2012
Karol M. Stivens
Maj 2012


Karol M. Stivens

Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës

Karol M. Stivens

Karol Manzel Stivens gjithmonë ka pasur respekt për gjërat e shenjta dhe hyjnore. Ai nderim nisi kur ajo ishte vajzë e vogël, ndërsa familja e saj u vulos në tempull pas kthimit të nënës së saj në ungjill.

“Nuk e kuptova gjithçka që po ndodhte”, tha këshilltarja e parë e sapothirrur në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. “Por e dija se ishte e veçantë. Isha mjaft e rritur për të kujtuar se tempulli ishte vend i shenjtë.”

E lindur në mars të 1957-ës nga Karl L. dhe Forest Manzel, Motra Stivens ishte e treta nga nëntë fëmijët dhe u rrit në Ogden të Jutas në SHBA. Ajo i kujton fare mirë shembujt e dhënë nga prindërit e saj për shërbimin, sakrificën dhe se çfarë do të thoshte ta bënin familjen dhe Kishën përparësitë e tyre më të larta.

“Ungjilli ishte gjithçka për ta dhe ata na e treguan nëpërmjet shembullit se çfarë është shërbimi si i Krishtit”, tha ajo. “Ata na mësuan se çfarë do të thotë shërbim – se si të shërbejmë me të vërtetë.”

Ndërsa prindërit e saj shërbyen në pozita të ndryshme, ata i përfshinë fëmijët e tyre. Ishte gjatë atyre kohëve që ata zhvilluan miqësi me njëri-tjetrin – diçka që ajo dhe bashkëshorti i saj, Martin “Marti” Stivens, janë përpjekur ta bëjnë me të gjashtë fëmijët e tyre.

Ajo dhe Marti u takuan ndërsa ndoqën Universitetin Shtetëror të Uibërit në Ogden të Jutas, ku ajo studioi mbi edukimin në fëmijërinë e hershme. Ata u martuan në prill të 1976-ës në Tempullin e Loganit të Jutas. Motra Stivens tha se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë qenë një “skuadër” përgjatë viteve, ndërsa kanë mbështetur njëri-tjetrin në detyra të ndryshme, përfshirë thirrjet e saj si presidente, këshilltare dhe mësuese e Shoqatës së Ndihmës së kunjit dhe lagjes; presidente e Të Rejave të lagjes; këshilltare, mësuese e Fillores së lagjes dhe Udhëheqëse e Skautizmit të Filizave; mësuese seminari dhe misionare në shërbim të Kishës.

“Në të gjithë angazhimin, ne kemi gjetur gëzim e lumturi të madhe”, tha ajo. “Ne i përfshijmë fëmijët dhe nipërit e mbesat tona në shërbimin tonë. Për shkak të kësaj, kemi zhvilluar marrëdhënie të forta familjare ndërsa shërbejmë së bashku.”