll duke kërkuar përgjigje për një pyetje të sinqertë. Takimi i Jozef Smithit në korije e vuri atë në shtegun drejt të qenit profet dhe drejt rivendosjes.

Jetët e Moisiut, Almës dhe Jozef Smithit u ndryshuan që të gjitha nga takimet me hyjnoren. Këto përvoja i forcuan ata për të qëndruar besnikë ndaj Zotit dhe veprës së Tij gjatë gjithë jetës së tyre, pavarësisht nga kundërshtimi dërrmues dhe sprovat e vështira të njëpasnjëshme.

Përvojat tona me hyjnoren mund të mos jenë kaq të drejtpërdrejta ose të befta dhe as sfidat tona aq të mëdha. Megjithatë, sikurse me profetët, forca jonë për të duruar me besnikëri varet nga të pranuarit, të kujtuarit dhe të mbajturit të shenjtë të asaj që marrim nga lart.

Në ditët e sotme, autoriteti, çelësat dhe ordinancat janë rivendosur në tokë. Ka edhe shkrime të shenjta dhe dëshmi të veçanta. Ata që e kërkojnë Perëndinë mund të pranojnë pagëzimin për heqjen e mëkateve dhe konfirmimin “[me anë të] vën[ies] [së] duar[ve], për pagëzimin prej zjarrit dhe prej Frymës së Shenjtë” (DeB 20:41). Me këto dhurata të çmuara e të rivendosura, takimet tona me hyjnoren do të përfshijnë më së shumti anëtarin e tretë të Kreut-Perëndi, Frymën e Shenjtë.

Me zë t’ulët, t’qet’, Shpirti mua më flet,

T’më udh’zoj’, t’më shpëtoj’.

(“Zëri i Ulët i Qetë”, Liahona, prill 2006, f. M13)

“Fryma e Shenjtë le të udhëheqë;

Le të na mësojë ç’është e vërtetë.

Ai për Krishtin do të dëshmojë,

Mendjen me pamjen e qiellit do t’na ndriçojë.”

(“Let the Holy Spirit Guide” [“Fryma e Shenjtë le të Udhëheqë”], Hymns, nr. 143)

Ndërsa kërkojmë përgjigje nga Perëndia, ne ndiejmë zërin e ulët e të qetë t’u pëshpëritë shpirtrave tanë. Këto ndjenja – këto përshtypje – janë kaq të natyrshme dhe kaq delikate saqë ne mund të mos i vëmë re ose t’ua atribuojmë ato arsyes apo intuitës. Këto mesazhe individuale dëshmojnë për dashurinë dhe shqetësimin personal të Perëndisë për secilin prej fëmijëve të Tij dhe për misionet e tyre personale në vdekshmëri. Reflektimi i përditshëm mbi përshtypjet që vijnë nga Shpirti dhe shkrimi i tyre, u shërbejnë qëllimeve të dyfishta për të na ndihmuar 1) të dallojmë takimet tona personale me hyjnoren dhe 2) t’i ruajmë ato për veten dhe pasardhësit tanë. Shkrimi i tyre është gjithashtu një njohje dhe pranim formal i mirënjohjes sonë ndaj Perëndisë, pasi “në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka” (DeB 59:21).

Në lidhje me atë që marrim me anë të Shpirtit, Zoti thotë: “Kujtoni se ajo që vjen nga lart, është e shenjtë” (DeB 63:64). Deklarimi i Tij është më shumë se një kujtues; është gjithashtu një përkufizim dhe një shpjegim. Drita dhe njohuria nga qielli është e shenjtë. Është e shenjtë sepse buron nga qielli.

E shenjtë do të thotë e denjë për nderim dhe respekt. Përmes kategorizimit të diçkaje si të shenjtë, Zoti tregon se ajo është me vlerë dhe përparësi më të madhe sesa gjërat e tjera. Gjërat e shenjta duhet të trajtohen me më shumë kujdes, duhet t’u jepet respekt më i madh, duhen marrë në konsideratë me nderim më të thellë. E shenjta klasifikohet në shkallën e lartë të hierarkisë së vlerave qiellore.

Ajo që është e shenjtë për Perëndinë bëhet e shenjtë për ne vetëm përmes ushtrimit të lirisë së zgjedhjes; secili duhet të zgjedhë ta pranojë dhe ta mbajë si të shenjtë atë që Perëndia e përcakton si të shenjtë. Ai dërgon dritë dhe njohuri nga qielli. Ai na fton ta marrim dhe ta trajtojmë atë si të shenjtë.

Por “[ka] një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11). E kundërta e së shenjtës është përdhosëse ose laike – ajo që është materiale apo e kësaj bote. Tokësorja konkurron vazhdimisht me të shenjtën për vëmendjen dhe përparësitë tona. Njohuria laike është thelbësore për jetën tonë të përditshme materiale. Zoti na udhëzon që të kërkojmë mësim dhe urtësi, të studiojmë dhe të mësojmë nga librat më të mirë dhe të njihemi me gjuhët, të folurat dhe njerëzit (shih DeB 88:118; 90:15). Si rrjedhojë, zgjedhja që ta vendosim të shenjtën mbi laiken është e një përparësie relative, jo çështje të zgjedhjes së njërës dhe injorimit të tjetrës; “të je[mi] të mësuar është mirë, nëse [ne] dëgjoj[më] këshillat e Perëndisë” (2 Nefi 9:29; theksimi i shtuar).

Lufta për përparësi midis së shenjtës dhe laikes tek secila mendje njerëzore mund të tregohet nga përvoja e Moisiut te shkurrja flakëruese. Atje Moisiu mori thirrjen e tij të shenjtë nga Jehovai për të çliruar fëmijët e Izraelit nga robëria. Megjithatë, në fillim njohuria e tij tokësore për fuqinë e Egjiptit dhe të faraonit e bëri të dyshonte. Përfundimisht, Moisiu ushtroi besim në fjalën e Zotit, duke e nënshtruar njohurinë e tij laike dhe duke mirëbesuar tek e shenjta. Ai mirëbesim i siguroi fuqinë për të mposhtur sprovat tokësore dhe për ta udhëhequr Izraelin jashtë Egjiptit.

Pas arratisjes nga ushtritë e Noeut dhe më pas kur ra në robëri në duart e Amulonit, Alma mund ta ketë vënë në dyshim dëshminë shpirtërore që mori kur dëgjoi Abinadin. Megjithatë, ai i mirëbesoi të shenjtës dhe iu dha forcë për të duruar dhe për t’u shpëtuar sprovave të tij të përkohshme.

Jozef Smithi përjetoi një situatë të vështirë në ditët e hershme të përkthimit të Librit të Mormonit. Ai e njihte natyrën e shenjtë të fletëve dhe punës së përkthimit. Sidoqoftë, ai u bind nga Martin Herrisi që t’u jepte përparësi shqetësimeve tokësore të miqësisë dhe financave, në kundërshtim me udhëzimet e shenjta. Si rezultat, dorëshkrimi i përkthimit humbi. Zoti e qortoi Jozefin për dorëzimin e “[asaj] që ishte e shenjtë, ligësisë” (DeB 10:9) dhe ia hoqi atij për një kohë fletët dhe dhuratën për të përkthyer. Kur përparësitë e Jozefit u rivendosën siç duhet, gjërat e shenjta iu kthyen dhe puna vazhdoi.

Libri i Mormonit ofron shembuj të tjerë të luftës për t’i dhënë përparësi të shenjtës. Ai flet për besimtarë, besimi i të cilëve i drejtoi ata te pema e jetës për të marrë frutin e saj të shenjtë, dashurinë e Perëndisë. Më pas, përqeshjet e atyre në ndërtesën e gjerë dhe të madhe bënë që besimtarët ta zhvendosnin vëmendjen e tyre nga e shenjta te laikja. (Shih 1 Nefi 8:11, 24–28.) Më vonë, nefitët zgjodhën krenarinë dhe mohuan shpirtin e profecisë dhe të zbulesës, “duke u tallur me atë që ishte e shenjtë” (Helamani 4:12). Madje edhe disa dëshmitarë të shenjave dhe çudive të lidhura me lindjen e Zotit zgjodhën t’i injoronin manifestimet e shenjta nga qielli, në favor të shpjegimeve laike (shih 3 Nefi 2:1–3).

Sot lufta vazhdon. Zërat laikë po rriten në volum dhe fuqi. Ata gjithnjë e më shumë i nxitin besimtarët të braktisin besimet që bota i konsideron të paarsyeshme dhe pa vend. Sepse “ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët” (1 Korintasve 13:12) dhe “nuk e di[më] kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17), ndonjëherë mund të ndihemi të cenueshëm dhe në nevojë për siguri më të madhe shpirtërore. Zoti i kujtoi Oliver Kaudrit:

“Në qoftë se ti dëshiron dëshmi të mëtejshme, sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde, që të mund të dije lidhur me të vërtetën e këtyre gjërave.

A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?” (DeB 6:22–23).

Zoti i kujtoi Oliverit, edhe neve, të mbështetemi në dëshmitë e shenjta personale që kemi marrë tashmë, kur besimi ynë të sfidohet. Sikurse për Moisiun, Almën dhe Jozefin më parë, këto takime hyjnore shërbejnë si spiranca shpirtërore që të na mbajnë të sigurt dhe në drejtimin e duhur në kohë sprove.

E shenjta nuk mund të dorëzohet sipas një përzgjedhjeje. Ata të cilët zgjedhin të braktisin, madje dhe një gjë të shenjtë, do t’i kenë mendjet e tyre të errësuara (shih DeB 84:54) dhe përveç nëse pendohen, drita që kanë do t’ju merret (shih DeB 1:33). Të paankoruar nga e shenjta, ata do ta gjejnë veten të humbur moralisht në një det laik. Në kundërshtim me këtë, ata të cilët i shenjtërojnë gjërat e shenjta, marrin premtime: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (DeB 50:24).

Zoti na bekoftë përherë e përgjithmonë që të njohim, të kujtojmë dhe të mbajmë të shenjtë atë që kemi marrë nga lart. Ju dëshmoj se ndërsa bëjmë kështu, ne do të kemi fuqinë të durojmë sprovat dhe të mposhtim sfidat e kohës sonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.